Tentativa për vjedhje të trupit të të Dërguarit a.s.



Dihet fortë mirë se gjatë tërë historisë Islame, armiqtë e Islamit dhe të Dërguarit a.s. tentuan të çrrënjosin Islamin dhe të eliminojnë të Dërguarin e All-llahut xh.sh. derisa Ai ishte i gjallë. Tentimet e tilla për eliminim fizik të të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. ishin si rezultat i mos aftësive të tyre që thirrjes Islame t'i përballonin me argumente dhe fakte.

Por të gjithë tentimet e tyre për eliminim e Pejgamberit a.s. dështuan, sepse në mbrojtjen e Tij ishte All-llahu xh.sh. dhe eliminimi i tij fizik as që vjen në shprehje, sepse All-llahu xh.sh. i kishte premtuar Imunitet, ndërsa All-llahu xh.sh. nuk e thyen premtimin. Në lidhje me imunitetin e Pejgamberit a.s. All-llahu xh.sh. në Kur'ni Kerim thotë: 'All-llah të ruan ty prej njerëzve'. [1]

Pasi që armiqtë e Islamit nuk korrën sukses në eliminimin fizik të Pejgamberit a.s. ata nuk pushuan në tentimet e tyre që të dëmtonin Islamin, muslimanët dhe Pejgamberin a.s. edhe pas vdekjes së Tij, andaj shpirt këqinjtë me intrigat e tyre disa herë kishin tentuar që ta shqetësojnë edhe në varrin e tij a.s., ashtu që u munduan ta nxjerrin nga varri dhe ta transferonin në ndonjë vend tjetër për të arritur qëllimet e tyre të errëta.

Në vazhdim të përmendin disa tentime për zhvarrosjen e Pejgamnberit a.s. nga varri i Tij. [2]


Tentimi i parë

Në fillim të shekullit të pestë sipas hixhrij, derisa Egjiptin e sundonte Sunduesi Shiit El-Hakim bi Emril-lah (Ishte sunduesi i gjashtë nga dinastia Ubejdite, sundoi që nga viti 386 e deri në vitin 411 sipas hixhretit), disa nga këshilltarët e tij këshilluan El-Hakim bin Emril-lah, që trupin e Pejgamberit a.s. nga Medine Munevvere ta transferon në Egjipt. Këshilltarët pas disa bisedave që kishin bërë me sunduesin e Egjiptit, arritën ta bindin atë për një veprim të tillë.

Transferimin e trupit të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. ata ia arsyetuan sunduesit, se, nëse bëhet zhvarrimi dhe transferimi i Pejgamberit a.s. në Egjipt, njerëzit në vend që t'ia mësyjnë Medinës Munevvere ata do të drejtohen drejt Egjiptit, dhe në këtë formë ata në këtë vend do të tërheqin vëmendjen e turistëve dhe vizitorëve anë e kënd e botës, e kjo do të ishte një privilegj e veçantë për Egjiptin. El-Hakim bin Emril-lah për një transferim të tillë ngriti një mauzole për të cilin shpenzoi shumë pasuri, pastaj për realizimin e asaj vepre të shëmtuar urdhëroi mëkëmbësin (valiun) e Medines Munevver Ebul Futuhin të bëjë zhvarrimin e trupit të Pejgamberit a.s. dhe të sjellë në Egjipt.

Ebul Futuhi tuboi banorët e qytetit dhe i informoi për kërkesën e tillë. Medinasit kur kuptuan qëllimin e tij, ata u revoltuan aq shumë dhe me këmbëngulje refuzuan qëllimin e tij. Ky akt, i terrorizoi aq shumë saqë për të shprehë revoltën e tyre ata ishin të gatshëm edhe për sulme fizike, për të penguar këtë akt vandal, mirëpo, prania e madhe e forcave të sigurimit të sjella nga Egjipti pengoi sulmin e tyre. Ebul Futuhi, valiu i Medinës kur pa rezistencën e banorëve të Medinës Munevvere dhe se realizimi i projektit të turpshëm nuk mund të realizohet vetëm pas derdhjes së gjakut, në atë gjendje të tensionua, Ebul Futuhi medinasëve ju drejtua me këto fjalë: "All-llahu është, i vetmi që duhet të frikohemi, sikur do të isha pyetur për një gjë të tillë, asnjëherë nuk do ta bëja një vepër të këtillë".

Ndjeu shtrëngim në gjokes, u turpërua dhe kuptoi se tentoi të bënte një vepër të turpshme. Po atë ditë, para se të perëndonte dielli, Medinën Munevvere e përfshiu një stuhi e trishtueshme që, shkuli shumë pemë, barti me vete devetë, kuajt, çdo gjë rrokullisej si topi mbi tokë. Nga kjo stuhi trishtuese vdiqën shumë njerëz, e në Medine u ndje si një tërmet shkatërrues. Pas kësaj stuhie shkatërruese, Ebul Futuhi u bind se, zhvarrimi i Pejgamberit a.s. është i pa mundur. Pasi u qetësua dhe u rehatua, stuhia ia largoi frikën e sunduesit, sepse, mos realizimin e këtij projekt para El-Hakim bi Emril-lah do ta arsyetoj për shkak të stuhisë së madhe që përfshiu Medinën në shenjë mbrojtje të Pejgamberit a.s..


Tentimi i dytë

Transmetohet në historinë islame se El-Hakim bin Emril-lah pasi që herën e parën dështoi të zhvarros dhe dislokojë trupin e Pejgamberit a.s. ai sërish tentoi që edhe një herë të bënte zhvarrimin e Pejgamberit a.s. dhe të transferonte në Egjipt për të varrosur atje.

El-Hakim bin Emril-lah pasi në herën e parë dështoi të zhvarros trupin e Pejgamberit a.s. dhe si arsyetim e mori veprimin se dislokimin deshi ta bëjë në mënyrë të hapur, para syve të medinasve dhe me dhunë, tash ky sundues të njëjtin veprim do ta bëjë në mënyrë të fshehur. Për të realizuar qëllimin e tij, dërgoi misionar që ishin, larg syve të medinasve. Këtë veprim ata dhe ta zbatonin në mënyrë sekrete dhe për këtë operacion nuk duhej të dinte askush përveç ekzekutorëve të operacionit dhe sunduesit.

Të dërguarit e El-Hakim bin Emril-lah me detyrë speciale dhe top sekrete, u vendosën në një banesë në një shtëpi afër xhamisë - varrit të të Dërguarit All-llahut xh.sh.. Nga vendi i banimit të tyre, ata filluan të gropojnë tunel drejt varrit të Pejgamberit a.s.. Mirëpo, kur ata ishin ofruar afër varrit të Pejgamberit a.s., medinasit - banorët e Medinës Munevvere në qiellin e Medinës vërejtën një dritë - nur të madhe dhe dëgjuan një zë nga i lartë i cili, thoshte: "O njerëz, Pejgamberi i juaj zhvarroset, Shpëtoni Atë".

Pas këtij nuri dhe kësaj thirrje, të gjithë medinasit me nxitin ja mësyn xhamisë dhe varrit të Pejgamberit a.s.. Kontrolluan nga të katër anët dhe hetuan çdo vend për rreth varrit dhe gjatë hulumtimit ata hasën në një tunel i cili, ishte gropuar prej një shtëpie në drejtim të varrit të Pejgamberit a.s.. Këta misionar të operacionit sekret u arrestuan, pranuan se janë të dërguarit e El-Hakim bin Emril-lah me qëllim të zhvarrosin Pejgamberin a.s., dhe në fund medinasit këta testuese kriminal i ekzekutuan.


Tentimi i tretë

Tentimi i tretë për vjedhjen e trupit të Pejgamberit a.s. ishte planifikuar nga ana e të Krishterëve në vitin 557 sipas hixhretit, ndërsa realizimi i këtij projekti ishte planifikuar të realizohet mes dy të Krishterëve Marokian (të krishterë nga Maroko). Kjo aventurë ishte planifikuar gjatë kohë dhe në mënyrë të detajuar dhe precize, por dëshira e All-llahut dhe fuqia e Tij është mbi të gjithë intrigat, planifikimet dhe tentimet të përgatitura nga armiqtë e Islamit dhe të të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s., All-llahu xh.sh. i premtoi Pejgamberit a.s. se do ta mbronte nga njerëzit, kjo nënkupton se, All-llahu xh.sh. e mbron të Dërguarin e tij derisa ishte i gjallë dhe pas vdekjes së tij dhe se All-llahu qëndron pas premtimit të Tij dhe nuk e thyen atë.

Në shekullin e gjashtë derisa Egjipti, Shami (Siria, Jordania, Libani, Palestina dhe një pjesë e Irakut) dhe vendet e shenjta ishin nën sundimin e mbretit Muhamed b. Imaduddin Ebul Kasim Nuruddin Zenki i njohur me nofkën Mbreti i Drejt Nuruddin Esh-shehid, në këtë periudhë të krishterët e Evropës përmes disa të krishterë të Marokut tentuan të zhvarrosin trupin e të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s.. Të dhënat historike flasin se, mbreti i drejtë Nuruddin Esh-Shehid, vërtet dallohej me devotshmëri, drejtësi dhe guxim, respektonte dhe kryente parimet dhe normat Islame në përpikshmëri, kryente obligimet fetare pa përtesë, krahas obligimeve fetare dhe atyre që ndërlidheshin me çështjet e sundimit, ai kryente edhe shumë vepra vullnetare - nafile. Falte namaze nafile për çdo natë, në mënyrë të rregullt dhe për çdo natë para se të flinte bënte lutje të caktuara (vird - evrad) e më pas flinte.

Një natë mbreti i drejtë fali nafilet siç kishte princip bëri lutjen dhe ra të flejë. Kësaj nate në ëndërr iu paraqit Pejgamberi a.s. dhe i tha: "Më ndihmo, më shpëto nga këta dy, duke bërë Pejgamberi a.s. me gisht drejt dy njerëzve të bardhë - kuqërremtë". U ngrit i trishtuar nga gjumi, morri abdest fali namaz dhe sërish ra të flejë, por prapë pa të njëjtën ëndërr. Përsëri u ngritë i frikësuar prapë morri abdest fali namaz dhe ra të flejë. Mirëpo ëndrra dhe Pejgamberi a.s. do ti paraqitet për së treti herë.

Pas kësaj ngrit nga gjumi dhe tha: "më nuk ka vend për gjumë"? Me njëherë pa u hamend ftoi ministrin e tij, i cili po ashtu ishte i mirë dhe i drejt. Pas pak kohe erdhi ministri i tij në audiencën e mbretit të drejt, e mbreti rrëfeu ëndrrën. Ministri i tij i tha: "Çka pret më, menjëherë urgjentisht udhëto për në Medine dhe për këtë që ke parë mos i trego kujt", e këshilloi ministri Xhemaluddin Musili.

Në të njëjtën natë, mbreti i drejt i shoqëruar me ministrin dhe njëzet (20) persona të tjerë udhëtuan për në Medine Munevvere dhe me veti morën pasuri të madhe. Pas gjashtëmbëdhjetë ditëve udhëtimi arritën në hyrje të Medines Munevvere. Para se të hyjë në qytet u pastruan dhe ja mësynë xhamisë së Pejgamberit a.s.. Kur arritën në xhami, u falë në Rauda Mutahere, pastaj vizitoi të Dërguarin e All-llahut xh.sh.. Ministri i tij, informoi popullatën se mbreti i drejt ka ardhur në Medine Munevvere me qëllim vizite, dhe me vete ka sjellën shumë pasuri - sadeka për medinasit, por secili medinas personalisht duhet ta pranon, sepse, vetë mbreti i drejt personalisht do të dorëzon dhuratën, në të kundërtën ngel pa lëmosh.

Kështu me urdhrin e mbretit të drejtë prezantuan medinasit dhe filluan të pranojnë lëmoshat. Derisa mbreti i drejtë dorëzonte lëmoshën ai me vëmendje përcillte çdo person dhe bënte krahasimin me personin të cilin ia tregoi Pejgamberi a.s., në ëndërr. Medinasit kaluan një nga një, por mbreti nuk i pa ata fytyra që Pejgamberi a.s. i sinjalizoi në ëndërr.

Pasi kaluan të gjithë medinasit një nga një, mbreti pyeti: a ka mbetur dikush tjetër pa marrë sadeka? Jo, ju përgjigjen paria e Medinës. Mendohuni, kujtohuni mirë u tha: mbreti i drejt. Paria e medinës iu përgjigjën: nga banorët e Medinës Munevvere nuk ka ngelur asnjë, përpos dy burrave që kanë ardhur nga Maroku, janë burra të mirë, të devotshëm dhe të pasur. Ata nga askush nuk pranojnë sadeka, bile jo që nuk pranojnë nga askush sadeka por, ata janë shumë dorëdhënëse dhe bujar, pa ndërpre dhe pa llogari ju shpërndajnë sadeka të varfërve dhe skamnorëve. Në këtë raste u rehatua mbreti i drejtë dhe tha: "Mi sillni këtu që të dy".

Me të prezantuar të dy personat, mbreti i drejt u vërtetua se ata janë dy personat që ia tregoi Pejgamberi s.a.v.s. në ëndëër dhe kërkoi që nga ata ti ndihmonte dhe ta shpëtonte. Prej nga jeni, i pyeti mbreti i drejtë? Nga Maroku, kryem obligimin e Haxhit dhe vendosëm që për një kohë të qëndrojnë pran Pejgamberit a.s., u përgjigjen ata? Më tregoni drejtë, u tha Mbreti, ata heshtën, ku banoni? I pyeti përsëri, në Ribatin - Hotelin - Hanin i cili gjendet afër varrit të Pejgamberit a.s. u përgjigjën? I arrestoi dhe me ta kontrolloi vendbanimin ku qëndronin, aty gjeti një shumë të madhe pasurie dhe dokumente.

Në fillim përveç pasurisë dhe disa dokumente nuk gjeti asgjë, në këtë rast medinasit filluan të japin komplimente mbi këta persona, janë burra të devotshëm, agjëruese gjatë tërë kohës, çdo namaz falin në Rauda Sherife dhe vizitojnë Pejgamberin a.s., vizitojnë varrezat Xhennetul Bekiië për çdo mëngjes, çdo të shtunë vizitojnë Xhaminë Kuba dhe janë dorëdhënës, secilit lypës i japin dhe askënd nuk e kthejnë prapë pa i dhënë. Kështu i përshkruan dhe lavdëruan medinasët këta dy persona para mbretit të drejtë.

Në këtë situatë dhe pas kontrollit të vendit mbreti i drejt mbeti i habitur, nuk gjeti ndonjë provë që vërteton fajësinë e tyre. Mbreti i drejtë kontrollimin e filloi personalisht në vendbanimin e tyre, e derisa kontrollonte ngriti një shtroje nga toka. Në këtë rastë hetoi një tunel të gropuar drejt varrit të Pejgamberit a.s.. Kur kontrolluan tunelin kuptuan se ata tunelin kishin gropuar deri afër varrit të Pejgamberit a.s., Të pranishmit ngelën të habitur.

Më tregoni drejtë, kush jeni ju, u tha mbreti i drejtë? Në këtë situatë, ata pranuan se, janë të krishterë, të dërguar në mision special, të maskuar me uniformë të haxhive të Marokës, u vendosën afër varrit të Pejgamberit a.s., gjatë natës groponin, dheun e mbushnin në çantat e lëkurës dhe në mëngjese kinse vizitojnë varrezat Xhenetul Bekii e atje nëpër varreza shpërndanin dheun. Pasi ata pranuan dhe denoncuan aktin kriminel, ata u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan menjëherë.

Pas këtij tentimi në vitin 557 sipas hixhretit dhe tentimeve të mëparshme mes viteve 386-411 h., Sulltani respektivisht mbreti i drejt Nuruddin Zenki për rreth varrit të Pejgamberit a.s. hapi themel të gjer dhe të thellë derisa doli uji, pastaj në afërsi të Xhamisë së Pejgamberit a.s., respektivisht disa hapa afër Babu Selam përgatiti shkritore të përkohshme për shkrirjen e plumbit. Nga kjo shkritore bënte shkrirjen e plumbit dhe e hidhte në themelin e gropuar rrethe varrit të Pejgamberit a.s., derisa e mbushi themelin me plumb.

Kjo shkritore (vendi ku ishte shkritorja) qëndroi deri më vitin 1397 sipas hixhretit dhe njihej me emrin "Sekifetu Rasas" në këtë vite u rrënua për shkak një zjarri i cili kaploi këtë anë dhe më pas për shkak të zgjerimeve të Xhamisë së Pejgamberit a.s. ky vend sot nuk ekziston. Sultan Nuruddin Zenki rrethoi varrin e Pejgamberit a.s. me plumb të shkrirë vetëm e vetëm që më mos të ketë tentime për vjedhje të Pejgamberit a.s. dhe të lënë të Dërguarin e All-llahut rehat të prehet në varrin e tij.

Tentimet e tilla të dështuara për vjedhjen e trupit të Pejgamberit a.s. nënkuptojnë se, All-llahu xh.sh. të dashurin e Tij Muhamedin a.s. pejgamberin e fundit për tërë njerëzinë e mbron për së gjalli dhe pas vdekjes së tij, në anën tjetër kuptohet se Pejgamberit a.s. edhe pas vdekjes së tij posedon po atë autoritet që ka poseduar derisa ishte i gjallë.

Përfundojmë me salevate dhe selame mbi shpirtin e Muhamed Mustafas s.a.v.s..



Autor: Mr. Taxhedin BISLIMI


_________________________

[1] - Sure, El-Maide, 67.
[2] - Abdulganij. Muhamed Iljas, Tarihul mesxhidu nebevij sheriff, fq, 174. Aljevi. Ibni Halife, Hadhihi akidetul selef vel halefi, fq, ???.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...