Shkaqet e mospajtimeve në mesin e fukahave (juristëve islam)



Hyrje

Në çdo disiplinë jetësore dhe fetare ekzistojnë mendime të ndryshme për një çështje, kulturë, vendim, konkluzë apo pikpamje. Allahu xh.sh. i krijoi njerëzit dhe i dalloi ato në të kuptuarit dhe perceptuarit e gjërave, andaj edhe ekzistimi i mospajtimeve në mesin e fukahave është e natyrshme. Kjo llojllojshmëri e dijetarëve rezulton me dallimin ndërmjet tyre në mendim, gjykim dhe qëndrim ndaj një çështje në përgjithësi.

Para se të flasim për shkaqet që ndikuan në paraqitjen e mendimeve të ndryshme në mesin e dijetarëve, duhet të theksojmë se mospajtimet e tyre kishin të bënin vetëm me çështjet sekondare të sheriatit, duke qenë unik në parimet e saja.

Pra, ato kishin mendime të ndryshme në çështje për të cilat nuk kishte tekste të qarta nga Ligjvënësi, por aty i ishte dhënë mundësi mendjes së njeriut që të bën ixhtihad (hulumtim) për të nxjerrë dispozitë, duke mos e llogaritur si të humbur dhe të shkatërruar atë që mendonte ndryshe, pasi këto ishin çështje anësore që nuk ndikonin në prishjen dhe shkatërrimin e fesë së njeriut.

Ixhtihadi është i lejuar, kurse ekzistimi i mendimeve është çështje e nevojshme. Sheriati nuk e privon nga shpërblimi atë që gabon, gjë që nënkupton mëshirën dhe lehtësimin. Kjo nuk do të thotë se të gjitha mendimet janë të sakta, mirëpo të gjithë kanë mirënjohje dhe shperblim. Pra ekzistimi i mendimeve të ndryshme për një vendim apo çështje është lehtësim dhe mëshirë. [1]

Në kohën e Muhamedit a.s. nuk kishte mospajtime për ndonjë dispozitë, sepse ishte prezentë vetë Muhamedi a.s., sqaruesi i sheriatit, dhe për çdo gjë ktheheshin tek ai dhe ua sqaronte atë që sahabët nuk e kuptonin, prandaj shpeshherë mund të hasim në Kur'an që Allahu xh.sh., të fillon ajetin me: يسألونك "Te pyesin ty", pra, atë që sahabët nuk e dinin, ose nuk e kuptonin e pyetnin Pejgamberin a.s., dhe ai përmes shpalljes ua sqaronte atë.

Pasi që Pejgamberi a.s. ndërroi jetë, sahabët vazhduan ixhtihadin e tyre në ngjarjet që ndodhnin, për të cilat nuk kishte argumente nga Kur'ani apo Sunneti, edhe atë duke u bazuar në Librin e Allahut. Nëse në të e gjenin dispozitën, atëherë vepronin sipas saj dhe nuk hulumtonin më. Por në rast se pas hulumtimit nuk e gjenin dispozitën e ndodhjes, atëherë i drejtoheshin sunnetit të Pejgamberit a.s., e nëse edhe në sunnet nuk hasnin në dispozitën e ndodhjes, atëherë hulumtonin dhe bënin ixhtihad për ta nxjerrë atë dispozitë. Nëse në ixhtihadin e tyre gjenin pajtim të plotë në mendime, atëherë ixhtihadi konsiderohej ixhma, bashkëpëlqim, i cili është burim i tretë prej burimeve të legjislacionit islam. Mirëpo shpeshherë ndodhte që të mos jenë të një mendimi dhe të kenë mendime dhe qëndrime të ndryshme mes veti për ndonjë çështje.

Këtë mund ta shohim edhe në dallimet që kishin sahabët në lidhje me idetin (kohen e pritjes) e gruas që i kishte vdekur buri duke e lënë shtatzëne.

Kështu që Omeri dhe Abdullah ibn Mesudi r.a., mendonin se ideti i saj është deri në lindje, ndërsa Aliu dhe ibn Abbasi r.a mendonin se ideti i saj është periudha më e gjatë kohore në mes lindjes dhe 4 muaj e 10 ditë, cila prej tyre është me kohë më të gjatë ajo është ideti i saj. Nëse p.sh., gruas shtatzëne i vdes buri duke qenë në muajin e parë të shtatëzanisë ose në muajin e dytë, atëherë ideti i saj është deri në lindjen e foshnjës, e nëse i vdes buri duke qenë shtatëzane në muajin e tetë ose nëntë atëherë ideti i saj është 4 muaj e 10 ditë. [2]

Një dallim i tillë në çështje të fikhut mund të vërehet edhe në mes Abdullah ibn Omerit dhe ibn Abbasit r.a.. Sipas ibn Omerit prekja e gruas e prish abdesin, ndërsa sipas Ibn Abbasit nuk e prish. Sipas ibn Omerit nga dispozitat e haxhit qëndrimi në Muhsab (vendi ku hidhen gurët) konsiderohet sunnet, ndërsa sipas ibn Abbasit nuk konsiderohet. Këto ishin disa raste ku sahabët kishin mendime të ndryshme në lidhje me dispozitën e ndonjë çështje.

Ndërsa sa u përket shkaqeve që ndikuan në paraqitjen e mendimeve të ndryshme në mesin e fukahave janë të shumta, ne do të paraqesim shkurtimisht vetëm disa prej tyre:

- Ndikimi i gjuhës arabe në paraqitjen e mendimeve të ndryshme

Një prej shkaqeve të rëndësishme që ndikoi në paraqitjen e mendimeve të ndryshme në mesin e dijetarëve është edhe gjuha arabe, sepse mund të gjejmë fjalë që kanë më shumë se një kuptim, ekzistimi i më shumë kuptimeve për një fjalë shkakton paraqitjen e më shumë mendimeve, do të sjellim disa shembuj:

Fjala القرء që gjendet në ajetin وَالْمُطَلَّقَاتُ يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ ثَلاَثَةَ قُرُوَءٍ - "E ato gra që janë shkurorëzuar të presin tri menstruacione" [3] në gjuhën arabe përdorët në kuptim të menstruacioneve, por edhe në kuptim të pastrimit pas menstruacioneve, kjo ishte shkak që dijetarët të kenë mendime të ndryshme në lidhje me idetin e gruas së shkurorëzuar dhe të cilës i vijnë të përmuajshmet e saja.

Hanefijtë dhe Ahmed ibn Hanbeli sipas një transmetimi, janë të mendimit se fjala "Kuru" këtu e ka kuptimin e menstruacioneve, sepse kjo fjalë në terminologjinë e sheriatit islam më së shumti përdoret me këtë kuptim, ashtu siç ka ardhur edhe hadithi i Muhamedit a.s.: دعي الصلاة أيام أقرئك - "Lëre namazin gjatë menstruacioneve", pra mos u fal gjatë asaj kohe që je në menstruacione, në këtë rast Muhamedi, a.s., fjalën "kuru" e ka përdorur në kuptim të menstruacioneve. Prandaj këto dijetar thanë se ideti i gruas së shkurorëzuar dhe që i vijnë të përmuajshmet e saja është tre menstruacione.

Në anën tjetër Malikijtë dhe Shafiijtë mendonin se qëllimi i fjalës "kuru" është pastrim nga menstruacionet, andaj ata thanë se ideti i kësaj gruaje është tre pastrime. [4]

Gjithashtu rreth fjalës يتفرقا "janë ndarë nga njëri-tjetri" në hadithin e pejgamberit a.s.: المتبايعان بالخيار ما لم يتفرقا - "Dy shitblerësit mundë të zgjedhin përderisa nuk janë ndarë nga njëri-tjetri". [5]

Dijetarët kishin mendime të ndryshme, sepse me "ndarje" mundë të kuptojmë ndarje me trup, ashtu siç mund të kuptojmë edhe ndarje me fjalë, prandaj Ebu Hanfija dhe disa dijetarë të tjerë mendojnë se me fjalën "ndarje" në këtë hadith është për qëllim "ndarja me fjalë", ndërsa imam Shafiiju dhe pasuesit e mendimit të tij thanë se me fjalën "ndarje" është për qëllim "ndarja me trup".Të dy grupet mendimet e tyre i kanë te bazuara në argumente tradicionale dhe logjike.

- Ndikimi i hadithit në mospajtimin e fukahave

Në mendimet kundërthënëse të fukahave ndikim të veçantë kanë pasur edhe hadithet e Muhamedit a.s. por në kënde të ndryshme.

1. - Arritja e një hadithi deri tek njëri dijetarë duke mos arritur tek tjetri, ai i cili e posedon atë hadith vepron sipas tij, ndërsa ai deri tek i cili nuk ka arritur ai hadith vepron me ato argumente që ai i posedon. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me dijetarët, një gjë e tillë ka ndodhur edhe në mesin e vetë sahabëve, si shembull do të paraqesim rastin kur udhëheqësi i muslimanëve Omeri r.a udhëtonte për në Siri, dhe e lajmëruan atë se në atë vend ishte paraqitur epidemia, Omeri r.a u konsultua me shokët se si të veprojë, ndërsa ato u ndanë në dy grupe, njëri grup mendonin se duhet të vazhdojnë udhëtimin,ndërsa grupi i dytë mendonin se duhet të kthehen, në këtë moment doli Abdurahman ibn Aufi r.a dhe tha:Unë kam njohuri për këtë çështje, e kam dëgjuar Muhamedin a.s. duke thënë: ‏إذا سمعتم به في أرض فلا تقدموا عليه، وإن وقع وأنتم فيها فلا تخرجوا فرارًا منه‏ - "Nëse ndëgjoni se në një vend ka epidemi mos shkoni në të,e nëse ju kaplon epidemia atëher mos u largoni nga ai vend". [6]

2. - Arritja e hadithit te të gjithë dijetarët por me transmetime të ndryshme. Kështu që një hadith ka arritur deri tek njëri dijetarë nga transmetues të saktë dhe të besueshëm,ndërsa i njëjti hadith ka arritur tek dijetari tjetër nga transmetues jo të saktë. Ai dijetar që e posedon hadithin e transmetuar nga transmetues të besueshëm argumenton me të,ndërsa dijetari tjetër nuk e pranon për argument. Kjo edhe ka shkaktuar mospajtime.

Gjithashtu edhe ndryshimi i kritereve për vlerësimin e transmetuesve në mesin e dijetarëve ka rezultuar me paraqitjen e mendimeve të ndryshme. Ndodhë që për një transmetues sipas vlerësimeve të ndonjë dijetari të jetë i saktë dhe i besueshëm,ndërsa sipas vlerësimeve të dijetarit tjetër të mos jetë.

Në kuadër të këtyre formave të kundërthënieve, ndikimi i të cilave lë gjurmë të mëdha,mund të ceket edhe ajo se te një transmetues i kontestuar të gjenden me qindra hadithe. Kush vlerëson kah gjykimi i tij argumenton me ato hadithe në të gjitha dispozitat fetare dhe jetësore,e kush anon kah akuzimi i tij,ai nuk argumenton me asnjë hadith te tij. Këtu pra lindin kundërthënjet. Dhe çdonjëri prej dijetarëve pretendon se ai argumenton me sunet,pretendon se ai praktikon hadithet e Pejgamberit a.s. dhe në angazhimet e tij të fikhut dhe hadithit pretendon se ndjek metodologjinë e hadithologve dhe fregullave të tyre. Është e pamundshme që ndonjëri prej nesh t'i hedhë poshtë këto fjalë. [7]

3. - Çështje tjetër që shkaktonte mospajtime në mesin e fukahave ishte edhe pranimi i hadithit Mursel [8] si argument.

Ebu Hanfija, Maliku dhe Ahmedi mendojnë se me hadithin Mursel argumentohet dhe merret për bazë në të gjitha çështjet e fesë. Ndërsa sipas imam Ahmedit nuk pranohet si argument hadithi muresl. [9]

Duhet ditur se hadithet mursel nuk janë të pakta. Dijetari El-Keutherij thotë: "Ai që e dobëson hadithin mursel ka refuzuar gjysmën e sunetit që veprohet me to". [10]

4. - Ekzistimi i më shumë haditheve për një çështje.

Shpesh mundë të hasim më shumë hadithe me kuptime të ndryshme për një çështje dhe si rezultat i kësaj janë paraqitur edhe mendime të ndryshme për atë çështje. Në këtë drejtim do të paraqesim një shembull:

Muhamedi a.s. në një hadith thotë: لا تزوج المرأة المرأة، ولا تزوج نفسها - "Nuk e marton gruaja gruan, as nuk e marton gruaja vetën e saj". [11]

Ndërsa në një hadith tjetër thotë: الثيب أحق بنفسها من وليها - "Vejusha ka më shumë të drejtë për vetën e saj se sa përkujdesësi i saj". [12]

Në këtë rast Ebu Hanifja për argument pranon hadithin e dytë, për shkak se është shumë më i saktë se i pari, ndërsa dijetarët e tjerë janë munduar që të bëjnë bashkimin në mes dy haditheve dhe kanë dalë me qëndrime të ndryshme.

- Ndryshimi i metodologjisë gjatë nxjerrjes së vendimeve

Ndryshimi i metodologjisë gjatë nxjerrjes së vendimeve gjithashtu ishte shkak edhe për paraqitjen e kundërthënieve në mesin e dijetarëve. Ebu Hanifja fikson metodologjinë e tij themelore për nxjerrjen e dispozitave në: Kur'an, Sunnet, fetfatë e sahabëve në të cilat ata janë të një mendimi, e nëse ata kanë mendime të ndryshme ai zgjedh njërin nga mendimet e tyre dhe nuk i braktisë të gjithë. "Nuk i mar për bazë mendimet e tabi'inve ngase ata janë burra siç jemi edhe ne", thotë Ebu Hanifja, se vetë ai ishte nga tabi'inet, për bazë e ka Kijasin dhe Istihsanin.

Imam Maliku ndjek metodologjinë usuliste të qartë i cili veprimtarinë e tij e bazon në Kur'an, sunnet dhe veprat e medinasve, madje veprimtarisë së medinasve i jep përparësi nga hadithi Ahad. Në këtë cilësi dijetarët gjetën një fushë të gjërë për kundërthënie në mesin e tyre. [13]

Gjithashtu burimet jo të njëzëshme (dytësore) të sheriatit për të cilat dijetarët kishin qëndrime të ndryshme rreth asaj se a mund të jetë argument mbi të cilin mund të mbështetet nxjerrja e dispozitave të sheriatit, shkaktoi edhe paraqitjen e mendimeve të ndryshme për ato dispozita.

Fukahatë kishin mendime të ndryshme rreth asaj se a mundë të shërbej për argument "Maslahatul mursele". [14]

Malikijtë dhe Hanbelijtë janë të mendimit se maslahatul mursele nëse i plotëson kushtet e saja konsiderohet argument i sheriatit mbi të cilin mund të ngrihen dispozitat.

Ndërsa Hanefitë dhe Shafiijtë janë të mendimit se maslahatul mursele nuk konsiderohet argument i sheriatit e as burim prej burimeve të tij. [15]

Edhe për argumentueshmë rinë e Istihsanit [16] dijetarët Islam ndahen në dy mendime:

- Hanefijtë, Malikijtë dhe Hanbelijtë janë të mendimit se istihsani është argument dhe një nga burimet e sheriatit islam.

- Shafiijtë janë të mendimit se istihsani nuk është argument dhe burim nga burimet e sheriatit islam.

Gjithashtu kishin mospajtime edhe rreth pranimit ose jo për argument istis'habin, sheriatin e atyre që ishin para nesh, medhhebin e sahabiut, etj., e që të gjitha këto mospajtime rreth këtyre burimeve dytësore të sheriatit rezultuan edhe me mospajtime rreth dispozitave të argumentuara me këto burime.


Përfundim

Siç e pamë, këto ishin disa nga shkaqet që ndikuan në paraqitjen e mendimeve të ndryshme në mesin e fukahave. Këto mospajtime, siç e cekem edhe në fillim, ishin vetëm në çështje dytësore të cilat nuk e dëmtojnë fenë. Transmeton Ibn Berri nga Jahja ibn Seidi: "Dhënësit e fetfave gjithmonë japin fetfa: njëri lejon, tjetri ndalon. Lejuesi nuk e sheh të shkatërruar personin që ndalon nga ndalimi i tij, e as ndaluesi nuk e konsideron të shkatërruar personin që lejon me lejimin e tij".

Llojllojshmëria e mendimeve fetare gjithmonë është e begatshme dhe frytdhënëse si dhe është simbol nga simbolet e Allahut xh.sh., që vërteton madhërinë, fuqinë dhe urtësinë e Tij. Në Kur'anin famëlartë thuhet: ومن آياته خلق السماوات والأرض واختلاف ألسنتكم وألوانكم إن في ذلك لآيات للعالمين - "Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka argumente për të diturit". [18]

Ata të cilët dëshirojnë t'i bashkojnë dijetarët, studiuesit në një mendim për çështjet e jurisprudencë s islame, për kuptimin e ajeteve dhe haditheve dhe çështjeve të tjera dytësore në fe, duhet të dinë se po kërkojnë të pamundshëm, atë që nuk mundë të ndodhë dhe se një insistim i tillë edhe më shumë do ta zgjerojë rrethin e polemikave dhe kundërthënieve në mesin e dijetarëve. Sikur të kishte dashur Allahu xh.sh., do ta kishte bërë fenë në atë formë që të mos ishte nevoja për studim dhe hulumtim. Por nuk e ka bërë një gjë të tillë me qëllim që ta harmonizojë natyrën e njeriut, natyrën e gjuhës dhe universit në gjuhën fetare.

Feja islame është e përshtatshme për të gjitha kohët dhe për këtë shkak ajo është fleksibile dhe e butë, nuk është statike e as e vrazhdë. Nuk mund t'i bashkojmë idetë dhe mendimet e ndryshme për shkak se ekzistojnë dallime midis intelekteve gjatë procesit të induksionit në kuptimin e koncepteve, në lidhshmërinë e të vërtetave dhe në komentimin e ajeteve dhe haditheve.

Këto mendime të ndryshme në mesin e dijetarëve pasuruan kuranoteken islame, dhe lanë gjurmë të pashlyeshme edhe në ligjet tjera.



Autor: Mafiz RUSTEMI



_________________________

[1] - Mr. Musa Vila, Kritika shkencore në hadith III. Prishtinë 2004, fq.228.
[2] - Dr. Alij Ahmed Mer'ij, Dr. Muhamed Re'fet Uthman, Mukaranetul medhahibil islamije, Kajro 2003, fq.11.
[3] - El-Bekare:228.
[4] - Prof. Dr. Abdu Semij Imam, Minhaxhu et talib fil mukareni bejnel medhahib, Kajro, fq.22.
[5] - Shënon Buhariu.
[6] - Muhamed Ibn Salih El-Uthejmini, Esbabul hilaf bejnel ulema - Marr nga webfaqja http://www.al-eman.com/islamLib/viewchp.asp? BID=297&CID=1
[7] - Mr. Musa Vila. op. cit., fq.233.
[8] - Hadithi mursel është: "Hadithi të cilin drejtpërdrejtë e mbeshtet tabiiu te i dërguari Allahut xh.sh.". Ky është mendimi i shumicës së muhadithinve, i një numri të madh të fukahave dhe i usulistëve. Mr. Fahrudin Ebibi, Hyrje në shkencën e hadithit II, Shkup 1999. fq.76.
[9] - Mr. Fahrudin Ebibi, Hyrje në shkencën e hadithit II, Shkup 1999, fq. 81.
[10] - Mr. Musa Vila. op. cit., fq.232.
[11] - Shënon ibn Maxheh.
[12] - Shënon Muslimi.
[13] - Taxhedin Bislimi, Hyrje në shkencën e usuli fikut, Shkup 2003, fq.19.
[14] - Maslahatul Muerese është: "Dobi (interes), e cila është brenda qëllimeve të Ligjdhënesit, por për atë (dobi) nuk ekziston argument,i cili dëshmon se ligjdhënësi një gjë të tillë e konsideron dobi apo nuk e konsideron si të tillë". Taxhedin Bislimi, op. cit., fq. 129.
[15] - Taxhedin Bislimi, op. cit., fq.131-132.
[16] - Istihsan është: "Braktisja e muxhtehidit e dispozitës së përgjithshme dhe marrja e një dispozite të vçcantë për shkak të ndonjë argumenti i cili e shtynë që t'i japë përparsi dispozitës së veçantë dhe ta braktisë atë të përgjithshmën", Taxhedin Bislimi, op. cit., fq.135.
[17] - Taxhedin Bislimi, op. cit., fq.137-138.
[18] - E-Rrum:22.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...