Si bëhet falja e namazit të bajrameve?



Namazi i Bajramit është ligjësuar në vitin e parë sipas Hixhretit. Argumenti për ligjësimin e tij është hadithi i Pejgamberit a.s., të cilin e ka koleksionuar Ebu Davudi të përcjellë nga Enesi r.a., në të cilin thuhet: "Erdhi Pejgamberi a.s. në Medine dhe (banorët e Medinës) kishin dy ditë në të cilat luanin, e Pejgamberi a.s. tha: "ç'janë këto dy ditë"? I thanë: "Në këto dy ditë luanim edhe në xhahiliet (periudhë e injorancës)". Pejgamberi a.s. tha: "Vërtetë, Allahu xh.sh. na i ka ndërruar këto dy ditë me dy më të dobishme. Pra me ditën e Fitër Bajramit dhe të Kurban Bajramit"".

Falja e namazeve të bajrameve është vaxhib (i obligueshëm), dhe obligohet për ata që i plotësojnë kushtet e namazit të xhumasë. Namazi i bajramit ka dy reqate, ngjashëm, sikur namazi i xhumasë, dhe kushtëzohen të gjitha ato kushte, të cilat përmenden si kushte te namazi i xhumasë, pavarësisht se a bëhet fjalë për kushtet e obligueshmërisë apo të vlefshmërisë. Nga ky rregull përjashtohet vetëm hytbeja e cila është kusht i vlefshmërisë, porse te xhumaja realizohet para faljes së namazit, ndërsa të bajramet realizohet pas faljes së namazit. Gjithashtu, ndërron edhe dispozita e hutbesë, e cila në namazin e xhumasë është farz, kurse hytbeja e bajrameve është sunet.

Koha e namazit të bajramit fillon pasi që dielli të ketë kaluar nga lindja 30 apo 45 minuta dhe vazhdon deri para kohës së zenitit.

Namazi i bajramit ka dy reqate dhe falet në këtë mënyrë: Së pari bëhet nijeti dhe ai bëhet kështu: Vendosa ta falë namazin e (fitër apo kurban) bajramit, për hirë të Allahut, u ktheva nga kibleja, iu bashkëngjita imamit. Pastaj, imami, së bashku me xhematin, marin tekbirin fillestar. Si zakonisht, lidhet në namaz dhe lexon Subhanen. Pastaj, imami, së bashku me xhematin, marin edhe tre tekbiret e bajramit, të cilët në terminologjinë e Sheriatit quhen "tekbiru-z-zevaid", dhe në secilin tekbir ngriten edhe duart deri tek lobullat e vëshëve. Pastaj imami lexon me zë suren El-Fatiha dhe një sure tjetër, kurse është sunet që në reqatin e parë të lexohet sureja El-A'la. Në reqatin e dytë imami lexon Fatihanë dhe një sure tjetër, kurse është sunet të lexohet sureja El-Gashije, dhe pastaj meren edhe tre tekbiret e tjera të bajramit, ngjashëm, sikur në reqatin e parë, ndërsa në tekbirin e katërt shkohet në ruqu (ruku'), më pas në sexhde, dhe më pas në uljen e fundit ku lexohet Et-tehijjati dhe salavatet, dhe në fund jepet edhe selami. Me përfundimin e namazit të bajramit, xhemati qëndron ulur duke e përcjellë ligjeratën e ligjëruesit, i cili nga hutbeja bën sqarime rreth dispozitave që ndërlidhen me Fitër bajramin apo me Kurban bajramin. Në fund bëhet lutja e përbashkët ku, në këtë mënyrë, edhe përfundon ceremonia e faljes së namazit të bajramit.


Tekbiri i Teshrikut (Ky tekbir bëhet me rastin e festës së Kurban Bajramit)

Tekbiri i Teshrikut është vaxhib pas faljes së çdo namazi farz, qoftë për bura apo gra, vetmas apo me xhematë, eda qoftë apo kaza. Gratë tekbirin e Teshrikut e shqiptojnë me zë të ulët.

Allahu i Madhërishëm thotë: "Allahun përmendeni në ditët e caktuara (në ditët e Bajramit)".

Thënia e tekbireve fillon me faljen e namazit të sabahut të ditës së Arafatit dhe përfundon në ditën e tretë të teshrikut, respektivisht në ditën e katërt të bajramit me namazin e iqindisë. Teksti i tekbirit është në këtë mënyrë: "All-llahu ekber, All-llahu ekber, la ilahe il-lall-llah vall-llahu ekber, All-llahu ekber ve lil-lahil hamdu".


(Koha e faljes së namazit të bajramit)

Nëse ka kaluar namazi i Bajramit pa e falë me Imam, ai nuk bëhet kaza, sepse ky namaz nuk mund të konsiderohet afrim tek Allahu xh.sh. pa i plotësuar disa kushte të cilat nuk mund të plotësohen vetëm.

Namazi i Fitër bajramit, me arsyetim, mund të prolongohet vetëm deri në ditën e nesërme. Sa i përket namazit të Kurban bajramit, ai mund të prolongohet deri në ditën e tretë, ngase ai është i ndërlidhur me prerjen e kurbaneve, që do të thotë se lejohet falja e namazit të Kurban bajramit për aq sa lejohet të zgjatet therja e kurbaneve. Mirëpo, nëse prolongohet deri në ditën e tretë, pa pasur justifikim, ky namaz është i vlefshëm, por me mëkat.

Nëse dita e bajramit vërtetohet pas kalimit të diellit nga zeniti, atëherë namazi i bajramit falet ditën e nesërme. Ngjashëm është edhe nëse namazi i bajramit nuk mund të falet ditën e parë për shkak të kohës së keqe.

Nëse dikush shkon për ta falur namazin e bajramit dhe e ka gjetur imamin duke lexuar Kur'an, ai fillimisht merë tekbirin fillestar, pastaj tekbiret e bajramit, e pastaj e ndjek imamin në namaz. Vepron kështu nëse është i sigurt se nuk do t'i humb reqati i parë, e nëse imamin e zë në ruqu (ruku'), atëherë merë tekbirin fillestar, pastaj tekbirin e ruqisë dhe shkon, menjëherë, në ruqu, kurse tekbiret e bajramit i merë duke qenë në pozitën e ruqusë.

Nëse imamin e zë pasi që të ishte ngritur nga ruqui i parë, ose në rekatin e dytë, atëherë e ndjek imamin, kurse kur imami të ketë përfunduar me namazin, ai e plotëson atë që i ka ngelur sikur të ishte me imam, porse tekbiret e bajramit i merë pas leximit të Kuranit.

Urrehet falja e namazeve nafile para faljes së namazitë të bajramit në xhami apo në shtëpi, po ashtu edhe pas namazit të bajramit në xhami. Kjo vërtetohet me faktin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli dhe ua fali namazin njerëzve, e nuk fali asgjë pas para e as pas namazit të bajramit, (Buhariu dhe Muslimi).


Sunetet e bajramit

Përveç suneteve të xhumasë, që janë sunete edhe në namazin e bajramit, në bajram shtohen edhe disa të tjerë, e që janë:

- Në Fitër bajram të hahet diçka para se me dalë në vendfalje dhe mundësisht që ai ushqim të jetë hurme apo ndonjë send tjetër i ëmbël, kurse në Kurban bajram është sunet që mos të hahet asgjë para se të falet namazi.
- Gjatë rrugës për në namazin e Fitër bajramit, tekbiret të thuhen në heshtje, ndërsa në namazin e Kurban bajramit me zë.
- Të ndërrohet rruga duke shkruar dhe ardhur nga xhamia.
- Në Fitër bajram të paguaj sadekatul fitrin para se të falë namazin e Bajramit, edhe pse nuk ka gjë të keqe nëse paguhet më herët.

Sa u përket mendubeve (të preferuarat) të bajramit, do t'i potencojmë disa nga to, që janë: Të vizitohen varrezat pas namazit të bajramit, t'i vizitohen afërmit dhe farefisi, shokët, të sëmurit, të ris, gjithashtu, shpërndarjen e sadakave, sipas mundësive të tij, etj..



Autor: Jusuf ZIMERI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...