Hixhreti dhe sfondi i tij shumëdimensional



Të gjithë popujt nga fillimi i botës e kanë shënuar historinë e tyre. Grekët e vjetër i numëronin ditët nga olimpiada e parë, romakët nga themelimi i Romës, hebraikët nga krijimi i botës, kristianët nga lindja e Isait a.s., kurse muslimanët nga hixhreti / migrimi i Muhamedit a.s. nga Meka në Medinë.


Shfaqja e Islamit sfidë për të tjerët

Thirrja publike në Islam nxiti kurejshitët në egërsi dhe përndjekje të ashpër të Muhammedit a.s. dhe muslimanëve. Këto përndjekje dhe kjo dhunë ndaj muslimanëve në gadishullin arab do të vazhdojë në forma të ndryshme edhe më tej, diku deri në shekullin e pestë hixhrij. Kjo dhunë intensive e satrapëve kurejshitë zgjati rreth dhjetë vjet me forma jashtëzakonisht të vrazhda, si padrejtësitë, dhuna fizike, bojkotet, përndjekjet dhe vrasjet.

Në vitin e pestë hixhrij, respektivisht në vitin 615, me leje të Pejgamberit a.s., ndërsa nën presionin e dhunshëm të armiqve mekas, grupi i parë i muslimanëve migroi nga Mekja në Etiopi. Grupi përbëhej prej 12 burrave dhe 4 femrave. Në vitin vijues, 616, migroi edhe grupi i dytë që përbëhej prej 77 burrave dhe 13 femrave.

Kush e përbënte palën armiqësore të muslimanëve? Armiqtë përbëheshin prej dy grupeve:

- 1. Grupin e parë e përbënte kundërshtarët nga fisi kurejsh, dhe
- 2. Grupin e dytë e përbënin hipokritët (mynafikët), të cilët u paraqitën pas migrimit të muslimanëve në Medinë.

Edhe pse të ndryshëm në prejardhje dhe përbërje, synimi i të dy grupeve nuk dallonte: të pengohej Islami dhe aktiviteti i Muhammedit a.s..

Si ndodhi që muslimanët të migrojnë në Medinë? Ndodhën disa takime, por në takimin e tretë në Akabë, muslimanët e Medinës e ftuan Muhammedin a,s, të migrojë tek ata, sepse do t'i ofrojnë edhe strehë edhe mbrojtje edhe sukses. Kundërshtarët mësuan për takimin e medinasëve dhe Muhammedit a.s. dhe tentuan ta pengojnë në të gjitha mënyrat, sepse migrimi i tij në Medinë do ta rrezikonte idhujtarinë mekase.

Për këtë qëllim ata thurën një komplot: të vritet dhe të hiqet qafe përgjithmonë është më mirë se sa t'i lejohet të shpërngulet në Jethrib, si quhej deri atëherë Medina. Shpërngulja në Jethrib do ta rrezikonte Meken jo vetëm fetarisht por edhe politikisht dhe ekonomikisht. Muhammedi do të fuqizohej politikisht dhe do të forcohej ekonomikisht në dëm të mekasve.

Për t'iu shmangur përballjes me kundërshtarët, muslimanët në heshtje, në grupe të vogla, të paarmatosur filluan të shpërngulen në Jethrib. Migruan shumë as'habë, por një prej tyre nuk pranoi të ikte fshehurazi, sepse ta bëjë një gjë të tillë nuk e lejonte krenaria e tij. Mori shpatën, shtizën, mburojën e të tjera dhe në Qabe tha edhe këtë: "O jobesimtarë! Sot po shkoj atje ku jam përcaktuar. Nëse dikush nga ju dëshiron ta lë pas vetes të vejen, apo fëmijët pa prindër, nëse dikush dëshiron ta humb kokën, le të tentojë të më sulmoj apo të më pengoj. Unë po shkoj, ndërsa kush ka guxim le të më pengojë".

Në Mekë mbeten vetëm disa muslimanë të paaftë për të migruar, pastaj Muhammedi a.s. me Aliun r.a. dhe Ebu Bekrin r.a.. Për ta madje, flet edhe Kur'ani: وَمَا لَكُمْ لَا تُقَاتِلُونَ فِي سَبِيلِ اللَّـهِ وَالْمُسْتَضْعَفِينَ مِنَ الرِّجَالِ وَالنِّسَاءِ وَالْوِلْدَانِ الَّذِينَ يَقُولُونَ رَبَّنَا أَخْرِجْنَا مِنْ هَـٰذِهِ الْقَرْيَةِ الظَّالِمِ أَهْلُهَا وَاجْعَل لَّنَا مِن لَّدُنكَ وَلِيًّا وَاجْعَل لَّنَا مِن لَّدُنكَ نَصِيرًا. - "Ç'keni ju që nuk luftoni në udhë të Allahut dhe për shpëtimin e të shtypurve: meshkujt e pafuqishëm, gratë dhe fëmijët, të cilët thërrasin: O Zoti jonë! Nxirrna nga ky qytet, banorët e të cilit janë zullumqarë! Na cakto nga ana Juaj një mbrojtës dhe na jep nga ana Jote një ndihmëtar!", (En-Nisa: 75).

Ebu Bekri r.a. kërkoi leje nga Muhammedi a.s. që të largohet për në Jethrib por mori përgjigjen: "Mos nxito. Mbase Allahu do ta jep bashkudhëtarin të cilin ti më së shumti e do".

Duke pritur Ebu Bekri r.a. shpresonte që ky bashkudhëtar do të jetë vetë Pejgamberi i Allahut. Për këtë qëllim bleu dy deve të shpejta, të cilat i mbante afër për çdo çast.

Aisha r. anha rrëfen se si një ditë erdhi befasisht Muhammedi a.s. dhe i tha Ebu Bekrit: "Allahu më ka lejuar të shpërngulem nga Mekja", dhe atë bashkë me Ebu Bekrin r.a..

Ishte ky pa dyshim një ndër aksionet më spektakolare në historinë njerëzore, ndër ngjarjet më të njohura në histori, për çështjen e fesë dhe bindjes.

I vetëdijshëm për synimet e mekasve, Muhammedi a.s. planifikoi t'i befasojë ata. Bashkë me Ebu Bekrin r.a. ata pa u vërejtur nga armiqtë e tyre u larguan nga Meka, për t'u vendosur në shpellën Thevr, më shumë se një orë këmbë nga Meka, rrugës që çon në det.

Komplotistët e rrethuan shtëpinë e Muhammedit a.s., por kur mësynë shtëpinë vërejtën se në shtrat ishte Aliu r.a. e jo Muhammedi. Ai kishte qëndruar aty edhe si strategji (për t'i vonuar armiqtë) por edhe për t'i dorëzuar gjësendet e mekasve të cilat Muhammedi a.s. i kishte në ruajtje. Aliu r.a. me këtë rast në vend të frikës nga vdekja u zemërua shumë me Ebu Xhehlin dhe 11 pjesëtarët e tjerë të fisit, duke iu thënë: "O horra! Prapë! Si guxoni të hyni në shtëpi të huaj si hajdutë! Ky është nderi i fisit tuaj?! Kush do trimëri, le të del para"!

Aliu r.a. ishte trim mbi trima, kishte zemër luani. Nuk frikësohej nga vrasja. Edhe pse ishte i ri, ai i mbuluar me pelerinën e gjelbër nga Hadramevti dhe nuk lëvizi nga vendi.

Në shpellë hyri i pari Ebu Bekri r.a., për t'u bindur se nuk kishte egërsira apo zvarranikë. I mbylli ca vrima nga do të mundeshin eventualisht të dilnin gjarpinjtë, akrepat apo insektet e tjera helmuese.

Se ishin fshehur në këtë vend nuk e dinte askush pos Abdullahut, djalit të Ebu Bekrit, dy vajzave të Ebu Bekrit, Aishes dhe Esmasë, dhe shërbëtorit të tyre Amir ibn Fuhejrit. Secili kryente pjesën e tyre të punës, Abdullahu informohej me synimet e kurejshëve dhe i njoftonte këta në shpellë, kurse shërbëtori duke i sjellë dhentë për kullotë, kishte për qëllim t'i fshijë gjurmët e tyre. Shpella për tri ditë u bë strehë e tyre. Së koti i kërkonin në të gjitha anët.

Ebu Xhehli nga inati që kishte, egërsisht e goditi derën e Ebu Bekrit. Në derë doli Emsa, e cila në pyetjen e Ebu Xhehlit se nuk e di ku është babai i saj, mori goditje të rëndë dhe u rrëzua për tokë.

Muhammedin a.s. dhe Ebu Bekrin r.a. e kërkuan kudo, madje edhe afër shpellës në fjalë, me qëllim të zënies dhe pengimit të arritjes së tij në Jethrib.

Po në këtë kohë, Muhammedi a.s. lutej thuajse tërë kohën. Në një çast, kur ata ishin afruar në hyrje të shpellës dhe pritej hyrja brenda Ebu Bekri u shtang. Mirëpo, armikun e sprapsi pamja e hyrjes së shpellës e veshur me rrjet merimange dhe përreth disa pëllumba të egër. Sikur të ishte dikush brenda, pëllumbat do të largoheshin kurse rrjeti i merimangës do të prishej. Përfundimi i armiqve ishte se aty nuk ka hyrë njeri për një kohë të gjatë.

Ebu Bekri r.a. frikën e tij e përshkroi jo si frikë për vetveten por si frikë për bashkudhëtarin e tij: "Vdekja ime do të ishte vdekja e një njeriu, kurse vdekja jote është vdekja e të gjithë nxënësve tuaj".

Pejgamberi a.s. u përgjigj: "Mos u dëshpëro. Zoti është me ne". (La tahzen, inna'll-llahe meana).

Pas kësaj skene rrëqethëse, përndjekësit u kthyen në Mekë, kurse Ebu Bekri r.a. u bë edhe më i fuqishëm.

Ja çfarë thotë Kur'ani: وَإِذْ يَمْكُرُ بِكَ الَّذِينَ كَفَرُوا لِيُثْبِتُوكَ أَوْ يَقْتُلُوكَ أَوْ يُخْرِجُوكَ ۚ وَيَمْكُرُونَ وَيَمْكُرُ اللَّـهُ ۖ وَاللَّـهُ خَيْرُ الْمَاكِرِينَ. - "(Kujtoje) kur bënë dredhi mohuesit kundër teje: për të burgosur, mbytur ose dëbuar. Ata bënin ngatërresa, por Allahu ua prapësonte dredhitë e tyre, se Allahu është shkatërruesi më i mirë i dinakërive", (El-Enfal: 30).

إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّـهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الَّذِينَ كَفَرُوا ثَانِيَ اثْنَيْنِ إِذْ هُمَا فِي الْغَارِ إِذْ يَقُولُ لِصَاحِبِهِ لَا تَحْزَنْ إِنَّ اللَّـهَ مَعَنَا ۖ فَأَنزَلَ اللَّـهُ سَكِينَتَهُ عَلَيْهِ وَأَيَّدَهُ بِجُنُودٍ لَّمْ تَرَوْهَا وَجَعَلَ كَلِمَةَ الَّذِينَ كَفَرُوا السُّفْلَىٰ ۗ وَكَلِمَةُ اللَّـهِ هِيَ الْعُلْيَا ۗ وَاللَّـهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ. - "Nëse ju nuk i ndihmoni atij (Pejgamberit), Allahu i ka ndihmuar, kur e dëbuan mohuesit atë vetë të dytin, kur këta të dy ishin në shpellë, e kur i tha shokut të vet: "Mos u dëshpëro! Se pa dyshim Allahu është me ne! E, Allahu e zbriti qetësinë mbi shokun e tij, kurse atë e ndihmoi me ushtrinë, të cilën ju nuk e keni parë. Dhe bëri që fjala e mohuesve të jetë e poshtër, kurse fjala e Allahut të mbetet lartë. Me të vërtetë Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm", (Et-Tevbeh: 40).


Migrimi në Jethrib

Në fund të ditës së tretë të qëndrimit në shpellë, kur më në fund u bindën se kurejshët ndaluan ta ndiqnin në këtë pjesë, rreth shpellën erdhi shërbëtori i Ebu Bekrit, Abdullah ibn Urejkiti, i cili ndonëse nuk ishte musliman, Ebu Bekri r.a. e mori për udhëheqës rruge.

Me vete Ebu Bekri kishte 5000 dirhemë. Tërë pasurinë tjetër ai e kishte shpenzuar për nevoja të muslimanëve. Që mos të bëhen të pashëm nga kurejshët, ata udhëtuan shtigjeve të pashkelura, në drejtim të Medinës. Udhëtuan paralel me bregdetin, por larg tij. Udhëtuan pa lodhje tërë natën dhe pjesën më të madhe të ditës. Edhe pse Muhammedi a.s. shpresonte në ndihmën e Allahut, megjithatë kishte kryer të gjitha veprimet njerëzore për t'iu shmangur të keqes, sepse ndihma e Allahut është krahas angazhimit të njeriut.

Por, kurejshët nuk u pajtuan me kaq. Ata paraqiten ofertën joshëse se kush i kthen ata apo kush jep informacion që çon në kapjen e tyre, do të shpërblehet me 100 deve. Kjo ofertë mobilizoi shumë mekasë. Disa udhëhiqeshin nga motive pasurimi, disa për motive armiqësie, e disa për motive dinjiteti.


Ndodhia e Surakës

Një aventurier mekas, Suraka ibn Maliku, rrëfen se si një nomad tregoi se kishte parë një karvan të vogël prej tre devesh që largoheshin në drejtim të detit dhe se nga ata e kishte njohur Muhammedin dhe shokët e tij. Në heshtje pa vonuar, thotë Suraka, ika për në shtëpi. Bëra përgatitjet e duhura por pa tërhequr vëmendjen e mekasëve. Këtë e bëja sepse e doja shpërblimin e parisë mekase të tërin për vete.

Me nxitim udhëtova rrugës nga mendoja se do t'i gjeja të arratisurit. Kur iu afrova karvanit në distancë të duhur, ishte e qartë se ata ishin Muhammedi me shokët e tij. Mirëpo, edhe pse kali im ishte i dalluar në galop, i shqetësuar duke u dridhur, ai zuri në thua dhe u rrëzua. Zbrita nga kali i trazuar nga kjo parashenjë fatkeqe, nxora shigjetat fallxhore që ta verifikojë fatin tim. Nuk kisha fat, por shpërblimi më lakmonte duke mos hequr dorë nga synimi për ndjekje të mëtejshme.

U afrova aq shumë karvanit sa e dëgjoja Muhamedin duke lexuar Kur'an. Por për befasinë time, zhurma e ecjes së kalit tim nuk e shqetësoi fare atë. Madje ai nuk shikoi nga unë. Në anën tjetër, Ebu Bekri tërë kohën ecte i trazuar duke shikuar prapa. Mendoja, edhe pak dhe i zura. Por, befasisht, këmbët e kalit tim u futën në dhé deri në gjunjë, edhe pse toka në atë pjesë ishte e fortë. Unë u rrëzova mbi kokën e kalit. U ngrita, duke e sharë dhe goditur që edhe ai të ngrehet, por e kotë. Sa përpiqej kali të del nga dheu, aq më shumë futej në të. Nga ai vend u shfaq një stuhi pluhuri, sikur të ishte tym. Më kaploi në frikë e paparë. Ishte e qartë se më priste e keqe e madhe për shkak të synimit tim, ndaj bërtita: O Muhammed! Sigurisht Zoti yt e bëri këtë fatkeqësi. Nëse ma shpëton kalin të cilin nuk do ta shisja për 100 devetë e Ebu Xhehlit, do të kthehem dhe do t'i njoftojë përndjekësit tuaj se nuk të kam parë.

Muhamemdi a.s. iu lut Zotit: "O Allah, nëse Suraka është i sinqertë, shpëtoja kalin".

Suraka vazhdon të rrëfejë se pas shpëtimit të kalit, iu afrua atyre duke iu ofruar ushqim që e kisha me vete. Ata e refuzuan dhe urdhëruan të largohem, i bindur në fitoren përfundimtare të Muhammedit pas asaj që pashë.

Kur mori vesh Ebu Xhehli për rastin e Surakës, u zemërua dhe i drejtoi disa vargje shpotitëse, në çka iu përgjigj Suraka.

Muhammedi a.s. vazhdoi rrugën për Medinë. Por, në Medinë mbretëroi brengosje për shkak të vonesës së tyre. Pas disa ditësh, një banor jethribas vërejti se të priturit më në fund po vinin. Brengosja për ta u shndërrua në hare të përgjithshme. Filluan tekbiret në qytet. Të gjithë dolën në rrugë për të festuar. Këndonin kaside, ulërinin, bërtitnin rrugëve në emër të mirëseardhjes.

Muhammedi a.s. u ndal në hyrje të Medinës, në vendin e quajtur Kuba, ku qëndroi dy javë. Në këtë kohë në Kuba arriti edhe Aliu r.a., pas 15 ditë udhëtimi fshehurazi. Në Kuba u vendosën edhe themelët e xhamisë, e cila do të quhet "Et-Takva", e në të cilën mori pjesë në ndërtim edhe vetë Muhammedi a.s. Për këtë flet edhe Kur'ani: ... لَّمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى التَّقْوَىٰ مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ أَحَقُّ أَن تَقُومَ فِيهِ ۚ ... - "... E xhamia, themelet e së cilës iu vunë që në ditën e parë, në të mirën e Allahut, me të vërtetë, meriton që të bësh namaz në te ...", (Et-Tevbeh: 109).

Në rrugë ndërmjet Kubasë dhe Jethribit, në fshatin Benu Salim, Muhammedi a.s. e fali xhumanë e parë. Pas xhumasë Muhammedi a.s. u ngjit në devenë e tij Kasva dhe në përcjellje të masës së entuziazmuar, triumfalisht hyri në qytet. Nga kjo ditë qyteti nga Jethrib do të quhet Medinet'un-nebij (Qyteti i Pejgamberit).


E tërë Arabia kundër Pejgamberit të Allahut

Arabia të bëhet kundër Pejgamberit a.s.! Përse? A nuk e quanin vetë ata "el-emin" (besnik) deri në atë kohë? A nuk i ofruan ata postin udhëheqës, pasuri që nuk e ka imagjinuar, femrat më të bukura e të tjera vetëm me një kusht: të heq dorë nga idetë e tij të monoteizmit?

Përse ndodh kështu duke e marrë parasysh se edhe kundërshtarët e dinin se cilësitë e tij ishin kthjelltësia, largpamësia, oratoria, thjeshtësia, maturia, fisnikëria, njerëzishmëria, vërtetëdashuria, sinqeriteti, pastërtia e zemrës, dinjiteti, serioziteti, drejtësia, durimi, vendosmëria, trimëria, përkushtimi dhe dashuria e pafund ndaj Krijuesit.

Muhammed a s. thotë: "Dija është pasuria ime, besimi është fuqia ime, durimi është veshja ime, e vërteta është mbrojtja ime, kënaqësia me pak është pasuria ime, përmendja e Zotit është biseda ime, gëzimi im është në namaz".

Mekasve me një rast Muhammedi a.s. iu drejtua me fjalët: "Idhujt që ju i adhuroni janë mashtrim i pastër. Pushoni së adhuruari. Kurrfarë qenie njerëzore, yje, dru, gurë nuk meriton të adhurohet. Mos e përulni kokën tuaj para tyre. Tërë kozmosi i përket Allahut të Gjithëfuqishëm. Vetëm Ai është krijuesi juaj. Vetëm Allahut duhet t'i përuleni, ta lutni dhe t'i nënshtroheni. Prandaj, vetëm atë adhurojeni dhe urdhrat e Tij zbatoni. Plaçkitja, vrasja, vjedhja, egërsia dhe padrejtësia janë krime. Largohuni nga mëkati. Flisni të vërtetën. Bëhuni të drejtë. Ju jeni qenie njerëzore kurse të gjitha ato janë të barabarta te Allahu. Bujar dhe i ndershëm është ai i cili ka drojë ndaj Allahut, i cli është i devotshëm. Njeriu më i devotshëm është ai që beson dhe punon vepra të mira. Ju do të jepni llogari për të gjitha punët tuaja, të mira dhe të këqija. Asgjë nuk do të mund të fshihni. Tërë historia e jetës suaj do të jetë si libër i hapur para Zotit. Fati juaj do të varet nga veprat tuaja. Nuk do të mund t'i korruptoni. Vetëm besimi i vërtetë dhe veprat e mira do të merren parasysh në atë moment. Shpërblimi është xheneti, kurse ndëshkimi është xhehenemi".

Tërë kjo armiqësi, pra, vinte për shkak se ai kërkonte nga ata ta adhurojnë vetëm Allahun, t'i luten Atij dhe të jetojnë jetë të ndershme dhe të drejtë.

Përse Muhammedi a.s. i duroi të gjitha këto vështirësi?

Në rrugën e të vërtetës Pejgamberi i Allahut i përballonte të gjitha me buzëqeshje. Madje, edhe kur u ndërrua strategjia, kur nga dhuna e kërcënimi iu ofrua pasuria, respekti dhe pushteti, ai mbeti i njëjtë.

Ja si e përshkruan Kur'ani përgjigjen e Pejgamberit a.s. nëpërmjet Kur'anit: حم . تَنزِيلٌ مِّنَ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ . كِتَابٌ فُصِّلَتْ آيَاتُهُ قُرْآنًا عَرَبِيًّا لِّقَوْمٍ يَعْلَمُونَ . بَشِيرًا وَنَذِيرًا فَأَعْرَضَ أَكْثَرُهُمْ فَهُمْ لَا يَسْمَعُونَ . وَقَالُوا قُلُوبُنَا فِي أَكِنَّةٍ مِّمَّا تَدْعُونَا إِلَيْهِ وَفِي آذَانِنَا وَقْرٌ وَمِن بَيْنِنَا وَبَيْنِكَ حِجَابٌ فَاعْمَلْ إِنَّنَا عَامِلُونَ . قُلْ إِنَّمَا أَنَا بَشَرٌ مِّثْلُكُمْ يُوحَىٰ إِلَيَّ أَنَّمَا إِلَـٰهُكُمْ إِلَـٰهٌ وَاحِدٌ فَاسْتَقِيمُوا إِلَيْهِ وَاسْتَغْفِرُوهُ ۗ وَوَيْلٌ لِّلْمُشْرِكِينَ . الَّذِينَ لَا يُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَهُم بِالْآخِرَةِ هُمْ كَافِرُونَ . إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ لَهُمْ أَجْرٌ غَيْرُ مَمْنُونٍ. - "Hâ, Mîm. (Kjo është) Shpallja prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Libër, argumentet e të cilit janë të qarta, (që është) Kur'ani në gjuhën arabe, për popullin që di, si sihariques dhe paralajmërues, por shumica e tyre janë shmangë (prej studimit të tij) e nuk duan të dëgjojnë, (por) thonë: "Zemrat tona janë të mbuluara (blinduara e nuk kuptojnë) atë që na thërret ti neve, veshët tanë janë të shurdhër për atë, e në mes nesh e teje ka perde, andaj puno ti (në idenë tënde), (por) me të vërtetë, dhe ne do të punojmë". Thuaj: "Unë, me të vërtetë, jam njeri si ju, mua më është shpallur që Zoti juaj është vetëm një Zot, andaj lutuni Atij sinqerisht dhe kërkoni falje prej Tij! E, mjerë për ata që i bëjnë shok Atij, të cilët nuk japin zekatin dhe të cilët nuk besojnë në jetën tjetër! Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira do të kenë shpërblim të pandërprerë", (Fussilet: 1-8).


Vepra e tij ishte fjala e tij

Hixhreti ngërthen në vete këmbëngulësinë, vendosmërinë deri te e vërteta finale. Ai ishte manifestim i vlerave të pakundërshtueshme. As poetët, as predikuesit, as oratorët nuk iu afruan në asgjë Muhammedit a.s. Para popullit të tij u paraqit si filozof unik, reformator i jashtëzakonshëm, politikan i lavdishëm, gjykatës me nam, lider i madh dhe komandant i pakrahasueshëm. Muhammedi a.s. para njerëzve ligjëroi probleme të rënda teologjike dhe metafizike, diskutoi rreth rrënimit të popujve dhe perandorive, duke shtruar fakte nga e kaluara etj. Ishte tregtar i qetë dhe paqedashës por edhe ushtar i guximshëm. Shumë shpejt ushtria e tij i bë faktor në rajon. Ishte njeri i qetë por në çast u bë shtetar i madh dhe reformator politik. Për një kohë të shpejtë i unifikoi fiset e shpërndara, ua hoqi veset e liga, filloi ta arsimojë popullin. Barbarët dhe hajdutët e rrugës u shndërruan në njerëz të devotshëm e të drejtë, mësues e kreatorë. E tërë kjo u arrit pa dredhi, pa forcë, pa ashpërsi. Ai i fali armiqtë, madje edhe ata që e rrezikuan jetën e tij. Ju do të gjeni një Neron të madh, ju do të gjeni një Lekë të madh, ju do të gjeni në Xhingis-kan të madh, ju do të gjeni një Bonapart të madh, ju do të gjeni një Hitler të madh, por ju nuk do të gjeni edhe një Muhammed: i përsosur në të gjitha pikëpamjet e jetës.


Muhaxhirët - kush janë ata?

Takimi në Akabë rezultoi me premtimin se medinasit do të marrin përgjegjësinë për mekasit e ikur në pikëpamje të sigurisë, të mirëqenies etj. Kështu edhe ndodhi. Të gjithë qytetarët (përveç hipokritëve) jetën e tyre personale, familjare dhe kolektive ia kanë përshtatur udhëzimeve hyjnore. Qenë të gatshëm në çdo kohë për çdo sakrificë: morale, fizike dhe materiale. Kjo ishte kështu sepse besimi i Pejgamberit a.s. në misionin e tij kurrë nuk u luhat. Nuk ka bërë kompromis me të vërtetën. Ishte thellë i bindur se misioni i tij ka përgjigje në çështjet e shumta të pazgjidhura të njerëzisë.

Një numër modest i njerëzve për fillim u zotua për këtë mision. Ky numër më vonë u shtua, që do të thotë se asgjë nuk ndodhi befasisht dhe rastësisht, por nga bindja dhe mësimi.

Kur'ani thotë: أَحَسِبَ النَّاسُ أَن يُتْرَكُوا أَن يَقُولُوا آمَنَّا وَهُمْ لَا يُفْتَنُونَ. - "Mendojnë njerëzit se do të lihen (të qetë) nëse thonë: "Na kemi besuar! E që ata nuk do të vihen në sprovë?", (El-Ankebut: 2).

أَمْ حَسِبْتُمْ أَن تَدْخُلُوا الْجَنَّةَ وَلَمَّا يَأْتِكُم مَّثَلُ الَّذِينَ خَلَوْا مِن قَبْلِكُم ۖ مَّسَّتْهُمُ الْبَأْسَاءُ وَالضَّرَّاءُ وَزُلْزِلُوا حَتَّىٰ يَقُولَ الرَّسُولُ وَالَّذِينَ آمَنُوا مَعَهُ مَتَىٰ نَصْرُ اللَّـهِ ۗ أَلَا إِنَّ نَصْرَ اللَّـهِ قَرِيبٌ. - "A mendoni ju të hyni në xhennet pa i përjetuar ato (vuajtjet) ashtu si i kanë përjetuar të tjerët para jush? Ata i pat goditur mjerimi dhe sëmundjet dhe aq shumë qenë tronditur saqë pejgamberi dhe ata që ishin me të thirrën: "Kur më do të arrijë ndihma e Perëndisë?!" Qe, ndihma e Allahut është afër!" ,(El-Bekare: 214).

Muslimanët e parë e pranuan Islamin me tërë zemrën pa dilema. Në shpërblime ishin modestë, ndërsa në ndëshkime vullnetarisht i shtroheshin ndëshkimeve. Motiv kryesor për mirëbërje ishte premtimi i xhenetit. Kur e pyetën Muhammedin a.s. se si mund të bëhen muhaxhirë ata që nuk janë, ai u përgjigj: "Muhaxhir është secili që e braktis atë që Allahu e ka ndaluar, kurse e kryen atë që e ka urdhëruar".

Përbërja nacionale e grupit të parë të muslimanëve ishte e ngjashme me një kopsht të bukur lulesh: Ebu Bekri arab, Bilali etiopian, Suhejbi romak, Selmani persian etj. Lidhjet e tyre fetare i eliminuan ndjenjat e tyre fisnore dhe racore, dallimet e gjuhës dhe ngjyrës.

Brezi i parë posedonin përgjegjësi të madhe kundrejt problemeve të kohës dhe këtë përgjegjësi tentonin t'ia mbëltojnë edhe shoqërisë së tyre të gjerë. Gjithnjë e kishin parasysh urdhrin kur'anor: كُنتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ أُخْرِجَتْ لِلنَّاسِ تَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَتَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ وَتُؤْمِنُونَ بِاللَّـهِ ... - "Ju (besnikët e Kur'anit) jeni njerëzit më të mirë nga i gjithë populli që janë paraqitur ndonjëherë: dhe besoni Perëndinë ...", (Ali Imran: 110).

نَّحْنُ نَقُصُّ عَلَيْكَ نَبَأَهُم بِالْحَقِّ ۚ إِنَّهُمْ فِتْيَةٌ آمَنُوا بِرَبِّهِمْ وَزِدْنَاهُمْ هُدًى . وَرَبَطْنَا عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ إِذْ قَامُوا فَقَالُوا رَبُّنَا رَبُّ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ لَن نَّدْعُوَ مِن دُونِهِ إِلَـٰهًا ۖ لَّقَدْ قُلْنَا إِذًا شَطَطًا. - "Na po ta tregojmë ty historinë e tyre me tërë vërtetësinë e saj. Ata, ishin djelmoshat që besonin në Zotin e tyre, dhe Na ua kemi forcuar atyre drejtimin. Dhe Ne, ua forcuam zemrat e tyre kur u ngritën dhe thanë: "Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Na, nuk i lutëm, kurrsesi - zotit tjetër, përpos Tij. (Përndryshe) - atëherë do të thoshim gënjeshtër të madhe", (El-Kehf: 13-14).


Kur'ani si frymëzim shpirtëror për brezat e parë të muslimanëve

Kur'ani ka qenë kriteri i muslimanëve të parë për çdo gjë të huaj. Ata frymëzoheshin ekskluzivisht nga Kur'ani. Por, me kalimin e kohës gjerat u ngatërruan. Frymëzimi filloi të shtrihet pa kriter. Kjo bëri që të bie vlera e brezave të rinj para vetvetes dhe para të huajve.

Të frymëzuar nga Kur'ani muhaxhirët bënë shumë. Gjithashtu edhe ensarët në Medinë.

Ç'thotë Kur'ani për hixhretin?

إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَالَّذِينَ هَاجَرُوا وَجَاهَدُوا فِي سَبِيلِ اللَّـهِ أُولَـٰئِكَ يَرْجُونَ رَحْمَتَ اللَّـهِ ۚ وَاللَّـهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ. - "Ata që besuan dhe emigruan dhe luftuan në udhën e Allahut, ata shpresojnë në mëshirën e Allahut. Allahu është mëshirues dhe falë", (El-Bekare: 218).

فَاسْتَجَابَ لَهُمْ رَبُّهُمْ أَنِّي لَا أُضِيعُ عَمَلَ عَامِلٍ مِّنكُم مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَىٰ ۖ بَعْضُكُم مِّن بَعْضٍ ۖ فَالَّذِينَ هَاجَرُوا وَأُخْرِجُوا مِن دِيَارِهِمْ وَأُوذُوا فِي سَبِيلِي وَقَاتَلُوا وَقُتِلُوا لَأُكَفِّرَنَّ عَنْهُمْ سَيِّئَاتِهِمْ وَلَأُدْخِلَنَّهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ ثَوَابًا مِّنْ عِندِ اللَّـهِ ۗ وَاللَّـهُ عِندَهُ حُسْنُ الثَّوَابِ. - "Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: "Unë, nuk ia humbi mundin asnjë punëtori nga ju, qoftë mashkull apo femër, - ju jeni të gjithë (të barabartë në shpërblim). Atyre që emigruan, dhe u dëbuan nga vatrat e tyre, dhe u munduan në rrugën Time, dhe luftuan e u vranë, Unë me siguri, do t'ua mbuloj veprat e këqija (me falje) dhe do t'i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, - shpërblim nga Allahu. E, shpërblimi më i mirë është te Allahu", (Ali Imran: 195).


Domethënia dhe rëndësia e hixhretit

Është vështirë të shteren domethëniet e hixhretit me një shkrim apo me një ligjëratë. Sidomos kur shkrimi ka natyrë informative dhe të shkurtër. Megjithatë, do t'i cekim disa sosh:

- Hixhreti është ngjarje që i ndërroi rrjedhat e historisë në përmasa globale. Ai nuk është ikje para problemeve por kërkim i mjedisit në të mirë, më të përshtatshëm për përhapjen dhe zhvillimin e muslimanëve. Hixhreti paraqet sakrificën kulmore të cilën njeriu mund ta bartë (duke e lënë pasurinë, familjen dhe farefisin) duke iu afruar njerëzve të afërm sipas zemrës, shpirtit dhe bindjes. Hixhreti në anën tjetër është ndarje e të vërtetës nga e pavërteta. Është frymëzim dhe nxitje për besimtarët e sinqertë. Domethënia e hixhretit do të duhej të jetë edhe domethënia e jetës tonë.

- Po ashtu, hixhreti është fillimi i aplikimit të gjerë të parimeve islame në pikëpamjen sociale dhe kulturore, është një revolucion social dhe shpirtëror, por njëkohësisht është ikje para tiranisë dhe dhunës. Hixhreti është braktisja e asaj që Allahu nuk e do, por edhe angazhimi drejt asaj që e kënaq Allahun. Ai ishte kthesë në jetën e muslimanëve të parë. Nga ky çast Islami është forcuar dhe muslimanët janë bërë të dinjitetshëm.

- Hixhreti është kthesë e madhe në zhvillimin e njerëzisë, i cili ndodhi me dëshirën e Allahut. Hixhreti është harmoni e jetës së njeriut me ligjet e Zotit dhe ngadhënjim i shpirtit ndaj materies. Hixhreti është përpunimi i parë praktik i mendimit islam në histori. Në vete bartë idenë e aksionit, ndryshimit dhe rimëkëmbjes dhe është i vetëdijshëm se pa sakrificë, angazhim dhe plane e metoda të mira nuk ka rezultate dhe suksese. E tërë kjo duke e pasur parasysh pjekurinë e bindjeve fetare, idenë e përbashkësisë, humanitetit dhe drejtësisë.

- Hixhreti është kthesë në historinë islame, ngjarje me rëndësi botërore; kjo datë u bë fillim i kalendarit musliman dhe fillim i themelimit të shtetit të parë musliman në Medinë. Sikur mos të ishte hixhreti nuk do të ishte as Bedri, e sikur mos të ishte Bedri nuk do të ishte as tërë ai thesar musliman në botë që deri sot e njohim. Nga kjo datë numri i muslimanëve filloi të rritet, kur ushtria muslimane filloi të lëshojë shtat edhe jashtë Arabisë dhe të hedhë rrezet e para edhe në pjesën tjetër të botës. Hixhreti fillon më 1 muharrem 622, për të mos u ndalur deri në Ditën e Fundit, kur do të vazhdojë të jetojë vetëm Allahu i madhërishëm.


Mësimet nga hixhreti

Hixhreti ofron mësime të shumta, por disa janë të përgjithshme për të gjitha kohët dhe për të gjitha hapësirat. Disa janë:

- Muslimanët janë vëllezër qoftë si koncept shpirtëror qoftë si koncept historik,
- Solidariteti ndërmjet muslimanëve duhet të jetë i pakushtëzuar në baza racore, gjuhësore, territoriale etj., për hir të Allahut,
- Interesat e përgjithshme duhet të jenë prioritar kundrejt interesave individuale në të gjitha rastet dhe në të gjitha rrethanat,
- Mbështetja në Allahun duhet të jetë e përhershme dhe e padiskutueshme. Kështu kanë vepruar muslimanët e parë. Kanë punuar ndershëm, me durim, kanë dhënë sakrifica të shumta, kanë ndihmuar nevojtarët, kanë luftuar të keqen dhe janë orvatur të jetojnë sipas parimeve të Kur'anit dhe Sunetit, me mesazhin permanent: "Nënshtrojuni Allahut dhe nënshtrojuni Pejgamberit".


Themelimi i kalendarit musliman

Në jetën e Muhammedit a.s. katër ngjarje do të mund të merreshin si rast për fillimin e erës islame. Këto ngjarje janë: Lindja e Muhammedit a.s., fillimi i shpalljes, hixhreti dhe vdekja e Muhammedit a.s..

Në mesin e shumë propozimeve, Aliu r.a. doli me propozimin që hixhreti të merret për fillim të erës islame. Arsyetimi i tij ishte: "Hixhreti e ka ndarë të vërtetën nga gënjeshtra. Ai solli që Islami të ndriçojë me shkëlqimin e plotë"!

Ky propozim i pëlqeu Omerit r.a. dhe as'habëve të tjerë dhe këtë propozim të tij menjëherë e pranuan dhe e shndërruan në vendim.

Të gjithë popujt nga fillimi i botës e kanë shënuar historinë e tyre. Grekët e vjetër i numëronin ditët nga olimpiada e parë, romakët nga themelimi i Romës, hebraikët nga krijimi i botës, kristianët nga lindja e Isait a.s., kurse muslimanët nga hixhreti / migrimi i Muhamedit a.s. nga Meka në Medinë.

Bota muslimane sidomos kohëve të fundit ka filluar ta festojë Vitin e Ri hixhrij. Kjo është traditë e mirë, sepse është ndër ditët më të mëdha në historinë islame.



Autor: Nexhat IBRAHIMI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...