Muhamedi (a.s.) - Krenaria e njerëzimit



Nuk kisha bërë pakt me kujtesën por gjërat që të lënë mbresa apo përshtypje të forta sido që të jetë mbesin aty përjetësisht. Ndoshta kam qenë pesë vjeç kur teksa dëgjoja bisedat e gjyshit me miqtë arrija të shquaja rëndësinë e tyre edhe pse nuk arrija t'i kuptoja tërësisht. Ndër shprehjet e spikatura që ai e përmendte shpesh dhe që mua më bënte ta mendohesha për ta kuptuar ishte kjo: "I dashuri ynë ka thënë kështu"! Ndoshta e kisha dëgjuar me qindra herë, por për çudi nuk guxoja të pyesja askënd për domethënien e saj. Kaluan kohë dhe në mendjen e familjarëve të mi kisha filluar të dukesha si djali që i pëlqen të llafoset me gjyshin. Kështu ngaqë kisha shfaqur interes të veçantë ndaj historive të tij, ai nuk nguronte të më ofronte kohën e tij madje me shumë dëshirë. Në fund të fundit, kjo ishte ajo që e kënaqte më shumë se çdo gjë tjetër atë. Duhet të kem qenë jo më shumë se tetë vjeç kur fillova ta pyesja atë për gjërat që si kuptoja.

Kështu kur e pyeta për atë që e kisha dëgjuar me mijëra herë nga goja e tij dhe që aq shumë e kisha vrarë mendjen për ta gjetur se çdo të thoshte, ai buzëqeshi dhe më tha: I dashuri ynë është Profeti i fundit i Zotit, Muhamedi (a.s.), dhe si i papërtueshëm që ishte filloi të më shpjegonte me nge gjithçka dinte rreth te qënit profet, por edhe mbi personalitetin e profetit te fundit. Nuk mbaj mend se sa zgjati kjo bisedë me gjyshin, ndoshta tre orë, ndoshta më shumë, por arrij të kujtoj si sot madje dhe me detaje çdo gjë që ai më tha. Të tëra me të dëgjuar i kishte, por dashuria e madhe që ndiente për të dhe padyshim besimi i thellë e i palëkundur bënin që fjalët t'i rridhnin aq natyrshëm saqë të dukej sikur kishte studiuar vite të tëra. Qeshte dhe ndonjëherë sytë i mbusheshin me lot teksa më tregonte për cilësitë dhe ndodhitë e tij. Dukej qartë dashuria që ndiente për Profetin saqë shpesh teksa gjendesha i përhumbur në bisedë, më krijohej përshtypja sikur Profeti i nderuar kishte qenë një njeri shumë i afërt i gjyshit tim. Ishte pikërisht kjo ndjenjë që më pëlqente aq shumë tek ai. Do të falenderoj pafund Zotin që më bëri të mundur ta njoh Profetin e Tij të madh nëpërmjet gjyshit tim. Ky ishte takimi im i parë me Profetin (a.s.), por kush ishte në të vërtetë Muhamedi (a.s.)? 1432 vite më parë në Gadishullin Arabik, në shkretëtirën e paanë, në vendin e nxehtë e të thatë, në një kohë kur injoranca kishte mbërthyer çdo zemër, verbuar çdo sy, mposhtur çdo mendje e triumfuar mbi çdo shpirt, duke e çuar padrejtësinë deri tek krimi më çnjerëzor, varrosja për së gjalli e vajzave të porsalindura nga prindërit e tyre, atë kohë Zoti i Lartësuar kishe dërguar lajmëtarin e fundit për njerëzinë. Dritën që do të pushtonte çdo zemër të dëlirë, çdo mendje të shëndoshë e çdo shpirt të kulluar. Jeta e tij s'është veçse urtësi e padiskutueshme.

Profeti ynë (a.s.) do ta niste jetën si jetim sepse babai i tij do të ndërronte jetë disa muaj para se ai te lindte. Fëmijëria e tij edhe pse rridhte nga një familje e pasur e me emër do të ishte e mundimshme dhe e përvuajtur. Kështu, kur ishte gjashtë vjeç ai do të shikonte me sytë e tij teksa e ëma dorëzonte shpirtin për t'u kthyer tek Allahu përgjithmonë. Tashmë jetim nga të dy prindërit nën mbrojtje e merr gjyshi i tij. Por edhe mbrojtja e gjyshit nuk zgjati shumë pasi ai do ndahej nga jeta për t'u bashkuar me Krijuesin. Radhën e kishte i ungji për t'iu bërë strehë profetit të Zotit, por jo për shumë kohë sepse Allahu i Madhëruar e mori dhe atë nga kjo botë për t'iu bërë kështu vetë garant i Profetit (a.s.). Drita që do të sfidonte çdo skutë të errët që para se të shpallej nga vetë Zoti (xh.sh.) kishte filluar të ndriçonte. Në mesin e arabëve kishte filluar të njihej si "Emin" dhe "Siddik, i "Besueshmi" dhe "Besniku". Ai është "Emini" që s'dinte as shkrim e as këndim, por që Fuqiploti e kishte orientuar dhe përgëzuar me një moral magjepsës për gjithkënd, ishte Krijuesi i Patëmetë, Ai i Cili kishte skalitur në shpirtin e tij cilësi që do të vazhdojnë të mahnisin botën deri në Kiamet. I drejtë në padrejtësi, i butë në nervozizëm, i durueshëm në fatkeqësi, i qetë në gjaknxehtësi, i mëshirshëm dhe i dhembshur me këdo e shumë e shumë cilësi të papërsëritshme për një "tokësor" do ta shoqëronin atë deri në momentin kur do t'i dorëzonte shpirtin Zotit të gjithësisë.

Mrekullia e Zotit në tokë që rrezatonte fuqishëm ndër injorantë e të mençur, ndër te verbër e ndër ata që shihnin qartë, ndër memecë e ndër ata që flisnin bukur, ndër shurdhë e ndër ata që dëgjonin, të gjithë pa përjashtim e kuptonin dhe arrinin ta shquanin madhështinë e Profetit, të gjithë e dinin se ai s'mund të ishte tjetër veçse i dërguar i Zotit, por egot janë krijuar për të mos pranuar të vërteta, kështu zemrat e tyre mbusheshin me kundërshti deri sa të vinte çasti i caktuar nga Zoti për të rrokur të vërtetën.

Mrekulli të pafundme e shoqëruan për gjatë gjithë jetës, madje nuk e teproj aspak po të them se çdo sekondë i jetuar pranë tij ishte mrekulli, ashtu siç është edhe sot. Ata që e kishin zemrën të kyçur do të thurnin gënjeshtra... Kaq të verbër ishin saqë vetëm shpifnin e trillonin pa fund ndaj tij, në fund të fundit vetëm kaq mund të bënin sepse përgjigjet e Profetit (a.s.) ishin urtësi më vete e ata hutoheshin kur e dëgjonin të fliste. Të tillë njerëz mban toka edhe sot, mendjelehtë dhe mediokër, që janë bërë robër të pasioneve kafshërore duke humbur aftësinë për të gjykuar drejt. Atyre u drejtohem dhe u flas hapur e qartë:

A nuk e shihni se si personaliteti i tij madhështor i gdhendur nga vetë Krijuesi Famëlartë sfidon çdo njeri tjetër profet apo mbret, poet apo filozof, mendimtar apo dijetar, askush nuk mund t'i afrohet sepse ai shndrit fort, aq sa të arrijë t'i zhdukë ata qoftë edhe të gjithë njëherësh. A nuk e shihni se si ai sfidon të shkuarën dhe të ardhmen?! A nuk e shihni se Fuqiplotit nuk i duhet teknologjia për të përcaktuar popullaritetin e dikujt, por Ai e vulosi atë në zemrat e besimtarëve?! A nuk e shihni se si emrin e tij e "klikojnë" të paktën pesë herë në ditë mbi 1.3 miliard njerëz anë e kënd tokës?! A nuk e shihni se predikimet e tij të paarritshme nuk bien kurrsesi ndesh me logjikën racionale e objektive?! A nuk e patë ç'revolucion të paqshëm bëri ai?! Nëse të gjitha këto nuk arrin t'i shquash me keqardhje po të them se sytë i ke nga Zoti, por me ta nuk po shikon, mendjen e ke nga Zoti po fare nuk po mendon, veshët i ke nga Zoti po me ta nuk po dëgjon... dije se gjithçka nga Fuqiploti Allah i ke, por asnjëra nuk po të shërben...! Ti as si gjyshi im s'je, madje je shumë më keq. Ai s'kishte studiuar e as nuk kishte lexuar, kohë të vështira kishin qenë atëherë, s'kish mundur të studionte e të lexonte, as televizionet e interneti nuk e kishin informuar sepse s'kish pasur atëherë e sikur të mos mjaftonin këto feja kish qenë e ndaluar rreptësisht nga sistemi, por gjithsesi ai e kish njohur Profetin (a.s.), sikur të kishte jetuar në të njëjtën kohë me të, ndryshe nga ju që gëzoheni lirive të shumta që ju kanë verbuar e zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore.



Autor: Ergys Hoxha. [*]



_________________________

[*] - Ergys Hoxha një nga dy ftuesit e çmimit të dytë në Konkursin për esenë më të mirë me temë: "Muhamedi (a.s.) - Krenaria e njerëzimit".

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...