Kuptimi i drejtë i realitetit në optikën e ixhtihadit bashkëkohorë



Aliu r.a. thotë: "Foluni njerëzve në nivelin që ata ju kuptojnë, a mos dëshironi të përgënjeshtërohet Allahu dhe i Dërguari i Tij"?


Brezat e parë njohës të thellë të realitetit ku jetonin

Atributi i fituar nga gjeneratat e para si brezat e artë të Islamit, nuk ishte përshkrim i shoqërisë së tyre vetëm nga një këndvështrim i caktuar, por ai ishte tipar që pasqyronte realitetin e tyre, si në aspektin e ngritjes shpirtërore, morale, kulturore, ashtu edhe në fushën e njohjes së thellë të realitetit ku jetonin ata. Elementi bazë që i bëri ata të ishin të tillë, pa dyshim ishte vetë jetesa dhe shoqërimi i Muhamedit a.s., i cili gjithnjë ishte strehë dhe referencë për të gjithë ata që i besuan mesazhit të tij. Muhamedi a.s., kur ofronte zgjidhje për problemet e ymetit të tij, këtë nuk e bënte nga mendja e tij njerëzore, por i frymëzuar nga shpallja hyjnore, prandaj vendimet e tij ishin të pagabueshme, dhe gjithnjë në përputhje me realitetin në të cilin jetonte ai. Këtë e konstaton vetë Allahu në Kur'anin fisnik, ku thotë: "Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur'ani) nuk është tjetër përveçse shpallje që i shpallet", (En-Nexhm, 3-4). Pa dyshim që ajetet që zbrisnin tek Muhamedi a.s., i përgjigjeshin aktualitetit dhe realitetit të njerëzve të asaj kohe, shpeshherë edhe në mënyrë të drejtpërdrejt e tekstuale.

Mirëpo është rregull në shkencën e tefsirit që merret në konsideratë përmbajtja përgjithësuese e tekstit e jo shkaku i veçantë i zbritjes së tij. Prandaj, sa herë që njerëzit hasnin në probleme, i Dërguari i Allahut ofronte zgjidhje të favorshme, mbase duke qenë njëherësh edhe njohës i thellë i realitetit të tyre. Njohjen e realitetit e trashëguan nga ai edhe shokët e tij besnikë, dhe këtë e vërejmë në shumë raste, në mesin e të cilave është edhe ai kur Muhamedi a.s. e dërgoi Muadh bin Xhebelin në Jemen si emisar të tij, dhe e pyeti: "Me çfarë do të gjykosh, o Muadh!? Ai tha: Do të gjykoj me Librin e Allahut: E, nëse nuk e gjen? Atëherë me Synetin e të Dërguarit të tij. E, nëse nuk egjen në Synetin e të Dërguarit të Tij? Atëherë, tha Muadhi: Bëj përpjekje-ixhtihad dhe ofroj zgjidhje për ta e nuk rri duarkryq. Muhamedi a.s., ia rrahu gjoksin (shenjë kënaqësie) dhe i tha: E falënderoj Allahun që e udhëzoi në të drejtën emisarin e Pejgamberit të Tij, dhe me këtë e kënaqi të Dërguarin e Allahut". [1]

Në këtë argument vihet në pah fakti se Muadh Ibn Xhebeli theksoi nevojën që, për problemet për të cilat nuk kishte tekst të drejtpërdrejt, do të mundohej të njihte thellë realitetin e çështjes në fjalë, e pastaj do të bënte përpjekje për të gjetur diçka që është analoge me të në Kur'an dhe Synet. Kjo pikëpamje hulumtuese për zgjidhje adekuate edhe në mungesë të tekstit të drejtpërdrejt, mori edhe miratimin dhe bekimin e të Dërguarit a.s., ngase një gjë ishte e qartë, që njerëzit nuk bën të lihen pa shtegdalje juridike për problemet e tyre. Gjëra të tilla do të vërejmë më vonë edhe nga Ebu Bekri r.a., pastaj nga Umer ibn Hatabi, gjatë udhëheqjes së tyre të drejtë. Për të dëshmuar këtë, do të na mjaftonte rasti kur Umeri r.a. përzgjodhi Ubu Musa El-Esha'riun që të ishte mëkëmbës i tij në Irak, të cilin, ndër të tjera, e porositi: "Vëri re! Kuptoji thellë (të them edhe një herë) kuptoji mirë çështjet që të paraqiten ty, nëse s'ke tekst as nga Kur'ani e as nga Syneti i Muhamedit a.s., atëherë bëj krahasime dhe njihi gjërat analoge dhe ato që kanë ngjashmëri në mes tyre, pastaj zgjidh atë që është më e dashur tek Allahu dhe atë që më së shumti i përafrohet së vërtetës". [2] Kjo porosi e dhënë nga Umeri r.a., dëshmon për mendjemprehtësinë e tij, të kuptuarit e tij të thellë të realitetit si dhe tregon për kujdesin që një tipar të tillë ta kultivonte edhe tek mëkëmbësit e tij gjithandej nëpër rajone.


Ndryshimet e shpejta kohore, sfidë për elitën e dijetarëve bashkëkohorë

Megjithatë, kohët ndryshuan dhe problemet sa vinin e shtoheshin, madje në të gjitha fushat e jetës, dhe kësisoj vazhdojnë edhe sot. Prandaj, krahas mundësive të pafundme që ofrojnë sot të arriturat bashkëkohore, madje në të gjitha aspektet jetësore, duhet të pajtohemi se ato na vënë para shumë sfidave komplekse, ballafaqimi me të cilat nuk duket të jetë edhe aq i lehtë. Nëse shtrijmë horizontin e studimit tonë në tunelin kohor, do të vërejmë se, sa më herët të kthehemi në retrospektivë, do të gjejmë një thjeshtësi më të madhe jetese, dhe rrjedhimisht probleme e sfida më të kufizuara. Por, me gjithë këto ndryshime të mahnitshme që ndodhin, madje me ritme shumë të shpejta, e bëjnë të domosdoshme që juristët bashkëkohorë islamë të bëjnë hulumtime shumëmë të thella, me një qasje të re, dhe gjithsesi të menjëhershme. Përpjekja e juristëve islamë ishte e domosdoshme për faktin se Sheriati islam, është ligji që e ka zgjedhur Allahu i Lartëmadhërishëm - që të jetë platformë juridike dhe sistem jetësor që mbetet i pamposhtur përballë furtunës së shpejtë të ndryshimeve kohore. Ai është i zbritur që të jetë referencë e përjetshme dhe një oqean i pafund me zgjidhje ideale për njerëzimin mbarë, dhe në mënyrë të veçantë për myslimanët kudo që jetojnë ata. Kjo është edhe një specifikë e veçantë e tij, ngase ky sistem jete buron nga dija absolute e Zotit - të Gjithëdijshmit.

Ndërsa, pa dilemë fare, sistemet dhe legjislacionet e tjera nuk e gëzojnë këtë fakt, ngase burim i të gjitha të tjerave është mendja relative e njerëzve. Me gjithë faktin që burimet e dispozitave sheriatike disponojnë një fond tejet të begatshëm të argumenteve bazë, si dhe një elasticitet të mjaftueshëm të tyre në raportme ndodhitë, duhet pranuar se herë pas here, e ndoshta sot në masë edhe më të shtuar, është krijuar një lloj boshllëku në mes realitetit të shoqërive myslimane dhe platformës juridike islame. Mirëpo, parimisht, duhet pranuar se përgjegjësinë për mos lejimin e zgjerimit të një pellgu të tillë në mes burimeve islame dhe praktikës së myslimanëve, pa dyshim që kryekëput e bartin dijetarët, e pjesërisht edhe udhëheqësit politikë të tyre. Mbase për t'iu përgjigjur të gjitha këtyre ndryshimeve që ndodhin çdo ditë në botën moderne, në veçanti atyre të fushave ekonomike, politike e sociale, dijetarët bëjnë përpjekje maksimale që të zvogëlojnë pellgun ndarës në mes të realitetit aktual dhe teksteve tradicionale islame (Kur'anit dhe Synetit profetik).

Ata iniciuan themelimine institucioneve e akademive të shumta hulumtuese në fushat e ndryshme islame, me anë të të cilave deri diku përafruan gjetjen e zgjidhjeve optimale për problemet bashkëkohore të myslimanëve. Në akademitë shkencore e hulumtuese të themeluara në dekadat e fundit të shekullit të kaluar në Botën Islame, dijetarët islamë kërkuanndihmën e kuadrit profesional të profileve të ndryshme shkencore, si të ekonomisë, mjekësisë, sociologjisë, politikës e të tjerë, të cilëve u referoheshin sa herë që çështjet juridike kishin të bënin me profilet e atyre ekspertëve. Kjo u bë në saje të përpjekjeve të sinqerta dhe vizionare të elitës së dijetarëve islamë, për të kuptuar realitetin aktual me objektivizëm të skajshëm, dhe në formën më të mirë tëmundshme.


Kriteret shtesë për muxhtehidët - dijetarët bashkëkohorë

Në këtë kontekst, dhe të gjendur përballë këtyre rrethanave, u kërkua që dijetarët që kanë premisa për të qenë referencë e zgjidhjeve për preokupimet bashkëkohore të myslimanëve, përveç njohurive të tyre rreth burimeve të Sheriatit apo, siç janë të njohura si kushte tëixhtihadit, duhet të njohin mirëfilli edhe dy aspekte të rëndësishme.

E para prej tyre është njohja e mirëfilltë e synimeve të Sheriatit islam: Synime këto që manifestohen qartazi në gjithë dispozitat edetajizuara të tij. Ky konstatimdel nga fakti se i Gjithëdijshmi nuk ka krijuar asgjë së koti,dhe as nuk ka ligjësuar asnjë normë përveçsetë tilla në aplikimin e të cilave ekzistojnë arsye,fshehtësi dhe urtësi, disa prej të cilave, padyshim, mund t'i zbulojmë edhe me anë tëdhuntisë së mendjes. Ai në Librin e Tij Fisnikthotë: "Ne nuk i krijuam qiejt e Tokën dhe ç'ka ndërmjet tyre pa një qëllim. Por, Ne ikrijuam të dyja me qëllim të caktuar, mirëpo shumica e tyre nuk e dinë", (Duhan, 38-39). Por, këtë kriter, ndoshta prej atyre që më së miri e kristalizoi nga dijetarët islamë, pa dyshim është Shatibiu, i cili tha: "Meqenëse i tërë Sheriati është i ndërtuar duke marrë parasysh interesat e njerëzve (qofshin ato në shkallë të domosdoshmërive, nevojave apo komoditeteve), dhe nëse njeriu arrin të kuptojë synimet e Ligjvënësit në çdo çështje prej çështjeve të ligjit të Tij, madje në çdo kapitull të jurisprudencës, atëherë ai është i denjë që të konsiderohet trashëgimtar i Muhamedit a.s. në mësimdhënie, fetva dhe gjykim sipas Ligjit të Allahut". [3] Këtë koncept të kuptimit të objektivave sheriatikë e konstatuan më vonë edhe shumë dijetarë, të cilët detajizuan edhe mëtej konceptin e tillë.

E dyta është njohja e realitetit ku jetojmë: Ky kriter është vendosur në dritën e rregullit të artë të usuli fikhut se: Gjykimi mbi një çështje duhet të bëhet pas perceptimit të thellë tësaj". Por, çfarë nënkuptojmë me këtë kriterqë duhet plotësojë patjetër muxhtehidi, për tëfituar të drejtën që të flasë në emër të Islamit Me kuptimin e realitetit është synim zbritja në fushën e veprimtarive njerëzore, që të njihen problemet, vuajtjet, mundësitë dhe gjërat me të cilat ata ballafaqohen, si dhe hulumtimipër zgjidhjen në tekstet (nga Kur'ani ose Syneti), të cilat ofrojnë shtegdalje për gjendjen e tyre në një periudhë të caktuar kohore. [4] Respektivisht, do të duhej që të përdorë tekstet e pakontestueshme, në mënyrë që ato të japin frytet e veta, në bazë të një metodologjie të qartë, e cila merr në konsideratë veprimin me argumentet, realizimin e synimeve të tyre, por nuk anashkalon as aktualitetetin, ndryshimet kohore, si dhe rrethanat e reja të krijuara më vonë.

Këtu duhet theksuar një e vërtetë se, gjatë periudhave kohore, ka pasur shumë "dijetarë" që kanë njohur mirëfilli burimet tradicionale të Sheriatit islam, por të cilëve ndoshta u ka munguar njohja e realitetit të tyre dhe, në anën tjetër, kanë ekzistuar edhe të tjerë që kanë njohur mirë realitetin e tyre, mirëpo nuk i kanë njohur burimet tradicionale islame, ndërsa më të rrallë kanë qenë ata që kanë bashkuar të dy këto njohuri të rëndësishme. Në të vërtetë, një balancë të tillë në mes njohjes së burimeve tradicionale dhe njohjes së realitetetit duhet ta realizojë domosdoshmërisht muxhtehidi-hulumtuesi i pavarur, sepse ai ka për detyrë të transferojë tekstin nga një argument teorik në një realitet praktik, d.m.th. të nxirret nga teorizmi i tij e të jetësohet në praktikë, me qëllim që të dëshmohet e vërteta e patundur se Sheriati islam - Ligji i Zotit të Gjithëdijshëm është system jete, që vlen për çdo kohë dhe çdo vend. Vetëm këta do të ishin zbatues të porosisë domethënëse të Aliut r.a., i cili thotë: "Foluni njerëzve në nivelin që ata ju kuptojnë, a mos dëshironi të përgënjeshtërohet Allahu dhe i Dërguari i Tij"? [5] Andaj, para se të japin opinionin e tyre, dijetarët duhet të marrin parasysh argumentet sheriatike dhe pastaj realitetin, sepse vetëm në këtë mënyrë kanë garantuar saktësinë e mendimeve të tyre, por edhe pranueshmërinë nga masat e gjera për atë që thonë.



Autor: Driton ARIFI



_________________________

[1] - Këtë hadith e koleksionon Ebu Davudi në "Sunenin e tij" (Nr: 3592-3/303). Boton Darul-Fikr.
[2] - Shih: Subulusselam, Es-san'ani (4/381). Darul-Asimeh. Bot. i I 2001. Rijad.
[3] - Shih: El-Muvafekat, Esh-Shatibijj (734). Darul-Kitabel-Arabijj. Bot. i I 2002. Bejrut.
[4] - Shih: Fikhul-vaki', Ahmed Bauud (f. 16).
[5] - Transmeton Buhariu në "Sahihun" e tij, (Nr:127, 1/59).

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...