Ndjekja e një Medhhebi nga ana e Dijetarëve



Është e vërtetë se të gjithë njerëzit nuk janë në një nivel të diturisë, prandaj ka nevojë që njerëzit të cilët nuk janë të thelluar në dituri, të ndjekin ata të cilët kanë studiuar rreth fesë, pasi ata më mirë i kuptojnë tekstet fetare, pasi edhe vetë urdhër i Allahut xh.sh. është të "Pyetni dijetarët nëse ju nuk dini", (Nahl:43), sepse "mbi çdo të dijshëm ka edhe më të dijshëm" (Jusuf:76), e kur ta kuptojmë këtë, ne nuk do të kemi nevojë që të pyesim çdo njeri rrugës për fenë, e të marrim dispozita nga njerëz të cilët diturinë e kanë të pa verifikuar, por do të pyesim njerëzit e ditur, do të ndjekim një shkollë juridike, pra, medhhebin të cilin e kanë përkrahur shumica e botës islame, e nuk mund të thirret çdo njëri në mohim të medhhebit dhe marrjen e fesë direkt nga Kurani dhe sunneti, kjo është absurde, pasi çdo njeri i thjeshtë i cili ka lexuar ndonjë pamflete me përmbajtje fetare t'i jap guxim vetes e të flas rreth fesë pa njohuri, kurse tekstet bazë të fesë ai nuk i ka kuptuar, kur dihet se edhe shumë dijetarë të mëdhenj nuk kanë mundur të japin përfundim për çdo gjë dhe kanë mbetur temë diskutimi për gjatë 1400 viteve?! Kur këta dijetarë të mëdhenj kanë mundur të gabojnë gjatë dhënies përgjigje, si mund që një njeri i thjeshtë t'i kupton dhe të punoj sipas tyre pa u bazuar në mendimet e dijetarëve?


Qëllimi i ndjekjes së një Medhhebi

Si kundërpërgjigje ndaj atyre të cilët thonë se nuk lejohet të ndiqet një shkollë juridike e caktuar, por të merren dispozitat direkt nga Kurani dhe sunneti, u themi se ky realitet i imitimit të shkollave juridike përfshin po ashtu imitimin tonë që ia bëjmë ne të Dërguarit a.s.. Ne nuk e imitojmë Muhamedin a.s. thjesht për shkak të personalitetit të tij, por e bëjmë atë sepse ai është përcjellës i fjalëve të Allahut xh.sh. edhe ne nuk i ndjekim medhhebet për shkak Ebu Hanifes, Malikut, Shafiut apo Hanbelit, por ndjekim atë në të cilën thërrasin ato, në Kuran dhe Sunnet. E nëse ne i lëmë anash mendimet e këtyre dijetarëve dhe bëhemi të gjithë jomedhhebist, do t'i ngjante sikur punëtorët të lenin planet dhe projektet e inxhinierëve dhe të punonin sipas mendimit të tyre, apo pacientët të mos mbështeten në recetat e mjekëve dhe të merrnin barnat sipas mendimeve të tyre?! Njerëzit do t'i shkatërronin shtëpitë e tyre duke menduar se janë duke i ndërtuar, edhe njeriu nëse mendon se pa medhheb e ndërton fenë e tij, le ta dinë se e ka rrënuar! Dera e ixhtihadit është e hapur, themeluesit e medhhebeve nuk e kanë mbyllur këtë derë, por është derë në të cilën shkruan: "E ndaluar hyrja për të papunësuarit", d.m.th., lejohet hyrja në të vetëm për specialistët e fesë e jo për çdonjërin.


Ndjekja e një Dijetari nga ana e 3 Gjeneratave të para

Nuk është e vërtetë se ndjekja e një dijetari ka filluar shumë kohë pas vdekjes së Pejgamberit a.s. por kemi shembuj edhe nga ana e shokëve të Pejgamberit a.s. se si edhe ata nuk kanë qenë të gjithë të një rangu të diturisë, ka pasur sahabë të cilët nuk janë marr me dituri, por kur kishin nevojë, kanë shkuar të pyesin sahabë të caktuar, si p.sh.: Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin, dikush shkonte te Zejd b. Thabit, dikush te Aisha, dikush te Abdullah b. Abbasi apo te Abdullah b. Umeri, etj., në Egjipt banorët kishin Amër b. Asin, në Irak ishte Aliu, Abdullah b. Mes'udi, në Jemen Muadh b. Xhebeli, etj., dhe ndiqte atë mendim të atij sahabiu, kurse edhe në kohën e Tabiinëve ka pasur dy medhhebe kryesore, medhhebi Ehlul-Hadith në Hixhaz dhe Ehlur-Re'ji në Irak. Po ashtu edhe më vonë ka pasur ndjekje të dijetarëve, por mësimet dhe fetvatë e tyre nuk janë ruajtur në një vend, prandaj janë bërë të njohura vetëm këto katër shkolla juridike, pasi edhe kanë pasur më shumë pasues. Hasan Basriu, një ndër tabiinët e njohur ka thënë: "Islami është sikur një xhami, kurse medhhebet janë katër rrugët që të çojnë tek ajo, cilën rrugë ta zgjedhsh, do të hysh në xhami", por jo rrugicat, të cilat të çojnë në humbje. Nëse je duke udhëtuar në rrugë magjistrale me katër lentë, pa tjetër do ti përmbahesh njërës, e nuk mund të paramendosh një të pestë sepse nuk të pëlqejnë ato katër!


Hanefij ishin dhe janë shumica

Jomedhhebistët bëjnë çdo ditë kritikë se shkolla juridike e Ebu Hanifes është e bazuar në logjikë, se nuk përkrah hadithet, nuk ka qenë dijetarë i njohur, e kështu me radhë, por si mund të thuhet një fjalë e tillë, kur Ebu Hanife ka qenë një ndër dijetarët i cili në çdo lëmi ka lënë gjurmët e veta?!

Nëse shikojmë historinë, perandoria Abasite, prej vitit 745 deri më 1258 deri sa ishte në sundim për 513 vite, ka pasur medhheb zyrtarë medhhebin Hanefij, perandoria Osmane, prej vitit 1299 deri në vitin 1924, për 625 vjet, ka pasur medhheb zyrtar në shtet medhhebin Hanefij, po ashtu edhe Fatimitët të cilët ishin në pushtet në Egjipt, kishin për medhheb zyrtarë medhhebin Hanefij, Salahudin Ejjubi i cili çliroj Kudsin, ishte i medhhebit Shafij, por kur u bë udhëheqës, dha urdhër që në Egjipt dhe Sham të praktikohet medhhebi Hanefij si medhheb zyrtar edhe pse vet ishte Shafij, pra, si mundet që për shum kohë të jetë medhheb zyrtarë shkolla Hanefite, e të gjithë të kenë qenë në humbje, kurse Pejgamberi a.s. thotë: "Allahu nuk e tubon umetin tim në humbje, sepse ndihma e Allahut është me shumicën, e kush ndahet, ndahet për në zjarr".

Po ashtu thotë në një hadith: "Qëndro me shumicën e muslimanëve dhe kryetarin e tyre", ku janë praktikuesit e këtij hadithi, ku të gjithë shtetet Islame e kanë për medhheb zyrtarë medhhebin Hanefij, si në Turqi, Egjipt, Siri, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Bosnjë, etj., e dikush të çohet në këtë mes dhe të thotë se ndjekja e një imami është bidat, kurse prej 1.7 miliard muslimanëve në botë, prej tyre 53% janë Hanefij, Shafij janë 8% dhe Malikij janë 3% dhe 6.2% janë shiitë, e kush është shumicë në botë sot?

Vallë një grusht vehabistësh duhet të ndiqen apo kah shkojnë 53% e botës?


Dijetarët me famë kanë ndjekur Medhheb

Si mund ta pranojmë se lejohet të mos ndiqet medhheb, e të marrim direkt nga Kurani dhe Sunneti, kur ta themi këtë, le të na shkojë ndër mend se ne nuk jemi më të ditur se dijetarët me famë islam, kur ata me tërë atë dituri që kanë pasur, kanë ndjek medhheb, kush jemi ne të mos ndjekim askënd por mendjen tonë?

Ti përmendim vetëm disa dijetarë të cilët kanë pasur medhheb: Imam Kurtubiu komentues i njohur i Kuranit ka ndjekë medhhebin Malikij, Xherir Taberiu, Ibn Arebiu, Ebu Is'hak Shatibiu të gjithë ishin ndjekës të medhebit Malikij, imam Shafiu në fillim ishte Hanefij, Ebu Jusufi, imam Ebu Mensur Maturidiju, Imam Xhesas autori i veprës Mebsut, imam Tahaviju, Ibën Abidini të gjithë këto ndiqnin shkollën juridike Hanefij, imam Buhariu, libri i të cilit është më i besueshmi pas Kuranit, ka qenë medhheb Shafij edhe pse ndoshta ka ditur më shumë hadithe se Shafiu, përsëri e ndoqi shkollën e tij, Ibën Kethiri komentuesi më i famshëm i Kuranit ishte ndjekës i shkollës Shafijte, Ebu Hasan Eshariu ka qenë në medhhebin Shafij, Imamul Haramejni ka qenë në medhhebin Esharij, ndërsa në fikh ishte Shafij, Ebu Hamid Gazaliu, të cilin dijetarët e quanin Huxhetul Islam, autori i veprës Ihja ulumud-din, ndiqte medhhebin Shafij, Xhelaludin Sujuti, Izz Abdus-Selami, imam Neveviju, Hafidh edh-Dhehebiu të gjithë këto ndiqnin medhhebin Shafij, Ibn Kudame, Ibn Akili ishin ndjekës të medhhebit Hanbelij, Ibn Tejmije, ibn Kajjim Xheuzi, ibn Abdul Wehhabi në të cilët thirrën jomedhhebistët, kanë ndjekur medhhebin Hanbeli, Sheukani ishte ndjekës i Zejdive, Dijetarët e tashëm si Jusuf Kardawi, Ramadan Buti, ndjekin medhhebin Shafij, kurse Sejid Sabik autori i veprës Fikhus-Sunneh është në medhhebin Hanefi.

Vallë, të gjithë këto dijetarë kanë gabuar dhe ne do tu themi se janë injorantë pse kanë ndjekur medhheb? Vetëm pse një shejh Albani, Bin Bazi, Uthejmin kanë zgjedhur mos ndjekin medhheb dhe ne këto ti ndjekim? Jo, por do të ndjekim medhheb pa asnjë dyshim.


Komenti i Ulemave për JoMedhhebistët

Dr. Ali Xhuma, myftiu i madh i Egjiptit në lidhje me jomedhhebistët thotë: "Janë një grup i vogël të quajtur Wehabistë, ata janë duke bërë shumë përçarje deri në ditët e sodit, për këtë ne i thërrasim muslimanët të kenë kujdes prej tyre. Wehabistët i ka kundërshtuar Ibn Haxheri, si dhe el Bejdaviu, Askalani, sepse ata nuk e mbajnë mjekrën sipas rregullave, pa nevojë e shkurton teshën e tij, e detyron gruan me mbuluar fytyrën, etj., dhe thotë se këtë e lexova te Ibn Uthejmin, ibn Baz, apo Albani, dhe kur ta shohësh, pas 2 jave u bë hoxhë, por unë (Ali Xhuma) u them se për tu bërë hoxhë duhet më së paku 30 vjet mësim. Cilin e ndjek vehabisti, i cili për 2 javë bëhet hoxhë, por le ta dinë se ajo është rruga më e shpejtë për në zjarr. Sepse ai më vonë do të flas pa dituri për fenë, për gjërat që nuk i din, flet për Kuranin, Sunnetin, se ky hadith është sahih, ai daif, ka thënë i Dërguari s.a.v.s., por nuk e din se një hadith që është te një dijetar i mirë te tjetri është i dobët dhe e kundërta, e mos flasim për gjuhën arabe që nuk e kuptojnë fare".

Po ashtu dijetari i famshëm Abdul Hamid el Kishk (1933-1996) ka thënë për to: "Muslimanët janë të konfrontuar me lloj-lloj grupe të cilët thonë se thërrasim në islam, ata nuk e kanë marrë diturinë prej hoxhallarëve por prej librave dhe të cilat nuk i kanë kuptuar, dhe moda e tyre është ky hadith është daif, ai selefist i lexon 3 fjalë ose fletushka të Ibn Tejmijes dhe disa libra të ibn Abdul Wehabit, pastaj mendon se është i aftë të jep përgjigje fetare"!!!



Autor: Shaban TAIRI, shkurt 2009.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...