Në atmosferën e Israsë dhe Miraxhit



Israja dhe Miraxhi formojnë një tjetër formë prej formave të lidhjes në mes të Dërguarit të All-llahut (a.s.) dhe Zotit të tij të Madhëruar, pasi shpallja hyjnore dhe dërgesa profetike, nuk ndryshojnë nga Israja dhe Miraxhi për nga kontakti, lidhja dhe vullneti hyjnor, edhe pse mund të ndryshojë pamja e parë, në të cilën shfaqet kjo lidhje.

Nëse shpallja hyjnore dhe dërgesa profetike janë prej veçorive, me të cilat All-llahu veçoi të dërguarit e Tij, Israja dhe Miraxhi gjithashtu janë prej veçorive me të cilat All-llahu veçoi të Dërguarin e Tij besnik, paqja dhe shpëtimi i Tij qofshin mbi të. Veçse koha e ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit ishte përcaktuar në një moment të paraprak.

All-llahu i Madhëruar i reduktoi dimensionet kohore dhe gjeografike dhe i realizoi të Dërguarit të Tij pamjen që i tregoi dhe, e cila përfshinte përfundimin e realiteteve, tek të cilat do të mbërrijë gjendja e racës njerëzore, nga Ademi deri në kiamet. Dhe, në përputhshmëri me këtë pamje, ishte edhe shpejtësia, që reduktoi dimensionin gjeografik me anën e Israsë, natën.

Dhe, në këtë lidhje me të cilën All-llahu kontaktoi robin dhe të Dërguarin e Tij, zbuloi njëkohësisht pozitën e tij tek Zoti i gjithësisë dhe të ardhmen e Mesazhit të tij, pavarësisht a do ta pranonte popullata e Mekës dhe e Taifit, apo do t'ia kthenin shpinën, iu përgjigjën Thirrjes në All-llah, a e përgënjeshtruan atë!

Ndodhia e Israsë dhe e Miraxhit ishte dhurata e All-llahut të Madhëruar për të Dërguarin e Tij, Muhammedin (a.s.), i cili u fal imam në mesin e të dërguarve dhe të cilit iu zbuluan sekretet e të ardhmes së të parëve e të mramëve. Ajo ngjarje u kthye në një provim për besimtarët dhe mushrikët, si dhe qëndrueshmëri në besim për të bindurit!


Ndodhia e Israsë

Thotë All-llahu i Madhëruar: "Pa të meta është Ai, që robit të Vet i mundësoi udhëtimin natën, prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtetë, Ai është Dëgjuesi, Vështruesi" - Kur'ani, El-Isra: 1.

"Ngjarja e Israsë dhe e Miraxhit ka ndodhur në muajin Rexheb, në vitin e 11-të të dërgesës profetike", pas llojeve të shumta të vuajtjeve, me të cilat u përball Resulull-llahu (a.s.) nga populli i tij. Këto vuajtje kulmuan në përballjen e tij me atë që ngjau në thirrjen e Taifit.

Israja dhe Miraxhi ishin dhurata e All-llahut të Madhëruar për të Dërguarin e Tij (a.s.), një udhëtim misionar përforcues, si dhe një dhunti që nuk krahasohet me dhunti!

[Transmeton Hasani (r.a.), që thotë: Ka thënë Resulull-llahu (a.s.): "Teksa po flija në dhomë, më erdhi Xhibrili (a.s.). Më preku më këmbën e tij, u çova, por nuk pashë gjë dhe u ktheva të flej. Erdhi për të dytën herë dhe sërish më preku me këmbën e tij, u çova, por nuk pashë gjë dhe u ktheva të flej. Erdhi për të tretën. Më preku me këmbën e tij, u çova, kur më kapi për krahu dhe u ngrita me të. Dolëm në derë të xhamisë, kur pashë një kafshë të bardhë me dy krahë, me të cilët prekte këmbët e veta ... Më hipi në të dhe dolëm së bashku, as ma kalonte as ia kaloja".

Dhe u nis Resulull-llahu (a.s.) dhe u nis Xhibrili (a.s.) me të, derisa mbërritën në Bejtul-Makdis, ku gjeti Ibrahimin, Musain dhe Isain, së bashku me një grup të dërguarish, të cilëve u priu si imam Resulull-llahu (a.s.). Pastaj iu sollën dy enë, në njërën prej tyre kishte verë dhe në tjetrën qumësht. Thotë: "Resulull-llahu (a.s.) mori enën me qumësht dhe e piu, ndërsa verën e la. Xhibrili i tha: U dhëzove drejt natyrës së pastër ti, u udhëzua edhe ymeti yt, o Muhammed, dhe u bë haram për ju vera!"] - (nga: "Es-Sirren-Nebevijje" e Ibni Hishamit 2/38, sikurse e transmeton Muslimi, hadithi 162, nga transmetimi i Enes ibn Malikut (r.a.).

Dhe transmetimet e shumta të kësaj ndodhie të mrekullueshme vazhdojnë pa fund, teksa lart e poshtë, njerëzit e kohës tonë janë angazhuar në debate pa dobi rreth legjitimimit a jo të përkujtimit të Israsë dhe Miraxhit, përcaktimit të datës së saktë të saj, a në Muharrem, a në Rebiulevvel, a në Rexheb, a para hixhretit a pas tij ...

Ndërkohë, u ndala sonte të rilexoj ca fletë nga shënimet e pedagogut tim të Historisë Islame në Fakultetin e Thirrjes Islame në Damask, Dr. Mervan Shejkhulerd, në veprën e tij në dy vëllime, me titull: "Es-Sirretun-Nebevijje - El-ususud-daavijje vel-hadarijje", botuar në Damask, në maj të vitit 2003, prej ku përktheva pjesën e lartshënuar.

(Në kohën tonë, në Damask thuhej se tre janë baballarët e historisë islame në Siri: Dr. Sheuki Ebu Khalil, Dr. Mervan Shejkhulerd dhe Dr. Suhejl Zekkar).

Në fakt, ndodhia e Israsë dhe e Miraxhit është një ngjarje shumëdimensionale, që Vetë Zoti i gjithësisë e ka përmendur në dy sure të ndryshme. (Elhamdulilah, për këtë nuk ka, as mund të ketë diskutime) Historia e saj është shkruar në faqe pa fund, komente, analiza e përshpirtje nga më të ndryshmet. Detajet e saj mbushin hytbe xhumaje e derse plot dobi.

E, mbi të gjitha, Israja dhe Miraxhi, përveç se madhërim dhe lartësim për pozitën e Hz. Muhammedit (a.s.) tek Zoti i tij, është edhe një sinjal i përvitshëm, që tërheq vëmendjen e muslimanëve në çdo cep të globit për të ecur përpara me besim dhe mbështetje në All-llahun e Madhëruar, drejt ndërtimit të jetës dhe posedimit të shkaqeve për të mos jetuar të nënshtruar ndaj të keqes, idhujtarisë, afetarizmit e sistemeve të shumta të ndërtuara nga njeriu pa Zot!

Sot, përkujtimi i saj është edhe një mundësi e madhe për t'i shprehur njëri-tjetrit ngushëllime për realitetet tona meskine, vëllezërit e mi të dashur muslimanë!



Përktheu dhe përshtati: Imam Muhamed B. Sytari



_________________________

Përktheu nga arabishtja, nga vepra e Dr. Mervan Shejkhulerd, dhe shoqëroi me një shënim: Imam Muhamed B. Sytari.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...