Tekfiri - akuzimi i muslimanit për dezertim nga Islami
(Shpjegim akaidologjik i thënies së Imam A'dham Ebu Hanife r.a.)



- قَوْلُهُ : أَنْ لَا تُكَفِّرَ أَحَدًا مِنْ أَهْلِ الْقِبْلَةِ بِذَنْبٍ. وَ لَا تَنْفَي أَحَدًا مِنَ الْإِيمَان -ِ

Ebu Hanife r.a. ka thënë: "Të mos e akuzosh për dezertim nga Islami askënd prej 'ehlu'l-kibles (muslimanëve)' për shkak se e ka bërë një mëkat. Dhe as imanin mos ja moho (përgënjeshtro) askujt!". [1]


Hyrje

Akti i njeriut që më së shumti urrehet te Allahu i Madhëruar është mosbesimi (kufri) ndaj Tij, përkatësisht mospranimi i Fesë Islame. Ai padyshim konsiderohet si vepra më e keqe dhe më e rëndë që njeriu mund ta bëjë në jetën e vet. Nga këtu tekfiri - akuzimi i muslimanit për mohim apo dezertim nga Islami, konsiston një kujdes të veçant dhe si i këtillë është me përgjegjësi të madhe dhe të rrezikshme.

Fakti se kjo dukuri ka filluar të reflektojë edhe edhe tek ne, njohja e përmbajtjes dhe e domethënies së tij (tekfirit) përbën një rëndësi dhe nevojë të vërtetë. Sepse, shpeshherë ai përdoret pa vend dhe paarsye, ngase nuk dihen pasojat dhe rreziqet e tij. Edhe pse ndoshta në të shumtën e rasteve plasohet pa qëllime të synuara, por edhe atëherë ai kërkon kujdes, nga që me veprat serioze siç është tekfiri, pakujdesia nuk pranon tolerancë.


Domethënia gjuhësore dhe terminologjike e nocionit tekfir

Shprehja tekfir është nocion i gjuhës arabe, përkatësisht infinitive i llojit të II-të të foljeve të prejardhura (المزيدات الثلاثي المزيد فيه) dhe rrjedh prej foljeve të rregullta. Koha e shkuar e nocionit tekfir bën (كفّر), koha e tashme dhe e ardhshme bën (يُكفّر) ndërsa infinitivi (تكفير) i cili nënkupton: akuzimin e një personi për mohim/mosbesim.

Pra, nga aspekti gjuhësor fjala tekfir gjenezën e ka te fjala 'kufër' apo te folja 'kefere' të llojit të parë të foljeve (الثلاثي المجرد), e që do të thotë: (غطي و ستر) - mbuloj, fsheh një gjë. Thuhet: (كفر الزارع البذر في الأرض إذا غطاه بالتراب) - bujku e ka mbuluar farën në tokë, d.m.th. kur e mbulon atë me dhe. [2] Njeriu që e posedon vetin e kufrit quhet kafir- mbulues, fshehes. Ky kuptim konsiston jobesimtarin i cili e mbulon të vërtetën (e besimit në Allahun) me jo të vërtetën (mosbesimin në Të).

Ndërsa në aspektin terminologjik nocioni tekfir apo 'ikfar' do të thotë: akuzë për mosbesim në adresë të një personi që ëshë musliman ose që pandehet për musliman, dhe ka lidhje me shkencën e akaidit, të kelamit si dhe drejtësinë islame (fikh).

Po qe se shkenca e kelamit e provon mohimin (kufrin, blasfemin), domethënë realizimin e aktit të daljes nga kuadri i besimit, drejtësia islame zbaton trajtimin material-fizik të personit që ka dalë nga feja (murtedd). Në këtë punim ne do ta trajtojmë çështjen në aspektin e akaidit e të kelamit. [3]


Poenta e tekfirit

Personi (muslimani) për të cilin vërtetohet tekfiri - dalja nga Feja Islame, çështja e tij i nënshtrohet dy procedurave:

- Të kësaj bote (دنيوي), e cila nënkupton shpalljen e vendimit për mohim ndaj një muslimani, e kjo domethënë se ai privohet nga të drejtat islame pasi paraprakisht të plotësohen kushtet sheriatike dhe të evitohen pengesat, sikurse është ofrimi i mundësisë që ai të ktheht sërish, sqarimi i atyre çështjeve (bazore) me argumente në të cilat ka rënë në mohim ..., etj.. Nëse pendohet nga qëndrimet e tij, kthehet në shoqërinë islame me të gjitha të drejtat dhe detyrimet. Në të kundërtën ekzekutohet. [4]

E nëse kjo nuk mund të realizohet (zakonisht në vende ku sheriati nuk ka aplikim), atëherë atij as nuk i jepet selam e as nuk i kthehet, nuk ka mbrojtje për jetën e tij dhe pasurinë e tij, nuk mund të martohet me grua muslimane, apo nëse është i martuar shkurorizohet, nëse vdes në këtë gjendje nuk i lahet xhenazja, nuk i falet namazi i xhenazës, nuk varroset në varrezat e muslimanëve, nuk zbatohen parimet e trashigimisë ndërmjet tij dhe të afërmeve dhe dispozita të tjera, [5] dhe

- Të botës tjetër (أخروي) - atë të jetës së ahiretit, e cila nënkupton mbetjen përgjithmonë në zjarr të xhehennemit dhe pamundësinë për pjesëmarrje në shefaatin e Resulullahit a.s.. [6]

- (وَمَن يَكْفُرْ بِالإِيمَانِ فَقَدْ حَبِطَ عَمَلُهُ) -, "... E kush mohon (tradhton besimin), ai ka asgjësuar veprën e vetë ...", (Kur'ani, El-Maide: 5).

Fakti se që të dy procedurat tërheqin pasoja të rënda, pikërisht për këtë shkak sjellja e një vendimi të tillë ndaj një personi, apo akuza ndaj tij është padyshimn ndër çështjet më të ndieshme dhe delikate.


Historiku i çështjes

Është konstatim parimor se Resulullahi a.s. nuk i ka mohuar askujt besimin, i cili e ka deklaruar atë duke e shprehur maksimën e shehadetit dhe ka pranuar se është musliman. Ndonëse në kohën e tij dhe pas tij kanë ekzistuar brenda shoqërisë muslimane edhe të atillë të cilët pranimin e Islamit e kishin bërë vetëm deklarativisht, duke mos qenë fare besimtarë të vërtetë. [7] Për hipokrizinë e tyre, Pejgamberi a.s. ka pasur lajmërim hyjnor.

Krejt kjo që ai të ruhej prej tyre, e që me plotë të drejtë mund të thuhet se ai në parim ka qenë në dijeni për ta. Megjithatë ai (Pejgamberi a.s.) edhe pse ka mundur t'i demaskojë haptazi, ka zgjedhur heshtjen para akuzës. Ky qëndrim i Resulullahit a.s. ndërsa mund të tregojë rëndësinë dhe rrezikun që bartë tekfiri - akuza për mosbesim, po ashtu bartë mençurinë e thellë të tij që askend të mos e askuzojë për mosbesimtar në një kohë kur Feja Islame ende nuk i kishte forcuar radhët e veta, e për të cilën kishte mjaft shumë nevojë. Dijetarët këtë e kanë quajtur si "politikë të islamizimit". Sepse, sikur tekfiri të gjente një përdorim brenda shoqërisë muslimane, me arsye apo pa të, pa dyshim do të shkaktohej kaos i brendshëm dhe i gjithë mundi do të orientohej për luftë ndaj 'vetvetes' me vetveten, për sa kohë që kjo duhet të bëhej me armiqtë e Islamit.

Mirëpo, Resulullahi a.s. i ka vënë në spikamë tiparet apo cilësitë, të cilat kushdo që i përvetëson ka rrëshqitë nga të qenurit 'besimtarë'. Kjo është një metodë pedagogjike, sepse duke mos përcaktuar individë, mundësohet që secili të jetë vetllogaritës i vetvetës. Të kësaj natyre kemi mjaftë shumë hadithe. P.sh.: "Besimtari për gjatë kohës kur bënë amoralitet, ai nuk është besimtar, gjatë kohës kur ai pi alkool nuk është besimtar, për gjatë kohës kur vjedh, ai nuk është besimtar ...". [8] "Ndërmjet muslimanit dhe politeizmit e mohimit, është lërja e namazit". [9] Pastaj, "Sharja e muslimanit është mëkat, ndërsa lufta kundër tij është mosbesim", [10] etj..

Të gjithë dijetarët janë unikë se ideja e tekfirit në mënyrë legale dhe të hapur fillon me grupin e havarixhëve. Ky grup i dalë nga lufta vëllavrasëse e njohur si lufta e Siffinit (37 h./656 m.) ndërmjet halifit të katër Aliut r.a. dhe mëkëmbësit të Sirisë Muaviut, i pati akuzuar, si njërin ashtu edhe tjetrin për mohim. Sipas parimeve të këtij fraksioni çdo musliman që kryen një mëkat, i vogël qoftë ai apo i madh, konsiderohet se ka dalë nga Feja Islame dhe duhet llogaritur për mosbesimtar.

Nga ato kohëra në mënyrë të theksuar do të debatohet për pozitën e mëkatarit të madh (مرتكب الكبيرة), se nëse vdes pa u penduar, a përfundon përgjithmonë në xhehennem apo jo.

Edhe mu'tezila e cila historikisht vjen pas havarixhëve mban qëndrim të 'padefinuar' ndaj mëkatarit të madh. Sipas tyre ai është në një pozitë të ndërmjetme as besimtar e as kafirë (المنزلة بين المنزلتين).

Në këtë mënyrë, tekfiri, që nga shekujt e parë e këndej, do të mbetët një pikë referuese ndërmjet grupeve të ndryshme brenda shoqërisë muslimane. Kështu, mu'tezilët dhe esh'arinjtë e akuzojnë njëri tjetrin për mohim. [11] Ehlu'l-bid'ati, të ndarë në shumë fraksione, secili prej tyre i akuzon të tjerët për mohim. Selefijje i akuzonë filozofët islamë dhe ehlu'l-bid'atin (të gjithë të tjerët sipas tyre) për rrëshqitje nga e vërteta. Ehlus-sunneti vel'xhemaati (maturidinjtë dhe esh'arinjtë) të cilët mbajnë një qëndrim të mesëm, akuzën për mohim e kanë mjaft të shtrenjtë.


"Ehlu'l-Kibleti" - muslimanët

Është mjaft medituese se si dijetarët e ehlu's-sunneti vel xhemaati, kur diskutojnë mbi kufirin e tekfirit, muslimanët i quajnë apo i bashkojnë me shprehjen 'ehlu'l-kibleti'. Edhe Imami Ebu Hanife në këtë ciatat të tij që jemi duke e shpjeguar, muslimanët i quan me emërtim të këtillë. Pa dyshim ky model, induktohet nga Kur'ani dhe Sunneti i Resulullahit a.s. siq është hadithi: - مَنْ صَلَّي صَلَاتَنَا وَ اسْتَقْبَلَ قِبْلَتَنَا وَ أَكَلَ ذَبِيحَتَنَا، فَذَلِكَ الْمُسْلِمُ الَّذِي لَهُ ذِمَّةُ اللهِ وَ ذِمَّةُ رَسُولِهِ، فَلَا تَخْفِرُوا اللهَ فِي ذِمَّتِهِ -, transmetohet nga Enes bin Malik i cili ka thënë: Ka thënë Resulullahi a.s.: "Kush falet ashtu sikurse ne, që drejtohet kah kibleja nga e cila drejtohemi ne, që ha nga të therurat tona, i tilli konsiderohet musliman që e meriton mbrojtjen e Allahut dhe mbrojtjen e të Dërguarit të Tij. Prandaj mos e prishni garancinë e premtuar nga Allahu". [12]

Ebu Xhafer et-Tahaviu (v. 321 h./933 m.), i cili konsiderohet prej tradicionalistëve me pikëpamje henefiste, në traktatin akaidor të tij i njohur në masën e gjërë si "akidetu't-tahavijjeh" thotë: "Nuk e akuzojmë me mosbesim askend nga ehlu'l-kibleti për shkak të një mëkati përderisa ky atë mëkat nuk e konsideron si të lejuar". [13]

Ibnu Ebil Izz El-Hanefij kur e shpjegon këtë thënien të imam Tahaviut mbi ehlu'l-kibleti, thotë: Imami me shprehjen "ehlu'l-kibleti" ka për qëllim atë i cili e deklaron Islamin dhe e pranon për Kible Qabën (në Mekkë) edhe nëse është prej ithtarëve të pasioneve (ehlu'l-ehvai) apo prej mëkatarëve (ehlu'l-measi), por që nuk përgënjeshtron asgjë prej asaj me të cilën ka ardhë i Dërguari a.s.. [14]

Ky formulim, njëherit është edhe përkufizimi më parimor i togfjalëshit ehlu'l-kibleti, edhe pse citohet se ai "nënkupton personat që falin rregullisht pesë kohë namaz" apo "në pohimet e juristëve (fukaha) e të kelamistëve (mutekel-limun), ajo bart kuptimin e atyre që pranojnë se falja e namazit duke u drejtuar nga Kabeja është obligim (farz)". [15]

Autori i veprës voluminoze "sherhu'l-mevakif" Es-Sejjid Esh-Sherif Alij bin Muhamed El-Xhurxhani (v. 816/1413) thotë: "shumica e kelamistëve dhe e juristëve islam mbajnë qëndrimin se asnjë prej ehlu'l-kibleti nuk duhet akuzuar për mosbesim". [16]

Edhe al-lame Et-Taftazaniu (vdiq 792 h.) në "sherhu'l-akaidi'n-nesefijjeti" thotë: "Prej parimeve të ehlus-sunnetit është që askush prej "ehlil kibleti" të mos akuzohet për mosbesim". [17]

Mund të shohim se edhe Pejgamberi a.s. në hadithet e tij, por edhe të gjithë imamët të cilët i ka perceptuar ymmeti me pranim, me ehlu'l-kibleti, synojnë një gjithëpërfshirje të zgjeruar të të gjitha shtresave të shoqërisë muslimane, duke mos e kushtëzuar shkallën religjioze të tyre, në njërën anë, dhe ngushtim enorm të akuzës për tekfir apo përjashtimit nga Islami, në anën tjetër. Sepse pranimi i Qabes për Kible, edhe nëse simbolizon pranimin e gjithë asaj me të cilën ka ardhë Pejgamberi a.s., apo faljes së namazit duke e konsideruar si farz drejtimin kah Kibleja, pa dyshim është kriteri më i thjesht dhe më i leht për t'u zbatuar (pranuar) për secilin pjestarë të Islamit, fatkeqësisht të shtrirë në fraksione.

Por, jo kaq, dijetari i njohur El-Xhurxhani i cili pasi bën një pajtim parimor, që ehlu'l-kible të mos akuzohet për mohim, në vazhdim shqyrton pikat në të cilat, megjithatë disa prej fraksioneve të ehlu'l-kibles, kanë rënë në mohim dhe për këtë nuk mund të justifikohen. Ai thotë: "Dije se mosakuzimi i ehlu'l-kibles për mohim është konstatim që pajtohet me pikëpamjet e shejh Esh'ariut dhe juristëve islamë, ashtu sikurse u përmend, mirëpo kur të kemi shqyrtuar pikëpamjet besimore të fraksioneve islame, do të gjejmë edhe të atilla që janë mosbesim pa diskutim, sikurse është besimi që kthehet në ekzistimin e një zoti tjetër rival Allahut të madhëruar, apo besimi në inkarnimin e Allahut (حلول) në disa persona, pastaj besimi që e mohon pejgamberinë e Muhamedit a.s., apo nënçmimi i tij dhe degradimi i tij, pastaj lejimi i të ndaluarave, ndërpreja e obligimeve fetare etj.". [18]

Ky konstatim i këtij dijetari, kristalizon një mençuri parimore që konsiston se Islami i bartë pikëpamjet e gabuara deri në normalen e maksimales së tyre, si limit për të qenë në kuadër të tij, por jo edhe atëherë kur shkilen parimet fundamentale të tij apo kur dilet prej tyre. Në këtë aspekt, Feja Islame është rigoroze dhe e pamëshirshme.


Dijetarët janë unikë se mëkati i madh nuk e nxjerrë njeriun nga imani

Nga sa u tha, çështja e tekfirit gjenezën e vet e ka dhe e ngritë mbi mëkatin, varësisht se çfarë kategorie dhe lloji është ai. Muslimani që bën mëkate të rastit dhe të vogla, nuk është objekt që ndërlidhet me tekfirin. Mirëpo muslimani që shkakton mëkat të madh, ka qenë objekt i diskutimeve të nxehta në mesin e dijetarëve.

Dijetarët e ehlu's-sunnetit ve'l xhemaatit janë unikë se mëkatari i madh nuk del nga kuadri i imanit për shkak të mëkatit që e bën, nëse ai këtë mëkat nuk e konsideron si të lejuar apo që lloji i mëkatit të mos jetë nga ato që konsiderohen kufër (mosbesim) dhe shirk (politeizëm).

Imam Ebu Hanife r.a., në veprën e tij "Fikhu'l-Ebsat", është pyetur: Si mund ta demantoj fjalën e atij që thotë: Ai që bën mëkate është kafir?! Imami thotë: Atij mund t'i përgjigjesh kështu: Allahu xh.sh. thotë: - (وَذَا النُّونِ إِذ ذَّهَبَ مُغَاضِبًا فَظَنَّ أَن لَّن نَّقْدِرَ عَلَيْهِ فَنَادَى فِي الظُّلُمَاتِ أَن لَّا إِلَهَ إِلَّا أَنتَ سُبْحَانَكَ إِنِّي كُنتُ مِنَ الظَّالِمِينَ) -, "(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t'i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha se: "Nuk ka zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtë vetes"", (Kur'ani, El-Enbija: 87).

Sipas këtij ajeti ai me të vërtetë ishte zullumqar, por jo edhe kafir e as hipokrit. [19]


Kriteret që përcaktojnë kufirin e tekfirit

Kufri është oponent i imanit, ndërkohë që kufri në terminologjinë e sheriatit, përdoret në dy relacione: Me nocionin kufr në sheriat:

- nganjëherë synohet kufri që të nxjerrë nga ymmeti islam, e
- nganjëherë me të synohet kufri që nuk të nxjerrë nga ymeti islam. [20]


Ështa mjaft e qartë se ulematë, të parët dhe të mbramët kanë përcaktuar kritere që përcaktojnë kufirin në mes të Islamit dhe kufrit. Varësisht nga cili aspekt është trajtuar çështja, ata kanë bërë edhe sistemimin e kritereve. Sado që kriteret mund të duken të ndryshëm, ata assesi nuk largohen nga afërsia në synim.

Kështu që, nëse i vështrojmë me kujdes konkludojmë se përcaktimet e tyre deduktohen në tri principe bazë, që njëherit konsiderohën kriteret fundamentale të tekfirit:

Lloji i parë: Kufri i madh i cili nxjerrë nga Islami dhe quhet kufri në aspektin besimor, [21](كفر أكبر مخرج من الملة و يسمي ألكفر الإعتقادي) .

Ky është kur njeriu mohon diç prej kushteve të imanit apo islamit, apo lejon një haram dhe ndalon ndonjë hallall, nga ato që janë të njohura në fe a priori (intuitive) dhe të pashmangshme. Sikurse është mohimi i Njëshmërisë së Allahut, apo i ringjalljes dhe tubimit, apo xhennetin dhe xhehennemin. Apo për shembull, e mohon obligueshmërinë e namazit, ose e mohon agjërimin, zekatin haxhin etj.. [22]

Ky lloj është që e kundërshton imanin dhe çvlerëson Islamin. Mohon ato parime pa të cilat Islami nuk mund të ekzistojë. Përmbajtja e tij është e obliguar me përjetshmëri në xhehennem. Ai mund të jetë në besim, në fjalë dhe në vepër. Ky lloj përbëhet prej pesë llojeve:

- 1. (كفر التكذيب) - kufri nga aspekti i përgënjeshtrimit. Ky lloj nënkupton përgënjeshtrimin e pejgamberëve, apo pretendimi se Pejgamberi a.s. ka ardhë me atë që është në kundërshtim me të vërtetën (të drejtën), apo kush pandeh se Zoti e ka ndaluar një gjë e ai (Pejgamberi a.s.) e ka nxjerrë me dijen e tij, më se dhe të tilla gjëra e lajthitin urdhërin dhë ndalimin e Allahut të madhëruar.

- 2. (كفر الإباء و الإستكبار مع التصديق) - kufri nga aspekti i refuzimit dhe mendjemadhësisë krahas ekzistimit të besimit në Allahun e madhëruar. Ky lloj nënkupton kur njeriu e lexon atë me të cilën kanë ardhur pejgamberët a.s. se është e vërtetë (hakk) prej Zotit të vet, mirëpo refuzon ta pasojë atë në shenjë arrogance dhe degradimi ndaj saj dhe ndjekësve të saj, sikurse është kufri i Iblisit (djallit). Është fare e vërtetë se ai nuk e mohoi urdhërin e Allahut dhe as nuk e injoroi, por e priti me refuzim dhe mendjemadhësi.

- 3. (كفر الإعراض) - kufri nga aspekti i distancimit (largimit) nga e vërteta. Kjo nënkupton kur njeriu largohet nga ajo që e dëgjon (prej të vërtetës) kurse zemra e tij, as nuk e beson Pejgamberin a.s. e as nuk e përgënjeshtron, as nuk e pason e as nuk e kundërshton, dhe kurrë nuk i kushton ndonjë farë rëndësie. Të vërtetën e lë (prapashpinës) as nuk e mëson e as nuk vepron me të. Madje largohet nga ato vende në të cilat përmendet e vërteta. I tilli është kafir me kufër 'ië'radi' - të largimit.

- 4. (كفر النفاق) - Kufri nga aspekti i hipokrizisë. Ky lloj nënkupton kur njeriu haptazi shpreh pasimin e asaj me të cilën ka ardhë i Dërguari i Allahut a.s., ndërsa në të vërtetë e refuzon dhe e mohon me zemër. I tilli publikisht e shpreh imanin, ndërsa e mban të fshehur kufrin.

- 5. (كفر الشك)- Kufri nga aspekti i mëdyshjes. Ky nënkupton, kur besimtari nuk është i prerë në besim ndaj Pejgamberit a.s. e as nuk e përgënjeshtron. Por dyshon në çështjen (të vërtetën) e tij dhe heziton që ta pasojë atë, ndërsa është fare e qartë se prej besimtarit kërkohet që të ketë bindje të prerë se ajo me të cilën ka ardhë Pejgamberi a.s. nga Zoti i tij është e vërtetë që nuk ka dyshim në të.

Prandaj kush heziton (mëdyshet) në ndjekjen e saj (të vërtetës) pasiqë me të ka ardhë i Dërguari a.s., ose e lejon që e vërteta të jetë e kundërta e saj e jo ajo, i tilli ka rënë në kufër nga aspekti i dyshimit dhe paragjykimit.

Të gjitha këto lloje janë kufër, që obligojnë përjetshërinë në xhehennem dhe anulimin (e shpërblimit) për të gjitha veprat e 'mira', kur pronari i tyre vdes duke qenë veprues i njërit nga këto lloje. [23]

Allahu i madhëruar thotë: - (وَمَن يَكْفُرْ بِالإِيمَانِ فَقَدْ حَبِطَ عَمَلُهُ) -, "... E kush mohon (tradhton besimin), ai ka asgjësuar veprën e vetë ...", (Kur'ani, El-Maide: 5).

Lloji i dytë: Kufri i vogël i cili nuk nxjerrë nga Islami dhe quhet kufri nga aspekti i veprave, (كفرأصغر غير مخرج من الملة و يسمي ألكفر العملي).

Duhet sqaruar se Ligjvënësi shprehjen e kufrit e ka përdorë në rol të preventivës (pengimit) dhe kërcënimit. Kjo domethënë se ky lloj i veprimeve edhe pse cilësohet si kufër, nuk kanë karakter të kufrit i cili nxjerrë nga imani, por kufrit i cili është prej mëkateve të mëdha (من كبائر الذنوب), që pashmangshëm meriton (الوعيد), mirëpo jo përjetësisht në xhehennem. Kjo vlen për të gjitha mëkatet, sepse ato janë prej natyrës së kufrit. Pra, me të (kufr) këtu nuk është për qëllim kufri i cili është antipod i imanit. Shembuj për këtë është p.sh.: mbytja e muslimanit pa të drejtë, betimi në dikend tjetër pos Allahut, shkuarja te falltori dhe besimi në fjalët e tij, thënia e besimtarit ndaj vëllaut të tij 'o kafir' dhe shumë sosh prej kufrit të vogël. [24]

Ja disa prej këtyre haditheve:

Transmeton Ebu Vail nga Abdullah bin Mes'ud i cili ka thënë: Ka thënë Resulullahi a.s.: - (أَبِي وَائِلٍ عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ مَسْعُودٍ قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ سِبَابُ الْمُسْلِمِ فُسُوقٌ وَقِتَالُهُ كُفْرٌ) -, "Sharja e muslimanit është mëkat, ndërsa lufta kundër tij është mosbesim". [25]

Pastaj hadithi: - (وَ مَنْ لَعِنَ مُؤْمِنًا فَهُوَ كَقَتْلِهِ ، وَ مَنْ قَذَفَ مُؤْمِنًا بِكُفْرٍ فَهُوَ كَقَتْلِهِ) -, "Kush e mallkon një musliman është sikur ta ketë vrarë atë, dhe kush e akuzon një musliman për mohim është sikur ta ketë vrarë atë". [26]

Pastaj: - (مَنْ أَتَي عَرَّافًا أَوْ كَاهِنًا فَصَدَّقَهُ بِمَا يَقُولُ فَقَدْ كَفَرَ بِمَا أُنْزِلَ عَلَي مُحَمَّدٍ) -, "Kush shkon te ndonjë falltor apo klerik që pretendon se i di fshehtësitë, i tilli e ka mohuar atë që i është zbritë Muhamedit", [27] dhe hadithe të tjera.

Mirëpo, këto hadithe askush prej dijetarëve të ehlus-sunnetit nuk i ka kuptuar bukvalisht, sepse bien ndesh me natyren e parimeve të proklamuar nga ta, sikurse do t'i shohim më vonë.

Kur jemi te ky lloj duhet sqaruar se edhe prej veprave janë disa që kanë karakter të kufrit të madh apo që nxjerrin prej besimit. Ato janë dy sosh: veprimet që nga vetë esenca e tyre janë argument që e atakojnë një 'rukn' prej rukneve të imanit, sikurse është të bërit sexhde idhullit, apo puthja e kryqit etj., dhe veprimet që identifikojnë një fe tjetër, sikurse është zbukurimi me aso gjëra të cilat janë specifikë e pjestarëve të feve tjera, domethënë janë simbole fetare sikurse është vendosja e kryqit në qafë... etj..

Këto veprime kanë argumente të qarta ... Shembulli i parë, të bërit sexhde idhullit, dëfton besimin në hyjninë e idhullit për të cilin edhe ka rënë në sexhde, kurse vendosja e kryqit referon 'kryqëzimin e Isait a.s.'. [28] Nëse këto veprime dhe të ngjashme realizohen pa presion dhe me vetë dëshirë, padyshim se bartësi i tyre del nga Islami dhe konsiderohet si jomusliman.

Lloji i tretë: Kufri i cili shkaktohet nga lejimi i një mëkati që vërtetohet me argumente të prera nga Kur'ani dhe Sunneti, (إستحلال المعصية كفر). Të gjithë dijetarët e ehlu's-sunnetit, të parët dhe të mbramët e tyre, janë unikë se konsiderimi i mëkatit si i lejueshëm, konsiderohet kufër, pamarrë parasysh se mëkati është i vogël apo i madh, me kusht që të qenurit e tij mëkat, të vërtetohet me argument të prerë. [29](بدليل قطعي).

Ky lloj është pikë që referon edhe llojin e parë edhe llojin e dytë. Do me thënë, çdo mëkat, qoftë ai që nga vetë esenca e tij tërheq tekfirin, (sikurse është lloji i parë) apo që nga vetë esenca e tij nuk e tërheq tekfirin edhe pse bart emër të këtillë (sikurse është lloji i dytë), në të dy rastet, konsiderimi i tyre (pra, i mëkateve) për të lejuara, e meriton akuzimin e tekfirit pa dallim.

Pozita e ati që e mohon një çështje koncenzuale

Ndërsa, sa i përket personit i cili e mohon një dispozitë fetare, e cila është e vërtetuar në fe me koncenzues (حكما مُجْمَعًا عليه), kurse dihet se 'ixhmai' është burim prej burimeve të sheriatiti, pozita e tij në çështjen e tekfirit është varësi e llojit të ixhmait. Sepse, ixhmai është disa lloje:

1). El-ixhmau el-kavlijj es-sarihu,
2). El-ixhmaus-sukutij apo el-ixhmau el-kavlijj gajrus-sarih, dhe
3). El-Ixhmau'l-amelij. [30]

Dijetarët janë unikë se mohuesi i një norme koncenzuale që nuk është e prerë në argumentim (ظني) sikurse është 'el-ixhma'us-sukutij', nuk bëhet kafir. Mirëpo, për njeriu që e mohon një normë koncenzuale të prerë në argumentim (قطعي), dijetarët ndahën në dysh: Disa thonë se mohimi ixhmait me normë të prerë në argumentim (قطعي), konsiderohet kafir.

Ndërsa të tjerët dhe ky është mendimi i bazuar (الراجح) thonë se nuk del prej fesë ai i cili e mohon një çështje koncensuale, përveçse nëse ajo është prej gjërave që dihen si të domosdoshme të fesë (معلوما من الدين بالضرورة), apo kur personi beson në lejimin e një gjëje që është e ndaluar me konsenzus dhe që është prej domosdoshmërive fetare edhe nëse ajo është mëkat i vogël, pamarrë parasysh se ndalesa e tij është subjektive siç është amoraliteti (ez-zina) dhe pirja e alkoolit, apo për shkak të kundërshtimit (لعارِض), sikurse është agjërimi i ditës së festës (bajramit), ku ndalesa e tij, nuk është për asgjë tjetër, përpos përshkak të kundërshtimit/konfuzionit. [31]

Atëherë, derisa njeriu (muslimani) nuk posedon në veprimet e tij ndonjë gjë prej këtyre llojeve, ai është musliman që nuk lejohet akuzimi për mosbesim (tekfir). Nëse jemi në dyshim për rënien e tij në njërën prej këtyre llojeve, është parim që ai të konsiderohet i pastër nga to, dhe assesi nuk lejohet vendim ndaj tij për dezertim dhe largim të tij nga Islami, përpos duke u mbështetur në argumente të kategorisë së parë në argumentim. [32]


Demonstrimi i kritereve nëpërmjet një shembulli

Prof.dr. Ramadan El-Buti, gjersa diskuton mbi kriteret e tekfirit, thotë se është e nevojshme që këto pika t'i ilustrojmë me një shembull konkret. Ai thotë: le ta marrim një çështje rreth së cilës zhvillohen debate të shumta nga predikuesit e thirrjes islame. Kjo çështje është: - (مَن لَّمْ يَحْكُم بِمَا أَنزَلَ اللّهُ) - , "kush nuk gjykon me atë që e ka zbritë Allahu", se a konsiderohet jobesimtar sipas këtyre kritereve që i kemi potencuar apo si qëndron çështja e tij.

Këtë shembull po e marrim qëllimisht, sepse ndërsa është një çështje që muslimanët në përgjithësi e frekuentojnë në jetën e tyre, me qëllim apo pa të, në anën tjetër 'mosgjykimi' me atë që e ka zbritë Allahu, në një sërë ajetesh kur'anore sanksionohet me dispozitën e kufrit apo të tekfirit, mirëpo ajeti më i drejtëperdrejtë në lidhje me këtë, është ajeti: - (وَمَن لَّمْ يَحْكُم بِمَا أَنزَلَ اللّهُ فَأُوْلَـئِكَ هُمُ الْكَافِرُونَ) -"... E kush nuk gjykon me atë që e zbriti Allahu, ata janë mohues (kafirë)", (Kur'ani, El-Maide:44). [33]

Si qëndron puna me këto ajete, dhe si është e vërteta e atyre që janë objektiv i këtyre ajeteve. Në shikim të parë, ajetet dëftojnë 'tekfirin' e secilit njeri, musliman apo jomusliman. Në mënyrë që përgjigjja jonë të jetë e qartë dhe e dobishme, është e pashmangshme që të bëjmë pyetje për domethënien e 'mosgjykimit' me atë që e ka zbritë Allahu, çfarë domethënie ka kjo?

Domethënia e kësaj është: "konkludimi i një çështje dhe miratimi i saj në lajthitje me ligjin e Allahut të madhëruar, pamarrë para sysh se njeriu këtë e konkludon rreth të drejtës së tij, të drejtës së familjes së tij, fëmijëve të tij, miqve, shokëve dhe në përgjithësi rreth ymmetit dhe shoqërisë në të cilën ai jeton". Kështu që, ai i cili gjykon për udhëtimin e gruas së tij apo vajzës së tij moshërritur në mënyrë jo të hijeshme sipas mbulesës islame, ai konsiderohet se nuk gjykon me atë që e ka zbritë Allahu. Ai që gjykon (lejon) që në shtëpin e tij të ekzistojë një e shëmtuar (e keqe) prej tërsisë së të këqiave, ai po ashtu nuk gjykon me atë që e ka zbritë Allahu. Pastaj anëtarët e asamblesë residenciale të cilët ratifikojnë dhënie-marrjen e kamatës për ligjvënësin rezidencial, ata nuk gjykojnë me atë që e ka zbritë Allahu. Gjykatqësi që gjykon një çështje me atë që nuk e ka zbritë Allahu, ai gjykon me atë që nuk e ka zbritë Allahu. Prokurori i cili e vërteton (beson) atë që e ka konkluduar ky gjykatës, nuk gjykon me atë që e ka zbritë Allahu ... .

Të gjitha këto kategori njerëzish dhe të ngjashme, pa u lëshuar edhe më tej, të gjithë konsiderohen se nuk gjykojnë me atë që e ka zbritë Allahu, dikush më pak e dikush më shumë. Atëherë, kthehemi te pyetja jonë: A hyjnë këta njerëz, bazuar në aktet e këtilla, pra, që nuk gjykojnë me atë që e ka zbritë Allahu, në grupin e jobesimtarëve dhe të dezertuarëve nga Islami, për sa kohë që janë muslimanë dhe nuk e konsiderojnë për të lejuar akëcilën vepër që është mëkat veprimi i saj?

Përgjigjja do ishte kjo: këto akte, për nga esenca e tyre nuk hyjnë në llojin e parë prej atyre që janë kufër, e që është el-i'tikadat - veprimet nga aspekti i besimit, sepse ato akte nuk janë më shumë se fjalë dhe vepër. Dhe po ashtu nuk hyjnë në grupin e tretë që nënkupton konsiderimin e mëkatit për të lejuar. Dhe as nuk hyjnë në veprimet esenca e të cilëva e sfidon përmbajtjen e imanit, sikurse kemi thënë janë bërja sexhde idhullit, apo bartja e kryqit në qafë etj.. Por këto veprime bëjnë pjesë në llojin e dytë, e që domethënë shkaktimin e mëkatit, apo el-kufrul amelij, i cili nuk nxjerrë nga imani, por vetëm konsiderohet mëkat prej mëkateve në Fe, kurse pesha e tij varet nga mënyra dhe intenziteti i bindjes në kryerjen e atij veprimi. P.sh. nuk është i njejtë një musliman që brengoset shumë për mëkatin e vet, sikurse një tjetër që fare nuk mërzitet.

Sipas kësaj na bëhet e qartë se nuk lejohet të akuzojmë me mosbesim askend prej muslimanëve vetëm pse i shohim se nuk konkludojnë në çështjet e tyre ose në çështjet e njerëzve me sheriat të Allahut, pamarrë para sysh se veprojnë në gjykata apo në shtëpitë e tyre, në familjet e tyre apo gjëkundi. Mirëpo nëse ne mësojmë se në një mënyrë a tjetër ekzistojnë argumente të prera se ai e ka mohuar me thëniet e tij ligjin e Allahut të madhëruar ose e ka nënçmuar, e që ajo dispozitë ka të bëjë me njërin prej kushteve të Islamit (si Fe) apo prej atyre që janë të njohura si të domosdoshme në fe, atëherë qëndrimi i tillë konsiderohet kufr, ndërsa njeriu i tillë bëhet kafir (pabesimtar), pamarrë para sysh se ai është prindi në familje, anëtari nëpër institucione (institute), apo mëkatar në të drejtat e tij, apo gjykatës në gjykatë, apo udhëheqës i shtetit të tij, pa kurrfarë dallimi.

Mirëpo, nëse nuk posedojmë argumente të prera për mohimin e tij ndaj ligjit të Allahut apo për ndonjë nënçmim ndaj tij, apo vendimi i tij ka të bëjë me ndonjë çështje që nuk kpnsiderohet prej gjërave të domosdoshme në fe, sepse janë çështje ixhtihadi, ose janë gjëra që nuk vërehen sa që nuk mund t'i dijë askush përpos profesionistët dhe të specializuarit, atëherë vetë akti nuk na le të gjykojmë më tepër, përpos se ta konsiderojmë si mëkat të tij dhe gjynah. [34]

Kjo do të ishte rezymeja e përgjigjes ndaj pozitës së atij i cili nuk gjykon me atë që e ka zbritë Allahu.

Ndërkaq, ata të cilët i akuzojnë muslimanët me tekfir në këtë çështje, bazohen në pjesën e fundit të ajetit 44, 45 dhe 47, të sures Maide, sikurse e kemi përmend edhe me herët. Mirëpo, dijetarët janë të një mendimi se këto ajete kanë zbritur për ehlu'l-kitabin (hebrenjtë dhe të krishterët) dhe kanë të bëjënë me ta, me jobesimtarët dhe me ata muslimanë që nuk gjykojnë me atë që e ka zbritë Allahu, nga aspekti i mohimit dhe injorimit.

Imam Rraziu në tefsirin e tij thotë: Këto ajete përmbajnë dy çështje:

Çështja e parë: Këto ajete e synojnë kërcenimin ndaj hebrenjve të cilët e ndryshuan gjykimin (hukm) e Allahut rreth dispozitës së të martuarit (في حد الزاني المحصن). Domethënë pasi ata e mohuan gjykimin e Allahut të shkruar në Tevrat, thonë: gjykimi i tillë nuk është i obliguar, prandaj ata janë pabesimtarë në përgjithësi që nuk e meritojnë emrin e besimtarit as në Musain, as në Tevrat, as në Muhamedin e as në Kur'an.

Çështja e dytë: është ajo të cilën e thonë havarixhët se kushdo që bën mëkat ndaj Allahut ai konsiderohet kafir, ndërsa shumica dërrmuese e dijetarëve e thonë të kundërtën. Kështu havarixhët (dhe të tjerët që mbajnë qëndrim ekstermë në këtë çështje), qëndrimin e tyre e argumentojnë me këto ajete. [35]

Edhe pse shumica dërrmuese e tefsirologëve dhe hadithologëve mendojnë se kjo ka të bëjë me hebrenjtë, sikurse transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij rreth zbatimit të dispozitës për zina ndaj ndaj një gruaje që kishte bërë zina, apo rreth të drejtës së një hebreu të cilin e kanë rrahur me shkopinj, ndërsa ai e ka merituar rrexhmin (gurëzimin), [36] megjithatë, dijetarët, kanë mendime të ndryshme se a janë për qëllim vetëm hebrenjtë, për të vërtetën e të cilëve kanë zbritur këto ajete, apo me to janë për synim të gjithë njerëzit pa dallim.

Ndërsa, Abdullah Ibni Abbasi r.a. përmend të dy mundësitë, [37] në anën tjetër, Fahrudin Er-Rraziu gjersa përmend deri në pesë mendime që kanë të bëjnë me fundin e këtyre ajeteve, ndalet në mendimin e pestë të Ikremetes i cili thotë: Ajeti, - (وَمَن لَّمْ يَحْكُم بِمَا أَنزَلَ اللّهُ) -, "kush nuk gjykon me atë që e ka zbritë Allahu", ka të bëjë me atë i cili e injoron me zemër atë dhe e mohon me gjuhë. Mirëpo ai cili me zemër e njeh të qenurit e tij gjykim i Allahut dhe këtë e vërteton me gjuhë, porse vjen me vepër që e kundërshton atë, i tilli konsiderohet se gjykon me atë që e ka zbritë Allahu i madhëruar, edhe pse nuk e ka përfillë atë. Për këtë arsye ai nuk mund të hyjë në cilësimet e këtyre ajeteve. Derisa për mendimet tjera Imam Rraziu konsideron se nuk janë të qëndrueshme, për këtë thotë se është 'përgjigje e vërtetë'. [38]

Duke e plotësuar këtë thënie të Rraziut dhe njëherit duke e inkorporuar edhe verzionin e Ibni Abbasit r.a., ofrojmë verzionin më kuptimplotë mbi të vërtetën e këtyre ajeteve, të cilin e citon Ibni Mes'udi dhe Haseni r.a. Ata thonë: Këto ajete kanë karakter të përgjithshëm për secilin njeri qoftë prej muslimanëve, hebrenjëve apo jobesimtarëve, të cilët nuk gjykojnë me atë që e ka zbritë Allahu duke pas besim se nuk duhet të gjykohet me të dhe duke e konsideruar këtë legjitime, (معتقدا ذلك و مستحلّا له).

Ndërsa kush e bënë këtë, ndërsa është i bindur se është duke bërë haram, i tilli konsiderohet prej muslimanëve mëkatarë dhe çështja e tij i përket Allahut, nëse do Ai e dënon sipas meritës së tij e nëse do e fal. [39]

Pra, sikurse çështja e 'mosgjykimit' me atë që e ka zbritë Allahu, dhe çështjet tjera si mbytja e muslimanit pa të drejtë, [40] shkuarja te falltori dhe besimi në fjalët e tij, [41] thënia e besimtarit ndaj vëllaut të tij 'o kafir', [42] amoraliteti, [43] vjedhja, [44] mbytja e vetvetes, [45] ... etj., bërja e të cilave nëpër hadithe të Pejgamberit a.s. kërcënohet me kufër - mosbesim, e kanë karakterin e njejtë.

Duhet thënë edhe këtë se këto (hadithe) askush nuk i ka kuptuar bukvalisht përpos harixhinjëve, të cilët bërësin e ndonjë mëkati të madh e konsiderojnë jobesimtar.

Kurse Ehli Suneti merr qëndrim se të gjitha këto hadithe duhet të komentohen në pajtim me parimin [46] se mëkati pa marrë parasysh çfarë është ai nuk nxjerrë nga imani, derisa ai nuk konsiderohet i lejuar dhe që nuk përmban elemente të kufrit dhe shirkut.

Në lidhje me këtë, imam Neveviju r.h. thotë: Për këtë parim (rregull) kanë ardhur argumente nga Kur'ani, synneti dhe ixhmai-koncenzuesi i dijetarëve ... E nëse vjen hadithi i cili në aspektin formal (të jashtëm) të tij kundërshtohet me këtë parim atëherë është obligim që ky hadith të komentohet mbi atë parim në mënyrë që të mund të arrihet bashkimi i teksteve të sheriatit. Dijetarët e ehlu Sunetit i pranojnë të gjitha ato që citohen në hadithe, por ata kanë mendime të ndryshme rreth asaj se çka në të vërtetë synohet në hadithe të tilla. [47]

Disa prej tyre mendojnë se me këto hadithe dëshirohet vetëm të tërhiqet vërejtja në madhësinë dhe rrezikun e mëkateve të përmendura, e disa të tjerë konsiderojnë se kufri në hadithet e përmendura ka të bëjë me ata të cilët këto mëkate i konsiderojnë të lejuara. E, kush lejon çkado qoftë prej tyre, bëhet renegat ..., [48] dhe mendime të tjera.


Kushtet e tekfirit

Është më se e domosdoshme që të bëjmë dallim ndërmjet llojit (النوع) dhe subjektit (العي) në tekfir, sepse çdo vepër që është kufër, nuk do të thotë se edhe personi që e bën është a priori kafir. Prandaj duhet të bëjmë dallim në gjykim pse një fjalë është kufër, të gjykohet pronari i saj për kafir. P.sh.: thënia se Allahu është në çdo vend është kufër, thënia se fjala e Allahut është e krijuar është po ashtu kufër, mohimi i cilësive të Allahut është kufër. Këto dhe të ngjashme janë prej kategorisë së gjykimit nga aspekti i llojit dhe fjalës. Ndërsa kur çështja varet për një person të caktuar, atëherë patjetër nevojittet të përmbahemi dhe t'mos e gjykojmë atë me kufër derisa ai nuk pyetet dhe nuk diskutohet me te për fjalët e tij, sepse është e mundshme që një bisedë të mos vërtetohet se është e tij, apo ajo të jetë një interpretim i lirë prej tij, apo ai nuk ka mundësi t'i kuptojë tekstet ose është injorantë, e kur dyshimi të evitohet pasi të debatohet ai dhe t'i ofrohen argumentet, tek atëherë çështja merr definimin e vet. [49]

Në këtë kontinuitet, tekfiri i kërkon katër kushte të domosdoshme:

Kushti i parë: Vërtetimi që personi/subjekti (الفاعل) i caktuar me fjalën, veprën apo lërjen e tij të ketë për qëllim domethënien e cila në kontekst konsiderohet kufr, sipas argumenteve të Kur'anit dhe Sunnetit.

Ky kusht që nënkupton subjektin apo vepruesin, kërkon disa nënkushte: që subjekti të jetë i ngarkuar me obligimet fetare (mukel-lefen), do me thënë moshërritur dhe i mençur (بالغا عاقلا) që subjekti të bëjë me qëllim, d.m.th. duke e synuar veprën e tij (قاصدا لفعله) që subjekti të zgjedhë veprën e tij me vullnetin e tij të lirë (مختارا بإرادته). [50]

Është fare e qartë se njeriu nuk mund të akuzohet si kafir me supozim ndaj tij. Para se ta akuzojme njeriun për dalje nga Feja Islame, për të vërtetën e tij duhet të jemi maksimalisht të sigurtë, se ajo që po e thotë, apo ajo shprehje i plotëson kushtet të konsiderohet kufr.

Poashtu është e patjetërsueshme që në radhë të parë të hulumtohet e vërteta e qëllimit të tij. Se me shprehjen e caktuar që konsiderohet kufr, a e ka synuar domethënie që e përfaqëson bindjen e tij apo jo, ngase ekziston mundësia që një shprehje të përmbajë domethënie të dyfishtë, apo ajo të jetë metafor, e njeriu ndoshta nuk e ka për qëllim domethënien e cila konsiderohet kufr. Kur njeriut i ofrohet kuptimi se fjala që ai e thotë është kufër, atëherë kërkohet nga ai nëse e pranon atë akt apo e mohon. Nëse heq dorë, mirë, në të kundërtën i bie akuza e tekfirit.

Kushti i dytë: Vërtetimi që vepra e caktuar, apo fjala apo lërja konsiderohet kufr sipas argumenteve të Kur'anit dhe Sunnetit (ثبوت أن هذا القول أو الفعل أو الترك كفر بمقتضي دلالة الكتاب أو السنة).

Derisa kushti i parë ka të bëjë me subjektin, ky kusht ka të bëjë me veprën (الفعل).

Edhe vepra kërkon disa kushte:

Që vepra të jetë kufër që nuk ka kurrfarë dyshimi në të, (أن يكون الفعل مكفرا لا شبهة فيه).

Që vepra e mukel-lefit (të ngarkuarit me detyrimet fetare) apo thënia e tij të jetë e qartë në argumentim (përmbajtje) se është kufër, (أن يكون فعل المكلف أو قوله صريح الدلالة علي الكفر). [51]

Që argumenti sheriatik i cili e provon kufrin të jetë për atë vepër që është e qartë në argumentim se është meritore për tekfir, (أن يكون الدليل الشرعي المكفر لذلك الفعل صريحَ الدلالة علي التكفير). [52]

Kusht i tretë: Arritja e argumentit nga revelata hyjnore se shprehja e caktuar, apo vepra apo lërja konsiderohet kufr, (بلوغ الحجة الرسالية).

Kur muslimani të është informuar se fjala që e thotë apo një vepër që e ka bërë dhe apo e bën, konsiderohet kufr, atëherë kjo gjendje e tij parasegjithash duhet të polemizohet duke i ofruar argumente bindëse që e argumentojnë atë drejtpërdrejtë, p.sh. sikurse thamë më lartë, atij i cili i mohon cilësitë e Allahut xh.sh. duhet t'i sjellim argumente nga Kur'ani dhe Hadithet e vërteta, e të cilat janë mjaft shumë. Ai që mohon ekzistimin e xhennetit apo xhehennemit, po ashtu duhet t'i sjellim argumente nga bazat e fesë e të cilat janë vërtetë shumë e kështu me radhë.

Të gjitha diskutimet duhet t'i bëhen në stilin e gjuhës që ai e kupton. Për çdo gjë që diskutohet, ai duhet ta kuptojë mirë në tërësi. Krejt kjo për arsye se Allahu nuk e ndëshkon muslimanin derisa ai të mos është i informuar saktë për të, sikurse thotë Allahu i madhëruar: "... E Ne nuk denuam askë para se t'ia dërgojmë të dërguarin", (Kur'ani, El-Isra:15).

Ekzistojnë mjaft shumë muslimanë, në mbarë botën të cilët kushtimisht them se bëjnë shumë vepra dhe flasin shumë fjalë që në shikim të parë konsiderohen kufr. Arsyeja është se ata besimin dhe islamin e kanë shprehur në mënyrë të përgjithshme (ixhmalen) qoftë duke e trashëguar nga rrethi në të cilin jetojnë apo nga familja e vet e ngushtë. Kështu mundësitë janë të hapura që tek ta të gjenden fjalë dhe vepra që konsiderohen kufr, mirëpo akuzimi i tyre për jo musliman, derisa nuk ju qartësohet me argumente të prera në formën që ata i kuptojnë, është i papranueshëm.

Kushti i katër: Mosekzistimi i elemenetëve që pengojnë tekfiri në të drejtën e tij (إنتفاء مانع التكفير في حقه). [53]

Pra, është kusht që për të ardhur në shprehje tekfiri ndaj një personi, duhet të evitohen elemenetet që e pengojnë atë. P.sh nuk mund ta akuzojmë për kufr, personin e çmendur, apo fëmiun, apo një fjalë a vepër e cila nuk është prej çështjeve që argumentohet me argument të prerë nga Kur'ani dhe Hadithi, porse është prej çështjeve që pranon interpretim dhe diskutim, përkatësisht i nënshtrohet ixhtihadit.

Dijetarët kanë koncenzus se nuk mund të akuzohet me kufr, ai i cili përpiqet për të vërtetën por gabon në ixhtihad. [54] Normalisht, që objekt i ixhtihadit mos të jenë ato çështje, për të cilat ekziston argumenti i prerë, sepse aty nuk ka çka bëhet ixhtihad, p.sh. nuk bëhet ixhtihad për obligimin e namazit a është farz apo jo, apo për zekatin etj.. Nëse muxhtehidi bën ixhtihad në këtë rrafsh, ai kalon në mohim të qartë. Por, fjala është për ato gjëra që nuk posedojnë argumentë të prerë drejtëpërdrejtë, dhe si të tilla kërkojnë argumentim në një qasje tjetër. P.sh.: ulematë kanë ndryshim mendimesh rreth cilësisë "el-ismetu" - të pejgamberëve, se a fillon kjo cilësi te ta prej lindjes e deri në vdekje apo ajo fillon pas gradimit të tyre për pejgamber, pastaj, a nënkupton mbrojtjen edhe prej mëkateve të vogla apo vetëm prej mëkateve të mëdha, e kështu me radhë, ku secili opcion, nuk e fiton mbështetjen e argumentit të prerë.

Ulematë kanë koncenzus se pejgamberët janë të mbrojtur në çështjet sheriatike, pra që kanë të bëjnë me besimin, dhe prej mëkateve të mëdha pas gradimit të tyre për pejgamberë, ndërsa aspektet tjera i nështrohen fushës së ixhtihadit, domethënë nuk kanë konsenzus.


Ndarja e tekfirit

Pasi t'i kemi kuptuar kriteret e tekfirit dhe kushtet e tij, është prej gjërave plotësuese njohja e llojeve të tij. 'Tekfiri' ndahet në dy lloje:

1. Tekfiri i përgjithshëm - sipas vetive (ألتكفير المطلق - ألأوصاف).
2. Tekfiri i veçantë - sipas personave (ألتكفير المعيّن - ألأعيان).

Ky është drejtimi i ehlus-sunnetit vel xhemaatit.

Tekfiri i përgjithshëm: është kur një fjalë apo vepër, bindje, besim apo lërje, kosiderohet kufr, gjithnjë sikurse kemi thënë sipas Kur'anit dhe Synnetit, autorët e tyre gjykohën për kafira në mënyrë të përgjithshme, pa bërë dallime veç e veç, kuptohet pasi të jenë plotësuar kushtet e tekfirit dhe të mos ekzistojë ndonjë elemenet që e pengon atë.

Tekfiri i veçantë: është i njejtë në kritere sikurse tekfiri i përgjithshëm, përveçse gjykimi me tekfir nuk bëhet në pako - në mënyrë të përgjithshme, por gjykohet për secilin person veç e veç i cili i plotëson kushtet e tekfirit.

Duke u bazuar në kushtet e tekfirit rezultohet se lloji i parë, pra tekfiri në mënyrë të përgjithshme, në parim është vështirë i aplikueshëm ose vetëm në raste të veçanta, dhe atë për dy arsye:

- Sepse nuk garantohet siguria e plotë në këtë dhe nuk mund të evitohen dyshimet. Imam Muhamed Abduhu (1849-1905) thotë: Nëse del një fjalë prej ndonjërit e që ajo bartë mundësinë që të jetë kufr nga njëqindë anë, kurse mundësinë e imanit vetëm nga një anë të vetme, atëherë ajo kalohet kah imani dhe nuk lejohet çuarja e saj kah kufri. [55],

- Sepse nuk plotësohen kushtet e tekfirit, ngase prej kushteve të tekfirit është që para se personi të akuzohet me tekfir, t'i bëhet debatim pikëpmajeve të tij, duka ja bërë me dije se ajo i kundërshton bazat e fesë, e nëse ai mbetet në bindjet e tij, atëherë ai është meritor për tekfir, ndërsa kjo te tekfiri i përgjithshëm nuk ka mundësi të aplikohet për faktin se ai është gjykim në total.


Akuza për tekfir është institucionale

'Tekfiri' është dispozitë e sheriatit (حكم شرعي) prehj dispozitave tjera të fesë, i cili ka shkaqet e tij, kriteret, kushtet, pengesat dhe pasojat. Çështja e tij në këtë rast është çështje e të gjitha dispozitave të sheriatit. [56]

Dijetarët islamë kanë përcaktuar rregulla, kritere, kushte dhe parime mbi tekfirin. Varësisht prej qasjeve kanë rezultuar edhe forma e kritereve, mbase edhe numri i tyre. Ne pa hy në të gjitha ato, sepse disa janë potencuar deri më tani, e disa të tjera ndryshojnë nga konteksti i këtij punimi. Por, është mendim pragmatik i ulemave se tekfiri është çështje sheriatike, ata thonë:

Çështja e tekfirit i përket Allahut të madhëruar dhe të Dërguarit të tij. Për atë çështje që argumenton Kur'ani dhe Synneti se është kufër, atëherë ajo është, ndërsa atë që e argumenton Kur'ani dhe Synneti si nuk është kufr, ajo nuk është. [57]

Prandaj edhe akuzimi i një muslimani për kufr është institucional, përkatësisht nga autoriteti kompetent, i cili edhe është i përgatitur profesionalisht, po edhe legal.

Nuk mund të gjykojë në tekfir tjetër kush, përpos dijetarit (العالِم) me anë të argumenteve të sheriatit. [58]

Sepse, përmbajtjen e Kur'anit, Synnetit dhe argumentet e sheriatit nuk i njeh përpos personi që është thelluar në njohjen e tyre, dhe si i tillë është dëshmuar me rezultate. Për këtë arsye nuk lejohet absolutisht që të sjell vendimin e një çështje kaq të rëndësishme për jetën individuale dhe kolektive, njeriu që nuk është kompetent dhe institucional, sepse Allahu i madhëruar thotë: "Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi", (Kur'ani, El-Isra, 36).

Në këto relacione, Ibni Tejmije r.h. thotë: "Për këtë arsye dijetarët e shkencës dhe Synnetit nuk e akuzonin me kufr atë që i ka kundërshtuar ata edhe nëse ai kundërshtim i hedh në kufër vetë ata, sepse kufri është dispozitë e sheriatit, e kjo domethënë, njeriut nuk i takon që t'i kundërvehet me të ngjashme, sikurse bie fjala: ai që të ka gënjyer apo ka bërë amoralitet me familjen tënde, nuk do të thotë që edhe ti ta gënjesh atë dhe të bësh amoralitet me familjen e tij, nga që gënjeshtra (el-kedhibu) dhe amoraliteti (ez-zina) janë haram, sepse janë e drejtë e Allahut (hak-kull-llahi)". [59]


Rreziku i akuzës për tekfir

Nga sa u tha edhe më lartë, nuk lejohet tekfiri ndaj një muslimani për shkak të mëkati që ai e bën, dhe as për ndonjë gabim që e bën, sikurse janë çështjet të cilat janë të polemizuara ndërmjet pjesëtarëve të ehlul kibles. Rreshtimi i ymmetit në fraksione nuk duhet të jetë motiv i akuzës së ndërsjelltë. Fundja këtë duhet parë si të pashmangshme, e në raste më të favorshme edhe si mëshirë për ne.

Ebul Hasen El-Eshariu në fillim të veprës së tij "Kitabul mekalatil islamijjin" thotë: "Njerëzit pas (vdekjes së) Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem janë ndarë në mendime të ndryshme rreth shumë gjërave. Disa prej tyre, rreth këtyre gjërave, i kanë hedhur disa të tjerë në devijim (ضلّل) duke u distancuar njëri nga tjetëri, më se dhe u transformuan në fraksione kontradiktore (فرقا متباينين) dhe parti të shpërndara (متشتتين أحزابا). Mirëpo, Islami është ai që i tubon të gjithë ata dhe i pranon në gjirin e vet [60] (يجمعهم و يشتمل عليهم الا ان الإسلام). Ky pohim i imamit të madh bart një mendësi mirëkuptimi  të gjërë dhe deklaron se asnjë fraksion islam s'do të akuzohet për mosbesim. [61] Domethënë edhe pse ehlu'l-kibleti janë të ndarë në fraksione, të gjithë për referim e kanë Islamin.

Xhurxhani për këtë thënie thotë se është medh'hebi i tij dhe i shumicës së hanefinjve. [62]

Havarixhët, të rrëshqitur nga feja (المارقون), luftimin e të cilëve e ka urdhëruar Pejgamberi a.s., i ka luftuar prijësi i muslimanëve Alij bin Ebi Talibi - njëri prej halifëve të dëshmuar me qeverisje të drejtë. Për luftimin e tyre kanë unanimitet të gjithë imamët e Fesë, prej sahabëve, tabiinëve dhe të tjerëve pas tyre. Megjithatë, Alij bin Ebi Talibi , Sa'd bin Ebi Vekkas dhe të tjerë prej sahabëve nuk i kanë akuzuar me kufër, por i kanë konsiderua muslimanë megjithë luftimin e tyre (جعلوهم مسلمين مع قتالهم). Mirëpo, ata nuk janë luftuar derisa nuk kanë shkaktuar vrasje (gjakderdhje) të padrejta, dhe shkatërrime të pasurisë së muslimanëve. Prandaj ata i kanë luftuar për ta evituar dëmin dhe të keqën e tyre, e jo për se janë pabesimtarë (kafirë). Për këtë arsye nuk ofendohen gratë e tyre e as nuk konfiskohet pasuria e tyre. [63]

Dijetarët e mëvonshëm sunnitë që mbajnë qëndrim më të ashpër ndaj Havarixhëve duke i konsideruar për jomuslimanë, bazohen në akuzat e tyre që ata i kanë bërë në llogari të disa sahabëve të mëdhenjë për të cilët Pejgamberi a.s. ka dëshmuar me xhennet. [64] Më se sipas haditheve të pejgamberit a.s. nëse i akuzuar me tekfir nuk është meritor për të, akuza i kthehet akuzuesit, e kjo domethënë akuza i kthehet Havarixhëve, sepse është e vërtetë se dëshmia e Pejgamberit a.s. mbi sahabët është më prioritare.

Mirëpo, të gjitha ato hadithe të vërteta që transmetohen në këtë kontekst, e citojnë vetëm: (وَ إِلَّا رَجَعَتْ عَلَيْه) - "përndryshe akuza i kthehet akuzuesit", dhe asnjëri prej tyre nuk e precizonë se kush i kthehet: "a i kthehet kufri akuzuesit, pra e akuzuesi të llogaritet mosbesimtar, apo i kthehet mëkati i akuzës, e ai të llogaritet mëkatar, apo thënia në hadith ka të bëjë për parandalimin e muslimanit që ta akuzojë vëllaun e tij musliman për mohim?"! [65]

Me sa dihet është vetëm një hadith që është i drejtpërdrejtë rreth kësaj, e të cilin e transmeton Ebu Davudi: "Kur një musliman akuzon për mosbesim një musliman tjetër, në se ky i fundit është mosbesimtar, ashtu mbetet, në të kundërt, bëhet vetë mosbesimtar". [66]

Bekir Topaloğlu thotë: "Por, ç'e do se hadithi, megjithëse është i vërtetë (sahih), me që nuk është nga ato që qarkullojnë gojë më gojë (mutevatir), mund ta shpëtojë Havarixhin nga tekfiri". [67]

Prandaj kur çështja qëndron kështu me havarixhët, të cilët konsiderohen një ndër fraksionet thellë të devijuar nga rruga e vërtetë, atëherë si do të vijë në shprehje për muslimanët tjerë.

Kjo do të thotë, se nëse akuza për tekfir është gati sa e pamundur, na përkujton se në mos asgjë tjetër, për plasimin e saj duhet qenë tepër parimor, të sigurtë dhe maksimalisht të përmbajtur.

Dijetarët vizionarë të këtij ymmeti, të parët dhe të mbramët e tij, kontributi i të cilëve në shoqërinë islame, do të mbetët një kurorë e përhershme, i kanë qëndruar besnikë rrugës së Resulullahit a.s. i cili ka thënë:- (أُمِرْتُ أَنْ أُقَاتِلَ النَّاسَ حَتَّي يَقُولُوا لَا إِلهَ إِلَّا اللهُ فَمَنْ قَالَ لَا إِلهَ إِلَّا اللهُ فَقَدْ عَصَمَ مِنِّي مَالَهُ وَ نَفْسَهُ إِلَّا بِحَقِّهِ وَ حِسَابُهُ عَلَي اللهِ) -, "Jam urdhëruar të luftoj kundër njerëzve, derisa të thonë "la ilahe il-la'Llah" - nuk ka zot tjetër përpos Allahut. E kush thotë "la ilahe il-la'Llah" - nuk ka zot tjetër përpos Allahut, ai i ka të mbrojtura pasurinë e tij dhe jetën e tij prej meje, përveç detyrimeve (përgjegjësive) të tij juridike. Kurse llogaria e aspektit të brendshëm (për fjalën që e ka thënë) i përket Allahut ...". [68]

Dhe hadithi tjetër: - (مَنْ صَلَّي صَلَاتَنَا وَ اسْتَقْبَلَ قِبْلَتَنَا وَ أَكَلَ ذَبِيحَتَنَا، فَذَلِكَ الْمُسْلِمُ الَّذِي لَهُ ذِمَّةُ اللهِ وَ ذِمَّةُ رَسُولِهِ، فَلَا تَخْفِرُوا اللهَ فِي ذِمَّتِهِ) -, "Kush falet ashtu sikurse ne, që drejtohet kah Kibleja (Qabja në Mekkë) nga e cila drejtohemi ne, që ha nga të therurat tona, i tilli konsiderohet musliman që e meriton mbrojtjen e Allahut dhe mbrojtjen e të Dërguarit të Tij. Prandaj, mos e prishni garancinë e premtuar nga Allahu". [69]

Këto dy hadithe le të jenë pikë referuese e gjykimeve tona në tekfir. Që në fillim kemi përmendur se akuza e tekfirit ka rreziqe tepër të rënda. Nuk do koment, se pasojat që i bartë ai, janë arsyeja qëndrore, që i bën të kujdesshëm të gjithë dijetarët në këtë çështje. Sepse vendimi për ekzekutim të një muslimani që dëshmon 'shehadetin', apo përjashtimi i tij nga të drejtat islame (kur ekzekutimi nuk mund të realizohet), si shkak i tekfirit të tij, pa dyshim është një veprim që asnjëherë nuk mund të japë qetësi të prerë. Jeta është e shenjtë dhe e shtrenjtë, dhe është e drejtë e Allahut. Definim i kufirit të tekfirit, nga sa mësuam nuk është i pamundur, por është jashtzakonisht i vështirë dhe kritik.

Le ta themi edhe atë se Pejgamberi a.s. e ka ndaluar vrasjen e një muslimani që dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, përpos në njërin prej tri rasteve: "Kur i martuari bën amoralitet, kur bën vrasje të njeriut, dhe kur e braktisë fenë Islame dhe largohet nga bashkësia (muslimane)". [70] Pejgamberi a.s. e ka lejuar ekzekutimin e murted-dit, mirëpo kur ai deklarohet publikisht.

Është leksion i mirë se dijetari mendjeprehtë Ebu Xha'fer Et-Tahaviu, më së shumti që ka mundur të thotë për fraksionet e dyshimta, sikurse janë mushebbehitët, mu'tezilët, xhehmitët, xheberitët, kaderitët dhe të tjerët është se "ato janë në devijim dhe shkatërrim", [71] por jo edhe të deklarojë mosbesimin e tyre, derisa ata pranojnë se janë ehlu'l-kibleti. [72]
Resulullahi në shumë hadithe të tij ka tërheqë vërejtjen nga nxitim për tekfir të muslimanëve.

Le t'i transmetojmë disa hadithe prej tyre: - (أيُّمَا امْرِئٍ قَالَ لِأَخِيهِ يَا كَافِرُ فَقَدْ بَاءَ بِهَا أَحَدُهُمَا إِنْ كَانَ كَمَا قَالَ وَ إِلَّا رَجَعَتْ عَلَيْهِ) - , Transmetohet nga Ibni Omeri i cili ka thënë: Ka thënë Resulullahi a.s.: "Se cili njeri (musliman) që i thotë vëllaut të tij 'o kafir', kjo fjalë kalon në njërin prej tyre, nëse ai është meritor për të, akuza i mbetet të akuzuarit, e nëse s'është, atëherë akuza i kthehet akuzuesit". [73]

Transmetohet nga Ebu Dherri, i cili e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. të thotë: - (لا يَرمي رجلٌ رجلًا بالفُسوقِ ، و لا يرميه بالكفر ، إلا ارْتدَّتْ عليه ، إن لم يكنْ صاحبهُ كذلك) -, "Nuk e akuzon njeriu njeriun (muslimanin) me prishje dhe as me mohim (kufër), e që kjo akuzë të mos i kthehet vetë atij, nëse shoku i tij nuk është meritor për këtë". [74]

- (وَ مَنْ لَعِنَ مُؤْمِنًا فَهُوَ كَقَتْلِهِ ، وَ مَنْ قَذَفَ مُؤْمِنًا بِكُفْرٍ فَهُوَ كَقَتْلِهِ) -, "Kush e mallkon një musliman është sikur ta ketë vrarë atë, dhe kush e akuzon një musliman për mohim është sikur ta ketë vrarë atë". [75]


Përfundim

Sakaq, nuk mund të kalojmë, pa u ndalur pak mbi reflektimet e tekfirit edhe në hapësirat tona mbarëkombëtare. Është mjaft shqetësuese teksa shohim apo dëgjojm se si grupacione të ndryshme, të infiltruar deri tek ne në forma dhe rrugë të ndryshme, duke u mbarësuar në farë sherri, hedhin akuzën e tekfirit në llogari të të gjithë të tjerëve. Mjafton të mos pajtohesh në pikëpamje, aq sa nevojitet që ta bëjë me shëndet akuzën e tekfirit.

E kobshme është kur këtë e plasojnë ata që nuk dinë të bëjnë dallim ndërmjet Kur'anit dhe Sunnetit. Pikërisht atë element që dikur Resulullahi a.s. nuk e kishte përdorë ndaj hipokritëve në besim, ndonëse ishin meritor, e që kjo ishte një politikë e islamizimit të të tjerëve, sot në emër të Sunnetit, shndërrohet në kontrast dhe tekfiri bëhet 'sadaka' më e padhimshme që postohet në adresë të muslimanëve.

Atëherë, le të pyesim, cilët janë ata faktorë, që tekfirin si akt të frikshëm, e bëjnë të dashur dhe atraktiv. Mund të radhisim me dhjetëra faktorë duke filluar nga ndërhyrjet e faktorit joislam në diskurs të manipulimit dhe instrumentalizimit e deri te fanatizmi klanor i mbërtheyr në ekstremizma periferik kurse abuzues me ato fundamentale, e deri te sëmundja e zilisë. Por padyshim faktori kryesor është 'xhahilizmi' apo injoranca e thellë. Kjo nuk ka nevojë të hulumtohet shumë.

Kjo vetë tregon. Pretendimet e rreshtura për ta damkosë personalitetin e Ebu Hanifes r.a., nxënësit e tij dhe autoritetet e medh'hebeve të tjera si vëllezër të tij, nuk mund të kenë diagnostifikim tjetër përpos xhahilizmin patetik.

Huxhetul islami, Ebu Hamid El-Gazalij (1058-1111), i cili edhe pse vetë e ka përdorë tekfirin ndaj gjashtë kategori njerëzish, [76] thotë: Me të vërtetë tekfiri është sajesë e njerëzve injorantë. Askush nuk shpejton në të përpos injorantëve. Prandaj nevojitet përmbajtja prej tekfirit për derisa te njeriu mund të gjendet mënyrë që t'i iket atij. Me të vërtetë lejimi i gjakërave dhe pasurisë së atyre që falen duke u kthyer kah Kibleja, që deklarohen me dëshminë 'la ilahe il-lall-llah, Muhameden resulull-llah' është gabim i madh. Kurse gabimi për mosakuzim me tekfir të një mij kafirëve është më i lehtë se sa gabimi për lejimin e derdhjes së një gote gjak të muslimanit. Porosia është kjo: "Që gjuhën ta ndalish sa të mundesh ndaj 'ehlu'l-kibleti' për derisa thonë 'la ilahe il-lallah, Muhameden Resulull-llah' dhe këtë nuk e kundërshtojnë". [77]

Fare në fund, le ta prezentojmë rastin që e mban të gjallë në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën tonë kushtin sipas të cilit nuk mund të akuzohet për mohim e të vritet një njeri që thotë 'La ilahe il-lall-llah'. Nga as'habët, Usame bin Zejdi ishte një i ri që Pejgamberi a.s. e donte shumë.

Kur ende ishte në moshën 20 vjeçare, i Dërguari i Zotit e pati caktuar komandant në një ushtri ku ndodheshin edhe Hz. Ebu Bekri me Hz. Omerin dhe pati thënë kështu: "Është njëri midis njerëzve që dua më shumë, prandaj tregohuni dashamirës, ai është ndër më të dobishmit nga mesi juaj". [78]

Usame tregon kështu: "I Dërguari i Allahut na pati dërguar një togë kundër armikut. Shkuam dhe në mëngjes u futëm në tokat e fisit Xhuhejne. Unë kapa një armik. Megjithëse tha 'La ilahe il-lall-llah', nuk e lëshova, por e vrava. Por brenda më kishte lindur një dyshim. Në kthim ia tregova ngjarjen të Dërguarit të Allahut. Dhe ai më tha: "Si e vrave një njeri që të tha 'La ilahe il-lall-llah'?". (Në rrefimin e Ebu Davudit është kështu: "Në Ditën e Kijametit kush do të shpëtojë ty nga thënia e tij 'La ilahe il-lall-llah'?"). Kurse unë i thash: O i Dërguari i Allahut, ai e pati thënë këtë nga frika e armës! Kurse ai më tha kë të përgjigje të ashpër: "Mos vallë ti ia çave zemrën dhe e kuptove se fjalën e njësisë (kelimetut-tevhid) e tha me sinqeritet apo nga frika e armës? Kush do të të shpëtojë ty Ditën e Kijametit nga dora e 'La ilahe il-lall-llahut'?". Aq shumë e përsëriti i Dërguari i Allahut këtë qortim, sa që dëshirova më mirë të mos isha bërë musliman para kësaj dite e të mos më ndodhte një gjë e tillë!". [79].



Autor: Orhan BISLIMAJ



_________________________

[1] - Transmetohet nga Nusajr bin Jahja El-Fekih, i cili ka thënë: e kam dëgjuar Ebu Muti' El-Hakem bin Abdilah El-Belhi të thotë: E kam pyetur Ebu Hanifen, Nu'man bin Thabit r.a. për EL-FIKHU'L-EKBER - dijen më të rëndësishme, e ai më tha: Të mos e akuzosh për dezertim ..., deri në fund të citatit. (Ebu Hanife, El-Fikhu'l-Ebsat, sipas Doç. Dr. Mustafa Öz, "Imam-i A'zamın beş eseri, El-Alim ve'l muteal-lim, El-Fikhu'l-Ebsat, El-Fikhu'l-Ekber, Risaletu Ebi Hanifete, El-Vesijjeh, Stanboll, 1992, fq.44).
[2] - Ebu Abdilah Amir Abdilah Falih, "Mu'xhemu elfadhi'l akideti" botimi i dytë 1420 h /2000, Rijad, fq. 99.
[3] - Prof. Dr. Bekir Topaloğlu, "Hyrje në Kelam", Prishtinë 2002, fq. 271.
[4] - Pejgamberi a.s. ka thënë: (مَنْ بَدَّلَ دِينَهُ فَاقْتُلُوهُ), "Kush dezerton nga Feja Islame, mbyteni" Ahmed bin Alij bin Haxher El-Askalanij, "Fet'hu'l bari sherhu Sahihi'l Buhari" Mektebetu'd-dari's-selam, botimi i parë 1421 h./2000 m., Rijad, 'Kitabu istitabetil murted-dine vel muanidine', kapitulli 2, hadithi nr. 6922.
[5] - Alaud-din Ebi Bekr bin Mes'ud El-Kasanij El-Hanefij "Bedaiu's-sanai'i", darul fikri, botimi i parë, 1996/1417, Bejrut-Liban, vëll.IV, fq.198-206.
[6] - Shih: Ebu Hamid El-Gazalij, "El-Iktisad fil i'tikad", kapitulli 'bejanu men jexhibu tekfiruhu minel firak', sipas http://www.alwihdah.com/view.php?cat=1&id=853, i plasuar më: 29.03.2004.
[7] - Shih ajetet mbi hipokritët: Kur'ani, El-Bekare: 8-16.
[8] - Sahihul Buhari, 'Kitabu'l eshribeti', kapitulli 1, hadithi nr. 5578.
[9] - Sahihu'l Muslim bi'sherhi'n - Nevevij, botimi i parë 1347 h./1929 m., 'el-matbeatu'l-misrijetu' Kairo, 2/70.
[10] - "Sahihu'l Muslim" botimi i Kairos, op. cit.. 2/54.
[11] - Abdullah bin Bijhe "Et-Tekfiru:El-Vexh'hu'th-thani li'l-harbi alel ummeti'l-islamijjeh", sipas: http://www.alwihdah.com/view.php?cat=1&id=1705, i plasuar më: 11.05.2006.
[12] - Sahihul Buhari, Kitabus-salati, hadithi nr. 391. Po ashtu shih po aty hadithin nr. 392.
[13] - Ibnu Ebil Izz, "Sherhul akidetit-tahavije", op. cit. fq. 316.
[14] - El-Al-lametu Ibnu Ebil Izz, El-Hanefijj, "Sherhul akidetit-tahavije", vërtetimin shkencor dhe recenzimin e kanë bërë grup dijetarësh, botimi i nëntë 1408h \ 1988m, El- mektebetu'l Islamijj, Bejrut, fq. 313, 316.
[15] - El-Bagdadi "el-firak bejnel firak" fq. 12-13, sipas Topaloğlu, "Hyrje në Kelam", fq.274.
[16] - Es-Sejjid Esh-sherif Alij bin Muhamed El-Xhurxhani, "Sherhu'l Mevakif", botimi i parë, 1998/1419, boton 'darul kutubil ilmijjeh, Bejrut-Libon, 8/370.
[17] - Sa'dud-Dinë Mes'ud bin 'Umer, Et-Taftazanij, "Sherhu'l akaidi'n-nesefijjeti", tahkik Muhamed Adnan Dervish, boton 'mektebetu daril bejruni, pa vend dhe vit botimi, fq. 260.
[18] - El-Xhurxhani, "Sherhu'l Mevakif", botimi op. cit. 8/375.
[19] - Ebu Hanife "El-Fikhu'l-Ebsat" baburr-rredi ala men jukef-firu bidh-dhenbi, cituar sipas "Pesë kryeveprat e Ebu Hanifes", parathënien doc.dr.Ibrahim Emiroglu, përktheu nga ar. Mustafë Jetish Bajrami, boton Bashkësia Islame e Kosovës, shtëpia botuese: Dituria Islame, Prishtinë 2000, fq. 102.
[20] - Sejf El-Mazru'ijj Ebu Dhabji, "Mevkifu ehli's-sunneti min mes'eleti't-tekfiri" sipas http://www2.alsaha.com/sahat/Forum2/HTML/005787.html i plasuar më:18.04.1999. Ngjashmërisht me këtë është edhe shirku - politeizmi. Ekziston shirku i madh (esh-shirku'l-ekber) i cili manifestohet kur predikohet edhe një zot tjetër rival Allahut Një të vetëm. Ky shirk nxjerrë nga Islami. Dhe ekziston shirku i vogël, i cili nuk nxjerrë nga Islami porse konsiderohet mëkat prej mëkateve të mëdha. Ky manifestohet p.sh te rijaja - syefaqësia sikurse thotë Resulullahi a.s.: - إِنَّ أَخْوَفَ مَا أَخَافُ عَلَيْكُمْ الشِّرْكُ الْأَصْغَرُ قَالُوا وَمَا الشِّرْكُ الْأَصْغَرُ يَا رَسُولَ اللَّهِ قَالَ الرِّيَاءُ -, "Unë për ju frikësohem më së shumti nga shirku i vogël (esh-shirku'l-asgar). Ata (sahabët) i thanë: O i dërguari i Allllahut çka është shirku i vogël? (Pejgamberi a.s.) tha: Është rijaja - syfaqësia ...", (Musnedi i Ahmedit, Kitabu: Bakije musnedil Ensar, Babu: hadithu Mahmud bin Lubejdi, nr. 22523).
[21] - Ebu Dhabji, "Mevkifu ehli's-sunneti...", op. cit..
[22] - Muhamed Seid Ramadan El-Buti "Mes'eletu tekfirin-nas" sipas: http://www.alwihdah.com/view.php?cat=1&id=381 i plasuar më: 10.09.2003.
[23] - Ebu Dhabji, "Mevkifu ehli's-sunneti ...", op. cit..
[24] - Ebu Dhabji, "Mevkifu ehli's-sunneti ...", op. cit..
[25] - "Sahihu'l Muslim", botimi i Kairos, op. cit.. 2/54.
[26] - "Sahihul Buhari", Kitabul edebi, kap. 44, hadithi nr. 6047.
[27] - Musnedi i Imam Ahmedit, 4/68 & 5/380, cituar sipas: Xhemalud-din Ahmed bin Muhamed El-Gaznevijj El-Hanefijj, "Kitabu usulid-dini", tahkik ed-duktur Omer Vefik Da'uk, boton: darul beshairi'l islamijjeh, botimi i parë, 1998/1419, fq.207, "Sahihu'l Muslim" Kitabus-selam, babu:tahrimul kehaneti ..., hadithi nr. 5782.
[28] - El-Buti "Mes'eletu tekfirin-nas" op. cit..
[29] - Et-Taftazanij "Sherhu'l akaidi ..." op. cit.. fq. 258.
[30] - Prof.dr. Abdul Fetah Husejni (kryetar i mëparshëm i universitetit të El-Ez'heri)"Dirasat fi Usulil fikhi", 1421/2000, pa vend botimi fq.179-180.
[31] - Abdul Kerim Tetan, Muhamed Edib El-Kilanijj, "Avnu'l muridi lish-sherhi xhevheret'it-tevhidi" fi akideti Ehli Sunneti ve'l xhemaati, boton Darul Beshair, botimi i dytë, 1999/1419, pa vend botimi, 2/1150.
[32] - El-Buti "Mes'eletu tekfirin-nas" op. cit..
[33] - Shih: "... E kush nuk gjykon me atë që e zbriti Allahu, ata janë mizorë", (Kur'ani, El-Maide: 45), "... E kush nuk gjykon me atë që e zbriti Allahu, të tillët janë mëkatarë të dalë jashtë rrugës së Zotit", (Kur'ani, El-Maide: 47).
[34] - Prafrazim me ndërhyrje i diskutimit të Ramadan El-Butit mbi këtë çështje. Shih: El-Buti "Mes'eletu tekfirin-nas" op. cit..
[35] - Er-Rrazi "Tefsiru mefatihi'l-gajbi- et-tefsirul kebir" mbi komentimi i ajetit 44 të kaptinës El-Maide, sipas http://www.altafsir.com.
[36] - Për më gjerë shih: Sahihul Muslim, Kitabu'l-hududi, kapitulli 6, hadithi nr. 4412.
[37] - El-Buti "Mes'eletu tekfirin-nas" op. cit..
[38] - Er-Rrazi "Tefsiru mefatihi'l-gajbi ..." op. cit..
[39] - Kurtubiju "El-Xhamiu li ahkami'l-Kur'ani", mbi komentimi i ajetit 44 të kaptinës El-Maide, sipas http://www.altafsir.com.
[40] - "Sahihu'l Muslim", op. cit. botimi i Kairos, 2/54.
[41] - Shih: Musnedi i Imam Ahmedit, 4/68 & 5/380, burim i cituar më parë.
[42] - Shih hadithin: Sahihul Buhari, "Kitabul edebi", kap.44, nr.6045.
[43] - Shih: Sahihul Buhari, 'Kitabu'l eshribeti', kapitulli 1, hadithi nr. 5578.
[44] - Shih: Sahihul Buhari, 'Kitabu'l eshribeti', kapitulli 1, hadithi nr. 5578.
[45] - Shih: "Sahihu'l Muslim" botimi i Kairos, 'Kitabul imani', kapitulli: 'katilu nefsihi la jekfur' 2/130-133.
[46] - Dr. Muhammed Naim Jasin, "Besimi bazat esenca negacioni", boton Furkan ISM,1998, Shkup, fq. 208.
[47] - "Sahihu'l Muslim", botimi i Kairos, op. cit., 1/217 e më tutje.
[48] - M. Naim Jasin "Besimi bazat ...", op. cit. fq. 208.
[49] - Ebu Dhabji, "Mevkifu ehli's-sunneti...", op. cit..
[50] - Abdur-Rrahman bin Fuad El-Xharull-llah "Shurutut-tekfiri'l-muaj-jen", sipas http://islamway.com/?iw_s=autdoor&iw_a=print_article&article_id=1901. i plasuar më: 01.09.2006.
[51] - Dallimi në mes dy kushteve është ky. Kushti parë është që nuk ka dyshim në të. p.sh.. thënia se Kur'ani është i krijuar, këtu nuk ka dyshim se kjo thënie është kufr. Kushti dytë: që vepra të jetë me argumentë të qartë është sikurse fjala: - لا صلي الله علي من صلي عليه - e që domethënë: kush i bën dua atij, Allahu nuk bën dua për të. Kjo thënie bartë kuptime të mundshme, dhe nuk është e qartë në argumentim, sepse me përemrin dëftor 'atij', a synohet Resulullahi a.s. apo ndonjë person tjetër. (shih: El-Xharull-llah "Shurutut-tekfiri ...", op. cit.).
[52] - El-Xharull-llah "Shurutut-tekfiri ..." op. cit..
[53] - Falih, "Mu'xhemu elfadhi'l akideti" fq. 99.
[54] - Bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s. i cili thotë: - إذَا إجْتَهَدَ الحَاكِمُ فَأَصَابَ لَهُ أجْرَانِ وَ إنْ أخْطَأَ فَلَهُ أَجْرٌ وَاحِدٌ -, "Kur dijetari përpiqet për të vërtetën dhe e qëllon atë, i ka dy shpërblime, e nëse gabon e ka vetëm një shpërblim", (Buhariu dhe Muslimi).
[55] - Muhamed Ammareh, "El-Ihtirazu minet-tekfiri" sipas: http://www.alwihdah.com/view.php?cat=1&id=9, i plasuar më: 18.01.2003.
[56] - El-Xharull-llah "Kavaidun fit-tekfiri" op. cit..
[57] - Falih, "Mu'xhemu elfadhi'l akideti" fq. 99.
[58] - El-Xharull-llah "Kavaidun fit-tekfiri" op. cit..
[59] - El-Xharull-llah "Kavaidun fit-tekfiri" op. cit..
[60] - El-Esh'arij, El-Imam Ebi'l Hasen Alij bin Ismail "Kitabu mekalati'l islamijjine ve ihtilafi'l musal-line" me korrektim të Hellmut Ritter, botimi i tretë, 1400 h / 1980, pa vend botimi, fq. 1-2.
[61] - Topaloğlu, "Hyrje në Kelam", fq. 273.
[62] - El-Xhurxhani, "Sherhu'l Mevakif", 8/370.
[63] - Ibni Tejmije "La jexhuzu tekfiru'l-muslimi bidhenbin fealehu ve la bihatain ahtaehu fihi" sipas http://www.alwihdah.com/view.php?cat=1&id=118, i plasuar më:14.04.2003.
[64] - Shih: Sahihul Buhari, "Kitabul edebi", kap.44, nr. 6045, vëll. 10 fq. 572.
[65] - "Sahihul Buhari", "Kitabul edebi", kap.44, nr. 6045, vëll. 10 fq. 572-573.
[66] - Ebu Davud, Es-Sunen, 5, sipas Topaloğlu, "Hyrje në Kelam", fq. 277.
[67] - Topaloğlu, "Hyrje në Kelam", fq. 277. Mirëpo, autori i "Mevakifit" El-Xhurxhani, megjithatë konsideron se havarixhët kanë rënë në mohim, sepse e kanë përgënjeshtruar Kur'anin dhe Sunnetin mbi pastërtin (et-tezkijjetu) dhe imanin e disa prej sahabëve të mëdhenjë, e të cilët havarixhi i ka akuzuar për mohim.(shih: El-Xhurxhani, "Sherhu'l Mevakif", botimi op. cit. 8/375).
[68] - "Sahihul Muslim", botimi i Kairos, fq. 1/206.
[69] - "Sahihul Buhari", kitabus-salati, kapitulli 28, hadithi nr. 391.
[70] - Shih: Sahihul Buhari, kitabud-dijat, kapitulli 6, hadithi nr. 6878.
[71] - Shih: Ibnu Ebil Izz, "Sherhul akidetit-tahavije", op. cit. fq. 520.
[72] - Shih: Kemaludin Ahmed El-Bejadij El-Hanefij "Isharatu'l meram min ibarati'l imam", me tahkik të Jusuf Abdurr- Rrezak, botimi i parë, 1368/1949, Kajro, fq. 51.
[73] - "Sahihul Muslim", Kitabul imani, Babu: halu imani men kale liehihil muslim ja kafiru, botimi i Kairos, 2/49.
[74] - "Sahihul Buhari", "Kitabul edebi", kap.44, hadithi nr. 6045.
[75] - "Sahihul Buhari", Kitabul edebi, kap.44, hadithi nr. 6047.
[76] - Shih: El-Gazali "Tehafutu'l felasifeh", bot. 'daru'l-mearif', Egjipt, pa vit botimi, fq. 307-313.
[77] - Ammareh, "El-Ihtirazu minet-tekfiri", op. cit..
[78] - Ibn Sa'd, Et-Tabakat, II, fq. 248-250, sipas Topaloğlu, "Hyrje në Kelam", fq. 277.
[79] - "Sahihul Muslim", Kitabul imani, botimi i Kairos 2/99, Përkthimi i hadithit sipas Topaloğlu, "Hyrje në Kelam", fq. 277.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...