Në krahët e traditës shekullore të 20 rekateve të teravisë



Për herë të parë, namazin e teravisë e kemi mësuar nga predikimet dhe librat e Hoxhës tonë, H. Vehbi S. Gavoçi. Ishte kaderi hyjnor i gjërave, që feja e shqiptarëve të mos humbej skutave të injorancës ateiste të komunistëve të pafé, që kishin marrë mbi supe misionin e tjetërsimit dhe fshirjes së një identiteti shekullor ...

Zoti i gjithësisë kishte zgjedhur nga mesi i shqiptarëve të asaj kohe, burra të bardhë, që në vitet e para të rimëkëmbjes, diku pas në ditët e para të vitit 1991, do të ishin aty, në krye të detyrës së vështirë të rizgjimit nga një komë intelektuale e besimore mbi 23 vjeçare të muslimanëve shqiptarë ...

Të gjithë e dinin se teravia, namazi shtesë pas jacisë së netëve të Ramazanit, ishte 20 rekate. Faleshin shpejt. Dhjetë suret e fundit përsëriteshin nga dy herë. Aq ishte, ajo që kishte ngelur në kujtesën e imamëve a drejtuesve fetarë të atyre ditëve të varfëra ... Ndoshta edhe pak më shumë se kaq ...

Hoxha, një hafiz i Kur'anit, përherë porosiste për faljen e teravisë dhe mbushjen e ditëve me adhurim, lexim Kur'ani e shtim sa më tepër të namazeve nafile, sidomos në prag të syfyrit a edhe pas dhikreve të sabahut, si namazi i duhasë ...

Në një prej librave të tij, Hoxha shkruan: "Me falë natën teravinë me 20 rekatë mbas jacijet si janë falë të vjetrit tek ne e kudo dhe siç falen edhe sot në Mekke e Medine e mos me u marrë me fjalët e atyre që thojnë mos e shtoni teravinë më shumë se 8 reqatë, se të parët tonë e të arabëve, Ylematë tonë, të Mekkes e të Medines dijnë ma mirë se të rinjtë e sotshëm që po ia kthejnë mendjen dikujt për mos me e shty teravinë e mos me e falë me 20 reqatë".

Hoxha, shkonte edhe përtej këtyre fjalëve, kujtonte me nostalgji fëmijërinë e tij: "Jena mësu qysh të vegjël me e falë Teravinë në xhaminë e Garucit në Shkodër me 20 reqatë. U rritme e shkuam në Siri (Damask) e edhe atje Teravinë e falshim me 20 reqatë. Shkova në Egjipt me mësue për fenë Islame ku qëndrova 10 vjet edhe atje e falshim Teravinë me 20 reqatë. Po në atë mënyrë e falshim Teravinë edhe në Mekke e në Medine ku qëndrova për 8 vjet, edhe sot përsëri e falin Teravinë me 20 reqatë me të mirën e Zotit (xh.sh.).. Teravia ashtë synet jo farz se farzet janë siç e dimë vetëm pesë. Mirëpo syneti në Ramazan ka sevapin e farzit siç e kena përmendë ma përpara. Prandaj duhet me u mundue mos me u kursue për këtë kohë që falena në të mbasi ka atë sevapë aq të madh".

Dhe tradita e 20 rekateve, ajo e vendosur nga Hz. Omeri (r.a.) dhe e miratuar nga praktika e sahabëve dhe pasimi i imamëve të mëdhenj, si Ebu Hanife, Shafii, Malik e Ahmed, vazhdon të mbushë edhe sot xhamitë tona... Sikur don të përkthejë në realitet hadithin e Resulull-llahit (a.s.): "Unë nuk e di sesa do jetoj pas kësaj dite, prandaj ndiqni ata që vijnë pas meje, Ebu Bekrin dhe Omerin", (Tirmidhi).

Këtë vit, në shoqërinë e disa vëllezërve, imamëve e teologëve, po përpiqemi ta falim teravinë e çdo nate Ramazani, në një prej xhamive të shumta të Shkodrës ...

Nga nata e parë e deri tani, kemi falur 20 rekatet e teravisë në Xhaminë e Plumbit, në Bardhej, në Parrucë, në Rus, në Tophanë, në Dragoç, në xhaminë e Medresesë, në Oblikë dhe në Bërdicë të Mesme.

Ajo që ndjehet dukshëm, si aroma e mirë e një luleje të hapur, është përshpirtësia e pakrahasueshme e netëve të këtij muaji të begatë dhe vullneti i besimtarëve për ta shijuar namazin e natës, teravinë, lutjet, bisedat vëllazërore pas namazit, pyetjet, përqafimet, urimet ...

Kudo, në secilën prej xhamive në fjalë, frekuentuesit e namazit të teravisë janë të moshave të ndryshme. Normalisht, më të gëzuar janë të moshuarit, që e shijojnë çdo natë Ramazani, si thesar jete ... Por, janë edhe të rinjtë e shumtë, që e gjallërojnë xhaminë me prezencën e tyre. Është sihariq për kohën dhe shoqërinë ku jetojmë, që ka të rinj të edukuar, që besojnë në Zot, që kanë dëshirë të jenë praktikantë në qetësinë e tyre, që vrapojnë për të mësuar dhe në heshtje rriten e rriten, me mbarësinë dhe përkujdesjen e Zotit ...

Ndoshta, një ditë, edhe ata, të rinjtë e xhamive tona, do të dëshmojnë, njësoj si Hoxha i jonë: "Jena mësu qysh të vegjël me e falë Teravinë në xhaminë e Garucit në Shkodër me 20 reqatë ...". Ndërsa teravia, me 20 rekatet e saj, mbetet po ajo, tradita shekullore që bashkon muslimanët në rrugën e kërkimit të pëlqimeve hyjnore ...



Autor: Imam Muhamed SYTARI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...