Hixhreti - Ngadhënjim i Islamit



"Në mos e ndihmofshi atë (Pejgamberin), atë e ka ndihmuar Allahu, kur ata që nuk besuan, e nxorën atë vetë të dytin, kur që të dy ishin në shpellë, kur po i thoshte shokut të vet: "Mos u pikëllo (frikëso), Allahu është me ne"! E Allahu i zbriti qetësi (në shpirtin e) atij, e fuqizoi me një ushtri që ju nuk e patë, e fjalën e atyre që nuk besuan, e bëri më të ulëtën, kurse fjala e Allahut (është) më e larta. Allahu është më i fuqishmi, më i urti", (Et-Tevbe:40).


Lidhshmëria me ajetet paraprake

Në ajetet paraprake Allahu i Madhërishëm u bën thirrje besimtarëve për mobilizim të përgjithshëm ushtarak dhe për t'u përgatitur për betejën e Tebukut, ngase Muhamedi a.s. ishte informuar se ushtria romake ishte pozicionuar në Sham (Siria e sotme), dhe atyre u ishin bashkuar disa fise arabe, prandaj Muhamedi a.s. i urdhëroi besimtarët që të niseshin drejt Tebukut për t'u ballafaquar drejtpërdrejt me romakët.

Në atë kohë mbretëronte vapë e madhe dhe udhëtimi ishte mjaft i gjatë, andaj këtë gjendje e shfrytëzuan disa përtacë, të cilët madje edhe thanë: "Mos shkoni në luftë", duke i frikësuar besimtarët nga ushtria romake. Një situatë e tillë bëri që Zoti xh.sh. t'i qortonte ata përtacë dhe lakmues të kësaj bote, duke i urdhëruar për luftë, pa marrë parasysh vështirësitë, siç theksohet edhe në Kuran: "A mos ishit më të kënaqur me jetën e kësaj bote, sesa me atë të ardhmen? Përjetimi i jetës së kësaj bote ndaj asaj së ardhmes, nuk është asgjë. Nëse nuk dilni (në luftë), Ai ju dënon me një dënim të rëndë, ju zëvendëson me një popull tjetër dhe Atij nuk i bëhet farë dëmi. Allahu është i gjithëfuqishëm për çdo gjë", (Et-Tevbe 38-39).

Në këtë mënyrë Krijuesi Fuqiplotë u shpjegon besimtarëve parimet bazë të konceptit islam, se ngadhënjimi mbi përtacinë dhe frikën kur dilet në luftë, është domosdoshmëri dhe buron natyrshëm nga zbatimi i urdhrave hyjnorë, që d.t.th. se mposhtja e përtacisë, egos dhe dobësisë shpirtërore, arsyeton qëndrimin e ndershëm të njeriut besimtar në këtë jetë. [1]

Zoti i Madhërishëm ua bënë qartë me dije besimtarëve se, edhe nëse nuk i përgjigjen thirrjes hyjnore për ta ndihmuar Muhamedin a.s. në këtë betejë, doemos Allahu xh.sh. do ta ndihmojë dhe ai do të triumfoj, qoftë edhe pa ndihmën e tyre, gjë që ishte vërtetuar praktikisht më herët me rastin e Hixhretit - emigrimit të Muhamedit a.s., nga Meka në Medinë. Në të njëjtën kohë, ua tërheq vërejtjen për lakminë e kësaj bote kalimtare, sepse përjetimi i saj ndaj së ardhmes, nuk është asgjë, dhe se Allahu xh.sh. është i gjithëfuqishëm për t'i dënuar ata në rast të shpërfilljeve dhe kundërshtimeve të ndryshme ndaj urdhrave dhe porosive hyjnore.

Me një fjalë, Zoti xh.sh., në kuadër të ajeteve, ku i urdhëroi besimtarët për betejë luftarake në Tebuk, e shfrytëzoi atë për t'u treguar atyre hollësisht një ngjarje historike dhe madhështore, të cilën tashmë e kishin të njohur. Kjo ngjarje ishte Hixhreti i Muhamedit a.s., ngjarje në të cilën Allahu xh.sh. e ndihmoi dhe e bëri të dilte ngadhënjimtar të dërguarin e Tij, edhe pa ndihmën e ndonjë ushtrie njerëzore, sepse ndihma dhe përkrahja i erdhi në momentet më vendimtare, kur pabesimtarët planifikonin vrasjen e Muhamedit a.s., në mënyrë që t'i jepnin fund thirrjes hyjnore islame.


Komentimi i ajetit

Nëse ju, o besimtarë, nuk e ndihmoni Muhamedin a.s. dhe nuk i përgjigjeni thirrjes së tij për luftë në rrugën e Allahut xh.sh., atëherë atë (Muhamedin a.s.) do ta ndihmojë Zoti i Madhërishëm, do ta përkrahë dhe do ta bëjë triumfues kundër armiqve, sikurse e ndihmoi me rastin e Hixhretit - emigrimit, kur pabesimtarët kishin planifikuar vrasjen, ngujimin apo dëbimin e tij nga vendlindja. Këtë e përshkruan Zoti xh.sh. në ajetin tjetër, ku thotë: "Kujto (o i dërguar) kur ata që nuk besuan, thurnin (kurthe) kundër teje, të të ngujonin, të të vrisnin, ose të të dëbonin. Ata bënin plane, e Allahu i asgjësonte, se Allahu është më i miri që asgjëson (dredhitë)", (El-Enfal:30). [2]

Në momentet më vendimtare, kur pabesimtarët planifikuan likuidimin e tij, erdhi ndihma dhe përkrahja e Allahut xh.sh., duke e paralajmëruar atë për planin e pabesimtarëve, dhe, në anën tjetër, duke e urdhëruar që të largohej nga Meka në drejtim të Medinës. Gjatë këtij udhëtimi, Muhamedi a.s. ishte i shoqëruar vetëm nga Ebu Bekri, nuk kishte ushtri nga njerëzit që ta përkrahte, por e përkrahu dhe ndihmoi Ai që e dërgoi me mision të shenjtë të thirrjes islame tek njerëzit mbarë, gjë që vërtetoi premtimin e Tij për ta ndihmuar Pejgamberin a.s., edhe nëse askush nga njerëzit nuk e ndihmon. E bëri triumfues të Dërguarin e Tij kur ishte i shoqëruar vetëm nga Ebu Bekri në shpellën e malit "Thevr", dhe, kur Ebu Bekri kishte parë pabesimtarët se po i afroheshin shpellës, i qe drejtuar Muhamedit a.s. me fjalët: "O i Dërguar i Zotit; Për Zotin, nëse ndonjëri prej tyre hedh shikimin poshtë, do të na vërejë", po Muhamedi a.s. me plot bindje i qe përgjigjur: "O Ebu Bekr, mos u frikëso, sepse Allahu është me ne, me ndihmë, mbështetje, kujdes, mbikëqyrje dhe me fitore". Po ashtu gjejmë transmetime të vërteta, se Muhamedi a.s. me atë rast i ishte përgjigjur: "O Ebu Bekr, ç'mendon për dy persona, kur Allahu është i treti (me ndihmë dhe përkrahje)"? [3]

Ndihma e Allahut dhe përkrahja e Tij për të Dërguarin a.s., bënë që kur pabesimtarët i qenë afruar shpellës, të silleshin si të verbër dhe të mos vërenin asgjë brenda. Gjithashtu kjo ndihmë u manifestua edhe pasi Muhamedi a.s. dhe Ebu Bekri kishin hyrë në shpellë e Allahu xh.sh. kishte urdhëruar pëllumbat të bënin një fole në hyrje dhe në të të kishte ve, po dhe merimanga të kishte thurur rrjetën e saj, - shkaqe që ndihmuan të mos vërehej prania e tyre në shpellë. [4]

Pas këtyre ngjarjeve, Zoti i Madhërishëm zbriti qetësinë shpirtërore tek Ebu Bekri, sa kohë që Muhamedi a.s. ishte i qetë dhe i bindur thellë për triumfin kundër pabesimtarëve, andaj as që u frikësua fare, sepse e dinte që Allahu xh.sh. është kujdestar, mbikëqyrës, përkrahës dhe ndihmës i tij. Dhe me të vërtetë, Krijuesi e ndihmoi të Dërguarin e Tij me një ushtri të formuar nga Melaiket, të padukshme për njerëzit, ushtri e cila ndihmoi, mbrojti dhe e bëri të triumfonte Muhamedin a.s. përgjatë Hixhretit, por edhe gjatë shumë betejave të mëparshme kundër pabesimtarëve, siç ishin betejat: e Bedrit, Ahzabit dhe Hunejnit, gjë e premtuar në Kuran: "Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezantimit të dëshmive", (Gafir:51). [5]

Në fjalën e Allahut xh.sh.: "Në mos e ndihmofshi atë (Pejgamberin), atë e ka ndihmuar Allahu ...", kemi të shprehura tri dimensione kohore nëpërmjet ndajfoljes "Idh" - "kur", e cila është përsëritur tri herë në ajet: "... kur ata që nuk besuan, e nxorën atë vetë të dytin, kur që të dy ishin në shpellë, kur po i thoshte shokut të vet ...", që d.t.th. se kemi të bëjmë me tri periudha kohore: momenti i largimit apo nxjerrjes nga Meka, momenti i qëndrimit në shpellë, dhe momenti kur Muhamedi a.s. po i thoshte shokut të vet: "Mos u pikëllo (frikëso), Allahu është me ne"! Dhe me të vërtetë, në të tri këto momente shumë të vështira erdhi ndihma dhe përkrahja absolute e Allahut xh.sh. për të dërguarin e Tij dhe Islamin.

Dikush mund të pyesë: A ishin pabesimtarët ata që e detyruan Muhamedin a.s. të largohej nga Meka, apo Allahu xh.sh. ishte Ai Që e nxori - e largoi prej atje? Pa dyshim, pabesimtarët ishin ata që e detyruan të largohej nga vendlindja, dhe kjo për shkak të dhunës e torturave psiko - fizike të ushtruara ndaj tij. Ndërsa, Allahu i Madhërishëm me këtë nxjerrje - largim të të Dërguarit të Tij nga Meka, deshi të realizonte një qëllim krejtësisht tjetër nga ai që synuan pabesimtarët, sepse ata dëshiruan vrasjen e tij, dhe mu në momentin kur ata menduan se misioni i tij dhe thirrja islame po mbaronte, atëherë i Madhërishmi Allah e urdhëroi të Dërguarin e Tij të largohej nga vendlindja. Ndaj, me këtë veprim, Zoti xh.sh. ua bëri me dije pabesimtarëve: Ju imponuat largimin e tij me dhunë e kokëfortësi, kurse Unë, - thotë Allahu xh.sh. - nuk do t'ju lejoj ta nxirrni jashtë të nënçmuar, por do ta nxjerr Unë - thotë Allahu xh.sh. - me përkrahje dhe me ngadhënjimin e tij. [6]

Me zbritjen e pejgamberllëkut - Shpalljes tek Muhamedi a.s., së bashku me të ka zbritur edhe urdhri për Hixhretin (është përcaktuar të zbresë ky urdhër), me argument se, kur Muhamedit a.s. i erdhi shpallja në shpellën Hira dhe më pastaj, së bashku me bashkëshorten e tij Hadixhen r.a., kishin shkuar tek Vereka bin Neufeli për t'i rrëfyer për ngjarjen që i kishte ndodhur, ai i kishte thënë: "Ah sikur të isha gjallë, kur populli yt do të të largojë (do të të ndjekë jashtë vendlindjes)...". Kjo d.t.th. se Hixhreti dihej qartë që do të ndodhte që nga dërgimi i Muhamedit a.s. me mision të thirrjes islame. A thua pse? Sepse ai ishte i pari i cili parisë kurejshite u bëri thirrje në besimin e vërtetë, e dihet fare mirë se kurejshitët ishin fisi më autoritativ në gjithë Gadishullin Arabik, dhe, po ta drejtonte thirrjen e tij Muhamedi a.s. tek një fis i cili nuk kishte shkallë autoriteti të kurejshitëve, atëherë njerëzit do të thoshin: I gjeti të dobët, prandaj i thirri në Islam. Ndaj, kjo vërteton madhështinë e Islamit dhe domosdoshmërinë e ndodhjes së Hixhretit, sepse, meqë thirrja islame i drejtohej fisit më me famë, kurejshitëve, atëherë ata filluan torturimin psiko-fizik ndaj Muhamedit a.s. dhe myslimanëve, në mënyrë që kjo thirrje të merrte fund.

Nga kjo kuptojmë edhe një urtësi e mrekulli të Islamit, ngase Allahu xh.sh. deshi që Muhamedin a.s. të mos e ndihmonte dhe ta bënte ngadhënjimtar nëpërmjet kurejshitëve të Mekës, por nëpërmjet disa fiseve të tjera nga një vend tjetër - Medina, kjo sepse kurejshitët ishin sundimtarë tek arabët dhe njerëzit atëherë do të thoshin: "Ja, kurejshitët e ndihmuan për shkak të fanatizmit të tyre, me qëllim që të shtrinin sundimin e tyre në mbarë botën, ashtu siç vepruan me Gadishullin Arabik". Me këtë Allahu xh.sh. sqaroi se misioni i Muhamedit a.s. është universal për të gjithë njerëzit, andaj edhe ndihma e triumfi për të dhe për thirrjen islame erdhi nga fise të tjera dhe nga një vend tjetër, e jo nga fisi i tij - kurejshitët. [7]

Momenti i dytë i ndihmës së Allahut xh.sh., ishte gjatë qëndrimit treditor në shpellë, në kushtet kur pati shkuar aty edhe gjurmuesi i njohur "Keraz bin Alkame", njohës shumë i mirë i gjurmëve të ecjes mbi tokë, i cili ndihmoi kurejshitët për të kërkuar Muhamedin a.s., që pati deklaruar se gjurmët e këmbëve të Muhamedit a.s. dhe Ebu Bekrit (të cilat i njihte), kishin përfunduar tek hyrja e shpellës. Ai pati thënë: "Ata të dy nuk e kanë kaluar këtë vend, ose janë ngritur në qiell, ose janë futur brenda në tokë". Me gjithë këtë pohim bindës për pabesimtarët, atyre në asnjë moment nuk u shkoi mendja të kontrollonin brenda në shpellë. Me këtë rast Allahu xh.sh. inspiroi merimangën që në hyrje të shpellës të thurte rrjetën e saj, si dhe pëllumbat që të bënin folenë e tyre, ku të kishte ve, - shkaqe të cilat shtynë Suraka bin Malikun të thoshte: "Nuk është e mundur të jenë brenda në shpellë Muhamedi dhe shoku i tij, sepse në të kundërtën ata do të shkatërronin gjatë hyrjes në shpellë rrjetën e merimangës dhe folenë e pëllumbave". E dihet fare mirë se shtëpia - rrjeta e merimangës është nga më të dobëtat, siç përshkruhet në Kuran: "E sikur ta dinin ata, më e dobëta shtëpi është shtëpia e merimangës", (El-Ankebut:41). Këtu vërejmë edhe mrekullinë hyjnore të Krijuesit Fuqiplotë, ngase Ai mposhti luftëtarë të fortë nga radhët e pabesimtarëve me më të dobëtën shtëpi, me atë të merimangës, duke larguar në këtë mënyrë mundësinë e krijimit të idesë në mendjet e pabesimtarëve se Muhamedi a.s. dhe shoku i tij mund të ishin fshehur brenda në shpellë.

Kurse ndihma dhe ngadhënjimi i tretë i Muhamedit a.s., dhuruar nga Allahu xh.sh., duket në momentin kur Ebu Bekri r.a. iu drejtua atij me fjalët: "Nëse ndonjëri prej tyre hedh shikimin poshtë, do të na vërejë", e Muhamedi a.s. me plot bindje për ndihmën e Allahut xh.sh., i qe përgjigjur: "Ç'mendon për dy persona, kur Allahu është i treti (me ndihmë dhe përkrahje)". [8]

Nëse analizojmë me vëmendje përgjigjen e Muhamedit a.s., do të kuptojmë se ajo nuk përputhet plotësisht me pyetjen e Ebu Bekrit, sepse përgjigjja në përputhje me pyetjen do të ishte: "Jo, nuk do të na vërejnë", po Muhamedi a.s. me anë të kësaj përgjigjeje deshi të shprehte një të vërtetë të besimit hyjnor islam, andaj pati thënë: "Ç'mendon për dy persona, kur Allahu është i treti (me ndihmë e përkrahje)", kjo sepse, derisa Muhamedi a.s. dhe shoku i tij ishin në shoqërimin - përkrahjen e Allahut xh.sh., atëherë ndihma e Tij dhe triumfi për ta ishte i sigurt.

Ndërsa, për sa i përket zbritjes së qetësisë - prehjes në pjesën e ajetit: "E Allahu zbriti qetësi (në shpirtin) e atij", kemi mendime të ndryshme nga ana e dijetarëve, - nëse është për qëllim Muhamedi a.s. apo shoku i tij Ebu Bekri? Ibni Kethiri, në tefsirin e tij, thekson të dy mendimet, por thotë se mendimi më i njohur dhe më i përkrahur ndër dijetarët është ai se qetësia kishte zbritur në shpirtin e Muhamedit a.s.. Ai pohon se transmetohet nga Ibni Abasi r.a. e të tjerë, të kenë thënë se Muhamedi a.s. kishte vazhdimisht qetësinë dhe prehjen shpirtërore nga ana e Krijuesit, dhe nuk kishte kurrfarë frike, por kjo nuk bie ndesh aspak me mendimin se Allahu xh.sh. ka zbritur edhe një herë qetësinë shpirtërore tek ai si përforcim, në mënyrë të veçantë në atë moment, prandaj edhe në vijim të ajetit tha: "E fuqizoi me një ushtri që ju nuk e patë". [9]

Ndërsa komentuesi bashkëkohor i Kuranit, Muteveli Sharavi, mendon se, nëse analizojmë pjesën e ajetit - "Kur po i thoshte shokut të vet: Mos u pikëllo (frikëso), Allahu është me ne!", - kuptojmë se kjo fjalë ishte e Muhamedit a.s. drejtuar shokut të vet - Ebu Bekrit, që nënkupton se qetësia pati zbritur në shpirtin e atij që ishte i shqetësuar dhe i frikësuar - Ebu Bekrit. [10]

Për sa i përket ushtrisë së padukshme të theksuar në ajet, ajo simbolizon ndihmën, përkrahjen dhe mbrojtjen e Allahut xh.sh. për të Dërguarin a.s., nëpërmjet melaikeve, [11] dhe kjo me rastin e Hixhretit, por edhe gjatë disa luftërave të mëparshme të zhvilluara kundër pabesimtarëve. Kjo ushtri bëri që të pengohej edhe Suraka bin Maliku, këmbët e kalit të të cilit, sa herë tentonte t'i afrohej Muhamedit a.s., shafonin në tokë. Nuk përjashtohet mundësia që kjo ushtri të jetë e panjohur për ne, siç thuhet në ajetin tjetër të kaptinës El-Muddeththir, ajeti 31. "E ushtrinë e Zotit tënd nuk e di askush përveç Atij". Po ashtu, çdo gjë në gjithësi mund të jetë ushtri e Krijuesit dhe nën nënshtrimin e Tij, siç ishte rasti i thurjes së rrjetës nga merimanga, formimi i folesë nga pëllumbat, por ushtri e Allahut xh.sh. mund të jetë edhe ndonjë pabesimtar, duke e bërë që të jetë në shërbim të Islamit. Dhe me të vërtetë, dëftuesi - udhëzuesi i rrugës përgjatë Hixhretit i Muhamedit a.s. nga Meka deri në Medinë, ishte një pabesimtar, i njohur me emrin Abdullah bin Urejkish, në zemrën e të cilit Allahu i Madhërishëm kishte futur besnikëri dhe sinqeritet ndaj Muhamedit a.s., prandaj ai asnjëherë nuk e tradhtoi dhe nuk u tregoi pabesimtarëve për vendndodhjen e Muhamedit a.s. dhe shokut tij. [12]

Në fund të ajetit, Krijuesi Fuqiplotë vërteton një të vërtetë absolute të Islamit, se fjala e Allahut xh.sh. - Islami, është gjithmonë më e larta, ndërsa fjala - vepra e atyre që nuk besojnë, është më e ulëta, dhe se besimi i kotë asnjëherë s'mund të jetë përmbi të vërtetën islame, gjë që u vërtetua edhe me rastin e Hixhretit, kur ngadhënjeu Muhamedi a.s. dhe feja islame.

Në pjesën e ajetit - "E fjalën e atyre që nuk besuan, e bëri më të ulëtën, kurse fjala e Allahut është më e larta", - vërtetohet qartë edhe një urtësi e Krijuesit Fuqiplotë, e cila sinjalizon se para dërgimit të Muhamedit a.s., fjala e pabesimtarëve në një mënyrë ishte e lartë, por vetëm përkohësisht, dhe ishte sikur shkuma mbi ujë, e cila hidhet si mbeturinë, siç thotë i Madhërishmi në kaptinën Err-Rra'd, ajeti 17. "Kështu, Allahu sqaron shembullin e së vërtetës dhe të pavërtetës. Për sa i përket shkumës (së ujit apo të metaleve), ajo hidhet si mbeturinë, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, ajo mbetet në tokë". Me këtë sqarim, Zoti xh.sh. na tregon se fjala e pabesimtarëve kishte qenë përkohësisht e lartë, por i ngjante shkumës së ujit, e cila eliminohet - largohet shumë shpejt nga erërat, e më pas u dërgua Muhamedi a.s. si pejgamber i fundit me mision të thirrjes islame, dhe me ndihmën e Allahut xh.sh. triumfoi Islami - fjala e Krijuesit mbi atë të pabesimtarëve. Me këtë Allahu xh.sh. vërtetoi se fjala e Allahut xh.sh. - Islami, gjithmonë dhe në mënyrë absolute është më e larta dhe ngadhënjyese.

Pabesimtarët dëshiruan mbytjen, ngujimin apo dëbimin e Muhamedit a.s., me qëllim të shuarjes së dritës islame, mirëpo Allahu xh.sh. dëshiroi të kundërtën nga ajo që synuan pabesimtarët, prandaj mbrojti, ndihmoi dhe i bëri triumfues të Dërguarin e Vet dhe Islamin, sepse Ai, Allahu, është më i fuqishmi, më i urti dhe, si i tillë, asnjëherë s'mund të mposhtet nga askush, siç tha: "Ai (Allahu) është që e dërgoi të dërguarin e Vet me udhëzim të qartë e fe të vërtetë për ta bërë mbizotëruese mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët (pabesimtarët) e urrejnë", (Es-Saff:9).

Shembulli i ndihmës së Allahut xh.sh. për Muhamedin a.s., në rastin e Hixhretit, dhe ngadhënjimit tij kur ishte vetëm me Ebu Bekrin, pa ushtri dhe përkrahje njerëzore, - vërteton qartë mrekullinë dhe urtësinë e Krijuesit në përkrahje të së vërtetës, të Muhamedit a.s. dhe fesë islame deri në ditën e fundit të kësaj bote.



Autor: Mr. Adnan SIMNICA



_________________________

[1] - Fi Dhilalil Kur'an, Sejjid Kutub, vëll. i tretë, faqe 1656, viti i bot. 1996, Kajro.
[2] - Muhamed Mahmud Hixhazi, Tefsir El-Vadih, vëll. i parë, faqe 885, viti i bot. 1992, Kajro.
[3] - Po aty, faqe 885.
[4] - Tefsir El- Bejdavi, Envar Et-Tenzil ve Esrar Et-tevil, vëll. i parë, faqe 405, viti i bot. 1999, Bejrut.
[5] - Tefsir El-Vadih, faqe 885.
[6] - Muhamed Meteveli Sharavi, Tefsir Esh- Sharavi, vëll i tetë, faqe 5124-5125, pa vit botimi, Kajro.
[7] - Po aty, faqe 5126.
[8] - Transmeton Buhariu - 4663, dhe Muslimi - 2381.
[9] - Ibni Kethiri, Tefsir El-Kuran El-Adhim, vëll. i dytë, faqe 366, viti i bot. 1991, Kajro.
[10] - Tefsiri i Muteveli Sharavit, faqe 5130.
[11] - Tefsir El-Xhelalejni, Xhelaludin El-Muhili - Xhelaludin Es-Sujuti, faqe 193, viti i bot. 1995, Damask.
[12] - Tefsiri i Muteveli Sharavit, faqe 5130-5131.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...