A lejohet falja e namazit me xhemat pa i bashkuar safët dhe duke mbajtur distancën fizike?



Në kërkim të alternativave për të mundur të falemi në xhami gjatë kohës së izolimit për shkak të Pandemisë COVID-19 dhe në veçanti gjatë Ramazanit muslimanë të shumtë në botë e kanë menduar, se a thua mundet të falemi në xhami duke qëndruar larg njëri tjetrit siç edhe është bërë në disa vende muslimanë, sidomos tani kur në disa shtete si Gjermania po lajmërohet për hapjen e objekteve fetare, pra nëse do të na kushtëzohej hapja e xhamive me faljen e namazit në distancë nga njëri tjetri dhe pa i bashkuar safët, a do të ishte namazi ynë në rregull dhe a do të kishte sevapin e namazit me xhemat apo jo?

Për të mundësuar që të kemi një reference shkencore gjatë faljes së namazit në këtë formë, tashmë kur xhamitë po hapen këtu në Gjermani, po sjell këtë kontribut timin modest.

"Përgjigja e kësaj pyetje është se në aspektin juridik islam (të Fikhut) sipas fukahave (juristëvë) të shkollës hanefite por jo vetëm, lejohet falja e namazit me xhemat duke qëndruar xhemati larg njëri-tjetrit, që në rastin tonë behët si mjet mbrojtës nga infektimi me virusin COVID-19 dhe kjo formë e namazit nuk e humb vlerën e namazit me xhemat, por konsiderohet namaz me xhemat edhe pse nuk i mbushim dhe nuk i plotësojmë safët".

Kjo sepse radhitja e safëve, plotësimi i tyre dhe afrimi i namazfalësve mes vete derisa sa t'u preken krahët, sipas Imam Ibën Humamit në Fet'hu'l-kadir (1/359), sipas Imam Bedruddin Ajniut në Umdetu'l - Karii (5/254), sipas Imam Eshref Ali Tehaneviut dhe Imam Dhafer Ahmed Tehaneviut në I'aleu's-Sunen (4/355-356) është sunnet muekkede (sunnet i fortë) në medhhebin hanefi, e lënia e sunnetit muekkede nuk e prish adhurimin edhe sikur të lihet pa arsye, ndërsa kur lihet me arsye aq më pak.

Dhe sepse, nëse lënia pa arsye e rregullimit dhe plotësimit të safëve është mekruh tahrimen (ndalesë jo e prerë) siç thotë Imam Ibën Abdini në Hashije (1/570) atëherë lënia e tij me arsye ose është mekrhuh tenzihen (e pa pëlqyer) ose nuk është mekruh aspak, sepse në raste kur vërtetohet nevoja humbet keraheti (mekruhu). E gjithë kjo vlen me kusht që të vërtetohet sëmundja ngjitëse dhe të vërtetohet se s'ka rrugëdalje tjetër vetëm se distanca, siç është rasti me virusin COVID-19 që e kanë vërtetuar autoritetet e shëndetësisë të cilat obligojnë distancimin fizik midis njerëzve.


Argumenti i këtij qendrimi

1. Argumentet që i përmend Imam Tehaneviu në I'alau's-Sunen se rregullimi, drejtimi dhe plotësimi i safëve dhe ngjitja e krahëve të namazfalësve është sunnet i namazit në medhhebin hanefi janë këto:

- a). Hadithet që transmetohen nga Pejgamberi a.s. për këtë çështje dallojnë në gjuhën e përdorur dhe nivelin e rigorozitetit me të cilin Pejgamberi a.s. e kërkon drejtimin dhe plotësimin e safëve, ashtu siç dallojnë edhe qortimet që ai ua bën atyre që e lënë drejtimin e safëve, e sikur kjo të ishte obligim, atëherë Pejgamberi a.s. nuk do ta toleronte lënien e saj në asnjë situatë.

- b). Transmeton Muslimi nga Xhabir Ibn Sumreh se ka thënë: "Doli Pejgamberi a.s. dhe na pa të mbledhur në formë hallke dhe na tha: Përse jeni mbledhur në formë hallke? Pastaj më voni doli prapë dhe na tha: A nuk radhiteni në safë siç radhiten melekët para Zotit të tyre? Dhe tha: I plotësojnë safët e para, dhe ngjiten me njëri-tjetrin në safë".

Pra, Pejgamberi a.s. vetëm i nxiti dhe nuk i qortoi se përse faleshin pa u radhitur në safë, veprim nga i cili kuptojmë se radhitja është sunnet dhe jo obligim sepse sikur të ishte obligim Pejgamberi a.s. nuk do të mjaftohej me aq.

- c). Transmeton Imam Buhariu nga Enes Ibën Maliku r.a. se: "Kur ai u kthye në Medine (një kohë pas vdekjes së Pejgamberit a.s.) njerëzit e pyetën: Ç'cilësie të keqe sheh në mesin tonë, e që nuk ka qenë në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.? Dhe ai u tha: Nuk shoh gjë teqe tek ju përpos se nuk i rregulloni safët".

Imam Tehaneviu thotë se ky hadith që e marrin për argument ata që thonë se rregullimi i safëve është obligim (vaxhib), në të vërtetë është argument kundër tyre sepse ky është argument se rregullimi safëve nuk është vaxhib dhe se nëse lihet pa arsye nuk ka mëkat, ngase sikur kjo të ishte obligim, Enesi r.a. nuk do të priste që njerëzit ta pyesnin se ç'të keqe shihte në mesin e tyre, por do t'i qortonte ai i pari pa pritur ta pyesin, sepse lënia e obligimit është mëkat e ndalimi nga e keqja është urdhër i Allahut xh.sh. që nuk do ta linte një sahabij fisnik si ai.

- d). Transmeton Imam Muslimi nga Abdullah Ibën Mes'udi r.a. se ai pasi e ka përcjellë hadithin e Pejgamberit ku thuhet: "Mos u ndani në safë sepse do t'u ndahen zemrat!", ka thënë: "E ju sot jeni të ndarë mes vete aq shumë!".

Imam Dhafer Tehaneviu thotë: Sikur rregullimi në safë të ishte obligim, atëherë Ibën Mes'udi r.a. do t'i qortonte njerëzit se përse nuk e bëjnë dhe do t'i urdhëronte ta bëjnë e nuk do të mjaftohej duke u treguar se ata po vuajnë pasojën që sjell mos-rregullimi i safëve e që është distancimi midis zemrave të muslimanëve në këtë botë.

- e). Që në kohën e sahabëve, pra derisa ata ende ishin gjallë mos-disiplina në rregullimin e safëve është shndërruar në dukuri të përgjithshme saqë t'u thotë Enesi r.a. banorëve të Medinës se ju nuk i rregulloni safët siç bëhej në kohën e Pejgamberit a.s. e kjo është argument se një gjë e tillë nuk është obligim, sepse është e pa-mendueshme që sahabët të lejojnë që në kohën e tyre të thyhet një obligim fetar (vaxhib) nga pothuajse të gjithë njerëzit, e aq më pak në Medinën e Pejgamberit a.s..

- f). Imam Ibën Humami në Fet'hul - Kadir (1/359) thotë: "Le të përmendim disa nga sunnetet e safit (rregullimit të safit,, E.S.) si: sunneti i ngjitjes së krahëve në saf, afrimi i safëve mes vete dhe drejtimi i tyre!", dhe pastaj përmend disa nga hadithet që flasin për këtë çështje.

- g). Imam Bedruddin Ajniu në Umdetu'l-Kari (5/245) duke shpjeguar hadithin 718 të Sahihut të Imam Buhariut që flet për drejtimin e safëve thotë: "Drejtimi i safëve tek Ebu Hanifja, Shafiiu dhe Maliku është sunnet, ndërsa Ibën Hazmi pretendon se kjo është farz ...".

2. Argumentet se mos-rregullimi i safëve dhe mosplotësimi i tyre, pra të falesh në safin e dytë edhe pse ka vend të lirë në safin e parë pa arsye është mekruh tahrimen, ndërsa me arsye nuk është as mekruh:

Imam Ibën Abdini në Hashije (1/570) thotë: "Nëse dikush falet në çardakun e xhamisë edhe pse poshtë ka vend të lirë, kjo është mekruh sepse e ka lënë plotësimin e safëve. Por nëse ai që do të falej në çardak do të ishte muezini në ditën e xhuma, për shembull, (që të përsërisë tekbiret) që zëri i tij të arrijë deri në skajet e xhamisë atëherë kjo nuk është mekruh. (Mekruh është) gjithashtu edhe qëndrimi i namazliut në një saf kur në safin përpara tij ka boshllëk. Por a është kjo mekruh teznihen (vepër e urryer) apo tahrimen (ndalesë jo e prerë)? Fjala e Pejgamberit a.s. në hadith: "Kush e shkëput safin, Allahu do ta shkëpusë atë" na udhëzon drejt të dytës (mekruhut tahrimen - ndalesës jo të prerë)".

Imam Dhafer Tehaneviu në I'alus-Sunen (4/356) thotë: "Qëndrimi i Medhhebit (hanefi) lidhur me plotësimin e safëve, në kuptimin e plotësimit të safit të parë, pastaj tjetrit pas tij është sunnet muekkede (sunnet i fortë), ndërsa ndërprerja e tij në kuptimin e të qëndruarit në një saf kur safi para tij ka boshllëk është mekruh (e urryer)".

Imam Ajniu në Umdetu'l - Kari (5/259) edhe pse konsideron se rregullimi i safëve është obligim (por obligim jashtë namazit) dhe konsideron se mosplotësimin e safëve pa ndonjë arsye është mëkat thotë: "Edhe nëse drejtimi dhe plotësimi safëve do të ishte vaxhib, përsëri lënia e tij nuk e dëmton namazin sepse kjo është diçka që nuk hyn në esencën e namazit, prandaj edhe Enesi r.a. edhe pse i qortoi (banorët e Medines, E.S.) nuk i obligoi ata ta përsërisin namazin".

E nëse mosplotësimi i safëve pa arsye nuk e dëmton namazin, por vetëm ka mëkat, ndërsa nëse bëhet me arsye si puna e muezinit nuk është mekruh dhe nuk ka mëkat, atëherë edhe nëse bëhet me arsye të ruajtjes dhe mbrojtjes së shëndetit duhet të mos ketë as mëkat e as të jetë mekruh, sidomos sepse Sheriati e llogarit frikën nga sëmundja si arsye të vlefshme për lehtësim (ruhsa), saqë fukahatë hanefi thonë se nëse njeriu s'ka mundësi të marrë gusël me ujë të ngrohtë dhe ka vetëm ujë të ftohtë dhe frikohet se do të sëmuret apo vdes sepse është dimër, i lejohet të marrë tejemum dhe ta lërë guslin.

3. Argumenti se falja e namazit duke lënë boshllëqe nëpër safë nuk e humb vlerën e namazit me xhemat:

Imam Haskefiu në E'd-Durru'l-Muhtar (1/570) përcjell nga Imam Sujutiu që është nga dijetarët e medhhebit shafi'i se ka thënë: "Dhe ky veprim ( ka për qëllim që pa ndonjë arsye të falesh në një saf përderisa në safin para teje ka boshllëk, E.S.) e humb vlerën e namazit me xhemat, por në kuptimin e vlerës së shumëfishtë (27 derexhet, E.S.) dhe jo në kuptim të humbjes së bereqetit së namazit me xhemat tërësisht, sepse vlera e shumëfishtë është diçka tjetër nga bereqeti i namazit me xhemat ...".

Ndërsa Imam Ibën Abidini kur e shpjegon këtë pjesë thotë: "Ky është qëndrimi i medhhebit shafi'i sepse tek ata për të pasur namazi me xhemat vlerën e tij është kusht që të kryhet pa asnjë mekruh, ndërsa tek ne e arrin vlerën e shumëfishtë (të namazit me xhemat), por obligohet me pasojat e mekruhut ose haramit (pra me qortim ose dënim nga Allahu xh.sh.) njëjtë sikur ta kishte falur namazin në tokë të uzurpuar. Kështu thotë Imam Rahmetiu (v.1205h.) dhe ngjashëm me këtë thuhet edhe në Hashijen e Halebiut (v.1190h.)".

Pra sipas Imam Ibën Abdinit, Imam Mustafa Rahmetiut dhe Imam Burhanuddin Halebiut ai që pa ndonjë arsye e fal namazin në këtë formë e arrin vlerën e shumëfishtë të namazit me xhemat, por se do të bartë pasojat e veprës së ndaluar ose të urryer që ka bërë, pra nëse ka bërë haram do të dënohet, që nuk ka të bëjë me rastin tonë dhe nëse ka bërë mekruh do të qortohet dhe ky është rasti ynë.

Por, nëse falet në këtë formë me arsye siç është rasti ynë për shkak të frikës nga infektimi me virusin COVID-19 ose siç është rasti i muezinit ditën e xhuma, atëherë nga të gjitha që u thanë kuptohet se ai nuk e humb vlerën e namazit me xhemat që është 27 herë më e madhe se namazi i vetëm, por edhe nuk bart pasojat e veprimit të mekruhut ose haramit, sepse siç u përmend më lartë, mbështetur në shembullin e muezinit që e përmend Imam Ibën Abidini në këtë rast falësi nuk ka kryer as mekruh e as haram.

Duhet shënuar se namazi i falur me mekruh tahrimen duhet përsëritur, që të falet përsëri pa këtë mekruh siç thotë Imam Ibën Humami në Fet'hul - Kadir (1/414), por ky nuk është rasti ynë sepse ne nuk kryejmë ndonjë mekruh!

Sidoqoftë, Allahu e di më së miri!



Autor: Ensar SINANI, prill 2020.



Referencat:

1. Imam Kemal Ibën Humam, Sherh Fet'h El-kadir ala El-Hidaje, bot. Daru'l-Fikr, Bejrut, vëll.1, fq.359-360 dhe vëll.1, fq.414.
2. Imam Bedrudin Ajni, Umdetu'l-Karii fi Sherh Sahih El-Buhari, bot. Dar Ihja' Et-Turath El-Arabij, Bejrut, vëll.5, fq.524, hadithi nr.718 dhe vëll.5, fq.258-259, hadithi nr.724.
3. Imam Muhammed Emin Ibën Abidin, Hashije, bot. Daru'l-Fikr, Bejrut, vëll.1, fq.570.
4. Imam Dhafer Ahmed Tehanevi, I'alau's-Sunen, bot. Idaret El-Kur'an ve'l-Ulum El-Islamijje, Karaçi, viti 1415H, vëll.4, fq.353-362, hadithet 1319-1330.
5. Fetvaja e Shejh Nidal Ibrahimit në Facebook në lidhje me këtë çështje: https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2639331486389258&id=100009372973638

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...