Shfrytëzo çdo ditë të Ramazanit si të ishte një natë Kadri



Ja ku u takuam përsëri me muajin e madhëruar të Ramazanit fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i tij është falje dhe fundi shpëtim nga zjarri i Xhehenemit. Adhurimet më të veçanta të këtij muaji si mukabeleja (leximi i të gjithë Kur'anit), syfyri, namazi i teravisë plotësohen me shumë ndjeshmëri ditët e para të tij. Por ndonjëherë emocionet e fillimit të muajit nuk vazhdojnë deri në fund të tij. Çfarë duhet të bëjmë gjatë këtij muaji të mëshirës, i cili zë vetëm një muaj të vitit në mënyrë që të rrisim motivimin në plotësimin me ndjeshmërinë më të lartë të të gjitha adhurimeve?

Jemi në ditët e para të muajit të cilin e presim me padurim çdo vit. Sigurisht që muaji i Ramazanit nuk kufizohet vetëm me agjërimin. Ka dhe shumë adhurime të tjera të cilat mbartin vlerat e tyre në këtë muaj. Të parat që na vijnë në mendje janë syfyri, namazi i teravisë, mukabele (leximi i Kur'anit). Në ditët e para ngrihemi me shumë dëshirë në syfyr, falim pa përtesë namazin e teravisë dhe nuk lëmë asnjëherë mukabelenë.

Me kalimin e ditëve në mendje fillojnë të na vijnë pyetje si "po sikur të mos ngrihem sonte në syfyr, a ta lexoj më vonë xhuzin, a të shkoj sonte të fal teravinë"? Motivimi fillon të ulet nën ndikimin e orarit të gjatë të agjërimit dhe të nxehtit. Por nuk duhet të harrojmë se Ramazani zë vetëm 30 ditë të 365 ditëve të vitit. Prandaj duhet të tregohemi të durueshëm dhe të kërkojmë rrugët e shfrytëzimit mirë të këtyre ditëve, shpërblimi i të cilave është i shumëfishtë.

Nata e Kadrit duhet të pritet me emocionin dhe harenë e ditës së parë të Ramazanit. Të vlerësojmë çdo natë të Ramazanit si të ishte një natë Kadri. Ashtu siç tregohemi të pakënaqur ndaj mirësive të kësaj bote, të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe me adhurimet. Profeti ynë i nderuar (a. s) ka thënë: "Kur kërkoni diçka nga Zoti i Madhëruar, kërkoni Xhenetin Firdeus. Firdeus është në mes të Xhenetit dhe ka gradën më të lartë". Nisur nga ky hadith le të përpiqemi të plotësojmë me përpikëri adhurimet veçanërisht në muajin e Ramazanit dhe le të kërkojmë më të bukurën, më të mirën nga Zoti ynë i Madhëruar.

Qëllimi i parë në Ramazan duhet të jetë leximi i gjithë Kur'anit. Ndjekja e leximit të një xhuzi mund të na marrë vetëm 35-40 minuta. Një nga mirësitë e këtij muaji është fitimi i shpërblimit të shumëfishtë dhe marrja e sevapeve të të gjithë natës duke u ngritur në syfyr dhe duke falur namazin e Teravisë. Le të mendojmë pak se ky shpërblim i veçantë për punët e mira është i kufizuar vetëm në 30 ditët e këtij muaji. Për një motivacion vital dhe aktiv gjatë gjithë muajit të madhëruar fillimi i të cilit është mëshirë, mesi falje dhe fundi shpëtim nga zjarri i Xhehenemit duhet të praktikojmë hadithin e Profetit tonë të nderuar (a.s.): "Allahu e ka bërë farz (detyrim) agjërimin ndërsa unë e bëj sunnet faljen e namazit të teravisë".

Një nga adhurimet tjera që vjen bashkë me këtë muaj është dhe namazi i teravisë. Megjithëse para ardhjes së Ramazanit i japim fjalën vetes se do të fal çdo 20 rekatë të namazit të teravisë dhe se do të shkoj çdo ditë në xhami me kalimin e ditëve motivimi bie. Por mos të harrojmë se namazi i teravisë është një dhuratë nga Profeti ynë i nderuar i cili thotë: "Allahu i Madhëruar jua bëri farz agjërimin ndërsa unë e bëra sunnet faljen e namazit të teravisë dhe leximin e Kuranit natën. Ai i cili agjëron duke pritur shpërblimin vetëm nga Allahu (xh.sh), qëndron zgjuar natën, fal namazin e teravisë dhe lexon kuran do të pastrohet nga mëkatet si të kishte lindur përsëri". Ndërsa në një hadith tjetër profeti ynë i nderuar thotë se personi i cili fal namazin e teravisë me imam do të shpërblehet sikur të ketë kaluar gjithë natën me adhurim.


Profeti ynë i shtonte adhurimet në dhjetë netët e fundit të Ramazanit

Ramazani është muaji i adhurimeve të shumta, por dhjetët ditët e fundit të tij duhen vlerësuar më shumë. Kjo pasi ashtu siç na këshillohet në shumë thënie profetike natën e Kadrit duhet ta kërkojmë në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Hz. Aishe (r.a.) tregon se si Profeti kalonte me adhurim dhjetë ditët e fundit të muajit, tregohej më i ndjeshëm ndaj adhurimeve dhe për këtë paralajmëronte dhe të afërmit.


Syfyri është rruga e garantuar e tehexhudit (namazit të natës)

Nuk është e lehtë të prishësh gjumin e natës. Megjithëse ditët e para të Ramazanit ngrihemi në orar ditëve më pas syfyri zëvendësohet me ushqimin e ngrënë në darkë. Kujdesi i ditëve të para duhet të vazhdojë gjatë 30 ditëve të muajit duke marrë parasysh vlerën e syfyrit. Profeti ynë (a. s) thotë: "Në ushqimin e syfyrit ka begati e bereqet. Mos e nënvlerësoni syfyrin qoftë edhe duke pirë një gotë ujë, sepse Allahu e mëshiron atë që ngrihet në syfyr dhe engjëjt luten për faljen e mëkateve të tij". Edhe koha pas syfyrit deri në lindjen e diellit është një kohë e pazëvendësueshme dhe e rëndësishme për besimtarin. Kjo kohë duhet shfrytëzuar për të kërkuar falje, pastaj personi i cili ngrihet në syfyr ka mundësinë të falë namazin e sabahut në kohën e duhur. Krahas kësaj kohën e syfyrit mund ta shfrytëzojmë për të falur dy rekat ose më shumë namaz nate.

Siç e dimë agjërimi është adhurimi i përbashkët i feve hyjnore. Por agjërimi i myslimanëve ndryshon në një pikë. Profeti (a.s.) thotë: "Veçoria dalluese e agjërimit tonë nga ajo e feve të tjera është syfyri".


Ta fillosh apo ta mbarosh?

Ajeti i parë i Kur'anit zbritja e të cilit zgjati 23 vjet, i zbriti profetit Muhamed (a.s.) në Mekë në muajin e Ramazanit. Ky muaj cilësohet dhe si muaji i Kur'anit për shkak të fillimit të zbritjes së tij në këtë muaj. Profeti ynë kalonte më shumë kohë me Kur'anin dhe për sa kohë ishte gjallë, engjëlli Xhibril vinte pranë tij dhe lexonin bashkë Kur'an. "Më i devotshmi ndër ju është ai i cili lexon shumë Kuran", thotë Profeti ynë (a.s.).

Leximi i gjithë Kur'anit në Ramazan është sunet. Sepse engjëlli Xhibrail vinte çdo vit tek Profeti ynë i nderuar për t'ia lexuar Kur'anin nga fillimi gjer në fund dhe Profeti (a. s) e ndiqte atë. Mos të harrojmë dhe fjalët e Profetit (a.s.) kur thotë: "Puna më e dobishme është të fillosh të lexosh Kur'anin dhe ta përfundosh atë".



Përgatiti: dritaislame, gusht 2012.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...