Islami dhe Matematika



Matematika është çështje e mendjes, por "matematicienti i mirë deri diku duhet të jetë edhe poet". Kështu thoshte matematikani gjerman Karl Weierstrass.

Matematika ndryshe shkenca e numrave, ka një histori interesante në zhvillimin e sajë si shkencë. Allahu xh.sh në Kuran shpesh na tregon për numrat si tekun dhe çiftin: "Pasha çiftin dhe pasha tekun!", (Fexhr 3).

Diskutimet matematikore na i tregon Kurani kur na shfaqet historia e djelmoshave të shpellës, pra një diskutim dhe endje numrash, por në fund jepet rezultati në përgjithësi, pas një diskutimi për numrin e banorëve që mund të kenë qenë aty bashkë me qenin pranë tyre, por përveç kësaj tregohen detaje gjeometrike se çfarë pozitash ata mund të kishin pasur dhe qeni tyre ku mund të ketë qëndruar, këto gjëra nxisin intelektin e një matematikani dhe gjeometri.

"Ata (që bisedonin për këtë) do të thonë: "Ishin tre, i katërti i tyre ishte qeni i tyre", dhe thonë: "Ishin pesë, e qeni i tyre ishte i gjashti i tyre", kjo ishte hamendje, po edhe thonë: "Ishin shtatë, e qeni i tyre ishte i teti"! Thuaj: "Zoti im di më së miri për numrin e tyre, përveç një pakice nuk di kush për ta, e ti (Muhammed) mos polemizo për numrin e tyre vetëm ashtu në tërësi, dhe askë mos pyet për ta"", (El-Kehf,22) Matematika përbën një fushë të njohurive abstrakte të ndërtuara me ndihmën e arsyetimeve logjike mbi koncepte të tilla si numrat, figurat, strukturat dhe transformimet. Matematika dallohet nga shkencat tjera për një lidhje të veçantë që ka ajo me realitetin. Ajo është e një natyre të pastër intelektuale, e bazuar tek një seri aksiomash të deklaruara të vërteta (do të thotë që aksiomat nuk i janë nënshtruar asnjë eksperience por janë të frymëzuara nga eksperienca) ose mbi disa postulate përkohësisht të pranuara. Një pohim matematikor - i quajtur përgjithësisht teoremë ose propozicion konsiderohet i vërtetë nëse procesi i vërtetimit formal që përcakton vlefshmërinë e saj respekton një strukturë arsyetuese logjike-deduktive. Shkencëtarët mysliman u morën që herët me shkencën e matematikës. Shpikën dhe zhvilluan mjaft sisteme dhe teorema, si: rrënjën në katror, ekuacionet lineare dhe kuadratike, integralet, kosinuset, tangjentet, etj..

Pak nga ne dimë se numrat që përdorim sot (0, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9) janë numrat që kanë shpikur shkencëtarët myslimanë që në vitet e para të përhapjes së Islamit. Edhe në fjalorin shqip këto numra janë të emëruar si "numrat arab".

Algjebra është shkenca më origjinale e shpikur prej myslimanëve. Fillimisht duhet kujtuar se vetë fjala "algjebër" vjen nga emri i librit El-Xhebr ue'l-Mukabala të matematikanit të njohur musliman Havarizmit. Kjo është një nga shkencat që është kopjuar komplet nga perëndimorët prej librit të lartpërmendur të Havarizmit, i cili u përkthye në latinisht me titullin "De Jebra et Almucabala" në shekullin XII prej Gerard De Cremona. Më vonë, për së dyti, ky libër është përkthyer në latinisht me titullin "Liber Restaurationis et oppositionis Numeri" nga Robert Chester, vepër e cila u lexua në universitetet perëndimore dhe në tubimet shkencore gjer në shekullin XVII.

Gjeometra të tillë si Ibrahim ibn Sinani e vazhduan punën e Arkimedit në studimin e ajrit dhe vëllimit, ndërsa Kemal al-Dini dhe të tjerët zbatuan teoritë e fragmentimit të konit për të zgjidhur problemet e ndryshme. Duke përdorur funksionet e sinusit dhe teoremën e Menelaut, matematicientët nga Habas al-Hasib e deri tek Nasir ad-Din at-Tusi, krijuan disiplinat matematikore të planit dhe trigonometrisë. Këto nuk u bënë disiplina shkencore në perëndim, deri ne publikimin e De Triangulis Omnimodibus te astronomit gjerman Regiomontanus.

Matematicientet italian si Leonardo Fibonaci dhe Luka Pacioli, u mvarën plotësisht nga burimet arabe nga të cilat ata kishin marrë njohuritë.

Matematikani Pitagora shpreh krijimin e botës si më poshtë:

Bashkimi është ligji i Zotit,
Zhvillimi është ligji i Jetës,
Numri është ligji i Botës.

Pra të parën vendos bashkimin e këtyre numrave dhe thotë se është ligj i Krijuesit, Zotit i cili krijoi tekun dhe çiftin ashtu siç krijoi Ademin tek dhe nga briri tij nxori Havën që u bënë çift dhe nga kjo palë u shumëfishua njerëzimi me lejen e Allahut në mënyrë matematikore-shumzimore.

Përcaktimi i drejtimit te Kiblës, përcaktimi kohëve të namazit dhe çështja e ndarjes së trashëgimisë ka bërë që myslimanët të merren me kohë me shkencën e matematikës. Poashtu që në fillim me njeriun e parë në tokë u mësua arti i numërimit dhe shumëzimit. Të dhënat flasin edhe për data e numërime kalendarike se Nuhu a. s mund të ketë jetuar 950 vite kemi argument në suren Ankebut ajeti 14: "... e ai kaloi ndër ata një mijë pa pesëdhjetë vjet ..." (do të thotë 950 vite). Këto e shumë të dhëna i gjeni në Kuran dhe sunet, ku të gjitha po i shtjelluam dhe i analizuam, do dilnin studime me vëllime për matematikën që nga krijimi njerëzimit e deri më sot, por lusim Allahun që të shtojë në radhët tona mysliman që e studiojnë matematikën edhe në këndin islam!!!



Autor: Mr. Arbër BERISHA

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...