Falja e sunetit para namazit të Xhumasë



Një ditë duke lexuar hasa në një mendim shumë interesant nga Shejh Albani i përforcuar edhe Shejh Ibn Bazi, e që të dy të mbështeteshin teke thënia e Ibn Kajim El-Xhevzijut, se nuk ekziston namaz nafile para farzit të xhumasë. Të them të drejtën ky mendim që në fillim mu duk kontravers, ndaj dhe nuk munda ta tejkaloj çështjen aq lehtë, por u detyrova të bëjë një studim pak më të thellë në literaturën islame për të parë se si e kanë shpjeguar fukahatë e mirëfilltë islamë këtë çështje. Para se të filloj të paraqes rezultatet e hulumtimeve që i bëra në literaturë, po paraqes mendimin e Shejh Albanit, Shejh Ibn Bazit dhe Ibn Kajim El-Xhevzijut (rahimehumull-llah).

Ibn Kajim El-Xhevziju thotë: "E kush mendon se ata (sahabet) pasiqë Bilali r.a. ka përfunduar së kënduari ezanin janë ngritur të gjithë dhe i kanë falur nga dy reqatë, ai është njeriu më injorantë ndaj sunetit". (Kjo është kështu, por ama askush nuk ka thënë, e as që kjo praktikohet tek ne, gjegjësisht pas ezanit të dytë duhet të falen dy apo më shume reqate, ndaj kjo është e qartë.)

Shejh Albani r.a. thotë: "Dhe të gjitha hadithet që kanë ardhur se Pejgamberi s.a.v.s. ka falur sunnet para farzit të xhumasë, secili transmetim prej tyre është më i dobët se tjetri".

Shejh Ibn Bazi r.a. thotë: "Nuk ka sunet para farzit të xhumasë, ngase kjo nuk është vërtetuar prej Pejgamberit s.a.v.s. e as prej sahabeve". [1]

Unë nuk jam i prirë e as i thirrur që t'i komentoj apo shpjegoj mendimet e këtyre dijetarëve eminentë, por vetëm paraqita mendimin e tyre, kurse në vazhdim do të paraqes rezultatet nga hulumtimi shkencor në këtë çështje duke u mbështetur në mendimet dhe metodologjinë shkencore që e kanë përdorur fukahatë myslimanë deri te arritja e konkluzës për faljen e namazit sunet para farzit të xhumasë, sepse me siguri që një gjë e tillë nuk e kanë bërë nga hamadja e tyre, por nga bazat autentike islame.

Në trevat tona si dhe në mbarë rruzullin tokësor ku jetojnë myslimanët është i njohur fakti se dita e xhuma, përkatësisht namazi i xhumasë zëvendëson namazin e drekës, për ata që plotësojnë kushtet e obligueshmërisë së namazit të xhumasë. Nga kjo nënkuptohet se namazi i xhumasë falet në të njëjtën kohë kur falet edhe namazi i drekës, dhe ata që falin namazin e xhumasë shkarkohen nga obligueshmëria e namazit të drekës, me përjashtim të atyre që nuk plotësojnë ndonjë nga kushtet e namazit të xhumasë siç janë p.sh. femrat, sëmundja, udhëtimi, etj. që duhet të falin namazin e drekës.

Kur themi se namazi i xhumasë zëvendëson namazin e drekës nuk nënkupton edhe formën e namazit sepse përndryshe nuk do të quhej namazi i xhumasë por i drekës. Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve-fukahave islam të të katër shkollave juridike islame (medh'hebeve). Gjithashtu dihet fakti se farzit të drekës i bashkëngjiten namaze sunete si para tij ashtu edhe pas. Por cili është qëndrimi i dijetarëve islam rreth namazit të xhumasë, respektivisht farzit të xhumasë: a ka namaze sunete para dhe pas këtij farzi apo nuk ka? Në lidhje me këtë, në vijim do të paraqesim mendimet e dijetarëve nga shkolla të ndryshme dhe argumentet e tyre.

Sunetet para farzit të xhumasë.

Fukahatë e medh'hebit hanefit [2] dhe ata të medh'hebit shafiit [3] janë të mendimit se suneti para xhumasë është identik me sunetin para farzit të drekës si në dispozitë, në kohë dhe në numër.

Mendim pak a shumë të njëjtë kanë edhe fukahatë e medh'hebit hanbelit [4] të cilët janë të mendimit se para farzit të xhumasë nuk ka sunete që ndërlidhen me farzin, pra që ne i quajmë (sunnet-revatib) që ndërlidhen me farzin e xhumasë por, sipas tyre është e rekomanduar (mustehab) që para farzit të falen katër reqate namaz sunet nafile të lirë pa mos i identifikuar me sunetin e xhumasë. Nga kjo nënkuptohet se këta fukaha nuk e kanë temë diskutimi ekzistimin apo mos ekzistimin e namazit sunet para farzit të xhumasë, siç e paraqet Shejh Ibn Bazi dhe Shejh Albani r.a., por temë e diskutimit të tyre është çështja se ky namaz sunet para farzit të xhumasë, është sunet i xhumasë apo është sunet i lirë i pa përcaktuar në kohë, andaj mendoj se dallimi mes këtyre dy çështjeve është esencial në këtë temë.

Dijetarët-fukahatë që mbështesin dhe mbrojnë mendimin e tyre se para farzit të xhumasë ekziston namaz sunet që duhet falur, mbështetin në këto argumente:

1. Transmetohet se Ibni Mes'udi r.a. falte katër reqate para namazit të xhumasë dhe katër reqate pas farzit. [5] Dijetarët sqarojnë se ky ishte qëndrim i Pejgamberit s.a.v.s. e nuk është nga xhtihadi i tij (pra i Ibn Mes'udit r.a.), por edhe sikur të ishte nga ixhtihadi i tij, meqë ky as'hab jo vetëm që ka jetuar bashkë me Pejgamberin s.a.v.s. por ishte edhe pranë tij, dhe sikur të kishte qenë qëndrim i gabuar, me siguri që Pejgamberi s.a.v.s. do ta përmirësonte nga gabimi, mirëpo për një gjë të tillë nuk kemi të dhëna, prandaj konsiderohet se për këtë veprim është dhënë pëlqim nga Pejgamberi s.a.v.s..

2. Thënia e Pejgamberit s.a.v.s. se mes çdo dy ezaneve ka namaz, këtë e ka thënë dy herë, ndërsa herën e tretë tha: "Për ata që dëshirojnë". [6] Këtu nuk ka për qëllim dy ezanet ditën e xhuma, por mes ezanit dhe ikametit, sepse në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. ditën e xhuma thirrej vetëm një ezan.

3. Transmetohet nga Abdullah b. Zubejri r.a. një hadith i cili është merfu'ë, ku thuhet: "Nuk ka ndonjë namaz farz e që para duarve të mos ketë dy reqate sunet". [7] Në këtë hadith paraqitet forma gjithëpërfshirëse që nënkupton se në të përfshihen të gjitha farzet, përfshi edhe farzin e xhumasë. Ibni Haxheri r.a. gjatë shpjegimit të kësaj çështje ka thënë: "Argumenti më i fuqishëm ku dijetarët islamë mbështesin mendimin e tyre për ligjësimin e sunetit para farzit të xhumasë është hadithi i transmetuar nga Abdullah b. Zubejri r.a. të cilin Ibn Hibani e konsideron sahih". [8]

4. Transmetohet nga Ibni Abasi r.a. i cili thotë: "I Dërguari i Allahut s.a.v.s. para namazit të xhumasë i falte katër reqate dhe nuk i ndante me asgjë (pra me një selam)". [9] Edhe pse këtë hadith dijetarët e kanë cilësuar si të dobët, janë hadithet tjera sahih që i përmendëm më sipër, ata që e përforcojnë një qëndrim të këtillë. Pra, nëse një hadith vlerësohet i dobët, por i njëjti hadith transmetohet nga rrugë tjera, për tematikë të njëjtë, e veçanërisht hadithet kur janë sahiha, atëherë rritet fuqia e hadithit të dobët. Fundja, hadithi daif (i dobët) nuk nënkupton të mos veprohet me të vetëm se është i dobët, dhe nuk ka argument tjetër që mohon të vepruarit me atë hadith. Mendoj se dijetarët kanë dhënë sqarime të thukta se kur mund të përdoret hadithi daif si argument.

5. Transmetohet nga Ibni Omeri r.a. se ai e zgjate namazin para xhumasë dhe pas farzit falte dy reqate në shtëpinë e tij, dhe tregon se kështu ka vepruar edhe Pejgamberi s.a.v.s.. [10]] Që nënkupton se Ibni Omeri r.a. në këtë çështje ka vepruar sipas sunetit të Pejgamberit s.a.v.s..

6. Transmetohet nga Xhabiri r.a. i cili thotë: "Deri sa Pejgamberi s.a.v.s. ishte duke mbajtur hytben ditën e xhuma, erdhi një njeri në xhami dhe u ul, e Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "A je falur o filan"? "Jo" - tha ai. Pejgamberi s.a.v.s. iu drejtua: "Çohu dhe fali dy reqate". [11] Ky hadith na paraqitet i komentuar në transmetimin e Ibni Maxhes nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: "Deri sa Pejgamberi s.a.v.s. ishte duke ligjëruar në hytbe erdhi Sulejk El-Gatafani dhe Pejgamberi iu drejtua me fjhalët: "A i ke falur dy reqate para se të vish këtu"? "Jo" - tha ai. Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. ia priti: "Fali dy reqate dhe tejkaloi ato""! [12] Mendoj se nga ky hadith qartë nënkuptohet se Pejgamberi s.a.v.s. e ka pyetur për faljen e sunetit para farzit të xhumasë, ngase e kishte pyetur a është falur para se të kishte ardhur në këtu në xhami, e nuk kishte për qëllim namazin për nderë të xhamisë (tehijjetul-mesxhid), sepse këtë e kishte të qartë Pejgamberi s.a.v.s. ngase e kishte parë që në hyrje të xhamisë.

7. Koha e namazit të xhumasë është koha e namazit të drekës, andaj edhe sunetet e xhumasë janë të ngjashëm me sunetet e drekës. Kjo ishte edhe arsyeja që e shtyri Imam Buhariun që në "Sahihun" e tij të regjistrojë titullin "Namazi pas xhumasë dhe para tij", e pastaj të përmend hadithin e Ibni Omerit r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. para farzit të drekës i falte dy reqate sunet, si dhe pas farzit dy reqate, ashtu siç falte edhe pas farzit të akshamit dy reqate në shtëpinë e tij e edhe pas namazit të jacisë dy reqate, pastaj nuk falej pas farzit derisa kthehej dhe i falte dy reqate. [13] Nga kjo nënkuptohet se Imam Buhari është i mendimit se namazi i xhumasë është i ngjashëm me namazin drekës edhe pse Ibni Omeri r.a. në transmetimin e tij kishte theksuar faljen e dy reqateve pas farzit të xhumasë e nuk kishte theksuar asgjë për namazin para farzit, sepse Imam Buhariu është i mendimit se ajo që përmendet para namazit të drekës e njëjta vlen edhe për namazin e xhumasë, andaj e titulloi këtë temë "Namazi pas xhumasë dhe para tij".

Në saje të të gjitha këtyre argumenteve nga sunneti i Pejgamberit s.a.v.s., nëse kësaj tematike i bëjmë me seriozitet një studim më të hollësishëm, përfshirë elaborimet dhe mendimet e fukahave si dhe argumentet e tyre, konstatojmë se të gjithë medh'hebet (hanefi, maliki, hanbeli dhe shafi) janë të mendimit se para farzit të xhumasë ekziston namaz nafile dhe një namaz i tillë është i ligjësuar dhe ka bazë në Islam, që praktikisht falet para se imami të ngjitet në hytbe që nënkupton se hidhen poshtë të gjitha dilemat e mos-ekzistimit të namazit sunet para farzit të xhumasë. Pra ajo që e përmendëm edhe më parë është fakti se ndryshimet e mendimeve për të cilat polemizuan dijetarët myslimanë është trajtimi që i jepet dispozitës së këtij suneti: a thua është namaz nafile i pa kushtëzuar me kohë siç mendojnë dijetarët e medhhebit maliki dhe hanbelij që falet para ezanit të dytë, apo këto rekate namaz nafile kanë trajtimin e suneteve që i bashkëngjiten farzit të xhumasë e që falen para farzit të xhumasë siç mendojnë dijetarët e medhhebit hanefi dhe shafi? Kjo është edhe konkluza e përfituar nga argumentet autentike islame që e kanë përfituar dijetarët e mirëfilltë islam nga shkollat juridike islame.

Për në fund para se të përmbyll këtë shkrim, e shoh të arsyeshme që të paraqes edhe mendimin e disa dijetarëve eminentë nga kjo lëmi, siç është Ibn Rexhebi r.a. i cili thotë: "Namazi pas kalimit të zenitit (zevâlit) ditën e xhuma është i rekomanduar, për këtë nuk dimë se ka ndonjë mendim tjetër në mes të dijetarëve, dhe askush nga dijetarët nuk ka thënë se namazi nafile para farzit të xhumasë është i urrejtur, bile të thuhet kështu është largim nga ixhmai (konsensusi) e kjo nuk është e lejuar". Për këtë ai ka sjellë argumente të shumta nga sahabëte Pejgamberit s.a.v.s.. Ai thotë se dijetarët kanë polemizuar në lidhje me këtë çështje vetëm për faktin se namazi nafile para xhumasë a është nga sunetet që i bashkëngjitet farzit të xhumasë siç është suneti i drekës, apo është sunet i preferuar siç është suneti para iqindisë. Por, sipas tij shumica e dijetarëve janë të mendimit se ky sunet është nga sunetet që i bashkëngjitet farzit të xhumasë. Të këtij mendimi janë Imam Evzaiu, Imam Ebu Hanifja bashkë me dijetarët tjerë hanefi, Imam Thevriju, Imam Ahmedi, dijetarët e medhhebit shafiit etj..

Ibni Kudame El-Makdesi në veprën e tij "El-Mugni" thotë: "Sa i përket namazit para farzit të xhumasë, unë nuk di tjetër përveç tranmsmetimit se Pejgamberi s.a.v.s. i falte katër reqate para farzit të xhumasë".

Ibn Maxhe transmeton nga Amr b. Seid b. Asi, e ky nga babai i tij i cili thotë: "Unë i takoja shokët e Pejgamberit s.a.v.s. e kur kalonte dielli nga zeniti, ata ngriteshin dhe i falnin nga katër reqate".

Sa i përket sunetit pas farzit të xhumasë nuk është çështje diskutabile, andaj mjafton vetëm të përmendim një qëndrim të shkurtër: Tërë dijetarët islam e të gjitha shkollave juridike islame (medh'hebeve) janë unik në mendimin se pas farzit të xhumasë ekzistojnë edhe sunete të xhumasë. Kjo dispozitë mbështetet në hadithin e Pejgamberit s.a.v.s.: "Kur ndonjëri nga ju të falë namazin e xhumasë, pas farzit le t'i falë edhe katër reqate". [14]



Autor: Jusuf ZIMERI



_________________________

[1] - Teksti është marrë në përkthim në gjuhën shqipe nga O. Berisha.
[2] - El-Ihtijar, 1/2228.
[3] - El-Minhaxh, 1/216.
[4] - Shih: Nejlul-Mearib, 1/70, El-Kafi, 1/300.
[5] - Tirmidhiu, 2/399 nr. 523.
[6] - Imam Buhariu, nr. 627.
[7] - Ibni Hibani në "Sahihun" e tij nr. 2488.
[8] - Fet'hul Bari, 3/351.
[9] - Ibni Maxhe, nr. 1129.
[10] - Suneni i Bejhekiut 2/349 dhe Sahihu i Ibni Hibbanit 6/220.
[11] - Imam Buhariu, nr. 888 dhe Muslim nr. 875.
[12] - Ibni Maxhe, 1114.
[13] - Imam Buhariu, nr. 895.
[14] - Imam Muslimi, nr. 2073.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...