Hatixha Watson: Misionarja protestante pranon islamin!



Profesoreshë, teologe, misionare, priftëreshë, predikuese fundamentaliste e krishterë, një kandidate jo bash ideale për të pranuar islamin.

Para 6 vjetëve, pasi isha edukuar në kishën e krishterë (së pari si katoliko-romane, e më pas si një e krishtere spirituale "e rilindur"), pasi kisha diplomuar si priftëreshë dhe pasi kisha mbaruar bachelorin dhe magjistraturën e teologjisë, pranova Islamin.


Çfarë e shkaktoi këtë ndryshim radikal?

Gjatë punimit të tezës së magjistraturës kam filluar të dyshoj në shkencat krishtere.

Për 12 vjet me radhë, e kisha bërë shprehi ta lexoja një herë të gjithë Biblën për çdo vit. Këtë e bëja krahas mësimit tim për ide, ligjërime dhe studime. Ndërkohë që i kam shqyrtuar librat e shenjtë, kam vërejtur kontradikta të caktuara. P.sh.: të krishterët mësojnë për mëkatin origjinal, Zanafilla 3, ndërkaq Ezekieli 18: 1-22 i kundërvihet kësaj. Nëse kjo doktrinë bazë (e mëkatit origjinal) nuk është e vërtetë, atëherë i tërë krishterizmi shkatërron vetveten.

Gjatë leximit i vëreja këto gjëra dhe atëherë ndërprisja leximin dhe mendoja për to, por për shkak të studimeve të mia kurrë nuk kam pasur kohë që t'i shqyrtoj më afër. Gjatë studimit tetëvjeçar e kemi lexuar Biblën, libër për libër, kapitull për kapitull, varg për varg. Por, kurrë nuk kemi bërë krahasime, prandaj kundërthëniet nuk janë përmendur. Në të vërtetë, ajo ishte hera e parë që kemi studiuar historinë e kishës përmes historisë së sotme, e jo përmes Biblës. Nga ai moment, kam filluar të dyshoj në parimet krishtere që nuk kishin ekzistuar në kohën e Jezusit. Ato kishin filluar, më vonë, në vitin 325 me doktrinën e trinitetit.

Fjala "trinitet", që përmendet në krishterizëm, nuk ekziston në asnjë Bibël në botë, qoftë kur bëhet fjalë për Biblën origjinale në gjuhën greke apo hebraike (pra në gjuhët në të cilat janë shkruar të gjitha Biblat). Doktrina e trinitetit në krishterizëm është formuluar tërësisht vetëm pas Koncilit të 4-të, që ka ndikim edhe në krishterizmin e sotëm. Mirëpo, meqenëse të krishterët atëherë nuk e kishin akceptuar trinitetin, vetëm pas 68 vjetësh është futur në krishterizëm, në koncilin e Nikesë. Që të mund të zhvillohej dhe të formulohej mësimi për inkarnimin, me të cilin Jezusi njëkohësisht mund të ishte edhe Zot edhe njeri, si dhe mësimi për paqësimin apo sakrifikimin e përsosur, është dashur të kalojnë më shumë se 100 vjet.

Vazhdimisht kam ndier një dëshirë të zjarrtë në zemër dhe kam dëshiruar të di më shumë për Zotin Një. Një ditë kam shkuar tek profesori im dhe i kam thënë: Krishterizmi nuk është vetëm ai që mësojmë ne. Ne i themi njerëzve se "përsëri do të lindim", që do të thotë se njeriu pastrohet vetvetiu dhe i lutet Jezu Krishtit që ai të kthehet në zemrën e tij në mënyrë që t'i falen mëkatet dhe që prej tij të bëhet një njeri i ri. Ose se duhet të jesh "i mbushur me Shpirtin e shenjtë" që përsëri të "rilindësh". Kur të hyjë Shpirti i Shenjtë tek ti, ai dikushi fillon të flas gjuhë të huaja (i kam përjetuar të dy rastet, edhe pse nuk janë të pranuar tek të gjithë të krishterët dhe bashkësitë si detyrime).

Mes drejtimeve të ndryshme në krishterizëm ka luftëra dhe dallime teologjike të shumta. Disa protestantë nuk i pranojnë katolikët si të krishterë sepse i luten Marisë, nënës së Isait a.s. dhe i adhurojnë shenjtorët. Baptistët nuk kanë kurrfarë lidhje me jobaptistët. Krahas kësaj, janë edhe metodistët, veslijanerët, presbiterianët dhe me mijëra kisha të pavarura që nuk i përkasin asnjë shkolle. Të gjithë dallohen në shkencën dhe interpretimin e Biblës.

Kam pasur ndjenjën, se atë që bënim ne ishte burim i të gjithave, se nuk kishte nevojë për bashkësi të tilla të ndryshme fetare. Duhej të ekzistonte një ndryshim evident shoqëror rreth nesh. Në vend të kësaj, shoqëria është dekadente dhe në një pozitë më të keqe se sa që ishte para 50 vjetëve! Të ashtuquajturat vende krishtere janë në mesin e vendeve me situatë më të keqe. Profesori im mbylli gojën dhe nuk mundi të më përgjigjej.

Kam vazhduar më tutje dhe në vitin 1993 kam përfunduar studimet e magjistraturës në teologji. Një muaj më pas, kam vendosur të studioj gjuhën gjermane. Njëri nga kolegët e mi ka qenë doktor që kishte kaluar 6 vjet në Dubaj. Jemi shoqëruar dhe kam vërejtur se më pyeste pandërprerë për Dhiatën e Vjetër. Kurse unë, përkundrazi, e pyesja për kulturën në Lindjen e Mesme. Asnjëherë nuk isha e interesuar për fenë islame, edhe pse çështja kryesore e studimeve të mia ishte "veprimtaria misionare". Kemi pasur ligjërata për islamin, budizmin, hinduizmin, animizmin dhe katolicizmin. Gjithashtu kemi studiuar edhe "kulte" të caktuara. Interesimi im ka qenë animizmi, një besim fisnor.

Kur ishim së bashku, kam hetuar se ishte tjetër. Ka dashur vazhdimisht të falet, por në mënyrë krishtere. Kur ishim jashtë, lypësve iu jepte vazhdimisht para. Për këtë madje ka pasur një qese me para të imta në makinën e tij. Një ditë i thashë: sikur mos të të njihja, do të mendoja se je musliman. Pranoi se e kishte pranuar islamin në Dubaj, por kurrë nuk i kishte folur familjes së tij për këtë. Kur ishte kthyer në Filipine, ishte liruar nga feja dhe nuk falej më dhe as nuk e praktikonte fenë. Familja e tij përbëhej nga katolikë të devotshëm. Ai asnjëherë nuk ishte lidhur me kishën katolike, kurse më herët kishte qenë me kishën protestante.

Në atë kohë kam njohur një filipinase, që ishte konvertuar në islam gjatë kohës që kishte punuar në Arabinë Saudite. Atëherë jetoja në Manilë. Edhe pse atje kishte muslimanë, në të vërtetë, nuk i kisha kërkuar ata. Ishte vërtet e çuditshme që në një periudhë të shkurtër kisha takuar dy muslimanë. E dija se Zoti po "ndërhynte" në jetën time përmes situatave plotësisht të thjeshta. Thosha me shaka: Në rregull o Zot, çfarë dëshiron të më thuash?

E kam pyetur ate për Islamin dhe gjëja e parë që e kam pyetur ka qenë trajtimi i femrave. Është e njohur (sikurse mësojmë ne në Perëndim dhe dëgjojmë në media) se muslimanet janë qytetare të rendit të dytë dhe pa kurrfarë të drejtash. Ato duhet të mbulohen me hixhab, sepse burrat e tyre nuk dëshirojnë që t'i shohë dikush. Ato duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe krahas kësaj burri ka të drejtë që t'i godasë! Duke dëgjuar përgjigjen e saj mbeta e hutuar.

Ajo tha se bashkëshortet dhe nënat në Islam respektohen shumë. Më ka sqaruar se gratë mbulohen, sepse ky është urdhër prej Zotit, në mënyrë që gratë të jenë të mbrojtura. Gjithashtu më ka sqaruar se keqpërdorimi nga ana e burrave nuk është pjesë e Islamit. Isha shumë e bindur se ajo që kisha mësuar ishte e drejtë dhe isha e gatshme të ndieja dhembshuri për ato gra të ngrata muslimane të shtypura.

Kur e njoha të vërtetën dhe kur u ballafaqova me mashtrimin që na kishin mësuar, kam filluar që të bëj pyetje më tutje: Kush është Zoti? Kush është Muhammedi për muslimanët? Në atë kohë ligjëroja në kolegj, kështu që pyetjet e mija shkonin mjaft thellë. Ajo më pat thënë se nuk ishte muslimane e kahershme dhe se ajo nuk mund të më përgjigjej për të gjitha pyetjet, por se do të shkonte me mua në një qendër islame ku to të merrja përgjigjet.

Kur kam dëgjuar këtë, e kam lutur Zotin (atëherë kam menduar për Jezusin) se nëse kjo është prej shejtanit dhe djallit (këtë vërtet mendojnë të krishterët për Islamin), atëherë ma trego atë. Në fund nuk kam ndier kurrfarë ndikimi të diçkaje djallëzore, kështu që jam nisur me të (edhe pse me shumë kujdes).

Kam qenë e befasuar se si janë sjellë ndaj meje. Kam studiuar teologjinë krishtere. E di se përdoren shumë strategji dhe metoda nëse dëshiron ta udhëzosh dikë që të pasojë fenë tënde. Ata nuk shfrytëzuan asnjërën prej tyre! Nuk kishte kurrfarë manipulime psikologjike dhe as ndikim të shkathët (të hollë), as shqetësim, as "do të vijmë në shtëpinë tënde dhe do të lexojmë Kur'an", sikurse bëjnë të krishterët, as thirrje telefonike. Ishin korrekt, të sinqertë. Më kanë dhënë libra dhe më kanë thënë se mund të shkoja përsëri nëse kam pyetje dhe se do të më përgjigjeshin me dëshirë. Kam shkuar në shtëpi dhe i kam lexuar të gjitha librat që kisha marrë.

Kam qenë e fascinuar dhe e befasuar. Kjo ishte hera e parë që kam lexuar një libër për Islamin që e kishin shkruar muslimanët. Të gjitha librat që kam lexuar gjatë studimeve prej tetë vjetësh ishin të shkruara nga ana e të krishterëve. Ato libra tregojnë se çfarë mendojnë ata për Islamin. Por ajo çfarë ata mendojnë se është islami dhe ajo çfarë është në realitet Islami, janë dy koncepte (nocione) të ndryshme. Të krishterët janë të sinqertë, por vërtet mendojnë gabimisht.

Ditën tjetër përsëri kam shkuar atje dhe kam diskutuar për 3 orë. Kështu ka kaluar java. Gjatë fundit të asaj jave kisha lexuar 12 libra dhe kisha kaluar më shumë se 15 orë diskutim me ta. Kam studiuar 8 vjet teologjinë krishtere. Në fund të asaj jave mendja ime ka kuptuar se Islami është e vërteta. A e kisha pranuar atëherë Islamin? Jo, sepse edhe atëherë nuk kam qenë dyfytyrëshe. Islami akoma nuk ka qenë në zemrën time.


Njëra prej pyetjeve të para që kam shtruar atë javë ka qenë: Kush është Allahu? Na kanë mësuar se Zoti i muslimanëve është Zot "pagan" (diçka si Zoti-Hindu, por emri i tij është Allah, dhe se atij i luten muslimanët). Kam qenë e befasuar kur kam kuptuar se Allahu është i Gjithëdijshmi, Zoti i Gjithëfuqishëm, se Ai është Krijuesi, Ngadhënjyesi (Mbajtësi) dhe Furnizuesi.

Kjo sigurisht nuk i përgjigjej studimeve të mia për "paganizmin" dhe kam kuptuar: Ai me siguri nuk është Zot pagan. Nuk ka rituale të fshehta as ndërmjetësues. Ai është i Vetmi Zot, pa partner. Kjo i kundërvihet trinitetit, ku Zoti është në tresh: Ati, Biri (Jezusi) dhe Shpirti i Shenjtë, që të tre të barasvlershëm dhe të amshueshëm.

Me kënaqësi do t'i pyesnim shokët e krishterë, ku ishte Jezusi kur është dashur të vdesë në kryq dhe kur ka thënë: "Eli, Eli, lama sabaktani"? Domethënë: "Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur"?, (Mateu: 27/46). A i ka folur ai vetvetes: Jo, ai ishte Jezusi njerëzor (shkenca e inkarnacionit, ku Jezusi mund të jetë njëkohësisht edhe Zot edhe njeri).

Ata mund të thonë njeriu e ndien dhimbjen njerëzore. Por sikur të thuhet kjo, atëherë Jezusi nuk do të ishte sakrificë e përsosur (shkenca e faljes), sepse sipas mësimit të krishterë, të gjithë njerëzit janë të lindur me "mëkatin fillestar" d.m.th., me mëkatin që i përcjell njerëzit prej Ademit dhe Evës. Nëse ai do të lindte pa atë mëkat, atëherë do të ishte njeri i mangët dhe nuk do të ishte në gjendje që të kuptonte tundimin dhe dhembjen.


Pyetja e dytë që kam shtruar ka qenë: Kush është Muhammedi a.s. për muslimanët? Kam qenë e befasuar kur kam mësuar se muslimanët nuk i luten Muhammmedit a.s., sikurse veprojnë të krishterët me Jezusin.

Pejgamberi Muhammed a.s. nuk është ndërmjetësues. Muslimanët i luten Allahut në fund të faljes (namazit) që ta bekojë Muhammedin a.s. dhe familjen e tij, ashtu sikurse e lusin Allahun që ta bekojë Ibrahimin dhe familjen e tij. Ai ka ardhur me porosinë e njëjtë me të cilën kishin ardhur edhe pejgamberët e tjerë, mes të cilëve edhe Jezusi.

Ajo porosi është se duhet t'i bindemi vetëm Zotit Një dhe të Vërtetë, Allahut. Musa a.s. i ka thënë popullit të tij Izrael: "Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënde, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde", (Ligji i përtërirë: 6:4-5).

Jezusi a.s. ka sjellë të njëjtën porosi: "Dhe Jezusi u përgjigj: "Urdhërimi i parë i të gjithëve është: Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot", dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde""! Ky është i pari urdhërim", (Marku: 12: 29-30).

Të shohim me kujdes: Jezusi a.s. ka thënë një Zot, e jo tre në një! Jezusi kurrë nuk ka pohuar se është bir i Zotit sikurse ia veshin njerëzit. Ai gjithnjë është paraqitur si bir njeriu.

Secili pejgamber ka ardhur me porosinë e njëjtë, por kanë ekzistuar dallime në kumtimin e atij mesazhi. Pejgamberia e Musait a.s. ka ndodhur gjatë persekutimit në Egjipt. Pejgamberia e Jezusit a.s. është dalluar me dëbimin e demonëve dhe kthimin e të vdekurve në jetë me ndihmën e Zotit. Ajo që e ka dalluar pejgamberinë e Muhammedit a.s. ka qenë shpallja e Kur'anit fisnik atij, të cilën nuk arrinte as ta lexonte as ta shkruante. Musai dhe Jezusi i ishin dërguar popujve të veçantë, hebrenjve. Në Bibël vazhdimisht përsëriten fjalët: "Dëgjo Izrael, dëgjo Izrael", që janë thënë nga pejgamberët, gjithashtu edhe nga Jezusi. Kur'ani fisnik nuk i është dërguar një populli të caktuar, edhe pse pejgamberi Muhammed a.s. ishte arab dhe ka folur gjuhën arabe. Allahu, në Kur'anin fisnik, thotë (më shumë se 20 herë) se Islami i është dërguar mbarë njerëzimit!

Thuaj: "Me të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij", (El-En'am: 161-163).

Jam mrekulluar kur kam kuptuar se Kur'ani fisnik ka vetëm një autor, i cili është Zoti, Allahu. Çdo sure (kaptinë), përveç njërës fillon me fjalët: Në emër të Allahut, Bamirësit, Mëshiruesit. E jo sikurse Bibla, e cila në Dhiatën e Vjetër fillon me: Libri (prej) ... kurse në Dhiatën e Re fillon me: Ungjilli sipas ...


Pyetja e tretë që e kam shtruar ishte kjo: Si ishin fjalët e lutjes? Të gjithë, natyrisht kemi parë pamjen e muslimanëve kur luten në drejtim të Qabesë në Mekë. Kemi besuar se muslimanët mendojnë se ndërtesa e zezë prej kubi është Zoti i tyre, apo se mendojnë që Zoti gjendet në të. Në këtë shihet përsëri injorimi që bëjnë jomuslimanët, duke përfshirë edhe të krishterët, sidomos kur është fjala për Islamin. Për mua lutjet dhe adhurimi, edhe kur isha e krishtere, kishin domethënie të madhe, prandaj kam qenë shumë e interesuar ta dija mënyrën dhe fjalët e lutjes.

Përgjigjet janë: Hapi i parë drejt lutjes është pastërtia e shpirtit dhe e trupit. Allahu, Krijuesi i njerëzve, është i Vetmi që ka të drejtë të na thotë si do të qëndrojmë para Tij gjatë lutjes. Më herët, si katolike, gjunjëzohesha që të lutesha dhe kryqëzohesha. Më vonë, kur isha protestante, i ngrinim duart tona, këndonim, duartrokisnim, bërtisnim, luanim dhe qanim. Në atë padije tonën mendonim se ajo ishte rruga e vërtetë drejt Zotit.

Ai (Zoti) na flet në Kur'anin fisnik për rrugën e vërtetë, në të cilën duhet të shtegtojmë drejt Tij: "O besimtarë! Kur doni ta falni namazin, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët, lani dhe këmbët deri në nyje ...", (El-Maideh: 6).

Duhet të lajmë fytyrën dhe duart deri pas bërrylave, të fshijmë kokën dhe të lajmë këmbët. Nëse e bëjmë këtë, atëherë na fshihen gjynahet e vogla që i kemi bërë me ato pjesë të trupit. Më pas marrim qëndrim në këmbë, fytyrën e kthejmë nga (fokusim i lutjes sonë) dhe i ngremë duart duke thënë: Allahu ekber (Allahu është më i Madhi).

Pastaj lexojmë suren e parë të Kur'anit fisnik: Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!

Pastaj i ngremë duart deri te supet (në nivel të veshëve) dhe themi: Allahu ekber (Zoti- Allahu është më i madhi). Pastaj përkulemi dhe duart i vëmë në gjunjë dhe themi: Subhane rabbijel adhim, (I pa të meta është Zoti im i madhërishëm) tri herë. Kur të drejtohemi, themi: Semi Allahu li men hamideh,(Allahu e dëgjon atë që e falënderon Atë) Rabbena ve lekel hamd (O Zoti ynë ty të takon lavdi). Dhe përsëri: Allahu ekber. Dhe namazliu bie në sexhde dhe thotë tri herë: Subhane rabbijel e'ala. Më pas ulet dhe i lutet Allahut për faljen e gjynaheve të tij (Rabbigfirli - O Zoti im më fal mua) dhe pastaj përsëri merr pozicionin e sexhdes ku përsërit duke thënë tri herë: Subhane rabbijel e'ala (I pa të meta është Zoti im i lartësuar).

Kam qenë e habitur kur kam dëgjuar fjalët e lutjes (namazit)) sa që kam bërtitur: Kjo lutje vërtet nuk përmban asgjë të ligë! Kjo është lutja me të cilën lavdërohet Zoti! Fjalët e lutjes kanë ardhur përmes udhëzimit nga Zoti, që i janë transmetuar Muhammedit a.s., përmes engjëllit Xhibril. Kjo është mënyra se si falen engjëjt në qiell para fronit të Allahut. Merreni me mend këtë! Muslimanët janë njerëzit e vetëm që falen sikurse engjëjt në qiell! Përveç kësaj, nëse edhe këtë nuk e përfillim, muslimanët janë të obligueshëm të falen në kohë të caktuara, që janë përcaktuar sipas pozitës së Diellit. Do të thotë, me rrotullimin e Tokës vetëm muslimanët falen në çdo moment para më të Madhit dhe të vetmit Zot, para Allahut.


Pyetja e fundit që kisha i përkiste autenticitetin të Kur'anit: Bibla përbëhet prej 66 librave (sipas mësimit katolik madje prej më shumë se 66) dhe janë shkruar prej rreth 40 autorëve të ndryshëm. Disa libra janë shkruar prej autorëve të panjohur, ose nuk janë përmendur fare autorët, p.sh.: "Libri i Rutës" në Dhiatën e Vjetër dhe "Letra drejtuar Hebrenjve" në Dhiatën e Re.

Edhe pse "Letra drejtuar Hebrenjve" i përshkruhet Palit, nënshkrimi i tij nuk shfaqet askund dhe përmes kësaj arrihet deri te ndryshimi i stilit të të shkruarit. Natyrisht, i krishteri mesatar nuk e di këtë dhe, pa i mbaruar studimet teologjike, kjo nuk mund të kuptohet vetëm përmes leximit të thjeshtë të Biblës.

Në Bibël ekzistojnë gjithashtu dy gjuhë: gjuha hebraike (në Dhiatën e Vjetër) dhe gjuha greke (në Dhiatën e Re). Asnjëra prej këtyre gjuhëve nuk mund të krahasohet me ato që ne i njohim sot. Përveç kësaj, unë kurrë nuk kam dëgjuar se Jezusi ka folur greqisht! Në kuadër të kurseve të mia më është dashur t'i mësoj të dy gjuhët.

Jam mrekulluar kur kam kuptuar se Kur'ani fisnik ka vetëm një autor, i cili është Zoti, Allahu. Çdo sure (kaptinë), përveç njërës fillon me fjalët: Në emër të Allahut, Bamirësit, Mëshiruesit. E jo sikurse Bibla, e cila në Dhiatën e Vjetër fillon me: Libri (prej) ... kurse në Dhiatën e Re fillon me: Ungjilli sipas ...

Po përmend kalimthi, se sipas mësimeve biblike Mateu, Marku dhe Luka nuk ishin nxënës të Jezusit. Ata kanë qenë nxënës të Pjetrit dhe të Palit. Marku i ka përpiluar Ungjijtë më të vjetër në vitin 68 "pas Krishtit". Shumë dijetarë pohojnë se Mateu ka kopjuar nga Marku, kurse Marku disa prej informacioneve të tij i ka marrë prej burimeve të tjera, që mbajnë emërtimin Q.

Luka në të dy Ungjijtë dhe librat e tij përmend informacione të pabesueshme. Ungjilli i Gjonit është shkruar rreth 100 vjet pas Krishtit. Sikurse thashë, të gjitha këto janë fakte tek të cilat nuk arrihet lehtë, veçse nëse studiohet teologjia.

Diçka tjetër që më ka fascinuar është fakti se Kur'ani ka mbetur i pandryshuar 1421 vjet (respektivisht 1430 vjet)! Këtë që e lexojmë sot është saktësisht ajo që i është shpallur Pejgamberit, Muhammedit a.s.. Nëse e lexojmë përkthimin e Kur'anit, atëherë origjinali në gjuhën arabe gjendet përkrah tekstit të përthyer. Duhet të mendojmë se përkthimi s'është bartje (në çdo gjuhë ka dallime në stilin gramatikor dhe të strukturës, gjithashtu edhe në disa fjali që s'mund të përkthehen asnjëherë në mënyrë të përpiktë ...). Jo vetëm se lutjet në Islam thuhen në gjuhën origjinale, por edhe muslimanët anembanë botës janë të lidhur me gjuhën e përbashkët. P.sh.: muslimani kinez, që vjen në Amerikë dhe nuk flet anglishten, me muslimanin amerikan që nuk e flet kinezishten, mund të komunikoj nëse e shfrytëzojnë gjuhën arabe, gjuhën e Kur'anit.

Edhe pse në po atë javë nuk e kam pranuar islamin, kam filluar të frekuentoj mësimet islame. Përsëri jam ulur aty dhe kam qenë e befasuar me atë që kam mësuar. Tërë ajo që kam mësuar gjatë studimeve të mia për Islamin, u hodh poshtë në këto kurse. Ne të krishterët nuk e kemi ditur se muslimanët besojnë se virgjëreshë Marija e ka lindur Jezusin. Ne as që e kemi menduar se ata madje besojnë në ekzistencën e Jezusit.

Por, nëse muslimani nuk beson se Jezusin e ka lindur virgjëreshë Marija, ai nuk është musliman. Kam qenë e befasuar kur kam kuptuar se muslimanët besojnë se Jezusi është ngritur në qiell dhe se do të paraqitet përsëri. Në Kur'an një kaptinë (sure) e tërë është emëruar sipas Marisë (Merjemes), nënës së Jezusit. Mirëpo, muslimanët nuk i luten asaj, sikurse e bëjnë një gjë të tillë katolikët. Në Biblat katolike dhe evangjeliste ekziston vetëm një fragment i vogël që i dedikohet asaj (Marisë) ... Surja Merjem është kaptinë në Kur'an që ka marrë emrin sipas asaj, nënës së Jezusit.

Pas kurseve shkoja zakonisht në shtëpi, që të meditoja. Në atë rast mendoja për atë që kisha mësuar. Krishterizmi më kishte krijuar shumë pyetje, kurse Islami u përgjigjej atyre. Shkoja çdo ditë në kurs, çdo natë lexoja Biblën, dhe çdo natë lutesha: O Zot, më trego se Islami është e vërteta. Dhe atëherë me kalimin e kohës kam pushuar që të them Jezus, Shpirti i Shenjtë, apo o At. Thjesht thosha: O Zot, më trego të vërtetën! Kur i lutemi Zotit të Gjithëfuqishëm që të na tregojë të vërtetën, mos vallë Ai do të na mashtrojë?

Nuk është e lehtë të ndërrosh religjionin. Nuk kam dashur të humbas shpëtimin tim. Një natë, afërsisht dy muaj pas vizitës sime në qendrën islame, jam lutur në këtë mënyrë, si zakonisht, dhe më pas kam shkuar për të fjetur. Para se të flija, mes gjumit dhe zhgjëndrrës kam ndier se diçka ka hyrë në zemrën time. Papritur kam qenë plotësisht e zgjuar, jam ulur në krevat dhe me zë kam thirrur: O Allah, besoj se vetëm Ti je Një dhe Zoti i vetëm! Ajo ishte hera e parë që kisha thënë fjalën Allah, edhe pse e kisha dëgjuar se si e thoshin të tjerët, asnjëherë më herët, deri në atë moment, nuk e kisha përmendur atë. Pas asaj kam ndier qetësi, dhe ajo, që nga ajo ditë, shyqyr Allahut, nuk më ka braktisur.

Vendimi im nuk mbeti pa pasoja. Të krishterët, që ia dedikojnë dashurinë e tyre Jezusit dhe që i gjykojnë të tjerët se i përndjekin ata që pranojnë krishterizmin, pikërisht ishin vetë ata të parët që më përndoqën mua. Natyrisht, e para që kam humbur ka qenë puna ime. Nuk kam mundur të mbaj leksione në institutin e krishterë. I krishteri mund të jap mësim për islamin, por jo edhe muslimani për krishterizmin. Kur kam pranuar Islamin tashmë isha 7 vjet vejushë, që do të thotë se kam qenë përgjegjëse për vetveten, por edhe për tre fëmijët e mi prej dhjetë fëmijëve.

Tjetra ishte ajo se familja e burrit tim hoqën dorë nga unë. Burri im ishte nga një familje e shquar. Gjyshi i tij është përmendur në librat historikë si hero, kurse i ati një kohë të gjatë ka qenë guvernator. Edhe pse që të tre ishin të vdekur, kam pasur marrëdhënie të mira me familjen e tij, madje edhe më të mira se me familjen time. Pasi jam bërë muslimane, më është thënë se nuk mund të jem më anëtare e familjes dhe se s'mund të marrë pjesë në takimet familjare.

Disa janë akoma aktivë në politikë dhe me siguri nuk është e parapëlqyer të kesh muslimanë si anëtarë të familjes. Me vite kam qenë e afërt me ta dhe kjo më ka lënduar mjaft. Kur më ka vdekur bashkëshorti, ata më ndihmuan t'i edukoj fëmijët, kurse tani ndryshuan kaq shumë. Kam qarë tri ditë, por vazhdimisht, kur kam kryer lutjen (namazin), kam qenë e bindur thellë se vendimi im ka qenë i drejtë.

Burim për mospajtim të mëtejshëm kanë qenë fëmijët e mi. Të gjithë fëmijët, përveç djalit që ishte me mua, atëherë ishin në SHBA. Atë që kam mësuar në qendrën islame, ia kam shkruar në letra. Pasi që kam pranuar Islamin, vajza ime më e madhe (e cila rastësisht ka punuar në rendin e kishës që i përkisja unë) më ka shkruar në një letër: A e di që islami është religjion satanik? I kam dërguar disa letra dhe i kam shkruar: Mos tento të më transformosh! I kam shpjeguar se Allahu na ka ndaluar neve që t'i detyrojmë të tjerët që të pranojnë Islamin dhe kam menduar se do t'i lexojë ato që të mund të kuptonte se në çka besoja unë.

Kur prindërit kanë probleme me fëmijët, atëherë zakonisht takohen me farefisin e afërt (gjyshen, tezen, mbesën ...) gjë e cila mbase do të mund të ndikonte në situatën. Më vonë kam kuptuar se fëmijët e mi janë bashkuar ashtu për shkak timin! Nëna ishte problemi, kurse Islami i gjykuari! Si zakonisht në familjet e mëdha, fëmijët ndahen dhe "grupohen". Tre më të moshuarit janë "shefat", tre të mesmit janë "luftëtarët" kurse më të rinjtë nuk pyeten aspak. Kur diskutimi ishte në vlugun më të madh, më të moshuarit kanë qenë kundërshtarë të rrëmbyer, kurse të mesmit kanë thënë: Ajo është nëna jonë, dhe ai është vendim i saj. Ajo nuk na imponon asgjë neve. Dëshirojmë edhe më tutje të kemi marrëdhënie të afërta me të dhe dëshirojmë që ajo të ketë marrëdhënie të ngushta me nipat e saj.

Kur jam kthyer në SHBA, më të moshuarit tentuan të grindeshin dhe sikur kishin bërë një mur që pengonte çfarëdo diskutimi, ndërsa, në anën tjetër, fëmijët e mesëm ishin shumë komunikues dhe plot pyetje. Bisedat tona ishin vërtet të rëndësishme dhe zhvilloheshin krejtësisht natyrshëm. Madje njëra prej vajzave më tha se si muslimane jam shumë më e përzemërt se sa që kisha qenë si e krishtere! Kjo më ka befasuar shumë, sepse si krishtere gjithnjë jam munduar të jetoj sipas besimit tim.

Kur jam në SHBA vazhdimisht bart abajen dhe hixhabin. Në lidhje me këtë vajza më ka dhënë vërejtën vijuese të papritur. Më ka thënë se kur më shikon një mashkull musliman mund të më njohë menjëherë. Isha kureshtare se si ajo kishte ardhur në një përfundim të tillë, sepse unë nuk i shikoj meshkujt musliman, kurse meshkujt muslimanë në SHBA nuk mund të njihen nga gardëroba (rrobat), shumica e tyre s'kanë madje as mjekër. E kam pyetur në bazë të çfarë gjëje mund ta thotë një gjë të tillë: Kur ata të shikojnë, ajo është ndryshe. Ata të shikojnë me respekt.

Pas gjashtë vjetësh, përfundimisht, edhe më të moshuarit e kanë pranuar se jam muslimane, dhe se me ndihmën e Zotit kurrë më nuk do t'i kthehem krishterizmit. Të tjerët thonë se Islami është vetëm ndryshim i mënyrës së jetës dhe se nuk është si krishterizmi në të cilin shkohet në kishë, dhe kur dilet prej kishe, veprohet ashtu si dëshirohet. Me fjalë të tjera, kërkohet ndryshimi i mënyrës së jetës.

Djali që ka jetuar me mua kur e kam pranuar Islamin, nuk ka qenë aspak i interesuar për religjionin. Atëherë ishte 18 vjeçar dhe religjioni nuk ka qenë i përfaqësuar në stilin e tij jetësor. Një kohë, pasi humba punën e docentit, më kanë lutur në qendrën islame që të formoj një seksion për gra dhe ta udhëheq atë. Çdo javë kam sjellë libra në shtëpi dhe i kam vendosur me rregull në tavolinë. Ditën tjetër librat kanë qenë në të njëjtin vend. Kohë pas kohe i kam ndërruar. Kam shpresuar se atij do t'i interesojnë librat dhe se do t'i lexojë edhe do të fillojë të bëjë pyetje. Kjo nuk ngjau.

Shumë herë në vit i kam ftuar vëllezërit nga qendra islame që të bisedojnë me të. Gjithnjë ka qenë i sjellshëm, por asnjëherë i interesuar. Një ditë dikush bisedoi me të dhe në fytyrën e tij mund të diktohej fryma e bindjes. Më ka pyetur: Pse nuk ma ke treguar atë? Kam qenë e topitur dhe i kam përmendur se librat i kam lënë me shpresën se do t'i lexonte dhe se do të pyeste. Atëherë më ka kallëzuar se, pasi që unë dilja prej shtëpisë, i lexonte librat me shokët e tij dhe vazhdimisht i kthente në vendin e njëjtë. Kisha një orë që thërriste ezanin. Më ka thënë se vazhdimisht kur unë nuk kam qenë në shtëpi, ai e ka kurdisur atë orë. Ai tani quhet Omer. Ai ka braktisur stilin e tij jetësor e shokët e tij dhe tani punon në Arabinë Saudite.

Ai bisedon me motrat e tij më të mëdha për Islamin dhe është më i suksesshëm se unë. Deri tani askush prej familjes nuk e ka pranuar Islamin, por ne akoma i bëjmë davet atyre (i ftojmë në Islam). InshaAllah, do të përjetoj që të shoh që të paktën dikush prej nipave të mi të bëhet musliman. Asnjëherë nuk jam penduar që jam bërë muslimane dhe e lus Allahun që të më jap imanin (besimin) e sahabëve.

"Thuaj: "Me të vërtet, Zoti im më ka udhëzuar në rrugë të drejtë, në fenë e vërtetë, fenë e pastër të Ibrahimit besimplotë, i cili nuk ka qenë adhurues i idhujve". Thuaj: "Me të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij"", (El-En'am: 161-163).



Përktheu dhe përshtati: Ajni SINANI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...