Vlera e 10 ditëve të Dhul Hixhes



Në këto rreshta do të flasim për disa ditë të cilat nuk janë si të tjerat, ditë ku punët e mira kanë më shumë vlerë se në çdo kohë tjetër përfshirë këtu edhe përpjekjen në rrugë të Zotit. Këto ditë janë një periudhë ku besimtarët ftohen të marrin sa më shumë shpërblime nga Krijuesi i tyre, i Cili herë pas here me këto favore dëshiron nga besimtarët që të thyejnë rutinën e përditshme, duke i joshur ata me sevapet madhështore që zakonisht nuk mund t'i fitojnë aq lehtë sikurse në këto ditë. E pra bëhet fjalë për dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe. Këto ditë Allahu i ka përmendur në Kur'an dhe për këtë arsye ato kanë një vlerë shumë të madhe.

Allahu betohet: "Pasha Agimin, Pasha dhjetë ditët, Pasha tekun dhe çiftin ...". I dërguari i Allahut për këtë ajet të Kur'anit sqaron: "Dhjetë ditët janë ditët e kurbanit (të muajit Dhul Hixhe), 'teku' është dita e Arafatit, ndërsa 'çifti' dita e kurbanit".

Dijetarët, duke iu referuar ajetit të sipërcituar janë shprehur se këto ditë janë ditët më të mira të vitit.

Një hadith profetik është formuluar kështu: "Veprat e mira nuk marrin vlerë më shumë ashtu siç mund të kenë në ditët e Dhul Hixhes". Njerëzit e pyetën: "As përpjekja në rrugë të Allahut"? Tha: "As përpjekja në rrugë të Allahut, vetëm nëse në këtë përpjekje personi niset me pasurinë dhe jetën e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre", (Buhari).

Në një tjetër hadith thuhet: "Dita më madhështore është dita e kurban bajramit dhe pastaj dita pas saj", (Ahmedi).

Një nga komentuesit e njohur të Kur'anit, El-Muxhahidi, në lidhje me ajetin në fjalë shprehet: Asnjë punë gjatë gjithë vitit nuk është më e dobishme sesa në dhjetë ditët e Dhul Hixhes. Këto janë dhjetë ditët me të cilat Allahu i plotësoi dyzet ditët e premtuara Musait (a.s.).

Ky dhjetëditësh mund të shfrytëzohet në punë të mira e sublime për të përftuar më shumë shpërblim se zakonisht, por edhe në akte të tjera adhurimore që lidhen kryesisht me këtë kohë të begatë siç janë: kryerja e haxhit dhe veprat e lavdëruara që kryhen në ditën e Kurban Bajramit.

Për të qenë më të qartë, themi se besimtari në këto ditë duhet të largohet nga çdo punë e keqe dhe të rendë pas së mirës. Më poshtë do të përmendim disa nga punët e lavdëruara që preferohen të kryhen në këto ditë të begata. Së pari, vepra më e mirë gjatë këtyre ditëve është falja e namazeve në kohën e tyre. Kur Profeti (a.s.) qe pyetur nga shokët e tij për punën më të mirë, pati thënë: "Falja e çdo namazi në kohën e tij". Të njëjtën vlerë namazit i jep edhe verseti i vijues kur'anor: "Besimtarë janë ata që tregojnë kujdes në namazin e tyre".

Më i rëndësishëm pas namazit të detyruar është falja e namazeve vullnetare ose nafile (sunet). Allahu i Madhëruar thotë në një hadith kudsij: "Robi im nuk mund të afrohet tek Unë me diçka siç mund të afrohet me kryerjen e farzeve, dhe robi Im vazhdon të afrohet më shumë tek Unë duke kryer namazet vullnetare, të pëlqyeshme, deri sa Unë ta dua atë ...".

Kur një nga shokët e të dërguarit të Allahut e pyeti se ç'punë duhet të kryejë që të jetë shoqëruesi i tij në Xhenet, ai e porositi: "Bëj sa më shumë sexhde (falje vullnetare) për të ndihmuar lutjen time".

Falja e namazeve vullnetare ka shpërblim të madh, aq sa i Profeti (a.s.) ka thënë: "Kush fal në ditë 12 rekate (nafile), atij i ndërtohet një shtëpi në Xhenet", (Buhari - Muslim).

Një nga punët e lavdëruara në këto ditë është edhe agjërimi. Agjërimi konsiderohet si një nga veprat me më shumë shpërblime, bazuar në thënien e Allahut të Madhëruar në hadithin kudsi: "Çdo punë që bën biri i Ademit ia di vlerën përveç agjërimit, ai më takon Mua dhe Unë shpërblej për të".

Korifenjtë e dijes e kanë krahasuar agjërimin me durimin që gjithashtu meriton shpërblim të madh. Në Kur'an thuhet: "Durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa llogari".

Hafsa (r.a.), bashkëshortja e të dërguarit të Allahut (a.s.), rrëfen: "Katër gjëra Profeti nuk i linte kurrë: agjërimin e Ashures, agjërimin e dhjetë ditëve të Dhul Hixhes, agjërimin e tri ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve para namazit të sabahut", (Ebu Daudi, Nesai).

Shumica e dijetarëve kanë thënë se agjërimi i dhjetë ditëve të Dhul Hixhes është shumë i vlefshëm. Prej tyre veçohet dita e Arafatit, ditë për të cilën Allahu është betuar në Kur'an. Kjo ditë duhet agjëruar nga të gjithë me përjashtim të personave që janë në haxh. Për agjërimin e kësaj dite i dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: "Shpresoj që Allahu të m'i ketë falur mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit që vjen", (Muslim).

Këtu do të përmendim edhe një tjetër vepër të lavdëruar. Bëhet fjalë për respektimin e prindërve. Kësaj mirësie Allahu i ka dhënë rëndësi të veçantë duke e renditur menjëherë pas njëhsimit dhe adhurimit të Tij: "Zoti yt ka urdhëruar të mos adhurosh tjetër veç Tij dhe me prindërit të sillesh mirë". Në vazhdim të ajetit, Allahu i Madhëruar thotë: "Nëse njërin prej tyre e ka zënë pleqëria nën kujdesin tënd ose të dy ata, mos u thuaj atyre as oh e as of dhe mos u trego i vrazhdë me ta, por thuaju fjalë të buta. Tregohu i mëshirshëm ndaj tyre dhe thuaj: Zoti im, mëshiroji ata të dy ashtu siç u kujdesën për mua kur isha i vogël", (Isra, 23-25).

Tregohet se kur i dërguari i Allahut (a.s.) është pyetur për veprën më të lavdëruar, ai tha: "Namazi në kohën e tij". Kur e pyetën për së dyti, ai tha: "Respektimi i prindërve", (Buhari - Muslim).

Gjatë këtyre ditëve preferohet përmendja e shpeshtë e Allahut. Përmendja e Allahut pëlqehet në çdo kohë, por në këto ditë ajo është akoma më e pëlqyeshme. Në mënyrë të veçantë do të vinim theksin në përmendjen e tekbirit (Allahu Ekber), Tehlilit (La ilahe il'Allah), dhe Tahmidit (Elhamdulilah). Allahu i Madhëruar thotë: "A nuk qetësohen zemrat me përmendjen e Allahut?!". Kur'ani na nxit që ta përmendim sa më shumë Allahun: "Dhe kujtojeni Allahun në ditët e caktuara", këto ditë janë ditët e haxhit.

Një punë e vlefshme është dhe garimi për punë të mira e të dobishme. Të gjitha veprat e mira meritojnë shpërblim, por garimi në to është një frymë që duhet t'i karakterizojë gjithnjë myslimanët. Shtrohet pyetja: në cilat gjëra duhet të garojë besimtari? Në të gjitha punët të cilat i përmendëm më lart, dhe veçanërisht në leximin e Kur'anit, në lutje, në bamirësi e në të tjera vepra që meritojnë shpërblim.

Me këtë frymë na nxit edhe Allahu i Madhëruar në Kur'anin famëlartë kur thotë: "Në gjëra të tilla (të mira) le të bëjnë garë garuesit", (Mutafifin, 26), apo në ajetin tjetër: "Garoni, nxitoni në punë të mira që meritojnë falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe Xhenetin, gjerësia e të cilit është sa ajo e tokës dhe e qiejve, i përgatitur enkas për të devotshmit", (Ali Imran, 133).

Pendimi është më se i nevojshëm në këto ditë. Jo vetëm që llogaritet për mirë, por është dhe vendimtar, për shkak se ai ka si shpërblim faljen e mëkateve nga Allahu i Madhëruar. Në Kur'an thuhet: "Thuaj: O robërit e Mi të cilët e keni ngarkuar veten me gabime, mos i hiqni shpresat nga mëshira e Allahut. Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Mëshirues dhe Falës i Madh", (Zumer, 53).

Në nje thënie profetike thuhet: "Allahu gëzohet me robin që pendohet, më shumë se ai njeri që ka humbur devenë e tij në shkretëtirë. Ai shtrihet i dëshpëruar dhe në këtë gjendje e zë gjumi. Kur zgjohet e gjen devenë e tij mbi krye dhe nga gëzimi i madh thotë: O Zot! Ti je robi im dhe unë jam zoti yt. Gabon nga gëzimi i madh!", (Buhari).

Nga punët e mira që besimtari mund të kryejë gjatë këtyre ditëve është dhe vizita e të afërmve. Allahu i Madhëruar thotë: "... Kini frikë Allahun me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajeni farefisin. Vërtet, Allahu është mbi ju Mbikqyrës!", (Nisa, 1).

Një pikë tjetër e rëndësishme është namazi i natës. Për vlerën e këtij adhurimi Allahu thotë: "A është më i mirë ai që i nënshtrohet Allahut dhe bie në sexhde për Të, falet në orët e vona duke iu frikësuar dënimit të jetës së përtejme e duke shpresuar mëshirën e Tij (apo ai që mohon dhe nuk beson)?", (Zumer, 9). Në një ajet tjetër thuhet: "Dhe një pjesë të natës kaloje me Kur'an duke u falur, se Zoti yt do të të ngrejë ty (o Muhamed) në një vend të lavdishëm", (Isra, 79).

I dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: "Allahu i Madhëruar i qesh dy personave, njëri është ai që natën e ftohtë ngrihet nga shtrati, merr abdes dhe falet". Allahu pyet engjëjt e Tij: "Ç'e shtyu robin Tim të veprojë kështu"? Ata i thonë: "Shpresa dhe frika e asaj që gjendet tek Ti". Atëherë Allahu thotë: "Ia kam dhënë atë që shpreson dhe e kam siguruar nga ajo të cilës i frikësohet ...", (Ahmedi).

Seid ibn Xhubejri r.a. rrëfen: Kur hynin dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes, Profeti falej aq shumë sa askush nuk falej si ai, dhe thoshte: "Mos i fikni llambat e këtyre netëve të Dhul Hixhes!", ngaqë i pëlqente shumë adhurimi në këto netë të bekuara.

Profeti (a.s.) i ka nxitur besimtarët që këto kohë të begata t'ia kushtojnë adhurimit të Allahut, me qëllim që të pastrojnë shpirtrat prej mekateve e të meritojnë mirësinë e shpërblimit nga Ai.

Këto adhurime mund të kryen edhe në ditë të zakonshme, por siç e theksuam ato shpërblimin më të madh e kanë në këto ditë. Ky dhjetëditësh ka edhe disa specifika të veçanta siç janë: rituali i haxhit dhe kurbani. Haxhi është një nga adhurimet me të rëndësishme. Nëpërmjet tij, myslimanit i jepet një rast i mirë për t'u kthyer edhe njëherë ashtu siç e ka lindur nëna, bazuar në thëniet profetike. Dobitë e haxhit janë të shumta duke filluar nga udhëtimi i lodhshëm, bindja ndaj Allahut, shpërblimi i Allahut në dynja dhe ahiret, etj..

Në ajetin e Kur'anit që përmendëm në fillim, Allahu i Madhëruar betohet në dhjetëditëshin e parë të Dhul Hixhes dhe gjithashtu betohet në tekun dhe në çiftin. Lidhur me këtë Profeti (a.s.) shprehet: "Teku është dita e Arafatit, kurse çifti është dita e kurbanit". Arafati ështe shtylla kryesore e haxhit. Për rëndësinë që mbart Profeti (a.s.) ka thënë kështu: "Haxhi është dita e Arafatit".

Dita e Kurbanit është një kohë tjetër e begatë që Profeti (a.s.) e ka veçuar nga ditët e tjera. Sakrifica dhe flijimi në emër të Allahut e ka origjinën te profeti Ibrahim. Ai iu nënshtrua urdhrit të Allahut për të bërë fli djalin e tij, Ismailin.

Ja se si e përshkruan Allahu këtë ngjarje në Kur'an: "Ne e përgëzuam Ibrahimin me një djalë të mirë e të sjellshëm. Kur djali u (rrit) angazhua në punët e jetës me të atin, Ibrahimi i tha: O biri im, pashë në ëndërr (në shpallje) sikur po të bëja kurban. Çfarë mendon ti? Ismaili tha: - O babai im, vepro ashtu siç je urdhëruar se, në dashtë Allahu, unë do të jem nga të duruarit. Kur ata iu nënshtruan plotësisht urdhrit të Allahut, dhe Ibrahimi e ktheu të birin (me ballin përtokë) për ta bërë kurban, e thirrëm: - O Ibrahim! Ti e përmbushe ëndrrën (zbatove urdhrin). Ne kështu i shpërblejmë bamirësit. Në të vërtetë, kjo ishte një sprovë e madhe dhe e qartë. Ne e shpaguam (Ismailin) me një kurban të madh (me një dash të madh) dhe e lamë (atë) si përkujtim për popujt dhe brezat e ardhshëm", (Safat, 101-108).

Kurbani është domethënia e sakrificës dhe një dëshmi e qartë e dashurisë dhe bindjes së krijesës ndaj Krijuesit. Ky është kuptimi i kurbanit në Islam, që do të thotë sacrificë vetëm për hir të Allahut. Myslimani e feston bajramin pas kurorëzimit me sukses të të gjitha atyre punëve të mira si dhe kalimin me sukses të të gjitha sprovave që kanë si përfundim kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut. Myslimani feston për fitoren. Në këtë gjendje ai ka se për çfarë të festojë.



Përgatiti dhe përshtati: Revista Drita Islame, Tetor 2012.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...