Vlerat historike të emigrimit profetik



Emigrimi profetik nuk ishte thjesht një largim nga frika e politeistëve dhe torturave të tyre, por myslimanët emigronin për të hedhur në mënyrën më të shëndoshë themelet e shoqërisë islame në një vend të sigurt. Profeti Muhamed a.s. nuk ishte thjesht një emigrant, por arkitekti, drejtuesi dhe udhërrëfyesi i një bote dhe shoqërie të re.

Emigrimi i Profetit a.s. nga Meka për në Medine ishte një limit ndarës midis epokës së paqëndrueshmërisë, vuajtjeve, torturave, embargos, dhunës së ashpër dhe fillimit të një epoke të ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë të ngritur mbi bazën e lidhjes së njeriut me Zotin, Krijuesin e tij, një shoqëri që i jep përparësi anës shpirtërore ndaj asaj materiale. Po t'i referohemi disa fragmenteve të shkëputura të kësaj ngjarjeje nxjerrim në pah shumë mësime e mesazhe për mbarë njerëzimin.

Në të shprehet qartë sakrifica e Ebu Bekrit r.a., shokut të Profetit a.s., i cili kishte vënë gjithçka në shërbim kauzës profetike. Kjo tregon qartë se shkëndijat e besimit kur kaplojnë zemrën e një njeriu, e bëjnë atë të gatshëm të sakrifikojë me gjithçka që posedon vetëm e vetëm që ato shkëndija të vazhdojnë ta ndriçojnë zemrën e tij. Kjo simbolizon, gjithashtu, gjendjen e vërtetë të myslimanit të sinqertë e besnik në raport me profetin e Allahut dhe udhëzimet e tij.

Vajtja e Profetit a.s. te shtëpia e Ebu Bekrit fshehurazi, në një kohë që nuk i shkonte zakonisht, dalja nga dera e pasme e shtëpisë së tij, marrja e drejtimit të kundërt me atë të Medines, duke u strehuar tri ditë e tri net në shpellën "Theur", lënia e Aliut r.a. në shtratin e tij, ndjekja e rrugës së bregdetit për të shkuar në Medine dhe jo rrugës së zakonshme, të gjitha këto ishin argument i qartë se i dërguari i Allahut i përdori të gjitha rrugët dhe mjetet e pranuara nga mendja njerëzore për realizimin e kësaj pune.

Profeti a.s. nuk i bëri këto veprime nga frika për veten e tij apo dyshimi se mos binte në duart e politeistëve.

Fakt për këtë ishte reagimi i tij në shpellë kur Ebu Bekri, i frikësuar për të, i pëshpëriti: "Sikur ndonjëri prej tyre të hedhë sytë te këmbët e tij, do na shohë".

Atëherë Profeti a.s. i tha: "O Ebu Bekër! Ç'mendon për dy persona që si të tretë kanë Allahun"?!

Ai nuk ndjeu kurrfarë frike edhe pse momenti ishte i tillë që mbillte frikë patjetër. Këto veprime të Profetit a.s. na bëjnë të qartë se besimi dhe mbështetja në Allahun e Madhëruar nuk bie në kundërshtim me përdorimin e shkaqeve të lejuara nga vetë Krijuesi i Gjithësisë.

Qëndrimi i Aliut në Mekë për t'u kthyer njerëzve amanetet, pasuritë e tyre të ndryshme që i kishin lënë në ruajtje te Profeti a.s., tregon dhe shpreh qartë gjendjen kontradiktore të politeistëve. Ata njerëz që e mohuan Profetin a.s. dhe filluan ta akuzonin atë si magjistar e mashtrues nuk mundën të gjejnë askënd në mesin e tyre më të besueshëm e më besnik se ai, prandaj nuk i linin pasuritë e tyre në ruajtje përveçse tek ai duke e quajtur: "I besueshmi dhe besniku". Ky veprim tregon se mosbesimi dhe mohimi i tyre nuk ishte për shkak se dyshonin në besueshmërinë dhe besnikërinë e Muhamedit a.s., por si pasojë e kryeneçësisë, mendjemadhësisë, arrogancës dhe frikës për pozitat e tyre, gjë kjo që ndodh në çdo kohë e çdo vend.

Po të meditojmë pak për njerëzit që ishin rreth Profetit a.s. dhe e përkrahnin atë, do të gjejmë se shumica e tyre ishin të rinj që dhanë kontributin e tyre për triumfin e Islamit, kësaj feje universale.

Abdullahu, i biri i Ebu Bekrit, orvatej mes Mekës dhe shpellës me qëllim që të studionte situatën dhe të njoftonte Profetin a.s. dhe babanë e tij. Esma, motra e tij, shfaqte gatishmërinë dhe seriozitetin e saj për përgatitjen e këtij udhëtimi. Që të dy paraqesin modelin e të riut dhe të resë myslimane, rolin e rinisë dhe gruas në rrugën e Allahut për ngritjen e shoqërisë së civilizuar islame.

Emigrimi profetik nuk ishte thjesht një largim nga frika e politeistëve dhe torturave të tyre, por myslimanët emigronin për të hedhur në mënyrën më të shëndoshë themelet e shoqërisë islame në një vend të sigurt. Profeti Muhamed a.s. nuk ishte thjesht një emigrant, por arkitekti, drejtuesi dhe udhërrëfyesi i një bote dhe shoqërie të re, themelet e para të së cilës ishin: 'Ndërtimi i jetës mbi baza shpirtërore që u konkretizua me ndërtimin e xhamisë, vëllazërimi midis myslimanëve muhaxhirëve dhe ensarëve (ndihmëtarëve), shkrimi i aktit juridik të themelimit të bashkësisë islame'.

Kur shkoi në Medine Profeti a.s. ngriti atje faltoren e parë, xhaminë e thjeshtë "Kuba", që Krijuesi i gjithësisë e cilëson në Librin e Tij duke thënë: "Një xhami që prej ditës së parë është themeluar mbi bazën e devotshmërisë ndaj Allahut është më e drejtë të falesh në të", (Teube, 108).

Islami i jep rëndësi të veçantë përhapjes së vëllazërisë dhe dashurisë, e kjo gjë nuk mund të arrihet e të plotësohet siç duhet vetëm se në xhami, ku myslimanët takohen me njëri-tjetrin çdo ditë.

Islami i jep rëndësi, gjithashtu, përhapjes së barazisë dhe drejtësisë në çdo aspekt, e kjo nuk ndodh më mirë se në xhami, ku besimtarët mblidhen dhe i drejtohen Allahut si një trup i vetëm. Pra xhamia është simbol i unitetit, i drejtësisë, barazisë, vëllazërisë dhe dashurisë ndërmjet tyre.

Për të futur ndërmjet myslimanëve shpirtin e dashurisë dhe vëllazërimit e për të larguar shpirtin e urrejtjes dhe mërisë, Profeti a.s. i vëllazëroi muhaxhirët me ensarët për të na treguar ne se çdo grupim, çdo bashkësi që ka një synim, duhet patjetër që lidhjet midis individëve të saj të ndërtohen mbi bazën e vëllazërimit, i cili mundëson që ata t'i qëndrojnë krah për krah njëri-tjetrit në çdo situatë, se "Myslimanët - siç thotë Profeti a.s. - në dashurinë, respektin, mirënjohjen e përgjegjësinë për njëri-tjetrin janë si një trup i vetëm, nëse një pjesë e tij rënkon, i tërë trupi është në alarm dhe gjendje gatishmërie të plotë".

Allahu e ngre lart parimin e bashkimit dhe vëllazërisë në Kur 'an ku thotë: "Dhe kapuni që të gjithë pas fesë së Allahut e mos u përçani, dhe përkujtojini mirësitë e Allahut ndaj jush kur ishit të armiqësuar dhe Ai bashkoi zemrat tuaja, dhe me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër, dhe ishit në buzë të greminës së zjarrit e ju shpëtoi prej tij. Kështu jua sqaron Allahu argumentet e Veta që ju të gjeni të vërtetën e lumtur(udhëzimin)", (Ali Imran, 103).

Profeti i Islamit ishte ai që krijoi lidhjen e kombeve dhe vuri në jetë parimin e vëllazërisë dhe unitetit ndërkombëtar.

Këto ishin themele universale që i dhanë dritë kombeve të tjera, duke qartësuar se asnjë ide apo fe nuk mund të paralelizohet me atë që Islami ka bërë për të vënë në jetë idenë e lidhjes së kombeve.

Akti juridik i themelimit të bashkësisë islame ishte akti i parë juridik i shkruar, nenet e të cilit shprehnin qartë se besimtarët ishin një bashkësi e vetme. Në të shprehej qartë ndalimi i dhunës, krimit, padrejtësisë, si dhe vendosja e sigurisë, qetësisë dhe rregullit brenda dhe jashtë Medines, specifikohej se minoranca jobesimtare gëzonte të drejtën dhe lirinë e besimit, sepse nuk ka detyrim në fe, siç urdhërohet edhe në Kur'an.

Vënia e këtyre themeleve i tregoi mbarë njerëzimit në Lindje e në Perëndim shfaqjet e civilizimit dhe qytetërimit të vërtetë, se parimet e Islamit janë një etikë praktike për sjelljen e përditshme dhe të përshtatshme për mbarë njerëzimin.

Ky ishte emigrimi profetik. Kjo ngjarje ishte fillimi i një epoke të re.



Përgatiti: dritaislame

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...