Si e kuptuan Islamin të parët e Islamit



Analizat dhe shqyrtimet historike rreth dhe për brezat e parë të muslimanëve disi janë të mbështjellur me velon e hyjnores dhe të paprekshmërisë.

Për këtë veprim të tyre këta thirren në fjalë të Muhammedit a.s. se për as'habët duhet të flitet vetëm me respekt e pietet. Megjithatë, në këtë respekt e pietet shpesh shpërfillet faktori njeri, faktori i iniciativës, respektivisht faktori i planifikimit dhe i veprimit njerëzor, i rezultateve dhe pasojave, faktori njeri, i cili në çështje të caktuara është i pavarur nga urdhëresa nga lartë. Ata që Muhammedin a.s. e shohin vetëm si instrument të thjeshtë të shpalljes, gabojnë, sepse ai ka pasur hapësirë të mjaftueshme, krahas udhëzimeve nga shpallja, ta angazhoj potencialin e tij mendor dhe aftësitë strategjike. Ai për veten tha Thuaj: "Unë jam vetëm një njeri si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm ...", (EL-Kehf, 110), duke mos pretenduar se është diç jashtë njerëzve.

Muxhizen e vetme të cilën e ka pasur është Kur'ani, i cili i ka ndihmuar ta maksimalizojë potencialin e tij intelektual-shpirtëror dhe ta jetojë Kur'anin. Normalisht, meqenëse për përhapjen dhe jetësimin e një ideje ka nevojë për njerëz të mençur dhe largpamës, pasi vetë ideja e vërtetë nuk garanton edhe përhapjen dhe jetësimin e saj në mesin e njerëzve.

Në këtë e pamë të arsyeshme të japim disa qortime, sepse të angazhuar që me jashtësi sa më shumë t'u përngjajnë brezave të parë, kemi harruar ta studiojmë dhe përvetësojmë edhe brendinë e mësimeve të tyre, mentalitetin e tyre dhe mësimet që ata i bënë të mëdhenjë.


Aftësia e vrojtimit dhe e gjykimit

Për të mos hyrë në elaborime e teoretizime të gjata, do të kalojmë drejtpërdrejt në një ndodhi të cilin na rrëfen Omeri r.a.: "Nga Umeri, radijall-llahu anhu, gjithashtu transmetohet se ka thënë: Një ditë ishim duke ndejur te i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kur u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zeza. Në të nuk hetohej shenja e udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njohëm. U ulë pranë të Dërguarit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke i mbështetur gjunjët e vet në gjunjët e tij, i vendosi duart e veta në kofshën e tij dhe tha: 'O Muhammed, më trego ç'është Islami'? I Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: 'Islami është të dëshmosh që nuk ka zot tjetër, përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i Zotit, ta kryesh namazin, ta ndash zekatin, ta agjërosh ramazanin, ta vizitosh Ka'ben nëse ke mundësi ta bësh këtë'! Ai tha: 'Të vërtetën e the'! Ne u çuditëm: po e pyet dhe po ia vërteton. Ai tha: 'Më trego, ç'është imani'? (Pejgamberi) tha: 'Ta besosh Zotin, Engjujt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e fundit dhe të besosh në të caktuarit e Tij të të mirës dhe të keqes.' Tha: 'Të vërtetën e the'. Tha: 'Më trego ç'është ihsani'? (Pejgamberi) tha: 'Ta adhurosh Zotin sikur e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai vërtet të sheh ty'. Tha: 'Më trego ç'është çasti (i fundit, dita e shkatërrimit)'? (Pejgamberi) tha: 'Për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga ai i cili pyet'. 'Më trego mbi shenjat e tij'? Tha: 'Kur robëresha t'i lind vetes zonjushë, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e godinave të mëdha'. Pastaj shkoi, kurse unë mbeta i habitur. Pastaj (i Dërguari) tha: 'O Umer, a e njeh atë që më pyeti'? Thashë: 'All-llahu dhe i Dërguari i Tij më së miri e di'. Tha: 'Vërtet ky qe Xhibrili, erdhi t'ua mësojë fenë tuaj'", (Muslimi). [1]

Sipër e kemi hadithin e njohur kur erdhi Xhibrili në formë njeriu dhe i mëson njerëziut në fenë e tyre nëpërmjet shtruajes së pyetjeve. Është interesant në tërë këtë reaksioni i Omerit a.s. ndaj këtij njeriut të huaj dhe vrojtimi i tij i saktë i të gjitha hollësive lidhur me këtë temë:

1. Rroba shumë të bardha.
2. Fokë shumë të zeza.
3. Nuk ka shenja të udhëtimit.
4. Askush nga të pranishmit nuk e njeh të huajin.

Këtu kemi shembullin e syrit i cili në çast skenon tërë shfaqjen e personit tjetër për të përfunduar dhe gjykuar se nuk kemi të bëjmë me njeri të zakonshëm por me person që në mesin e tyre ka ardhur me ndonjë mënyrë tjetër. Këtë e vërejti edhe në fytyrat e as'habëve të tjerë. E tërë kjo vërteton se syri dhe mendja e njeriut është e aftë të vrojtojë edhe momente të tjera me rëndësi lidhur me aktivitetin dhe veprimin e tyre gjatë jetës. [2]


Largpamësia e Muhammedit a.s. dhe e Surakës

Suraka bin Maliku ishte i vetmi që iu zbuloi gjurmët e Muhammedit a.s. dhe të Ebu Bekrit pas daljes së tyre nga shpella Thewr në jug të Mekës dhe në rrugë për Medinë në shtegun më pak të ecur me qëllim që t'i vrasë. Mirëpo, në këtë qëlimin e tij e pengonte zënia në thue e kalit të tij dhe më në fund heqja dorë e tij që ta vrasë. Me këtë rast Suraka kërkoi garancion me shkrim nga Muhammedi a.s. që kur muslimanët të bëhen fuqi politike-ekonomike, do t'i falet jeta kur ky të ketë nevojë. Këtë garancion ia dha Muhammedi a.s.. Pikërisht ky garancion Surakës ia shpëtoi jetën në Hunejn kur si jomusliman luftonte kundër muslimanëve. Suraka Islamin e pranoi vetëm pas çlirimit të Mekës. [3]

Shembulli i Surakës na mëson dy aspekte: një të gjenialitetit të Muhammedit a.s., të aspektit të tij njerëzor pas meditimit të gjatë dhe aftësisë së tij që të gjykojë drejtë dhe të parashoh forcën e ardhshme ekonomike-politike përkundër faktit se muslimanët ende ishin forcë në ikje dhe dy të mendjemprehtësisë së Surakës (ndonëse kundërshtar) që të mendojë drejtë dhe të vlerësojë perspektivën e forcave politike-ushtarake. [4]


Hixhreti në Abisini - vendim strategjik

(Nuk qe urdhëruar me shpallje)

Kjo shpërngullje ndodhi në vitin e pestë të pehgamberisë, pas torturimeve të rënda që muslimanët po përjetonin nga ana e kurejshitëve në Mekë. Me vetëiniciativë Muhammedi a.s. i dërgon në Abisini 83 meshkuj dhe 19 femra dhe i kthen prapa vetëm pas marrëveshjes në Hudejbije dhe pas kalimit të rrezikut për bartësit e Islamit se nuk do të zhduken nga kundërshtarët. Muhammedi a.s. e ka studiuar me vëmendje këtë obcion dhe ka vendosur të dërgohen atje për t'u kursyer dhe për ta vazhduar misionin Islam në rast të vdekjes së muslimanëve në Mekë apo një pjese të tyre.

Dallohen disa momente strategjike të vendimit të Muhammedit a.s.:

1. Zhvendosja e potencialit njerëzor dhe material në disa vende në rast rreziku.
2. Hulumtimi i trualllit të frytshëm dhe të fortë për përhapjen e Islamit.
3. Thyerjen dhe demoralizimin e disa familjeve kurejshite duke ua larguar disa nga bijtë e tyre në vende të tjera, me besim të ri. [5]


Hixhreti, përgjegjësi fetare dhe historike

Gjendje të ngjashme kemi edhe me hixhretin në Medinë, i cili ndonëse si akt ishte i urdhëruar, mënyra e shpërngulljes dhe hollësitë e tjera mbeteb në planin dhe vlkerësimin individual, me të gjitha çka nënkupton kjo: frikën, tremën, lodhjen, ikjen, fshehjen, etj..

Kështu, Muhammedi a.s., sipas këshillës së Xhibrilit, e lë Aliun r.a. në shtratin e tij me qëllim që t'i vonojë kundërshtarët, meqenëse shtëpia e tij ishte ditë e natë e rrethuar dhe e ruajtur me kujdes nga armiqtë e tij. Nga shtëpia doli gjatë ditës, në drekë, kur ishte vapë e madhe dhe kur më së paku kishte mundësi të vërehej. Shkon drejt shtëpisë së Ebu Bekrit t.a., në derën dytësore duke iu shmangur vrojtimit të kundërshtarëve. Me Ebu Bekrin udhëton drejt shpellës Thewr e cila gjendej në jug të Mekës, në drejtimin e kundëprt të Medinës, me qëllim të mashtrimit të ndjekësve të tyre. Në shpellën Thewr, larg rreth 5 milje (rreth 8 km) nga meka. I kaluan disa ditë. Në vizitë u vinte Esmaja, e vija e Ebu Bekrit t'iu sillte ushqim. Ebu Bekri e angazhoi të birin e tij, Abdullahun qp të merrë informacione nga kurejshitët, dhe t'i njoftojë këta në shpellë. Ndonëse këtë punë mund ta bënte edhe Esmaja, ata megjithatë dëshiruan lajme të sigurta. Pejgamberi a.s. e obligon bariun e Amir bin Fahirit që kopenë e dhenve ta shetisë rrugës kah kalonte esmaja dhe Abdullahu, për t'i mbuluar gjurmët e tyre. Përkundër bindjes se Allahu do t'i mbrojë, duke bërë rrejtin e merimangës, Muhammedi a.s. me Ebu Bekrin nuk e shpërfillin planin e tyre. Dalin nga shpella, me udhërrëfyes të huazuar, jomusliman, por besnik, me dy kuaj, që t'i udhëheq rrugëve më pak të ecura deri në Medinë, me qëllim që të pengohwen gjurmët e tyre dhe të arrijnë me sukees deri në vendcaktim. [6]


Në vend të përmbylljes

Shembulli i Muhammedit a.s., i Omerit r.a. por edhe i brezit të parë është mënyra praktike se jetësimi i Islamit në histori, krahas faktorit hyjnor, i imponon njeriut përfilljen edhe të ndihmës që Krijuesi ia ka dhënë njeriut për të jetuar më mirë, më lehtë dhe në pajtim me ligjësitë e Zotit në gjithësi.

Të kuptuarit e drejtë të begative, njeriun do ta bëjnë sundues dhe fitues, sepse ai është "halif në tokë".



Autor: Nexhat IBRAHIMI



_________________________

[1] - Imam En-Neveviu, Dyzet hadithe dhe shtojca e Ibni Rexhebit, Shkup, 1413, 1992, fq. 10-13.
[2] - Për ixhtihadin dhe për perceptimin e drejtë të Kur'anit dhe Hadithit shih: Ibrahim Dzananovic, Idztihad u prva cetiri stoljeca islama, Sarajevo, 1986, fq. 29 e tutje.
[3] - Muhammed Husejn Hejkel, Zivot Muhammeda a.s., Sarajevo, 1425 h./2004, fq. 463 e tutje.
[4] - Muhammed Husejn Hejkel, op. cit., fq. 238. Martin Lings, Muhammed s.a.s.v., Sarajevo, 1996, fq. 370 e tutje.
[5] - Muhammed Husejn Hejkel, op. cit., fq. 176, 183 e të tjera.
[6] - Muhammed Husejn Hejkel, op. cit., fq. 176 e tutje. Martin Lings, Muhammed s.a.s.v., Sarajevo, 1996, fq. 146 e tutje.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...