Të njohurit me madhështinë e veprës së imamit Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë)



Imam Ebu Hanife konsiderohet dijetari i parë, i cili e ka shënuar fikhun dhe e ka sistemuar në kaptina e ne tërësi të mëdha tematike, siç bëhet edhe sot. Në këtë punë atë e ka pasuar imam Maliku në Muvetta-n e tij.

Ebu Hanife, gjithashtu, konsiderohet dijetar i gjeneratës së tabiinëve. Është konfirmuar me siguri se, kur është lindur, ende jetonin rreth njëzet sahabë, ngase ai (Allahu e mëshiroftë), është lindur në vitin 80 h., pra para se të vdiste gjenerata sahabëve (r.a.).

Fikhun e kishte mësuar në Kufa nga nxënësit e sahabiut të shquar Abdullah ibn Mes'udit (r.a.). Prandaj thuhet:

Fikhun e ka mbjellë Abdullah ibn Mes'udi (r.a.), e ka ujitur Alkame ibn Kajsi (i cili e ka përfituar diturinë nga Ibn Mes'udi, Aliu, Ebu-Derda'i, Aishja (r.a.)), e ka lëruar Ibrahim en-Nehai (imam i shquar, i cili ka vdekur në vitin 95 h.), e korri Hamad ibn Muslim el-Kufi (gjegjësisht është munduar ta pastrojë dhe ta sqarojë, vdiq në vitin 120 h).

Fikhun e ka bluar Ebu Hanife (gjegjësisht ai i ka vënë principet themelore dhe dytësore dhe i ka sqaruar metodat), ndërsa e ka gatuar Ebu Jusufi [1] (respektivisht i ka mprehur principet e themelet dhe është përpjekur të shtohet numri i dispozitave dytësore të nxjerra prej tyre), kurse e ka pjekur Muhamed ibn El-Hasan esh-Shejbani [2].

El-Hatibi nga Er-Rebiu, nxënësi i imam Shafiut, transmeton ta ketë dëgjuar Shafiun duke deklaruar: 'Njerëzit në fikh janë varur nga Ebu Hanifeja. Ai ka qenë prej atyre të cilët janë begatuar me fikh' [3].



Autor: Abdulhamid Mahmud Tuhmaz
Shkëputur nga Libri: Fikhu Hanefi 1 - Ibadat



_________________________

[1] - Ai është nxënësi më i njohur i Ebu Hanifes, ndërsa emri i tij është Ja'kub ibn Ibrahim, gjykatës suprem (kadi-l-kudat). El-Hatib el-Bagdadi në Historinë e tij e thekson se Ebu Jusufi ka shkruar vepra nga metodologjia e së drejtës islame sipas medhhebit të Ebu Hanifes, se ka shënuar mes'ele (çështje) të ndryshme dhe i ka propaganduar ato. Eshtë lindur në virin 113 h., ndërsa ka vdekur në Bagdad në vitin 182 h.
[2] - Nxënësi tjetër në shkollën sheriatiko-juridike të Ebu Hanife en-Nu'manit, i cili është themelues i medhhebit (vdiq në Rej në vitin 189 h.).
[3] - Shih: Reddul-muhtar aled-durril-muhtar, 1/35.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...