Ç'është Sheriati?



Ç'do të thotë Sheriat? Mos është Sheriati çështje mesjete, e tejkaluar apo mund të jetojë përballë sfidave bashkëkohore? Cilat janë qëllimet e Sheriatit? Cilat janë burimet e Sheriatit? Cili është dallimi ndërmjet religjionit dhe Sheriatit? Çfarë është raporti ndërmjet Sheriatit dhe etikës? Këto dhe pyetje të ngjashme i preokupojnë shumë besimtarë muslimanë por edhe njerëz të tjerë kurreshtarë. Dinamika e këtij shekulli është tejet e gjallë, ndaj përgjigjet tona do të jenë të shkurtra dhe dhe në përputhje me kohën.


1. Ç'do të thotë Sheriat?

Fjala Sheriat kryesisht ka dy kuptime kryesore:

1. Sheriati "rruga", "shtegu drejt burimit", "rruga që ndiqet" dhe jep kuptimin e perceptimit gjithëpërfshirës të krijimit, ekzistimit dhe vdekjes dhe mënyra e jetës që del nga ajo. Kjo përcakton "si të jesh musliman".

2. Sheriati për usulistët dhe juristët është tërësia e parimeve të përgjithshme të së drejtës islame e nxjerrë nga dy burimet themelore, Kur'ani dhe Sunneti dhe përdorimit të Ixhmait dhe Kijasit dhe burimeve dytësore: istihsanit, istislahit, istis'habit, urfit).

Prandaj, sipas këtij kuptimi fjala Sheriat është përdorur për t'u përshkruar rruga apo kalimi që shpie në vendin e dëshiruar apo në cakun e përcaktuar.

Edhe pse fjala Sheriat dhe derivatet e tij janë përmendur në pesë vende në Kur'an, përdorimi i tij veçanërisht është shtrirë shumë më vonë, sepse fjala Islam dh Din shumë më tepër është përdorur për domethënien e njëjtë në ditët e hershme të Islamit. Sheriati, në pikëpamje konceptuale, përcakton grumbull rregullash, dispozitash, mësimesh dhe vlerash të cilat e drejtojnë jetën e një muslimani. Mirëpo, këto rregulla dhe dispozitash, në kundërshtim me atë si e përshkruajnë shumë jomusliman, e mbulojnë çdo pikëpamje të jetës. Sheriati përfshinë ibadetin (ritualet), moralin, qëndrimin individual dhe mirësjelljen, sikur edhe fushat politike, ekonomike, kundravajtëse dhe civile.

Sheriati, sipas kësaj, është rrugë, të cilën e ka përcaktuar Allahu xh.sh. për ata të cilët e pranojnë, i cili duhet të ndiqet me qëllim që të tregohet sukses edhe në këtë edhe në botën tjetër.

Ai, Sheriati, është bashkëkohor, përkundër faktit se fillet e tij i kemi në mesjetën e hershme. Ai është dinamik dhe e dinamizon jetën. Ai nuk është ndëshkues, edhe pse qarqe brendaislame me frymë puritane dhe jashtëislame përpiqen ta quajnë kthim së prapthi, prapambeturi etj.. Ai pretë që çdo brez t'ia heq velon e thesarit dhe të vjelë vlera të pafund.


2. Cilat janë qëllimet e Sheriatit?

Në parim, Sheriati i bazuar në Kur'an, Hadith dhe në burimet dytësore, ka për qëllim t'ua lehtësojë njerëzve vështirësitë dhe t'ua sigurojë zgjidhje për problemet e tyre. Karakteri fleksibil i Kur'anit, natyra e hapur e tij, hap rrugë dhe ofron zgjidhje për çdo kohë e hapësirë.

Sheriati në përgjithësi i trimëron individët dhe bashkësinë të bëhen të devotshëm dhe të afërm me Allahun. Bashkësitë duhet të jenë në harmoni dhe të sigurta, me ndjenjë bashkimi dhe besimi dhe ku të gjithë ndihmohen ndërmjet veti, kënaqen në atë që është e mirë dhe largohen nga ajo që është e ligë dhe me çka Allahu nuk është i kënaqur.

Qëllimi i parë dhe kryesor i Sheriatit është mbrojtja e fesë, sepse feja është thelbi dhe fryma e jetës.

Sheriati gjithashtu e mbron jetën. Askujt nuk i lejohet të shkoj përreth dhe t'i vretë të tjerët ose ose t'u shkaktojë ndonjë dëm. Gjaku i të tjerëve është i shenjtë. Një nga mëkatet më të rënda në Islam është vrasja e njeriut të pafajshëm.

Sheriati merret edhe me mbrojtjen e arsyes. Muslimani duhet të jetë i mençur (i kthjellët) gjithë kohën dhe mos të konsumojë kurrfarë materiesh toksike, qoftë duhan, alkohol, apo mjete narkotike. Materiet toksike janë shumë të dëmshme për shoqërinë dhe sjellin shumë më tepër dëm se sa dobi - nëse fare ekziston ndonjëfarë dobie.

Pronësia gjithashtu mbrohet lartë me Sheriat. Natyrisht, që të kihet ndjenja e sigurisë, njeriu duhet të ndiej se produktet e punës së tij janë të mbrojtura dhe se nuk janë objekt i vjedhjes apo dëmtimit.

Sheriati ka kujdes të veçantë edhe ndaj ruajtjes së saktë të prejardhjes. Pasardhësit janë të mbrojtur kurse me këtë edhe lidhjet paramartesore dhe jashtëmartesore janë të ndaluara dhe të dënuara. Sheriati nuk e ndalon vetëm prostitucionin dhe kurvërinë por edhe çdo gjë që çon deri aty.


3. Cilat janë burimet e Sheriatit?

Burimi kryesor i Sheriatit është Kur'ani, fjalët e Allahut xh.sh., të shprehura nga urtësia dhe dija e tij e paskajshme. Kur'ani vendosë parimet e përgjithshme të jetës fetare dhe morale dhe ajetet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta juridike nuk e kalojnë numrin 55-600.

Janë shkruar shumë tefsire, e ndër to edhe tefsire me karakter juridik. Të gjitha këto udhëzojnë për një jetë cilësore kundrejt ideologjive të shumta të bazuara mbi baza të interesit dhe mbifitimit.

Pas Kur'anit vjen Hadithi (fjalët) apo Sunneti (praktika) i Pejgamberit Muhammedit a.s.. Hadithi apo Sunneti përfshinë atë që Muhammedi a.s. e ka thënë, punuar, konfirmuar apo heshtur në shenjë pohimi apo mohimi. Hadithi e Sunneti është shkruar në libra të hadithit. Prej librave më të hershëm të hadithit është Musnedi i Imam Ebu Hanifes. Librat më të njohura të hadithit janë: Sahihu i Buhariut, Sahihu i Muslimit, Suneni i Ebu Davudit, Suneni i Tirmidhiut, Suneni i Ibn Maxhes, Suneni i Nesaiut, Muwatta'u i Ibni Malikut dhe Musnedi i Ahmed b. Hanbelit.

Përveç Kur'anit dhe Sunnetit, varësisht nga shkolla juridike, ekzistojnë edhe disa burime dytësore të Sheriatit. Sipas medhhebit hanefij-maturidij burimet kryesore janë: ixhmai (konzensusi), kijasi (analogjia), Fetvatë e as'habëve, istihsani (parapëlqimi), istis'habi (status quo ante), urfi (tradita), maslaha (interesi shoqëror), abstrakcionet, fiksionet juridike etj..


4. Çfarë është dallimi ndërmjet fesë dhe Sheriatit?

Sheriati ka të bëjë me grumbullin e rregullave, dispozitave, mësimeve dhe vlerave të cilat e drejtojnë jetën e muslimanit. Sheriati e përfshinë ibadetin, moralin, qëndrimin dhe mirësjelljen individuale dhe fushat e tjera të jetës sikur janë politika, shoqëria, ekonomia, kriminaliteti dhe e drejta qytetare.

Sipas Islamit feja natyrore duhet të vij prej Zotit që t'i udhëheq njerëzit drejt rrugës së drejtë. Në të njëjtën kohë, natyra njerëzore dhe veprat kryesore njerëzore në bazë janë të njëjta, pa marrë parasysh në vendin, racën dhe epokën, ose çkado qoftë. Ky koncept shpie deri te përfundimi se ekziston vetëm një fe e mirëfilltë që vjen prej Një të Vetmit Zot, i cili përballet me problemet e shprehura njerëzore të të gjitha kohëve. Nga ana tjetër, Islamin e kanë predikuar të gjithë pejgamberët para Muhammedit a.s., sikur janë Ibrahimi a.s., Musai .a.s. dhe Isai a.s.. Ideja e nënshtrimit ndaj një Zoti ishte porosia e të gjithë pejgamberëve.

Koncepti islam thekson se religjioni nuk është vetëm domosdoshmëri shpirtërore dhe intelektuale, por po ashtu është edhe nevojë sociale dhe universale. Ai nuk është aty për të mashtruar e lajthitur njerëzit por që t'i udhëheq deri në cakun e dëshiruar. Ai nuk është aty t'i përçmojë ata por që ta lartësojë moralin e tyre me këshillat e Tij të urta dhe shembullin e njeriut më të lartë Muhammedit a.s.. Nuk është aty që t'u merr atyre çkado të vlefshme, ose t'i ngarkojë më tepër se që munden, ose t'i zbrapsë apo ndrydh cilësitë e tyre, por që t'ua hapë thesarin e pashtershëm të përsiatjes dhe aksionit korrekt. Ai nuk do t'i kufizojë njerëzit në horizonte të ngushtuara por t'i dërgojë në horizonte të gjera të të vërtetës dhe mirësisë.


5. Çfarë është raporti ndërmjet Sheriatit dhe etikës?

Në sistemet shekullare ligji dhe etika nuk janë domosdoshmërisht të lidhura. Mirëpo, në Islam etika dhe Sheriati janë në lidhje direkte; ligji i Sheriatit tenton t'i zbatojë dhe t'i nxisë standardet etike brenda shoqërisë. Sheriati nuk mund të zbatohet në tërësi nëse nuk ka sinqeritet dhe nëse ai nuk merret si rrugë e vërtetë dhe e vetmja, i cili duhet ta shpie shoqërinë drejt instrukcionet e Krijuesit të të gjitha qenieve. Sheriati paraqet rrugën e njeriut të përcaktuar nga Zoti drejt Zotit dhe në dispozitat e tij njëson aspektin e jetës fetare, morale, politike dhe sociale të njeriut.



Autor: Nexhat IBRAHIMI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...