Mekka dhe Qabeja - Burim dhe qendër shpirtërore e botës



Mekka

Në krahinën e Hixhazit, në pjesën perëndimore të Arabisë, jo larg detit të Zi, qëndron qyteti i Mekkës. Në qendër të këtij qyteti gjendet një ndërtesë e vogël në formë katrori. Mekka dhe ndërtesa e saj prej guri njihen nga udhëtarët dhe udhëpërshkruesit botërorë që nga lashtësia. Ajo ndërtesë është Bejtullahu - Shtëpia e All-llahut. Lashtësia dhe shenjtëria e saj, tejkalojnë edhe vetë historinë e njerëzimit.

Tradita thotë që All-llahu (xh.sh.) kishte dhënë urdhër që në qiell të ndërtohet një tempull me emrin Bejtu-l-Ma'mur.


El-bejt el-ma'mur - shtëpia në qiellin e shtatë, e cila gjendet saktësisht përmbi Qabe

Në studimet më të reja shkencërisht është argumentuar që Mekka është qendra e botës. Në një rast Pejgamberi i pyeti as'habët: "A e dini ç'është El-Bejt el-Ma'mur (tempulli qiellor dendësisht i banuar)"? As'habët u përgjigjen: "Këtë e dinë më mirë All-llahu dhe Pejgamberi i Tij". Pejgamberi (a.s.) u tha: "Ajo është shtëpia në qiellin e shtatë (nën Arsh), e cila gjendet saktësisht përmbi Qabe. Çdo ditë në të hyjnë 70 mijë melaqe dhe nuk kthehen më". Ajo që secili haxhi duhet të jetë i vetëdijshëm gjatë tërë kohës së qëndrimit në Mekkë është se gjendet në vendin me të nderuar të rruzullit tokësor. Në hadithin tjetër Pejgamberi (a.ss) thotë: "O banorë të Mekkës, o pjesëtarë të Kurejshit, vërtetë, ju gjendeni nën vetë qendrën e qiejve".

Aty është zemra e botës islame, e madje edhe e kozmosit islam, ngase në qendrën e tij është Qabeja, pika ku boshti botëror i universit islam që lidh Qiellin dhe Tokën e prek botën tonë njerëzore. Ky është qyteti në truallin e të cilit kanë ecur Ibrahimi dhe Ismaili, qytet në të cilin lindi krijesa më e përkryer njerëzore, Muhammedi, i biri Abdullahut, Zoti e bekoftë dhe i dhashë paqen, vend ku Zoti zbriti shpalljen e parë në Kur'an. Aty lindi bashkësia e parë islame, aty Pejgamberi përjetoi sprovat dhe triumfet e tij më të mëdha. Rrugëve të saj kanë ecur as'habët e mëdhenj sikur Ebu Bekri, Omeri, Osmani dhe Aliu. A ka ndonjë qytet tjetër që ka dhënë gjithë atë numër personalitetesh, të cilët e ndërruan historinë botërore? Aty janë të gjithë ata dijetarë islamë, teologë, filozofë dhe sufijë, të cilët me shekuj e kanë vizituar Mekkën. Fryma e tyre, si dhe fryma e të gjithë atyre njerëzve të mëdhenj prej aksioni, të cilët kanë ardhur te dyert e saj si haxhinj të devotshëm, sikur rri pezull mbi qytet.

Mekka është qyteti i Zotit që pasqyron anën absolute e Tij. Të jesh aty do të thotë të jesh në qendër. Të qëndrosh para Qabesë do të thotë të kuptosh fundin e udhëtimit. Nuk ka nevojë të shkohet në ndonjë vend tjetër në tokë, sepse aty është qëllimi i të gjitha udhëtimeve tokësore. Prej njërit skaj të dynjasë në tjetrin, muslimanët në zemrat e tyre kultivojnë dashurinë ndaj Mekës, Nënës së qyteteve dhe gjakojnë të vijnë në gjirin e saj mikpritës, të qëndrojnë para Shtëpisë së Zotit në qytetin i cili pati nderin të jetë vendi i lindjes dhe veprimtarisë së të dashurit të Zotit, Habibullahut, Pejgamberit, triumfi kulmor i të cilit ishte që para udhëtimit të tij tokësor të fundit, të kthehet si ngadhënjimtar në Mekkë dhe që në tokën, e cila qysh herët kishte qenë dëshmitare e thirrjes në Zotin e Vetëm nga ana e Ibrahimit, babait të monoteizmit, përsëri të vendosë besimin e Njëshit, Tevhid.

Mekka kurrë më nuk do ta harrojë besimin e njësisë së Zotit dhe deri në fund të kohës do të mbetet qendër shpirtërore e fesë islame për të cilën është vetë ajo rasion d'etre e dëshmimit të Njëshit, i cili është i vetmi Realitet, sepse "çdo gjë që është në të (në tokë) është kalimtare. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar"!



Autor: Mr. Muhidin AHMETI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...