'Bidatet' tona në ramazan



Duke qenë se ramazani është muaj i vizitave të shpeshta nëpër xhami, në këtë kohë dalin në dritë shumë probleme. Problemi i teravive me 8 rekate, i formimit të safave, i vendeve të rezervuara, i karrigeve, i këmbëve të lagështa, i tehijjetul-mesxhidit në kohë dhe vende të papërshtatshme, i erërave të pakëndshme, i kalimit mbi supe të njerëzve, i hyrjes dhe daljes nga xhamia, i zileve të telefonave, etj..

Në këtë tekst, duam t'i qasemi problemit të faljes së namazit të teravive me 8 rekate!

Është e njohur se ky problem është shfaqur gjatë dhe pas luftës, kur u paraqitën interpretues fetarë të cilët i mësojnë rregullat dhe zgjidhjet e medhhebeve të tjera. Përderisa deri atëherë, ishte problemi i tadili-erkanit në namazin e teravive, tani paraqitet dilema 8 apo 20 rekate, duke u rrënuar mendimi unanim i deritashëm dhe praktika e muslimanëve të vendit tonë. Shkaktimi i problemit dhe insistimi për zgjidhje të ndryshme nga një medhheb tjetër është praktikë e shpeshtë e disa "thirrësve". Mendoj se duhet të studiohet se pse vazhdimisht kërkohen probleme aty ku nuk ka dhe në ritualet në të cilat ne kemi qenë të bashkuar më shumë se 500 vjet, dhe të cilat e kanë bazën e tyre në burime islame.

Për shembull, pse dikush këmbëngul që "Amin" të thuhet me zë të lartë, kur shqiptimi i fjalës "Amin" në vetvete është i bazuar. Ose, përse insistohet në mbajtjen e duarve mbi gjoks, kur mbajtja e duarve nën kërthizë, ka bazë më të fortë. Kush dhe për interesat e kujt, për çdo vit prodhon probleme në bashkësi dhe e "trillon ujin e nxehtë"? Në vend se vëmendja t'i kushtohet problemit ekzistues, prodhohet i riu. Edhe pse shumica e ulemasë janë të mendimit se namazi i teravive duhet të falet me 20 rekate, imponohet mendimi se kjo nuk është sipas "sunnetit" dhe futet praktika e faljes së 8 rekateve, pas të cilëve braktiset namazi dhe imami, shpesh me zhurmë, duke kaluar mbi supe të namazlive të cilët duan ta falin namazin të plotë. Tani e kemi një situatë, ku shumë namazli, sidomos të rinjtë, e lënë namazin e teravive pas 8 rekateve, pastaj ulen deri në syfyr nëpër kafene, dhe krenohen me "sunnet"! A është ky, vërtetë, sunnet!?

Nëse e shikojmë historinë e namazit të teravive, shohim se Pejgamberi s.a.v.s., vetëm tri net e ka falë namazin e teravive me xhemat, duke e braktisur këtë praktikë, në mënyrë që mos të bëhet detyrim i rreptë (farz) ndaj muslimanëve, ndaj të cilëve Pejgamberi s.a.v.s., ka pasur dashuri dhe mëshirë të madhe. Veprimin e tij sahabët nuk e kuptuan se namazin e teravive duhet ta falin vetëm në shtëpi, dhe kurrsesi ndryshe, por aty panë gjerësi, dhe u falën edhe në shtëpi edhe në xhami, sa dhe si kanë dashur, dhe nuk kanë diskutuar 8 apo 20 rekate!

Kjo situatë zgjati edhe gjatë kohës së Ebu Bekrit r.a., ndërsa në kohën e Omerit r.a., kur shteti i muslimanëve për çdo ditë ishte gjithnjë e më i organizuar, në rend dite erdhi edhe çështja e namazit të teravive. Omeri r.a., i cili rregulloi shumë çështje të komunitetit musliman, duke parë diversitetin në këtë pikë, gjë që nuk i pëlqeu, vendosi që ta rregullojë edhe këtë çështje. Kur një natë me mikun e tij, e vizitoi xhaminë e Pejgamberit s.a.v.s., ai i pa disa njerëz duke u falur në mënyrë individuale, disa të tjerë në grupe të vogla, ndërsa të tretët lexonin Kur'an apo bënin lutje.

Duke i parë të gjitha këto, tha: "Mendoj se do të ishte më mirë që t'i bashkoj njerëzit që të falen pas një imami"! Këtë edhe e bëri, të gjithëve për imam ua caktoi hafizin, lexuesin e famshëm, Ubej bin Ka'bin r.a. Kur natën tjetër përsëri e vizitoi xhaminë dhe e pa harmoninë, rendin dhe bukurinë e unitetit, bërtiti: "Sa risi e mrekullueshme është kjo"! Kushdo që lexon në lidhje me këtë procedurë të Omerit r.a. dhe e kupton qëllimin e tij, dhe i kupton këto fjalë, do të kuptojë se sunnet do të thotë - harmoni, rend, organizim, bukuri, unitet. Çfarë do të thoshte Omeri r.a., nëse do ta shihte praktikën e disa muslimanëve, të cilët kur vijnë, kalojnë mbi supet e njerëzve dhe rreshtave, dhe të njëjtën gjë e veprojnë edhe duke dalë. Ata flasin për orë të tëra, derisa falet namazi, ndërsa i referohen sunetit.

Hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. është i qartë: "Kushdo që falet pas imamit derisa ai e përfundon namazin, do të ketë shpërblim sikur të jetë falur tërë natën", (Sunenu Tirmidhi, hadithi është hasen sahih).

Madje, edhe qëndrimi autoriteteve saudite fetare Shejh Bin Bazit dhe Xhibrinit, është i tillë se sipas sunnetit duhet falur derisa të mbarojë imami dhe namazi i teravive nuk duhet të lëshohet më herët.

Është e qartë se çka është sunnet! Sunnet është të falurit deri të përfundojë imami! Pikëpamjet e dijetarëve janë të qarta. Shumica e dijetarëve është për namaz të teravive me 20 rekate! Atëherë, përse kaq shumë insistohet për 8 rekate? Përse të prishet harmonia, kjo risi e mrekullueshme, të cilën e ka themeluar Omeri r.a.?

O vëllezër, harmonia është sunnet!



Përshtati: Miftar AJDINI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...