Fanatizmi sipas definimit Islam



Fanatizmi në opinionin tonë në të shumtën e rasteve ishte dhe akoma po ngelë si një shprehje apo synonim zhvlerësues me të cilën cilësoheshin njerëzit fetarë - religjioz. Kjo përditshmëri jep të kuptosh se termi "fanatizëm" rrallë herë dhe nga shumë pak individë dhe struktura është përdorur në vendin e tij. Shumë nga ne fanatizmin e kuptojnë se prapambeturi, antimodernizëm, antikulturë si diçka që është kundër emancipimit dhe lirisë. Andaj jo rrallë herë gjen njerëz, e në mesin e tyre edhe njerëz të shkencës dhe kulturës që kur ballafaqohen me ndonjë ide apo bindje fetare, akuzojnë me fanatizëm.

Këtë që e thamë e vërteton edhe shpjegimi i fjalorit të gjuhës shqipe, ku termin "fanatizëm" e shpjegon: Besim i verbër në dogmën fetare, zell i tepruar në punë të fesë, të jetuarit dhe të vepruarit sipas mendimeve e zakoneve prapanike dhe mbrojtja e tyre me ngulm.

Në realitet me fanatizmin janë marrë struktura të shumta shoqërore, dhe definimet e fanatizmit shpeshherë janë si rezultat i ndikimit të interesave klanore, grupore, sociale, kulturore, politike, etj. etj., andaj edhe si të tilla jo vetëm që nuk janë të sakta, por japin edhe efekte negative në shoqërinë njerëzore.

Ne në këtë rast nuk kemi ndërmend të merremi me definimet e të tjerëve, por thjesht nocionin "fanatizëm - el-asabije" do ta kundrojmë nga aspekti juridik islam, krejt me qëllim që njerëzve tu bëhet me dije se çka është "fanatizmi" sipas konceptit islam, çka trajton islami për fanatizëm dhe cilat janë pasojat e fanatizmit në shoqërinë njerëzore.

Lidhje me këtë problematikë kemi disa transmetime nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të regjistruara nëpër koleksionet e haditheve. Në mesin e tyre kemi hadithin e transmetuar nga Mahmud ibn Halid Ed-Dimeshkiju, i cili thotë: na ka treguar el-Firjabiju, e këtij i ka treguar Seleme b. Bishr Ed-Dimeshkij nga bija e Vathile b. el-Eskait, se vërtetë ajo e kishte dëgjuar babain e saj duke thënë: "O i Dërguari i Allahut, çka është fanatizmi"? Tha: "Ta ndihmosh popullin tënd në zullum-padrejtësi", (Ebu Davudi).


Çka kuptojmë nga hadithi?

Në pika të shkurta do të mundohemi t'i bëjmë një analizë fikhore (qasje juridike) këtij hadithi të Pejgamberit s.a.v.s. që të përfitojmë dhe shijojmë frytet e hadithit në fjalë. Andaj në vazhdim do të veçojmë disa elementë që përfitohen nga ky hadith i Pejgamberit a.s..

Fillimisht nga vet teksti i hadithit nënkuptojmë se fanatizmi nuk është çështje bashkëkohore, por është virtyt negativ të cilit Islami i dha zgjidhjen e duhur. Kjo nënkupton se fanatizmi si dukuri negative në shoqërinë njerëzore ishe edhe preokupim i muslimanëve të parë, sepse në të kundërtën pyetja drejtuar Pejgamberit a.s. për ta definuar fanatizmin do të ishte krejt irracionale.

Definicionin të cilin e dha Pejgamberi a.s. kur tha: "Fanatizmi është, ta ndihmosh popullin tënd në zullum-padrejtësi" jep të kuptojmë se ky përkufizim është gjithëpërfshirës dhe në të njëjtën kohë edhe përjashtues (xhamian ve manian). Është gjithëpërfshirës sepse në vete përfshinë të gjitha elementet ndërtuese pozitive të një përkufizimi, dhe njëkohësisht është përjashtues ngase përjashton të gjitha elementet që nuk kanë të bëjnë me realitetin e fanatizmit.

Nëse këtë hadith e shndërrojmë në definicion, atëherë lehtësisht konsiderojmë se ky përkufizim i fanatizmit demanton definicionet që fanatizmin e shohin si zell të tepruar në çështjet e fesë. Përmes këtij hadithi definitivisht zbardhet e vërteta shumë shekullore se fanatizmi sak asgjë të përbashkët me elementin fetar, ngase në fanatizëm sipas definimit islam janë të inkorporuar elemente destruktive dhe kriminele që islami i lufton si në esencë ashtu edhe formë.

Hadithi në fjalë në mënyrë shumë eksplicite na len të kuptojmë se fanatizmi është përpjekja e njeriut për ta mbrojtur një element apo ide të tij, edhe atëherë kur nuk ka të drejtë, e kjo bëhet në kurriz dhe dëm të tjetrit, e ky veprim është i ndaluar sipas normave islame. Prandaj Pejgamberi a.s. në një hadith tjetër thotë: "më i miri nga ju është ai që e mbron familjen e tij, derisa nuk ka bërë mëkat", Ebu Davudi. Kjo jep të kuptosh se nëse bëhet fjalë për mëkat, pra padrejtësi dhe zullum atëherë më nuk është mbrojtje e familjes, por kalon në fanatizëm që shkakton pasoja marramendëse.

Nga hadithi në fjalë gjithashtu kuptohet se mbrojtja e të vërtetës, mbrojtja me ngulmë e asaj që të takon dhe që nuk dëmton tjetrin nuk mund të jetë fanatizëm. Pikërisht këtu vihet në pah edhe gabimi i shumëkujt kur sheh një njeri që mbron vlerat e islamit, e akuzon me fanatizëm. Ta marrim si shembull, nëse e sheh një vajzë të mbuluar sipas normave islame menjëherë e akuzojmë me fanatizëm, sepse kjo vajzë me ngulm mbron dhe aplikon normën islame. Ky pretendim se vajza e mbuluar është fanatike është aq sa pa bazë juridike aq edhe pa bazë logjike, sepse gjykimi bëhet skajshmërish nën ndikim të ndonjë faktori ekstrem. Unë mendoj se të gjykuarit e një vajze si fanatike thjesht vetëm për shkak të mbulesës së saj, edhe pse ajo me vete mund të ketë shumë tituj dhe kapacitete shkencore, dhe të gjykuarit e një vajze tjetër me emancipim thjesht vetëm për shkak të lakuriqësisë së saj, e ajo ndoshta nuk ka më shumë se katër vjet arsimim, pikërisht ky është kulmi i fanatizmit. Gjykoj kështu sepse fanatizmi i tillë ndërtohet mbi bazën e paragjykimeve dhe si i tillë shkakton padrejtësi dhe nënçmim ndaj tjetrit.

Hadithi në vete përmban edhe disa elemente tjera bazike mbi të cilat ndërtohen vlerat e drejtësisë, sepse hadithi ndalon nënçmimin e tjetrit dhe shenjtërinë individuale. Ky është parim juridik islam sepse vlerësimi i qenies njeri fillon pikërisht nga rrafshi i njerëzores, e më pas ndërtohet mbi bazën e veprimeve dhe sjelljeve njerëzore. Në fund, për ta përfunduar këtë punim të shkurtë, po ritheksoj edhe njëherë se fanatizmi asnjëherë nuk ka qenë as nuk është pjellë islame e as që do të jetë pjellë e muslimanëve të mirëfilltë, sepse Pedagogu i njerëzisë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në hadithin e tij thotë qartë: "Nuk është prej nesh ai që fton në fanatizëm, nuk është prej nesh ai i cili vret për shkak të fanatizmit dhe nuk është prej nesh ai i cili vdes në fanatizëm", Ebu Davudi.



Autor: Jusuf ZIMERI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...