Rregullat në lidhje me Israiliatet në Tefsir



Israiliatet janë rrëfime që na kanë arritur përmes çifutëve dhe të krishterëve. Duhet theksuar që komentuesit e hershëm i shënonin të gjitha llojet e transmetimeve që u arrinin përmes një burimi të identifikuar. Shumë prej këtyre transmetimeve kanë qenë israiliate. Prandaj, është e rëndësishme të dihen çka janë në të vërtetë këto transmetime. E vërteta është se disa sahabij fisnik dhe pasuesit e tyre së pari kanë qenë në fenë e Ehli Kitabëve, pastaj kur ata u bënë musliman dhe mësuan Kur'anin, ata në Kur'an hasën nëpër disa ngjarje që kanë të bëjnë me popujt e mëhershëm të cilat i kishin lexuar në librat e fesë së tyre të mëparshme. Prandaj, kur iu referoheshin këtyre ngjarjeve të përmendura në Kur'an, ata para muslimanëve përshkruanin edhe detaje të tjera që i kanë parë në librat e fesë së tyre të vjetër. Këto detaje kanë hyrë në librat e tefsirit nën emrin 'israiliate'.

Hafiz ibn Kethir, i cili është një prej dijetarëve hulumtues të besueshëm, shkruan se janë tre lloje të israiliateve:

1. Transmetime, e vërteta e të cilave është e vërtetuar nga dëshmitë tjera të Kur'anit dhe Sunetit, për shembull, përmbytja e faraonit dhe ngjitja e sejidina Musës (a.s.) në malin Tur (Sinai).

2. Transmetimet, pavërtetësia e të cilave është e vërtetuar nga dëshmitë tjera të Kur'anit dhe Sunetit, për shembull, në israiliate gjendet transmetimi që sejidina Sulejmani (a.s.) në vitet e fundit të jetë së tij është bërë jobesimtar (Zoti na ruajt). Përgënjeshtrimi i kësaj është i vërtetuar nga Kur'ani. Në të thuhet: "E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues", (2:102). Një shembull tjetër, që përmendet në israiliate është se sejidina Dawudi (a.s.) ka bërë kurvëri me gruan e gjeneralit të tij (Uriah), ose, duke e mbytur atë përmes dredhive të ndryshme, përfundon duke martuar gruan e tij. Kjo po ashtu është një gënjeshtër e hapur, dhe konsiderimi i këtyre transmetimeve si të pavërteta është e domosdoshme.

3. Transmetimet në lidhje me të cilat Kur'ani, Suneti dhe Sheriati janë të heshtura, si urdhëresat e Tevratit, etj., janë çështje rreth të cilave duhet heshtur, siç na ka mësuar Pejgamberi (s.a.v.s.): "As mos i konfirmoni, as mos i përgënjeshtroni". Mirëpo, ka mospajtim në mesin e dijetarëve nëse transmetimi i këtyre transmetimeve është i lejuar. Hafiz ibn Kethir jep fjalën përfundimtare duke thënë që transmetimi i këtyre është i lejuar, por një gjë e tillë është [gjithsesi] e pavlefshme, sepse ato nuk mund të merren si autentike, (Mukaddimeh Tefsir Ibn Kethir).



Autor: Mewlana Muhammed Shafi Uthmani el-Hanefij (1897-1976).
Përgatiti: Vepra [Tefsir] Ma'riful Kur'an, fq. 41-42.
Përktheu: Fatih IBRAHIMI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...