Kush janë armiqtë e Mevludit?



Sipas kalendarit hënor islam, ne tashmë gjendemi në muajin Rebiuleuel, muaj në të cilin është lindur Muhamedi alejhi selam. Për këtë arsye data 12 Rebiuleuel e vitit 571, konsiderohet një kthesë historike e cila ka lënë gjurmë jo vetëm tek myslimanët, por tek mbarë njerëzimi në përgjithësi.

Duke u nisur nga ky fakt, tek shoqëritë myslimane është shënuar tradicionalisht kjo datë. Një përkujtim i vazhdueshëm i Muhamedit a.s., respektivisht një shprehje falënderimi për Zotin që e dërgoi lajmëtarin e Tij për ta komunikuar shpalljen hyjnore, me të cilën u ndriçua rruga atyre të cilët kishin humbur në errësirën e injorancës. Andaj është mese e natyrshme shënimi i kësaj date, në të cilën Zoti e dërgoi pejgamberin e tij Muhamedin a.s.. Tek ne, kjo datë njihet si Dita e Mevludit dhe tradicionalisht është shënuar me manifestime të ndryshme. Organizimi i ligjëratave fetare ku temë shtjellimi është lindja e Muhamedit a.s. tashmë janë të zakonshme dhe ato shoqërohen edhe me program kulturor-artistik.

Manifestimet e tillë, edhe pse janë organizime zyrtare, si duket një pjese të komunitet nuk po iu pëlqen. Madje mund të themi se nga grupacione të caktuara është duke u shfaqur një urrejtje dhe armiqësi e madhe kundrejt Ditës së Mevludit. Këtë e kemi vërejtur edhe ne si medium, ku në temat e shkruara dhe video punimet e postuara në lidhje mevludin, megjithëse pjesa dërrmuese i pëlqen dhe i lexon e shikon me ëndje këto materiale, kemi hasur edhe të atillë që përdorin gjuhë denigruese gjatë komentimin e këtyre postimeve.

Por kush janë këta armiq të mevludit dhe përse kjo çasje destruktive e tyre ndaj një ngjarjeje aq madhore e fisnike. Është vërejtur që në rrjetet sociale, gjuha e urrejtjes dhe fyerjet ndaj atyre që shënojnë mevludin dhe vetë mevludit, vjen nga njerëz anonim, pra me profile fallco. Kjo të jep të kuptosh se prapa atyre profileve qëndrojnë njerëz të ligë dhe që janë të paktë, por që me hapjen e shumë profileve mëtojnë të krijojnë iluzionin se janë shumë. Të pakët janë ata të cilët kritikojnë me emër e mbiemër, ngaqë shihet se qëllimi është që sharjet, fyerjet dhe ofendimet të bëhen më lehtë dhe të kenë efektin e frikësimit.

Fatkeqësisht, persona të këtillë që ushqejnë armiqësi patologjike ndaj mevludit, hasim edhe në xhemate. Ku njerëz pa kurrfarë njohurish fetare, marrin guximin të flasin kundër mevludit, të japin verdikte fetare për të dhe të etiketojnë si të devijuar e të humbur hoxhallarët që e shënojnë atë, e që i bie se shumica absolute e hoxhallarëve të Kosovës qenkan të tillë, me përjashtim të radikalëve. Dihet tashmë botërisht se ideologjia ekstremiste vehabiste që vie nga Arabia Saudite, është përgjegjëse për futjen e hutisë dhe përçarjes mes myslimanëve kudo në botë, e mjerisht edhe në Kosovë.

Personat e tillë të cilët ndjekin ideologjinë vehabiste punojnë me verdikte të myftilerëve saudian, që konsiderojnë mevludin idhujtari, kurse vetë festojnë ditëlindjen e monarkut të tyre, që është një kontradiktë, apo thënë më mirë hipokrizi. Andaj është për tu shqetësuar kur shohim se si ndikimi ideologjik vehabist ka indoktrinuar të rinjtë tanë, të cilët po tregojnë afërsi me të tjerët, kurse sulmojnë vëllezërit e tyre shqiptar Në manifestim të mevludit kemi këndim të Kuranit, përmendje të Zotit (dhikër), lavdërime ndaj Muhamedit a.s. (salavate), dhe recitime të vargjeve poetike të cilat lejohen sipas dispozitave islame.

Dhe shtrohet pyetja se vallë si mund të cilësohet nga kushdo kjo vepër si e urryer dhe si mund të kenë armiqësi nda kësaj?! Athua vallë kaq shumë u është shpëlarë truri njerëzve dhe tashmë nuk po dijnë të dallojnë veprën e mirë nga e shëmtuara?! Është hipokrite të thuhet se përkujtimi i ditëlindjes së Pejgamberit a.s. është e ndaluar, kurse vetë të festosh ditëlindjen tënde. Dijetarët e famshëm si Ibn Haxher el-Askalani dhe imam Sujutiu kanë miratuar dhe kanë çmuar shënimin e mevludit, dhe këtë mendim ndajnë shumë hoxhallarë të tjerë, ngaqë si është e mundur që mos të shprehet gëzim dhe hare për ardhjen e të Dërguarit të Zotit në këtë botë?! Prej mese një miliard myslimanëve që shënojnë Ditën e Mevludit, vetëm vehabinjtë që i përshkruajnë Zotit cilësi njerëzore e kundërshtojnë atë.

Duhet të kujtojmë thënien e komentatorit të famshëm të Kur'anit ibn Kethirit i cili kishte thënë se: "Iblisi (kryshejtani) ka qajtur me dënesë në katër raste, e ato ishin: 'Kur Zoti e mallkoi atë, kur Zoti e përzuri atë, kur lindi Muhamedi alejhi selam dhe kur zbriti kaptina el-Fatiha'". Neve na mbetet të lusim Zotin Fuqiplotë që të na drejtoj ne si popull dhe myslimanët në përgjithësi, duke dëshiruar që dashuria, respekti dhe harmonia të ngadhënjejnë ndaj së shëmtuarës dhe përçarjes, sepse vuajtje dhe të këqija kemi përjetuar mjaft.



Përgatiti: foltash

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...