Thirrja e verbër



Dëshirojmë të sjellim disa argumente dhe të shtjellojmë këtë temë në bazë të Ehlus-Sunnetit e jo në pikëpamje të "vëllazërisë", pasi disa hadithe i nxjerrin nga konotacioni i tyre dhe duan të argumentojnë me to duke u bazuar në thirrje të verbër pa i analizuar hadithet dhe duke mos i shikuar qëllimet e hadithit por vetëm tekstin e marrin parasysh. Kemi fjalën për hadithet të cilët flasin për personin i cili i lëshon pantallonat nën zokthin e këmbëve të cilit nuk do t'i flas Zoti në Ditën e Gjykimit dhe a llogaritet ndër to njeriu i jonë i cili këtë nuk e kryen nga mendjemadhësia.

Hadithet që kanë të bëjnë mbi lëshimin e pantallonave nën zokth të këmbëve dhe kërcënimin që ka ardhur për atë çështje, në të cilën mbështeten shumë të rinj entuziastë duke mohuar ashpër atë i cili nuk i shkurton rrobat e tyre deri mbi zoktha, thuaja se kjo çështje është ndër çështjet bazë të fesë islame, dhe gati se nuk e shpallin jo besimtar atë i cili i ka lëshuar pantallonat nën zokth. Nëse e shohin një hoxhë se nuk i ka shkurtuar pantallonat menjëherë e akuzojnë me dobësi në fe. Por sikur ti tubonin të gjitha hadithet që flasin për këtë çështje, dhe të shikonin në qëllimin e haditheve, do ta kuptonin qëllimin e vërtetë rreth kësaj çështje, dhe nuk do të ishin aq ekstrem dhe nuk do ta ngushtonin aq shumë këtë rrugë të cilën vet Zoti e ka zgjeruar.

Hadithi për të cilën jemi duke biseduar është ai ku Pejgamberi a.s. thotë: "Tre personave nuk do tu flasë Allahu në Ditën e Gjykimit: Ai i cili jep lëmoshë dhe e përmend, shitësi i cili e lëvdon mallin e tij duke u betuar rrejshëm dhe ai që zgjat rrobat e tij". Në një transmetim tjetër thuhet: "Tre personave nuk do tu flet Allahu xh.sh. në Ditën e Gjykimit, nuk do ti shikoj, nuk do ti pastroj nga gabimet dhe për ta do të ketë dënim të madh. Këtë e përsëriti 3 herë. Ebu Dherri tha: Paskan humbur dhe qenkan shkatërruar! Po kush janë ata? I Dërguari a.s. tha: Zgjatësi i rrobave, lëmosh dhënësi i cili e përmend atë, dhe shitësi i cili betohet rrejshëm gjatë tregtisë së tij". Po çka është qëllimi këtu me gjatësinë e rrobave nën zokth? Vallë, a i përfshin ky vendim të gjithë ata të cilët i lëshojnë rrobat e tyre nën zokth edhe nëse një gjë e tillë është zakon i popullit të tij, pa qenë qëllimi i tij mendjemadhësia? Ndoshta për këtë dëshmon edhe hadithi të cilin e transmetoi Ebu Hurejre: "Gjithçka është nga rrobat nën zokth është në zjarr". Ndërsa te Nesaiu është shënuar me fjalë pothuajse të ngjashme. Nga këto hadithe nënkuptohet se pjesët e këmbëve të atij që i lëshon rrobat e tij nën zokth do të jetë në zjarr, gjë e cila do të jetë dënim për veprën e bërë. Hadithi në vend të trupit, në mënyrë metaforike përmend se ajo do të jetë rroba. Mirëpo, ai që i lexon të gjitha hadithet lidhur me këtë temë, do ti bëhet e qartë se mendimi të cilin e kanë zgjedhur Neveviu dhe Ibn Haxheri, i cili thotë se kërcënimi absolut duhet kuptuar nën dritën e haditheve të cilat përmbushjen e kërcënimit e kushtëzojnë me mendjemadhësi, për të cilën të gjithë janë pajtuar se ka ardhur kërcënimi më i ashpër.

I Dërguari a.s. ka thënë: "Kush tërheq rrobat e tij zvarrë me mendjemadhësi, Allahu nuk do ta shikoj në Ditën e Gjykimit". Atëherë Ebu Bekri r.a. tha: Një pjesë e rrobës time zvarritet nëpër tokë përveç nëse i kushtoj kujdes të veçantë? Atëherë i tha: "Ti nuk je nga ata që e bëjnë nga mendjemadhësia". Gjithashtu, transmeton Ebu Bekrete i cili tregon: "U zu dielli përderisa ne ishim te Pejgamberi a.s.. Ai u ngrit dhe nga të shpejtuarit e tërhiqte zvarrë rrobën e tij derisa arriti në xhami", ndërsa hadithin që e transmeton Ebu Hurejre ku i Dërguari ka thënë: "Allahu nuk do të shikoj në atë që tërheq rrobën e tij zvarrë nga mendjemadhësia".

Gjithashtu nga Ebu Hurejre thuhet se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Përderisa një njeri po ecte me një rrobe dhe po i pëlqente vetja e tij. Toka u hap me urdhër të Allahut dhe e gëlltiti atë brenda dhe ai (dënohet deri në Ditën e Gjykimit)". Ndërsa nga Ibn Umeri r.a. thuhet se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush tërheq rrobën e tij zvarrë pa pasur kurrfarë qëllimi tjetër përveç mburrjes, Allahu nuk e shikon atë në Ditën e Gjykimit". Siç shihet nga ky variant, kërcënimi në mënyrë eksplicite ka të bëjë vetëm me ata që e bëjnë këtë nga mendjemadhësia, ashtu që nuk lë vend për komente të tjera. Imam Neveviu i cili assesi nuk mundet të akuzohet për tolerancë, por i njëjti anon kah më e sigurta dhe azimeja siç e dinë këtë studiuesit, gjatë komentimit të hadithit të njeriut i cili i lëshon rrobat, thotë: "Sa i përket fjalës së të Dërguarit a.s. ajo ka për qëllim atë i cili i lëshon rrobat e tij dhe i zvarrit nga mendjemadhësia", pra, këtu veçohet dënimi dhe ka motiv, pra, motivi është mendjemadhësia, pasi dihet se një gjë të tillë ia lejoi Ebu Bekrit r.a. ku i thotë: "ti nuk je prej atyre" ngase ai nuk e bënte nga mendjemadhësia. Ibn Haxheri thotë: "Nga këto hadithe kuptojmë se lëshimi i rrobave nga mendjemadhësia konsiderohet nga mëkatet e mëdha, ndërsa nëse nuk bëhet me këtë qëllim, nga hadithet në pamje të jashtme duket se edhe ajo është e ndaluar".

Pra, nëse dikush donë të praktikon këtë si sunet i të Dërguarit a.s. nuk do të thotë që të mundohet edhe të tjerët ti detyron në një gjë të tillë, pasi ajo nuk është urdhër, por diçka e pëlqyeshme, e nëse ti donë ta praktikosh nuk do të thotë se e kanë patjetër njerëzit, pasi veshja e Pejgamberit a.s. nuk hyn në urdhrat e fesë, por është nga sunetet zaide, të cilët i Dërguari i Allahut nuk i ka kërkuar. Kjo gjë as nuk ta shton besimin e as nuk ta pakëson atë. Gjithashtu t'u themi "vëllazërisë" se ne nuk u ngjajmë të tjerëve nëse i lëshojmë pantallonat nën zokthin e këmbëve, pasi kjo është një veshje karakteristike për ne si popull i cili jetojmë në këto vende, e nuk d.m.th. të vishemi patjetër si arabët, se edhe veshja e tyre më parë është traditë se sunet. Duhet pasur gjithashtu parasysh edhe kushtet klimatike, pasi e njëjta veshje e Arabisë ku temperatura është 40c, nuk mund të praktikohet në vendet e ftohta ku është e pa mundshme kjo veshje.

Ndërsa ata të cilët i shkurtojnë dhe duan të dallohen nga të tjerët, të dallohet nga e gjithë popullata islame në këto vende kurse e praktikon sunetin e të Dërguarit a.s. edhe atij i takon pjesë nga Hadithi i cili thotë se në Ditën e Gjykimit nuk do ta shikon Zoti, pasi e bën nga mendjemadhësia, e nëse plotësohet motivi i ndalesës, edhe e kundërta e hadithit e ndalon veprimin edhe pse nuk është në formë direkt.

Po ashtu transmetohet se në kohën e Umerit r.a. filluan mendjemëdhenjtë t'i shkurtojnë rrobat e tyre dhe t'i ngrenë mbi zokth dhe donin të dalloheshin me të nga të tjerët, e Umeri r.a. u tha që ti lëshojnë pantallonat se kush i shkurton nga mendjemadhësia, atij nuk do ti flas Zoti në Ditën e gjykimit. Pra, duhet të kihet parasysh motivi i hadithit e kjo teksti formal i jashtëm.



Autor: Shaban TAIRI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...