Të kujtosh Profetin a.s.



Këto ditë të muajit hënor rebijul euel muslimanët në mbarë botën kujtojnë lindjen e Profetit të fundit, Muhamedit a.s. Ardhja e tij në këtë jetë shënoi fillimin e një epoke të re për mbarë njerëzimin, ashtu siç shënoi dhe fundin e revelatave hyjnore të mëparshme, duke mbyllur ciklin e vargut të gjatë të profetëve, të cilët Zoti na i solli si mesazhierë të Tij. Kjo i jep fund kufizueshmërisë lokale të shpalljeve hyjnore, të cilat më parë kanë qenë të specifikuara për popuj dhe periudha te caktuara, duke sjellë fillimin epokës së universalizimit të shpalljes, e cila tashmë i drejtohet mbarë botës deri në ditën e fundit.

Profeti Muhamed a.s., ishte shembulli më i lartë i konkretizimit të hyjnores në trajtën e natyrshmërisë njerëzore. Ai ishte fjala e Zotit që ecte mbi tokë, siç e ka cilësuar bashkëshortja e tij Aishja. Ai ishte njeriu që e manifestoi adhurimin dhe dashurinë ndaj Krijuesit në mënyrën më të përkryer. Jeta e tij ka qenë shembull në të gjitha fazat e saj, duke filluar nga fëmijëria e deri në fund. Vetë Krijuesi i Gjithësisë, e ka lëvduar atë mbi shtatë qiejt, me lavdet më të larta: "Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut...", "Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!", "Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde".

Ky vlerësim na frymëzon e na mbush me krenari, por gjithashtu na shton përgjegjësitë. A kemi mundur të ngrihemi në nivelin e dinjitetit që na jep të qenit pauses të Profetit te Zotit? A mund të quhemi vërtetë shembëlltyrë e rrugës së tij? Sa kemi mundur të brendësojmë në jetën tonë shembullin e tij?

Në shumë raste vërejmë se ne përpiqemi më shumë ta ndjekim atë në aspektin formal dhe shumë pak thellohemi të kuptojmë rrugën e tij në aspektin kuptimor dhe substancial. Ajo çfarë konstatojmë me dhimbje tek muslimanët e sotëm është fakti se ne kemi probleme në mënyrën se si e lexojmë jetën e tij, si e kuptojmë atë dhe më pas si përpiqemi ta ndjekim dhe zbatojmë shembullin e tij.

Ne e lexojmë jetën e tij në formën e një tregimi të bukur apo një historie mbresëlënëse pa shumë lidhje me jetën tonë. Ose e shikojmë atë si diçka të lartë e të paarritshme, që bëhet e pamundur për t'u zbatuar. Ne e lexojmë shumë fjalën Zotit, por pak e kuptojmë atë. Ne e shohim atë si një mesazh hyjnor, të pastër e të drejtë, por edhe si diçka të largët dhe të pamundur për t'u realizuar. Kjo na bën të humbasim shpresën se mund ta zbatojmë atë siç duhet, e kështu na mbulon pesimizmi dhe plogështia.

Realiteti ku jetojmë ka një hendek aq të madh me atë që na udhëzon Zoti dhe i Dërguari i Tij, sa tashmë kemi humbur thuajse çdo rrugë drejt realizimit të tij. Ne qëndrojmë të ulur buzë këtij hendeku dhe ankohemi, shajmë e mallkojmë të tjerët për paaftësitë tona, debatojmë e konfliktohemi për thellësinë e tij dhe askush nuk bën asgjë për ta mbushur.

Me keqardhje shohim shumë prej nesh të flasin për plane të mëdha, për ide të mëdha dhe ëndërra të bukura, por që veprat nuk u dëshmojnë as për punë fare të vogla. Ata flasin për të pa mundshmen e nuk realizojnë dot të mundshmen.

Në këtë ditë të bardhë, kur këtë botë e begatoi lindja e njeriut më të mirë që ka ecur mbi tokë, vlen të reflektojmë fort mbi atë çfarë ai mundi të bënte në 23 vjetët e misionit të tij fisnik. Kjo është një ditë përkujtimi për Mësuesin tonë dhe Udhërrëfyesin më të mirë të rrugës së pastrimit dhe suksesit. Sot kemi nevojë të rilexojmë jetën e tij, dhe kështu do të gjejmë aty përgjigjet e duhura për gjithçka që na rëndon kryet. Jeta e tij duhet parë në tërë dinamikën e saj, e cila do të mund të na shpjerë drejt mjeteve për përmirësimin e realitetit tonë.

Profeti ynë i nderuar nuk shkruajti histori, por e bëri atë. Ai ishte ndërtues i madh i historisë njerëzore, orientues i zhvillimeve të saj të mëvonshme, ndritë e urtësisë për shekujt që pasuan, megjithë lëkundjet dhe tronditjet e herëpashershme të fatit njerëzor. Në ligjërimin e tij do të gjeje të harmonizuar krejt natyrshëm të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ai ishte njeriu që vilte më mirë se kushdo urtësitë e historisë, që analizonte më mirë se kushdo të tashmen dhe që ofroi e realizoi projektin më të madh për të ardhmen. Ai herë pas here fliste për të kaluarën, por nuk mbetej peng i saj. Ai fliste për të ardhen, madje fliste sikur e shihte atë me sy, por kjo nuk e bënte të neglizhonte asgjë në të tashmen e përditshme. Profetësia dhe teleologjia nuk e bënin aspak ëndërrimtar dhe nuk e rehatonin në kolltukun e optimizmit pasiv. Përkundrazi e shkuara dhe e ardhmja, i jepnin gjithçka që i duhej për të gjykuar e vepruar në jetën reale.

Ai nuk kërkoi kurrë të privohej nga sprovat, por u përball me to në mënyrën më të mirë, duke ruajtur të papërkulur parimet dhe vlerat e moralit Islam. Me këtë, ai gjithashtu na mësoi të gjithëve artin e përballimit dhe kapërcimit të tyre. Ai na mësoi kështu artin e të jetuarit, ekuilibrin e artë midis privimit nga veset dhe shijimin e plotë të kësaj bote, por gjithashtu edhe mjeshtërinë e durimit dhe sakrificës në çaste vështirësie. Ai na ka mësuar se urdhërat e Zotit nuk janë vetëm teori, por janë një realitet që ndërlidhen me thelbin e kësaj bote. Dhe ai na e ka treguar këtë me vepra jo thjesht me fjalë.

Ajo çfarë na vlen sot është reflektimi mbi raportet tona me çdo projekt që kemi për veten apo shoqërinë tonë: "cilat janë raportet midis të shkuarës dhe të tashmes sonë, midis fjalëve dhe veprave, midis synimeve dhe mundësive tona, si veprojmë në përditshmërinë tonë që kur çel sabahu e deri kur kaplon errësira e natës". Gjithkush prej nesh duhet të jetë llogaritës i vetvetes duke peshuar me kujdes raportet e veta me Zotin e tij, Profetin e tij si dhe të gjithë njerëzit që na rrethojnë.

Lus Zotin të na bëjë nga ata besimtarë që e kujtojnë të Dërguarin e Tij vazhdimisht, e përmendin emrin e tij gjithmonë dhe e ndjekin rrugën e tij me vepra. Lus Allahun që të na bashkojë me të në jetën e amëshuar dhe të na bëjë bashkëshoqërues të tij në xhennetet e pafundme. Amin!



Autor: Neki KALOSHI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...