Fetva mbi bid'atin dhe llojet e tij



Pyetje:

Cila është domethënia e bid'atit, si kanë vepruar dijetarët e ymmetit me bid'atin, cili është të kuptuarit e vërtetë të çështjes së bid'atit?


Përgjigje:

Për ta njohur domethënien e bid'atit dhe për ta kuptuar të vërtetën e tij, është patjetër që të njihemi me domethënien e tij nga aspekti gjuhësor (el-lugah), dhe kështu me domethënien e tij nga aspekti terminologjik i sheriatit. Atëherë le të fillojmë me domethënien gjuhësore.

Domethënia gjuhësore e bid'atit

Bid'ati është risi (el-hadeth) dhe ajo që është bërë në fe pas plotësimit të saj. Ibnu Es-Sukejti thotë: Bid'ati është çdo risi. Fjala risi në traditë zakonisht përdoret në kontekst të përçmimit. Ebu Adnan thotë: Rismëtari (المبتدع) është ai i cili e çpikë një çështje të cilën nuk e ka parapri askush më parë përpos tij. Filani është rismëtar në këtë çështje, do të thotë: i pari që nuk është paraprirë nga askush. Thuhet nuk është për mua rismëtar dhe as novator ... Fjala bid'at vjen në format e saj foljore: أبدع , إبتدع , تبدَّع , që do të thotë: bëj risi.

Allahu i madhëruar thotë: وَرَهْبَانِيَّةً ابْتَدَعُوهَا - "... ndërsa murgësinë ata vetë e shpikën ...", [1] pastaj në formën foljore: بدَّعه - e ka akuzuar për bid'at, إستبدعه - e ka llogaritur për bid'at, ألبديع - risi e çuditshme, po ashtu ألبديع - do të thotë: novator shpikes, kurse أبدعت الشيئ - do të thotë 'kam shpikur një gjë jashtë çdo modeli paraprak'. [2]


Domethënia terminologjike e bid'atit

Nga aspekti terminologji i sheriatit, ekzistojnë dy mënyra të definimit të bid'atit.

Mënyra e parë: është mënyra e El-Izz bin Abdis-Selam, i cili bid'atin e definon si një gjë që Pejgamberi a.s. nuk e ka vepruar (إن ما لم يفعله النبي بدعة) , dhe e ndanë në disa dispozita, ku thotë: Bid'ati është një veprim që nuk ka ekzistuar në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. dhe ndahet në:

1. - Bid'at i obliguar (بدعة واجبة) ,
2. - Bid'at i ndaluar (بدعة محرمة) ,
3. - Bid'at i rekomanduar (بدعة مندوبة) ,
4. - Bid'at i urrejtur (بدعة مكروهة) , dhe
5. - Bid'at i lejuar (بدعة مباحة) .

Kurse rruga për të njohur se çfarë bid'ati është, nevojitet që atë cilin e parashtrojmë përpara rregullave të sheriatit (قواعد الشريعة) :

1. - nëse ai (bid'ati) hyn në kategorinë e gjërave të obliguara, atëherë ai është vaxhib - i obliguar,
2. - nëse hyn në kategorinë e të ndaluarave, është haram - i ndaluar,
3. - nëse hyn në kategorinë e rekomandimeve, ai është mendub - i rekomanduar,
4. - nëse hyn në kategorinë e të urrejturave, ai është mekruh - i urrejtur,
5. - e nëse hyn në kategorinë e të lejuarës, ai është mubah - i lejuar. [3]

Këtë domethënie e vërteton edhe Imam Neveviju r.h. kur thotë: "gjithçka që nuk ka qenë në kohën e Pejgamberit a.s. quhet bid'at, mirëpo ka nga ai që është i mirë (hasenen), dhe po ashtu ka që është në kundërshtim me këtë". [4]

Mënyra e dytë: është ajo e cila të kuptuarit e bid'atit në kuadër të kuptimit terminologjik e bën më të veçantë nga të kuptuarit e tij në gjuhë. Prandaj bid'atin e konsideron vetëm si të përçmuar dhe nuk e quan fare me dispozitën e vaxhibit, mendubit, mubahit dhe mekruhit, sikurse veproi El-Izz. Kjo mënyrë e të kuptuarit të bid'atit, e ngushton atë vetëm në të ndaluar. Prej atyre që e mbrojnë këtë qëndrim, është Ibni Rexhep El-Hanbelij r.h. i cili e qartëson këtë domnethënie kur thotë:"Bid'ati nënkupton atë risi e cila nuk ka bazë në sheriat që dëfton për mbështetjen e saj, ndërsa, nëse ka bazë në sheriat që dëfton për mbështetjen e saj, atëherë ajo nuk llogaritet bid'at, anipse nga aspekti gjuhësor e meriton të quhet e tillë (و اما ما كان له اصل في الشرع يدل عليه فليس ببدعة، و إن كان بدعة لغة) . [5]

Në të vërtetë që të dy mënyrat dakordohen mbi të kuptuarit e realitetit të bid'atit, megjithë ndryshimin e tyre në fillim, që çojnë deri te kuptimi për të cilin janë unikë se bid'ati i përçmuar (المذمومة) vepruesi i të cilit bën mëkat, është ai bid'at i cili nuk ka bazë në sheriat që dëfton për të, dhe kjo është ajo që Resulullahi s.a.v.s. e ka thënë: كل بدعة ضلالة - "disa prej bid'ateve janë devijim". [6]

Kështu në këtë kuptim të qartë dhe të drejtë, kanë shkuar imamët (prijësit) e juristëve islamë dhe dijetarët e ymmetit, meritor për t'u pasuar. Transmeton imam Bejhekiu nga Imam Shafiu se ka thënë:Risitë e çështjeve janë dy sosh:

E para: ajo çka kundërshtohet nga Kur'ani apo Sunneti apo tradita apo koncenzuesi i dijetarëve (ixhma), e ky është bid'ati që shpie në devijim, dhe
E dyta: është një bid'at i mirë i cili nuk kundërshtohet nga asnjëri prej tyre, prandaj ky është bid'at që nuk duhet nënçmuar. [7]

Autoriteti i Islamit Ebu Hamid El-Gazalij r.h. thotë: "çdo gjë që është bid'at nuk është e ndaluar, por i ndaluar është një bid'at që kundërshton Synnetin e vërtetuar dhe pezullon një çështje që është prej sheriatit". [8]

Gjithashtu transmeton imam Neveviju r.h. nga mbreti i dijetarëve Imam Iz-zud-din bin Abdis-Selam, ku Neveviju thotë:"Ka thënë dijetari i madh, imami, për dituritë e gjera të tij në shkenca të ndryshme, kanë unanimitet dijetarët Ebu Muhammed Abdul Aziz bin Abdus-selam në fund të librit të tij "El-Kavaidu": Bid'ati ndahet në vaxhib, haram, mendub, mubah ... etj., [9] po ashtu në një vend tjetër në thënien e tij mbi "shtrëngimin e duarve" (ألمصافحة) pas namazit, ne do ta veçojmë prej saj fetvan nr.66, ai thotë: "Dije se këto "shtrëngim duarësh" janë të rekomanduara (mustehabb) në çdo takim, ndërsa sa i përket asaj që e kanë bërë zakon njerëzit për "shtrëngimin e duarëve" vetëm pas dy namazeve, atij të sabahut dhe të ikindisë, nuk ka bazë në sheriat në këtë mënyrë, mbase nuk ka gjë të keqe në këtë (لا بأس به) , sepse baza e "shtrëngimit të duarëve" është sunnet, kurse respektimi i këtij synneti nga ana e tyre në disa e raste, e lëshimi i tij në disa të tjera, nuk i përjashton ato nga të qenurit e tyre prej llojit të "shtrëngimit të duarëve" e cila ka bazë në sheriat". [10]

Ibni Ethiri ka thënë: "Bid'ati është dy sosh:bid'ati i mbarë (بدعة هدي) dhe bid'ati i mbrapshtë (بدعة ضلالة) . Ai që vjen në kundërshtim me atë që e ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij s.a.v.s., i tilli është në sferën e nëçmimit dhe mohimit, kurse ai që vjen në kontekstin e tërësisë së rekomandimeve dhe motiveve të tilla, i tilli është në arenën e lavdërimit" ... pastaj thotë: Bid'ati i mirë në të vërtetë është sunnet (و البدعة الحسنة في الحقيقة سنة) , dhe në këtë komentim bartet hadithi: كل محدثة بدعة - çdo risi është bid'at, në kontekstin që manifestimi i tij ka rezultuar ndryshe nga parimet e sheriatit, kurse nuk e kundërshton synnetin (و لم يخالف السنة) [11]

Po ashtu edhe Ibnu Mendhuri r.h. ka një konstatim të mirë rreth bid'atit në aspektin terminologjik të tij kur thotë:"Bid'ati është dy sosh: bid'ati i mbarë (بدعة هدي) dhe bid'ati i mbrapshtë (بدعة ضلالة) . Ai që vjen në kundërshtim me atë që e ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, i tilli është në sferën e përçmimit dhe mohimit. Ndërsa ai që realizohet nën përgjithësimin e rekomandimeve të Allahut, që ka motive nga fjala e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij, i tilli është në sferën e të lavdëruarave, po ashtu ai që nuk ka ndonjë shembull ekzistues, sikurse është lloji i sexhdeve, i bujarisë, veprat e mira, i tilli është prej veprimeve të lavdëruara. Në këto raste nuk lejohet që ai të jetë në kundërshtim me një gjë që ka ardhë sheriati, ngase Pejgamberi a.s., në fakt ka bërë shpërblim për atë, ku thotë: من سن سنة حسنة فله أجرها و أجرمن عمل بها - "Kush e hap një rrugë të mirë, ai do të ketë shpërblimin e saj dhe të atyre që veprojnë sipas saj", ndërsa për të kundërtën e tij thotë: و من سن سنة سيئة فعليه وزرها و وزر من عمل بها - "Kush e hap një rrugë të keqe, ai do të ketë ndëshkimin e saj dhe të atyre që e veprojnë atë", kjo kur bid'ati është në kundërshtim me atë që e ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Thotë (Ibnu Mendhuri) prej këtij lloji (prej llojit që nuk e kundërshton udhërin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij), është thënia e Omerit r.a.: نعمت البدعة هذه - ç'bid'at i mirë është ky?, pasiqë ky është prej veprave të mira dhe bënë pjesë në sferën e lavdërimit, e të cilin e quajti bid'at dhe e lavdëroi, ngaqë Resulullahi s.a.v.s. nuk ua pati bërë synnet atyre (لم يسنَّها لهم) . Ai (Pejgamberi a.s.) e fali atë disa netë, pastaj e la dhe nuk e përfilli, gjë që as njerëzit nuk u tubuan për të. Dhe kjo vazhdoi të mos jetë edhe në kohën e Ebu Bekrit. Mirëpo Omeri r.a. i tuboi njerëzit ndaj saj (teravisë) dhe ua rekomandoi një gjë të tillë. Për këtë asrye e quajti "bid'at", që në të vërtetë është sunnet në bazë të thënies së Pejgamberit a.s. َعَلَيْكُمْ بِسُنَّتِي وَسُنَّةِ الْخُلَفَاءِ الرَّاشِدِينَ مِنْ بَعْدِي - "Përmbajuni synnetit tim dhe traditës pas meje të halifëve besimdrejtë ...", dhe thënies së tij. اقْتَدُوا بِاللَّذَيْنِ مِنْ بَعْدِي أَبِي بَكْرٍ وَعُمَرَ - "Pranoni për liderë ata dytë pas meje, Ebu Bekrin dhe Omerin.

Në këtë frymë bartet hadithi كل محدثة بدعة - "çdo risi është bidat", me të cilin synohet ai bid'at që i kundërshton parimet e sheriatit dhe që nuk pajtohet me Sunnetin. [12]


Si kanë vepruar dijetarët në raport me të kuptuarit e bid'atit

Shumica e dijetarëve të ummetit (xhumhur) që janë meritor për t'u pasuar, në raport me bid'atin kanë vepruar në kontekstin se ai (bid'ati) është disa llojesh, sikurse kjo është e qartë prej fjalës së Imam Shafijut dhe ndjekësve të tij: El-Izz bin Abdus-Selam, Neveviju dhe Ebu Shamete, prej malikinjve: El-Kirafi dhe Ez-Zurkanij, prej hanefinjve: Ibnu Abidini, prej hanbelinjve:Ibnul Xhevzijjeh, dhe prej dhahirinjve: Ibnu Hazmi. Ndërsa të gjitha këto aspekte, pasqyrohen në definicionin e El-Izz bin Abdus-Selam mbi bid'atin e ky është se: "bid'ati është një veprim që nuk ka ekzistuar gjatë kohës së Resulullahit s.a.v.s. dhe ndahet në bid'at vaxhib, bid'at haram, bid'at mendub, bid'at mekruh, dhe bid'at mubah". [13]

Ata (dijetarët) për të gjitha këto lloje të bid'ateve kanë sjellë shembuj:

- bid'at i obliguar (بدعة واجبة) , sikurse është marrja me sintaksës (ilmun-nahvi) me anë të së cilës arritet të kuptohet fjala e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij. Mësimi i saj është vaxhib - i obligueshëm, ngase patjetër që me anë të saj bëhet mbrojtja e sheriatit. Vaxhibi derisa nuk plotësohet, ai nuk është tjetër pos vaxhib.
- bid'at i ndaluar (بدعة محرمة) , sikurse janë shembuj nga pikëpamjet e kaderinjve, xheberinjve, murxhinjve dhe havarixhëve.

- bid'at i rekomanduar (بدعة مندوبة) , sikurse është krijimi i shkollave, ndërtimi i kubeve, pastaj falja e namazit të teravisë me imam dhe xhematë në xhami.
- bid'at i urrejtur (بدعة مكروهة) , sikurse është dekorimi i xhamive, stolisja e mus'hafave.
- bid'at i lejuar (بدعة مباحة) , sikurse është 'shtrëngimi i duarëve' pas namazit, po ashtu zgjerimi i shijes në haje, pije, veshje.

Qëndrimin e tyre mbi ndarjen e bid'atit në pesë dispozita, dijetarët e kanë argumentuar me argumente:

1. Thënia e Omerit r.a. نعمت البدعة هذه - ç'bid'at i mirë është ky?, për faljen e namazit të teravisë me xhemat në Ramazan. Transmetohet nga Abdurrahman bin Abdul Kari, i cili ka thënë:Kam dal me Omer bin El-Hattabin r.a. në xhami, një natë në Ramazan, ku ja njerëzit të shpërndarë, njëri falej në vete, tjetri falej e me të falej një grup. Omeri r.a. tha: vërejta se sikur këta t'i bashkoj të gjithë pas një imami të vetëm, do të ishte diçka shembull, pastaj kështu vendosi dhe i bashkoi (në një xhemat) pas Ubejj bin Ka'bit. Pastaj kam dal me të një natë tjetër, ndërsa njerëzit faleshin namazin pas një imami. Me atë rast Omeri tha: نعمت البدعة هذه - ç'bid'at i mirë është ky?
2. Emërtimi i namazit të duha-së (صلاة الضحي) me xhemat në xhami bid'at, nga ana e Ibni Omerit, ndërsa ai (namazi) është prej punëve të mira. Transmetohet nga Muxhahidi se ka thënë:kam hyr unë dhe Urvete bin Ez-Zubejri në xhami, kur ja Abdullah bin Omeri qëndronte i ulur te dhoma e Aishes r.a., ndërsa njerëzit e falnin në xhami namazin e duha-së. Ndaj ne e pyetëm atë për këtë namaz të tyre, e ai tha: është bid'at (فقال:بدعة) . [15]
3. Hadithet të cilat e favorizojnë ndarjen e bid'atit në të mirë (الحسنة) dhe të keqë (السيئة) . Prej tyre është hadithi me transmetim merfu': من سن سنة حسنة فله أجرها و أجرمن عمل بها إلي يوم القيامة، و من سن سنة سيئة فعليه وزرها و وزر من عمل بها إلي يوم القيامة - "Kush e vë në praktikë një rrugë të mirë, ai do ta ketë shpërblimin e saj dhe të atyre që veprojnë sipas saj deri në Ditën e Kijametit, ndërsa kush e vë në praktikë një rrugë të keqe, ai do ta ketë ndëshkimin e saj dhe të atyre që veprojnë sipas saj deri në Ditën e Kijametit". [16]

Në bazë të kësaj që u tha gjer më tani, bëhet e qartë se ekzistojnë dy vështrime:

Vështrimi në mënyrë të përgjithshme (رؤية إجمالية) , e cila është ajo që ka shkuar Ibnu Rexheb El-Hanbelijj r.h. dhe të tjerë se veprat për të cilat njeriu meriton shpërblim dhe që kanë bazë në sheriat si veprim, në aspektin terminologjik të sheriatit nuk quhen bid'at, edhe nëse është i drejtë emërtimi i tyre si bid'at në aspektin gjuhësor. Pra, ai me këtë e synon se nuk quhen bid'ate të urrejtura nga aspekti i sheriatit.
Vështrimi në mënyrë të detajizuar (الرؤية التفصيلية) , është ajo që e ka potencuar El-Izz bin Abdis-Selam r.h. dhe ne e kemi prezantuar detajisht.

E gjithë ajo që u tha, nevojitet për muslimanin që të informohet për këtë çështje, e cila ka qenë prej çështjeve më të rëndësishme nga e cila është ndikuar mendimi islam, për mënyrën e trajtimit të saj në kontekst të çështjeve fikhore dhe kështu të ketë kujdesin e tij ndaj vëllezërve të tij musliman, ngase ndodhë që një injorant (الجاهل) , nga padituria të gjykojë ndaj të tjerëve se janë bidatxhinjë (مبتدعين) dhe mëkatarë të mëdhenjë (فساق) . Mbrojtja është te Allahu për shkaqet e injorancës së tij në këto parime që janë fare të qarta, e të cilat kohët e fundit u bën objektiv i konfuzionit dhe çudisë.

Vetëm tek Allahu kërkojmë shpëtim. Vetëm Ai është i Lartëmadhëruar dhe i Gjithëditur.



Përgjigjet: Dr. Ali Xhumaja
Nga arabishtja: Mr. Orhan Bislimaj



_________________________

[1] - Kur'ani, El-Hadid:27.
[2] - "Lisanu'l-arabi", vëll VIII, fq.6, materja (bede'a).
[3] - El-Izz bin Abdus-Selam,"Kava'idu'l-ahkami fi mesalihi'l- anami", 2/204.
[4] - Ibnul Haxher "Fethul Bari, vëll.II-të, fq.394..
[5] - Ibnu Rexheb El-Hanbelijj "Xhamiu'l-ulumi ve'l-hikemi", fq.223.
[6] - Transmeton Ahmedi në "Musnedin" e tij, vëll.III, fq.310, Muslimi në "Sahihun" e tij, vëll.II fq.592.
[7] - Transmeton Bejhekiu me senedin e vet në librin "Menakibu'sh-shafijj". Po ashtu e transmeton Ebu Neim në "El-Hul-lijjetu" 9/113.
[8] - Ebu Hamid El-Gazalijju, "El-Ihjau", pjesa e II-të fq.248.
[9] - "Tehdhibu'l-esmai vel-lugati", pjesa e I-rë, botim i "el-mirijjetu", fq.22.
[10] - Neveviju në "El-Edhkar".
[11] - Ibni Ethiri "En-Nihaje", pjesa e I-rë, fq.80, boton 'el-hajrijje', Egjipt.
[12] - "Lisanu'l-arab", pjesa e VIII-të, fq.6.
[13] - El-Izz bin Abdus-Selam,"Kava'idu'l-ahkami fi mesalihil- anami", 2/204.
[14] - Transmeton Buhariu në "Sahihun" e tij vëll.II-të, fq.707.
[15] - Transmeton Buhariu në "Sahihun" e tij, vëll.II-të, fq.630, Muslimi në "Sahihun" e tij, vëll.II-të, fq.917.
[16] - Tranmsmeton Muslimi në "Sahihun" e tij, vëll.II-të, fq.705.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...