Ku është Zoti!?



Një prej çështjeve më komplekse që vazhdimisht i ka preokupuar pothuajse njerëzit e të gjitha kohërave gjer në ditët e sotme, është të pyeturit dhe dilema mbi "vendndodhjen" e Zotit.

Pikërisht për faktin se kjo ka qenë, është dhe mund të mbetet një prej pyetjeve të rralla, e shoqëruar me kompleksitet në vete, edhe përgjigja nuk mund të jetë më ndryshe, përveçse komplekse. Në fakt, është konkludimi i tretë, që do të përpiqemi ta japim në vazhdim, ajo që pyetjen e bën komplekse.

Pavarësisht se pyetja është e ndërlikuar, ajo ngërthen në vete një urtësi të arsyeshme, relativisht të pakapshme për njeriun.

Së pari, pyetja është e qëlluar, ngase në shumicën e rasteve personi që shtron një pyetje të tillë e pranon ekzistencën e Zotin, por vetëm do të dijë se ku ndodhet Ai.

Së dyti, përgjigjja që mund t'i jepet një personi që shtron një pyetje të tillë, do të ishte e mjaftueshme t'i thuhet se Zoti "ndodhet aty" ku Ai ka dëshirë! Nëse pyetja e radhës shtrohet: ku ka dëshirë? "Atëherë pyetësit i themi, gjeje atë dëshirë që do ta mendojmë tash, dhe me lejen e Zotit, do të përpiqemi t'i kuptojmë dëshirat e Tij". Sigurisht që ai s'ka për t'i zbuluar dëshirat tona (përveçse atëherë kur probabiliteti mund t'i mundësojë ndokujt 1 herë në 100). Dhe, pasi që pashmangshëm në çdo rast ngjanë kështu, pyetësit jemi të detyruar t'i themi: "nëse një krijesë e kufizuar nuk mund të dijë për dëshirat e një krijese po ashtu të kufizuar, distanca mes të cilëve është shumë e afërt, atëherë si mund të pretendojë njeriu të dijë për dëshirat e Krijuesit, i Cili është i pakufizuar, i Përkryer e i Padukshëm!".

Së fundi, kemi të bëjmë më shpjegimin më kompleks, i cili ka të bëjë me përvojën e njeriut karshi realitetit me të cilin përballet. Njeriu duke u ballafaquar me objekte që zënë vend, e paramendon, përfytyron edhe Zotin si një qenie që patjetër duhet të zë vend.

Mirëpo, pasi që Zoti është i pavarur nga çdo gjë, sigurisht se është i pavarur edhe nga vendet. Gjithashtu është i pakrahasueshëm me çdo krijesë, sepse është Krijues. Karakteristikë e krijesës është: "kufizimi, përkohshmëria, mangësia, varësia". Ndërsa karakteristikë e Krijuesit është: "Pakufizueshmëria, Përhershmëria, Përsosmëria, Pavarësia".

Sikur Zoti të qëndronte në ndonjë vend, do të rezultonte se Ai është i varur nga po ai vend, dhe po që se "territori" ku do të supozohej se mund të qëndrojë Zoti, do të pësonte ndonjë katrahurë, atëherë do të kuptohej se ekzistenca e Tij po u kontestuaka seriozisht, sepse Ai po na qenka i varur nga vendi. Por ja që Zoti ekziston edhe pa vend. Zoti është i pavarur nga çdo gjë, duke përfshirë edhe vendet, të cilat shërbejnë vetëm për të mbajtur objektet, por assesi Zotin i Cili është krijues i tyre, "jashtë" tyre dhe tërësisht i pavarur nga to.

Kur një person e kërkon një tjetër, e kërkon vetëm pasi e di se ai ekziston. Në të kundërtën as që do t'i shkonte mendja për një kërkim të tillë.

Nëse ekziston një person me emrin Shqiptar, atë do ta kërkonin vetëm ata që e kanë njohur paraprakisht, ndërsa do të mund ta hasnin edhe ata që fare nuk e kanë njohur, që do të thotë se ai ka ekzistuar pavarësisht faktit se a e kanë gjetur apo jo ata që e kanë kërkuar, përkatësisht a e kanë hasur apo jo ata që se kanë njohur.

Në anën tjetër, nëse nuk do të ekzistonte një person me emrin Shqiptar, a do ta kërkonte ndokush atë? Assesi jo! Andaj vetëm kur një person, objekt, qenie ekziston njeriut i jepet mundësia ta kërkojë.

Pasi që Zoti qenëson jashtë kufijve natyrorë, shqisorë, material, është e pakuptimtë ta kërkojmë Atë brenda këtyre sferave kufizuese, ngase asnjëherë nuk do ta gjejmë. Madje një kërkim i tillë brenda këtyre sferave, mund të cilësohet tejet absurd, ngase përveçse i kontribuon mosnjohjes reale të ekzistencës së Zotit, nga ai kërkim dështimet do të jenë të natyrës konsistente.

Pikërisht për faktin se Zoti nuk është ndonjë qenie materie, që ekskluzivisht përmes shqisave të njihet, Atë duhet të përpiqemi ta njohim nëpërmjet shpirtit, ndërgjegjes e mendjes së kulluar.



Autor: Muhamet Krasniqi
Autori është student i Departamentit të Sociologjisë - UP

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...