Sheriati dhe Sufizmi: Përkufizimi dhe marrëdhënia midis tyre



Sheriati dhe sufizmi janë dy kategori ose disiplina kryesore në Islam. Si çdo gjë mirëfilltazi islame ato përligjen në burimet shkrimore të fesë, në Kuran dhe Sunet. Shembulli më i përmendur si legjitimues për njëherazi sheriatin dhe sufizmin është hadithi i mirënjohur në të cilin engjëlli Xhebrail i paraqitet profetit Muhamed a.s. në formë njerëzore dhe e pyet rreth Islamit, Imanit dhe Ihsanit. Profeti a.s. i shpjegon këto tre dimensione të fesë duke e limituar dimensionin e parë në pesë shtyllat e Islamit, të dytin në gjashtë shtyllat e besimit dhe të tretin në të adhuruarin e Allahut "sikur të jesh duke e parë Atë, e nëse jo, të ndjesh se Ai është duke të vëzhguar ty", (Sahihu i Muslimit, 1:37, hadithi nr. 8).


Feja Islame dhe tre dimensionet e saj

Dimensioni i parë, përbërë prej pesë shtyllave të Islamit, i përgjigjet më së shumti pyetjes "si ta adhurojmë Allahun"? dhe fokusohet në shpjegimin e procedurave të sakta rituale për ta arritur këtë qëllim, në vendosjen e dispozitave dhe urdhëzimeve në lidhje me kryerjen e ritualeve dhe përcaktimin e mënyrës së saktë të përmbushjes së tyre. Kyështë aspekti "trupor" i besimit islam, që ka të bëjë me mënyrën e saktë të të vepruarit me gjymtyrët trupore dhe për t'iu nënshtruar përmes procedurave të sakta Vullnetit të Zotit të zbritur nga Ai në Sheriat.

Dimensioni i dytë, i cili përbëhet nga gjashtë shtyllat e besimit, i përgjigjet më së shumti pyetjes "përse duhet ta adhurojmë Allahun"? dhe ka të bëjë më arritjen e mendimit ose dijes së saktë rreth Zotit dhe principeve besimore të fesë. Ky dimension është për nga natyra më intelektual dhe më i thellë se sa i pari. Ka të bëjë me artikulimin në fjalë dhe koncepte të parimeve të vërteta të besimit, principe këta që përmbledhin gjithashtu thelbin e adhurimit të saktë. Për nga natyra e tij ky dimension i Islamit është i lidhur me mendjen, intelektin, dijen dhe me mënyrën e saktë të të shprehurit të vërtetat themelore të besimit islam.

Dimensioni i tretë i përgjigjet më së shumti pyetjes "për hir të kujt duhet të kryejmë adhurimet"? dhe përgjigja është "vetëm për hir të Zotit". Ky është dimensioni i "pranimit/njohjes me zemër", i të realizuarit të pranisë së Zotit në zemrat tona - ena e vetme e aftë të perceptoj praninë dhe intelektin hyjnor. Është dimensioni i përfitimi të "syrit shpirtërorë" (basirah) në mënyrë që të ndjejmë, zbulojmë dhe dëshmojmë praninë e Zotit ose së paku të vetëdijes për praninë e Tij (murakabah). Nga ajo që kemi shpjeguar derimëtani mund të themi se dimensioni i parë, ai i Islamit (i fesë), fokusohet në gjymtyrët trupore, aktivitetin, veprimin e saktë. Dimensoni i dytë, ai i besimit, fokusohet në gjuhën, intelektin, mendimin e saktë, ndërsa dimensioni i tretë, ai i Ihsanit, fokusohet tek zemra, vetëdija, perceptimi/vrojtimi i saktë. [1]

Në hadithin e lartpërmendur vërejmë qartësisht tre dimensione, njësoj të përligjura, të cilat më pas u shndërruarn në tre disiplina islame. Dimensioni i Islamit, i përbërë kryesisht nga rituale obliguese, u përvetësua dhe u shdërrua në fokusin kryesor të dijetarëve të sheriatit ose fik'h-ut, dimensioni i Imanit u bë fokusi i dijetarëve të teologjisë spekulative (kelam) ose akides, ndërsa dimensioni i tretë u shndërrua në fokusin kryesor të sufizmit. Në këtë ese të shkurtër do të përpiqemi të japim një përkufizim të sheriatit dhe sufizmit (dimensonit të parë dhe të tretë) dhe të shpjegojmë shkurtimisht marrëdhëniet që mund të ekzistojnë midis tyre, e nëse ato janë përjashtuese apo plotësuese të njëra-tjetrës.


Sheriati, kuptimi dhe përkfuzimi i tij

Semantika literale e sheriatit nënkupton një udhë ose rruga e drejtë, më saktësisht "një udhë për tek burimi i ujit ose një rrugë që synon kërkimin e lumturisë dhe shpëtimit". [2] Në përkufizmin e përgjithshëm fetar termi ka ruajtur nocionin e rrugës/udhës, e kuptuar si udhëzim dhe është përkufizuar si "Tërësia e udhëzimit që Zoti i ka shpallur Profetit Muhamed a.s. në lidhje me dogmën e Islamit, vlerat e tij morale dhe normat praktike ligjore të tij". [3] Në këtë përkufizmin të gjerë vërejmë se sheriati përfshin të gjithë Islamin, në të gjithë dimensionet e tij besimore, morale dhe ligjore. Në këtë përkufizim sheriati është ekuivalent më Amanetin e Zotit të refuzuar nga qielli dhe toka, tërësia e vullnetit hyjnor i bërë i njohur për njerëzit përmes shpalljes hyjnore dhe shqisave njohëse dhuruar njerëzimit, Udha e vendosur nga Zoti për t'i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, nga kequdhëzimi në lumturinë dhe bekimin e përjetshëm. Megjithatë, me kalimin e kohës termi sheriati filloi të përkufizonte një disiplinë specifike të Islamit, atë të fik'h-ut (jurisprundencës) dhe, për t'u arritur kjo, iu dha një përkufizim më i ngushtë. Në këtë përkufizim të ngushtë sheriati u bë i ndërkëmbyeshëm me fjalën dhe disiplinën e fik'h-ut dhe u përkufizua si "Njohja e normave ligjore (sharia ahkam) që kanë të bëjnë me sjelljen/veprimet dhe që janë të derivuara nga evidencat specifike". [4] Nëse vërejmë më vëmendje në këtë përkufizim të ngushtë ose shkencor të fjalës sheriat, termi ka humbur aspektin e tij besimor dhe shpirtëror, në mënyrë që të kufizohet vetëm tek Ligji. Ai fokusohet tek veprimi i drejtë dhe tek derivimi i normave ligjore nga evidencat shkrimore dhe në renditjen e tyre sipas kriterit të pesë vlerave të ligjit Islam (d.m.th.: hallall, e rekomanduar, e lejuar, e papëlqyer dhe haram).

Në kuptimin e tij të përgjithshëm sheriati është një Rrugë, një Udhë e jetës dhe vdekjes, por çdo Udhë ka nevojë për limite, të cilat i japin asaj formë dhe përcaktojnë karakteristikat, pra i japin identitet. Këto limite mishërohen tek fik'h-u, jurisprudenca ose sheriati në kuptimin e tij të ngushtë. Në këtë kuptim teknik, sheriati ose fik'h-u është një disiplinë e ligjit Islam, thellësisht e rrënjosur në burimet shkrimore të Islamit (Kurani dhe Suneti) që ka synim ruajtjen, përmes fokusimit të tij tek veprimi i drejtë dhe normat ligjore, të pesë objektivave kryesorë (mekasid sheriah) për hir të të cilave janë shpallur të gjitha normat e sheriati - këto pesë vlera janë ruajtja e fesë, e jetës, e nderit e pasurisë dhe e trashëgimisë. Nga ky këndvështrim, sheriati paraqitet si një përpjekje për të shikuar thellë në tekstet shkrimore fetare në mënyrë që të derivohen, përmes ixhtihadit, objektivat e larta të shpallura nga Ligjëvënësi dhe për të përpunuar në mënyrë të plotë normat ligjore të deduktuara nga burimet tekstuale.


Sufizmi, kuptimi dhe përkufizimi i tij

Ndonëse nuk është një term kuranor, fjala sufizëm (në arabisht tasavuf) nënkupton disiplinën islame që paraqet dimensionin e tretë dhe më të thellë të Islamit (Ihsanin). Përkufizimi i sufizmit nuk është i lehtë, madje në një farë mënyrë koncepti në vetvete është "i paligjshëm" sepse ai pretendon më tepër se ç'mund të përmbush: pretendon të kuptojë dhe shpreh në fjalë veprimin e Zotit në zemrat e njerëzve, përmbajtjen e gjendjeve dhe vendstacioneve shpirtërore (hal ue mekam) të shpirtit njerëzor. E gjithë kjo është në mënyrë përfundimtare e parrokshme për arsyen dhe ligjërimin njerëzor. Kësisoj në thelb sufizmi do të mbetet gjithnjë një realitet pa emër. Por me gjithë kësaj, rryma kryesore e traditës islame ka qenë e mendimit se ne jemi ende të përligjur për t'i dhënë formë në një disiplinë këtij dimensioni të brendshëm të religjionit islam. Njësoj si sheriati, edhe sufizmi është thellësisht i rrënjosur në burimet shkrimore të fesë islame, por fokusi i tij shfaqet disi më i ndryshëm nga ai i sheriatit. Në vend të ligjit ai përqendrohet tek zemra, në vend të veprimit ose procedurave të drejta përqendrohet tek qëllimet e sakta dhe gjendjet shpirtërore, në vend të nënshtrimit përmes bindjes ndaj imperativave rituale apo ligjore të Ligjëvënësit thekson më shumë nënshtrimin përmes njohjes, dashurisë, realizimit shpirtëror (tahkik) etj..

Përkufizimet e sufizmit kanë qenë të shumta, disa prej tyre kanë theksuar më kryesisht aspektin metafizik, disa të tjera atë etik, disa atë shpirtëror e disa të tjera atë praktik. [5] Në tërësi këta përkufizime rrokin aspektet esenciale të sufizmit. Para së gjithash, sufizmi është njohje e Zotit (marifeh bilah), që buron nga zemra, qendra e njohjes shpirtërore dhe intelektit: sufizmi është një kërkim për të arritur njohjen e Zotit, një përpjekje për të zbuluar dhe përjetuar realitetin e Zotit dhe për t'u shpërbërë në unitetin hyjnor (fena' el-teuhid). Ndërmjet njohjes hyjnore dhe shpërbërjes në unitetin e Tij ekziston një Udhë e gjatë dhe shpesh e mundimshme. Njohja hyjnore na kthen pas tek vetja dhe shpirti ynë, duke na bërë të vetëdijshëm për vellot e egos që gjenden midis nesh dhe Zotit. Në mënyrë që të hiqen këto vello kemi nevojë për pastrim të zemrave përmes një Udhe të qartë të përkujtimit të përhershëm të Zotit, si dhe me anë të përftimit të gnosës hyjnore (marifeh), e cila shfaq veprimet e Zotit në zemrat tona dhe dashurinë e Tij për ne. Përmes njohjes së Zotit njohim veten dhe i përgjigjemi denjësisht mëshirës e dashurisë së Tij. Udha është sufizmi, procesi është pastrimi i zemrës dhe rezultati është afërsia me Zotin, njohja hyjnore, dashuria për Të dhe përfshirja në njëshmërinë hyjnore.

Sufizmi e sheh veten si thellësisht të rrënjosur në burimet shkrimore të Islamit, si zemra e mesazhit islam dhe si disiplina e cila nuk përqendrohet tek normat dhe gjykimet, por tek kuptimi dhe përmbajtja. Ai e sheh veten si Udha e Islamit dhe i vendos vetes qëllimet më të larta në fe: pastrimin e shpirtit dhe arritjen e gnosës hyjnore (marifetullah) si edhe afërsinë me Zotin.


Marrëdhënia midis Sheriatit dhe Sufizmit

Le ta shqyrtojmë shkurtimisht çështjen e marrëdhies midis fik'h-ut/sheriatit dhe sufizmit. Një mënyrë se si mund të shihet marrëdhënia midis tyre është ajo e hierarkisë, ku sufizmi paraqet nivelin më të lartë e më të thellë të Islamit dhe fik'h-u aspektin më të jashtëm të tij. Kjo qasje është përvetësuar dhe mbrojtur nga El-Tusi në librin e tij El-Lem'a, ku ai lavdëron juristët myslimanë (fukahatë) për marrjen e materialit nga muhadithët dhe për përpjekjet e tyre për ta kuptuar duke e vendosur nën filtrin e kriterit të pesë vlerave të ligjit sheriatik. Më pas ai vazhdon duke thënë se sufitë e njohin këtë kontribut dhe pranojnë rezultatet e juristëve myslimanë dhe i ndjekin gjykimet ligjore (fetva) të tyre, por ata i shtojnë atyre më shumë thellësi dhe përmbajtje. Ajo që i dallon sufitë është mosndalja vetëm tek arritjet e paraqitura nga dijetarët e sheriatit/fik'h-ut, si, p.sh.: në përcaktimin dhe parashtrimin e numrit dhe procedurave të sakta të përmbushjes të adhurimeve në Islam: ata shkojnë më tej, duke shpjeguar gjendjet dhe vendstacionet e larta të zemrës, virtytet e bukura dhe dimensionet shpirtërore të përftuara përmes këtyre adhurimeve. Rrjedhimisht, sipas tij, sufizmi mbështetet tek sheriati/fik'h-u në mënyrë që të vazhdoj më tej drejt një niveli më të thellë duke zbuluar objektivat, kuptimet e brendshme dhe realitetet e gjendura në zemër të ligjeve të parashikuara në Islam. Kjo kryhet në mënyrë që të hidhet dritë mbi përmbajtjen e thellë e të brendshme të normave të përcaktuara përmes rrugës ligjore (sheriatike). [6]

Një tjetër qasje, pak më e ndryshme, është ajo që i shikon fik'h-un dhe sufizmin si dy disiplina të cilat ndonëse nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, gjithsesi ato qëndrojnë krahëpërkrahë me njëra-tjetrën duke punuar mbi aspekte ose dimensione jo të njëjta të fesë dhe qenies njerëzore. Sipas këtij këndvështrimi, fusha e fik'h-ut është ajo e ligjit, e përcaktimit të veprimeve të duhura, e sqarimit të procedurave të drejta për të qenë konform ligjit dhe e përpjekjes për të rregulluar aspektin e jashtëm dhe publik të sjelljes njerëzore, në përputhje me kriterin e pesë vlerave të jurisprudencës islame. Ndërsa sufizmi mbulon disa tematike të tjera jashtë qasjes së fik'h-ut, si, p.sh.: njeti i sinqertë, dashuria për Zotin dhe Profetin, mëshira kundrejt të tjerëve, devotshmëria, asgjësimi në unitetin hyjnor, njohja hyjnore, shpjegimi i gjendjeve të zemrës etj. Sipas këtij këndvështrimi fik'h-u dhe sufizmi janë njëherazi disiplina legjitime në Islam, por ato nuk ndajnë të njëjtën fushë veprimi. Kjo është e ndryshme nga qasja e parë, ku këto dy disiplina kuptoheshin si në vazhdimësi me njëra-tjetrën, por në nivele të ndryshme të thellimit të kuptimit.

Nga një këndvështrim i tretë sufizmi shfaqet si një kusht për saktësinë, ekzistencën dhe mirëfunksionimin e fik'h-ut. Pa sufizëm e tërë struktura e fik'h-ut nuk do të ishte e aftë të funksiononte dhe të ushtronte funksionin e saj siç duhej. Fik'h-u përqendrohet kryesisht tek veprat dhe veprimet e duhura të njerëzve në sferën publike dhe private, qoftë kjo në fushën e adhurimeve apo të transaksioneve. Por saktësia e çdo vepre mund të arrihet plotësisht vetëm përmes sinqeritetit, besueshmërisë, devotshmërisë, njetit të pastër, gjendjes së përshtatshme të zemrës, droja dhe shpresa e nevojshme kundrejt Zotit. Fik'h-u nuk mund të ekzistojë apo të quhet i saktë pa këto elementë qendrore, por asnjeri prej këtyre nuk është objekt i drejtpërdrejtë studimi i fik'h-ut. Përkundrazi, ata përbëjnë fokusin qendror të sufizmit. Sipas këtij konceptimi, fik'h-u dhe sufizmi janë si trupi me shpirtin: asnjëri prej tyre nuk ekziston apo të mirëfunksionon pa tjetrin, ata janë pazgjidhshmërisht të lidhur së bashku, ndonëse shpirti (sufizmi) qendron në një nivel më të lartë rëndësise dhe qendërsie, sepse trupi nuk mund të existojë apo të konsiderohet i saktë pa shpirtin.

Një këndvështrim i katërt mund të jetë konsiderimi e fik'h-ut si kushtin e domosdoshëm për ekzistencën e një sufizmi të shëndetshëm. Sipas këtij konceptimi sufizmi është i varur nga fik'h-u për ekzistencën e tij dhe për mundësitë që fik'h-u i dhuron atij për të eksploruar natyrën dhe realitetin hyjnor. Fik'h-u, me normat dhe kufijtë e tij ligjorë, përcakton platformën për çdo ngjitje të saktë shpirtërore. Nuk mund të ekzistojë asnjë udhëtim i mirëfilltë shpirtërorë pa një platformë të mirëpërcaktuar, qartësisht të ndërtuar dhe saktësisht të përkufizuar. Në rastin tonë kjo platformë përfaqësohet nga fik'h-u. Ai përfaqëson vendin e shenjtë (platforma) dhe burakun (mjeti udhëtues) e domosdoshëm për çdo udhëtim shpirtëror për së larti (Miraxh), i cili duhet përdorur nga çdo udhëtar i mirëfilltë drejt Zotit (salik). Natyra e platformës dhe ajo e burakut, mënyra në të cilën ky i fundit e përshkruan udhëtimin e shenjtë, rruga që ai zgjedh, të gjitha këto, përcaktojnë përjetimin shpirtëror, formën dhe mënyrën në të cilin udhëtari drejt Zotit do t'i qaset Atij dhe do hyjë në afri dhe prani të Tij. Këtu fik'h-u është kushti dhe determinuesi i vetëm i përjetimit të drejtë dhe të shëndoshë shpirtëror. Një aludim për këtë mund të gjendet edhe në hadithin e mirënjohur të evlijaut të Zotit, i cili arrin gradën më të lartë të afrimit me Zotin aq sa Ai bëhet "dëgjimi me të cilin ai dëgjon, shikimi me të cilin shikon, dora me të cilën rrok (sendet) dhe këmba me të cilën ecën" vetëm duke përmbushur adhurimet farz dhe sunet, të cilat janë aspekti thelbësor i fik'h-ut. Në këtë këndvështrim fikh-u nuk është vetëm pika fillestare, por madje edhe kushti i domosdoshëm dhe mënyra e vetme për të arrirë unitetin me Zotin.

Këto qasje nuk duhen parë si domosdoshmërish kundërthënëse. Mund të themi se në një farë mënyrë fik'h-u përcakton llojin e sufizmit që një mysliman mund të përjetojë, duke i vendosur kufij e orientim Udhës shpirtërore dhe duke determinuar itinerarin e saj. Nga ana tjetër sufizmi i jep saktësi dhe thellësi fik'h-ut duke bërë të mundur saktësinë dhe kuptimin e çdo vepre. Sufizmi i jep thellësi fik'h-ut dhe ky i fundit i jep konsistencë dhe legjitimitet sufizmit. Islami e sheh dijen si një unitet, jo uniformitet, si një unitet në diversitet. Fik'h-u dhe sufizmi janë mishërim i plotë i këtij nocioni.



Autor: Rezart BEKA



Bibliography

Hashim Kamali, Shari'ah Law: an Introduction, 2008.
Hashim Kamali, Fiqh and Adaptation to Social Reality, "The Muslim World", vëll. LXXXVI, Nr. 1, Janarë 1996.
William Chittick, Sufism, 2008.
Imran Ahsan Khan Nyazee, Outline of Islamic Jurisprudence, 2000.
Imran Ahsan Khan Nyazee, Theories of Islamic Law, 2000.
Abdal Karim Zaydan, Madkhal li Al-Dirasah al-Shari'ah al-Islamiyah, 2001.
Ebi Nasr Siraj al-Tusi, El-Leme'a, 1960.
Al-Qushayri's Epistle on Sufism, (përkth.) Alexander D. Knysh, 2007.
Shaykh Ahmad Zaruuk, Kavaid al-Tasavuf, Botime Dar el-Bejruti.



_________________________

[1] - Përsa i përket shpjegimit të natyrës së tre dimensioneve të Islamit të përmendura në hadithin e Xhebrailit i jemi përmbajtur William Chittick, Sufism, One World Publication, Oxford, 2008, si edhe tek kapitulli i parë i librit Vision of Islam, Paragon House, 1 edition, June 1, 1998, f. XIV-XXXVIII.
[2] - Kjo është mënyra se si termi është përdorur në Kuran (45:18), ku është vënë në kontrast me termin haua (passion i lig). Shih Kamali, Shari'ah Law: an Introduction, f. 2.
[3] - Kamali, Fiqh and Adaptation to Social Reality, "The Muslim World", vëll. LXXXVI, Nr. 1, f. 63.
[4] - Imran Ahsan Khan Nyazee, "Outline of Islamic Jurisprudence", f. 33.
[5] - Shih p.sh.: Zekerija el-Ensari, i cili e jep këtë përkufizim: "Sufizmi i mëson njeriut të pastrojë vetveten, të përmisojë moralin e tij dhe të ndërtojë jetën e tij të brendshme dhe të jashtme në mënyrë që të arrij lumturinë e përhershme, tema kryesore e tij është pastrimi i shpirtit dhe fundi ose qëllimi i tij është arritja e lumturisë së përjetshtme dhe gjendjes së bekueshmërisë" (Sherh el-Risale el-Kushejrijeh li al-Imam al-Kushejri), f. 7. Ebu Bekër el-Shibli jep përkufizimin vijues: "Fillimi i tij është njohja e Zotit (marifetullah) dhe fundi i tij është unifikimi (teuhid)". Ebu Jakub el-Mazabili: "Sufizmi është një gjendje në të cilën cilësitë njerëzore treten". El-Xhurejxhi: "Sufizmi është shqyrtimi që njeriu i bën vetes së tij dhe ruajtja e sjelljes së duhur". Sipas Sulem-it sufizmi është "durimi gjatë përmbushjes së urdhëresave dhe ndalesave të Zotit". Për këto përkufizime shih Al-Qushayri, Al-Qushayri's Epistle on Sufism.
[6] - At-Tusi, "Al-Leme'a", f. 29-31.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...