Eja me mua në 'Xhihad'!



Po, e lexove saktë. Pikërisht në Xhihad të thërras. Në xhihadin e madh, atë që jo çdokush ka guximin ta bëjë. Vetëm më të guximshmit, më të fortët, më të vendosurit mund të shkojnë në xhihadin e madh. Eja, bashkohu edhe ti për xhihadin e madh, e mos i dëgjo ata që të thërrasin për ato xhihadet e vogla që nuk të takojnë as ty e as mua!

E pra, çka është ky xhihadi i madh për të cilin po shkruaj dhe po bëj thirrje të hapur? Më lejo që të tregoj një rast nga jeta e më të shtrenjtit tonë, njeriun më të dashur tek Zoti, Pejgamberit Muhamed a.s. (paqja qoftë mbi të).

Muslimanët e parë u dënuan me 3 vite embargo nga idhujtarët mekas që nuk pranonin tolerancë fetare ndaj Islamit, edhe pse ishin të hapur për të gjithë të tjerët. Pas këtij rasti, Zoti i lejoi që të shpërngulen në Medine duke lënë gjithë pasurinë pas. Përkundër të gjitha sfidave të rrugëtimit, të vendosjes në vend të huaj, të jetesës së rëndë, papritmas vjen thirrja për luftë, për xhihad. Një grup i përbërë prej 300 muslimanëve nga të cilët jo çdokush dinte si të luftojë dhe pa përvojë lufte, u përball me një ushtri të përgatitur prej mbi 1000 ushtarësh.

Me disa strategji të përkryera, me një durim të fuqishëm dhe pas një beteje të përgjakur, muslimanët fituan me ndihmën e Zotit.

Dhe pikërisht në këtë moment, kur gjithçka u duk se mbaroi, e shokët e Pejgamberit a.s. ende nuk e kishin marrë veten si duhet, ky Pejgamber i madh e bujar tha diçka që mediat assesi nuk dëshirojnë ta promovojnë: "Ju keni ardhur nga xhihadi i vogël për në xhihadin e madh".

E kur e pyetën se çka është xhihadi i madh, u përgjigj "Është xhihadi kundër nefsit".

Kjo përgjigje e thjeshtë sipërfaqësisht por e thellë në brendësi, është zgjidhja e shumë problemeve. Nuk ka dyshim se lufta për të mbrojtur atdheun, fenë, familjen, dinjitetin dhe lirinë tënde është një akt që meriton çdo lëvdatë.

Por, kjo është vetëm në raste të patjetërsueshme dhe është xhihadi i vogël. Ajo që kërkohet nga ne si pjesëtarë të kësaj feje të mrekullueshme, tolerante dhe gjithëpërfshirëse, është lufta apo përpjekja kundrejt veseve tona, ky është xhihadi i madh.

- O ti që po endesh rrugëve pa asnjë plan jete!

- O ti që nuk ke vullnet as për të jetuar e jo më për të bërë punë!

- O ti që të vetmin aktivitet e quan shkuarjen në kafene!

- O ti që mezi pret të largohesh nga vendlindja!

- O ti që fle në agim dhe zgjohesh në perëndim të diellit!

- O ti që e ke burgosur brenda vetes një potencial të mahnitshëm që mezi pret të vihet në përdorim!

- O ti që duhet të jesh motori që e lëviz shoqërinë!

- Moj rini, e mrekullueshmja rini, eja me mua në Xhihadin e vërtetë!

Le të nisim nga fillimi, nga mësimi i parë që Zoti e urdhëroi robin më të dashur nëpërmjet engjëllit besnik. Le të fillojmë nga leximi i shenjtë që thyen barriera, ndërton ura dhe bashkon zemra. Le të lexojmë sa më shumë që të ndërtojmë intelektin tonë! Le të zgjerojmë horizontin tonë të dijes që të jemi të hapur ndaj ideve të ndryshme! Le të zhvillojmë kapacitetin tonë që mezi pret të zhytet në oqeanin e shkencës! Le të hulumtojmë çdo libër, çdo lëndë, çdo drejtim, çdo shkencë dhe çdo teori! Ky lexim do jetë drita jonë që do na tregojë rrugën në këtë errësirë që ka kapluar vendin tonë.

Boll u morëm me të tjerët, mjaft më me hedhjen e fajit tek të tjerët. Ndryshimi fillon nga pranimi i gabimit, vazhdon me ndryshimin e vetes dhe mbaron me shërbimin ndaj shoqërisë. Andaj, mbaroi periudha e fajësimit të të tjerëve, sepse faji na takon vetëm neve. Tani kemi arritur në kohën ku duhet të ndryshojmë veten tonë. E ky ndryshim nuk është aspak i lehtë, sepse po të ishte ashtu, nuk do të quhej "Xhihadi" i madh, megjithatë historia na motivon kur na tregon se ky popull i urtë dhe tolerant, populli jonë shqiptar, është i njohur për trimëri dhe vendosmëri të jashtëzakonshme.

Andaj, eja me mua në Xhihad!



Autor: Arlind MUSLIU

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...