Behaizmi dhe doktrinat e tij



Falënderimet i takojnë Allahut (xh.sh.), Krijuesit të botëve, ndërsa salavetet më të mira për të dërguarin tonë, Muhamedin (alejhis-selam), kurse të mirat e Zotit qofshin edhe për familjen e të dërguarit, sahabët dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e Muhamedit (a.s.) deri në Ditën e Gjykimit.

Armiqtë e shohin Islamin si një forcë të madhe e të rrezikshme ndaj se cilës nuk bënë të mbyllen sytë, andaj përpjekjet e tyre për të dobësuar këtë forcë nuk ndalen. Ata duan ta fikin këtë dritë me të gjitha potencialet e mundshme që i kanë në dispozicion.

Ndër taktikat më të rrezikshme është mënyra me të cilën orvaten t'i dobësojnë lidhjet e myslimanëve me fenë e tyre, duke ndezur kohë pas kohe fitilin e përçarjes ndërmjet tyre. Për të realizuar këtë, kohë pas kohe paraqiten grupe dhe lëvizje që përpiqen të rrënojnë fenë e vërtetë.

Në këtë punim modest do të mundohem që të jap një pasqyrë të shkurtër rreth Behaizmit, të cilët janë një nga grupet "batinije" (që për bazë e kanë sekretin). Me rrugë dhe mënyra të shumta, si më parë edhe tani, janë përpjekur ta rrënojnë Islamin dhe t'i nxjerrin myslimanët nga Islami.

Behaitë paraqesin një veprimtari (misionare) të vjetër, por që më vonë është ripërtërirë nga ana e vetë kolonialistëve të huaj, veprimtari e përbërë nga një numër i konsideruar i bazave filozofike pagane (ateiste) dhe greke, nga filozofia e konceptit jehud (Talmudid), si dhe koncepti i filozofisë persiane (zjarrputiste). Behaizmi është një ndër veprimtaritë misionare e paraqitur në kohën moderne, konkretisht në kohën e kolonializmit britanik. Qëllimi kryesor i daljes në shesh të kësaj veprimtarie është pengimi apo paralizimi i parimit të Xhihadit në Islam.


Themeluesi i Behaizmit

Themelues i këtij grupi quhej Mirza Husein Ali - i quajtur Beha Ullah - themelues i lëvizjes moderne reformiste të islamizmit, e përshkruar me ide humanitare e paqësore, vazhdim i Babizmit, ndërsa babai i tij quhej Abas Bezrek En-Nuri El-Mazen Derani.

Husein Ali En-Nuri El-Mazen Derani u lind në vitin 1233 hixhri / nëntor 1817 miladi, në një fshat nga fshatrat e Mazen Deranit në Iran, i cili quhej Nur. Babai i tij ka qenë nëpunës i financave dhe pas vete la shtatë fëmijë. Huseini u edukua me vëllezërit e vet në Teheran.

Shoqërohej me sufitë dhe ndiqte babistët. Meqë tentoi të bënte atentat ndaj Nasirudin Shahut më 1852, u burgos dhe iu shqiptua dënim me vdekje, por me intervenimin e qeverisë ruse u lirua dhe u internua në Irak. Pas daljes nga burgu, në kontakt me një grup çifutësh hartoi një program për rrënimin e shoqërisë myslimane. Filloi Behai dhe pasuesit e tij ta realizojnë këtë strategji. Myslimanët kishin dëgjuar për këtë fraksion, andaj Shahu, edhe pse qëndronte larg kufirit të tij, mendonte se ata paraqesin rrezik, kështu që kërkoi nga halifeja Uthman (turk-otoman) që t'i largojë nga Bagdadi.

Mirëpo, para se të largohej nga Bagdadi, Behaullahu më 1863, në një kopsht, shpalli se ishte pikërisht ai për të cilin Bab-i kishte paralajmëruar se do të vinte dhe të cilit ia bëri detyrim ta përmbaronte misionin e tij. Fillimisht misionin e filloi me anëtarët e familjes dhe me një numër të vogël pasuesish.

Duke parë rrezikun nga përçarja e Behaut me vëllanë e tij, Perandoria Osmane në vitin 1868 i ndau në dy grupe: "njërin e vendosi në Akra të Palestins, kurse tjetrin në Famagusta të Qipros". Behaiu u përpoq që t'i shpartallonte pasuesit e vëllait të vet duke përdorur metoda të ndryshme, madje filloi ta quante veten Edh Dhikr, duke thënë se ky është për qëllim në ajetin kuranor: "Ty ta zbritëm Kuranin që t'u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kuranin)".

Behau shkroi fletushka dhe libra të ndryshëm. Nga më të njohurat janë El-Ikan dhe Kitub'ul Akdes. Besohet se ato janë të bazuara në shpallje. Leximi për çdo ditë i një pjese nga ky libër (Kitub'ul Akdes ) është Vaxhib. Sipas behaizmit, Krijuesi i Universit, Zoti i Madh, është i fshehur, emri dhe cilësitë e tij njihen nëpërmjet të të dërguarve të tij. Zoti është manifestuar në Behaullahun, kurse cilësitë Hyjnore janë dukur në Behaullahun. Ai është edhe Zot edhe Pejgamber, i cili bart shpalljen deri te njerëzit. Ai gjithashtu është edhe Mehdi dhe Mesih, të cilin e presin të krishterët.

Behau ishte i dhënë pas asaj që kishte të bënte me Mehdiun, lajmeve rreth tij, leximit të librave mistik, filozofik dhe batinije. Mirëpo, kur u rrit filloi të merrej me legjenda ateiste, shpalli se është analfabet, nuk di asgje dhe se Allahu e ka inspiruar me shkencë e njohuri. Ka shkruar shumë dhe konsiderohet nga gënjeshtarët më të ndyrë.


Vdekja e Behaut

Behaullahu pasi u vendos në Akra të Palestinës, pretendonte se eshte Zot. Një gjë të tillë e ceku në librin e tij Kitab'ul Akdes. Allahu (xh. sh.) e denoi me semundjen e etheve dhe keshtu vdiq në vitin 1892. U varros afër shtëpisë së tij. Ka thënie se ai është varrosur në Haifa ose diku tjetër. Ai ka menduar se vdekja e tij është vetëm një urtësi, ngase ai i sheh pasuesit e tij, i përkrah ata dhe i ndihmon.

Pas vdekjes së tij, atë e zëvendësoi djali i tij i madh, Abbas efendi, i cili pas daljes nga burgu, më 1908, filloi të zhvillonte një aktivitet të ngjeshur, më shumë në Evropë dhe Amerikë e më pak në vendet islame.

Abbasi nuk i përfilli mësimet e babait të tij dhe rrjedhimisht erdhi deri te përçarja e ashpër ndërmjet vëllezërve, andaj behait u ndanë në dy grupe:

- Grupi i parë që e përkrahin Abbas Efendiun u quajt El-Abbasije, dhe
- Grupi i dytë që ishin përkrahës të Ali Ibn Husein el-Mazenderanit u quajtën el-Muvehidun.

Pas këtyre ndarjeve dhe vazhdimit të përçarjeve sot behait u ndanë në pesë grupe:

- El-Babijetu-l-halis,
- El-Ezelijetu - pasues të Subhi Ezelit,
- El-Behaijetu,
- El-Abbasijetu, dhe
- El-Muvehidun.

Qeveria angleze në vitin 1920 e emëroi kalorës të perandorisë angleze, vdiq në vitin 1921, pas vete la një numër veprash në arabisht dhe persisht. Disa vepra janë përkthyer edhe në disa gjuhë evropiane.


Doktrinat Behaiste

Behaizmi është sekt sinkretik nga disa religjione. Disa mendojnë se doktrina e bab-it në babizëm dhe behaizëm është i ndikuar nga imamizmi. Hulumtimet e shkrimeve behaiste tregojnë se behaizmi sipas "karakterit të vet para së gjithash është praktik dhe i kushton më tepër rëndësi doktrinës etike dhe sociale sesa spekulimeve teologjike dhe metafizike". Kjo, thonë analistët, është edhe dallimi kryesor nga babizmi.

Ne esencë, dogmat apo doktrinat e babinjve dhe behainjve jane te ngjashme, edhe pse ndoshta ne anën e jashtme duket se ngapak ndryshojnë. Prej doktrinave të tyre veçojmë:


Inkarnimi

Behau në fillim pretendonte se është derë që shpie tek Imami i fshehur, ose Mehdiu i pritur. Por, më vonë ai thotë se me Babë nuk ka për qëllim arritjen tek Imami, por synimin kah dera e Allahut, në të cilën hyn kërkuesi që të arrijë te Krijuesi.

Nje gjë të tillë e pohon edhe në librin El Bejan, në versionin arabisht. Këtu do të paraqes një pjesë nga libri, per të parë idetë e çoroditura të tij, apo thënë me qartë, kufrin e tij. "Vertet unë jam Allahu, s'ka të adhuruar perveç meje dhe se çdo gjë është krijmtari e imja. Thuaj: 'O krijesat e mia, adhuromëni, të kam krijuar, furnizuar, begatuar, të kam dashur, të kam dërguar, pamjen time e kam reflektuar në ty, që t'i lexoni ajetet e mia dhe t'i thirrni të gjithë ata qe i kam krijuar në fenë time' ...".


Nuk besojnë në Kiamet dhe çka vjen pas tij

Sipas tyre Kiamet d.m.th. ardhje e Behaut në paraqitjen e Allahut të lartësuar. Behau do t'i shikojë punët e njerëzve dhe do ta përmbyll rolin e Muhamedit (a.s.) sipas mënyres së gulatëve batini e ateistë. Sipas tyre, gjithçka që është përmendur rreth kiametit sinjalizon ardhjen e Behaut.


Ringjallja

Behaistët besojnë në ringjalljen shpirtërore, kurse parajsa dhe skëterra nuk përshkruhen hollësisht dhe paraqesin vetëm shembuj të përparimit të njeriut ose ngecjes në mbretërinë shpirtërore.


Njëshmëria e feve

Sipas tyre, Mirza Husejni (alias Behau) ka ardhur me një urdhër të ri, e ai është: "domosdoshmëria e bashkimit të botës në një fe të vetme, e ajo fe është Behaizmi". Sipas tyre, fetë shkaktojnë urrejtje e përçarje, kështu që zgjidhja e ketij problemi do të ishte anulimi i të gjitha feve dhe pranimi apo pasimi i ideve abnormale të Behaut. Ketë mendim e kanë marrë nga Tevrati i shtrembëruar (devijuar), si dhe nga librat e sufistëve të humbur. Në realitet, behainjtë nuk erdhën me diç të re për botën përveçse si sektë, që iu bashkëngjit zinxhirit të gjatë të sekteve të humbura. Ata pretenduan se per hir të bashkimit të feve, shpesh fitonin xhamitë, kishat dhe sinagogat e jehudëve, por gënjyen, sepse ata kurrë nuk i vizitonin keto vende.


Mospërmbyllja e shpalljes me Muhamedin (a.s.)

Ata janë të bindur se Muhamedi (a.s.) nuk është vula e Pejgamberisë dhe se shpallja hyjnore nuk ka ndërprerje. Ata mendojnë se El-Akdesi është shpallje e Mazenderanit, mendojnë se ky libër është shpallje e Allahut dhe së është libër me i vlefshëm se Kurani fisnik.

Në komentin e ajetit "je vulë e të gjithë pejgamberëve", thonë se për qëllim ka "vërtetues i pejgamberëve" dhe pejgamber të vërtet nuk ka as para tij, e as pas tij, përveç atyre që ai i vërteton dhe sipas tyre kjo nuk paraqet ndonje pengesë për ardhjen e ndonjë pejgamberi tjetër pas Muhamedit (a.s.).


Mohojnë mrekullitë

Pasi që rregulli natyror nuk pranon një gjë të tillë, mrekullitë e përmendura nëpër librat e shenjtë duhet komentuar në përshtatshmëri me natyrën, si p.sh.: "Shkopi i Musait a.s. (urdhri), gjarpri (mundësia ), dora e tij e bardhë (njohuritë e ndritshme), shërimi i të verbërve nga ana e Isait a.s., (nxjerrje e injorantëve nga errësira e injorancës në dritën e diturisë ), ringjallja e të vdekurve (gjallërimin e zemrave )". Kurse në vetë Kuranin nuk ka kurfarë mrekullie.


Ndalimi i leximi të librave të tjerë, përveç librave të tyre

Behaitët ndalojnë leximin e librave të tjerë, përveç libraveve të tyre; ai që e kundërshton këtë, mbytet. Ai që i beson Behaut së pari digjte Kuranin dhe çdo libër tjetër me karakter fetar islam. Librat që ua lejoi t'i lexojnë pasuesi e tij janë:

- El-Bejan,
- Komentimi i Sures Jusuf, dhe
- Komentimi i Sures Asr.

Behait kanë edhe shumë mesime tjera, të cilat do t'i përmend vetëm shkurtimisht: "nuk besojnë në engjëj e as në xhinde, e kanë përvetësuar Kuranin për qëllimet e tyre, duke e komentuar sipas komentimeve batinije dhe ateiste, e bëjnë të shenjtë numrin nëntëmbëdhjetë, dhe shumë mësime të tjera".


Disa ajete të interpretuara nga Behaistët

Ndryshimi i kuptimit të ajeteve të Kuranit ka luajtur rol të rrezikshëm në botëkuptimet e njerëzve. Behaitë i përdorën ajetet kuranore thjesht për qëllimet e tyre, prandaj nuk hezituan që ato t'i ndryshojnë e t'i shtrembërojnë, ashtu siç u shkonte për shtati interesave të tyre, duke i komentuar ato në mënyrën batinije e ateiste.

Këtu do të paraqes vetëm disa ajete kuranore të cilat janë të komentuara sipas qëllimeve të Behaistëve:

Thonë për ajetin: "Për çka ata i bëjnë pyetje njëri-tjetrit? Për lajmin e madh e tronditës. Në të cilin ata janë në kundërshti. Jo, të mos pyesin, sepse ata do ta kuptojnë! Përsëri jo, se ata do ta kuptojnë"! Se lajmi i madh është ardhja e Behait dhe thirrja e tij, për të cilën njerëzit do të zihen e do të kundërshtohen.

Thonë për fjalët e Allahut (xh.sh.): "... Ditën kur e dëgjojnë thirrjen për të vërtetën, e ajo është dita e daljes", thonë më fjalën dalje aludohet për daljen e Behait.

Për ajetin kuranor: "Allahu i forcon ata të cilët besuan fjalën e fortë në këtë botë dhe në botën tjetër", Behaistët thonë se jeta e kësaj botë është besimi në Muhamedin (a.s.), kurse bota tjetër ka për qëllim besimin në Mirza Husein Ali El-Beha (El-Mazenderanit).

U përmendën disa shembuj nga Kurani vetëm për ilustrim se si ata ua ndërruan kuptimin ajeteve pa fije turpi dhe frike nga Allahu (xh. sh.). Këso devijemesh ka shumë. Të gjitha e kanë të vetmin qëllim: "që të luftohet Islami dhe në mënyra të ndryshme si t'i largojnë njerëzit nga Islami".




Ritet e Behainjve


Namazi

Numri i namazeve te Behainjtë është tri herë në ditë, me gjithsej nëntë reqatë, për çdo namaz nga tri reqatë. Ibadetet dhe urdhrat vlejnë për ata të moshës 15-20-vjeçare, kurse për të tjerët nuk vlejnë.

Kibla sipas behaistëve është shtëpia e Behaut, e cila është në qytetin e Akka-së dhe pas vdekjes varri i tij. Ai që nuk drejtohet në drejtim të atij vendi është cilësuar si i pakujdesshëm. Ithtarët e tij e vizitojnë varrin e tij, i bëjnë sexhde atij.


Agjërimi

Agjërimi sipas tyre është vetëm 19 ditë, ku gjithmonë duhet të mbarojë me festën e Nevruzit. Agjërojnë prej mëngjesit deri në perëndim të diellit. Sipas tyre, i papjekuri seksualisht, i sëmuri, udhëtari, gruaja shtatzënë dhe ajo që i jep gji foshnjës nuk agjërojnë, madje as nuk i kompensojnë, dhe kjo siç e dimë të gjithë është në kundërshtim me Islamin.

Agjerimi te këta fillon me 2 deri me 21 mars, viti i ri fillon me Nevruzin.


Haxhi

Behaitë haxhin e bëjnë në dy vende: "në Akka, te varri i Behaut dhe në Shiraz, në shtëpinë në të cilën u lind Shirazi". Behau nuk ka caktuar kohë se kur duhet të bëhet haxhi, gjithashtu Behau ka porositur për shkatërrimin e Qabesë dhe të gjitha mizaret e pejgamberëve dhe evlijave.


Zeqati

Djali i Behaiut, Abbasi, u pyet për zeqatin në fenë e tyre e tha: "Zeqati te ne është si zeqati në Islam", por, tek këta ka një veçori, se ai nuk u jepet perveç behainjve.

Ky sekt veçohet edhe me ca veçori tjera:

- ndalojne lemoshen,
- obligimi i punes per te gjithe,
- permiresimi i kushteve te bujqesise.


Shenjtërimi i numrit nëntëmbëdhjetë (19)

Behaitë e shenjtërojnë numrin 19, duke u thirur në të në shumë gjëra, qofshin dispozitat e veprimit ndërmjet tyre e të njerëzve tjerë. P.sh.:

- Numri i muajve të vitit është nëntëmbëdhjetë,
- Agjërimi nëntëmbëdhjetë ditë,
- Libri i tyre El-Bejan i ka nëntëmbëdhjetë kapituj,
- Zeqati i pasurisë së tyre jepet 19%,
- Numri i lëshuarjes së gruas nëntëmbëdhjetë herë, etj..

Ata thonë së për këtë numër flasin edhe ajetet kuranore dhe Tevrati, mandej thonë se për këtë numër janë ndihmuar edhe nga kompjuteri që jep çuditë e numrit nëntëmbëdhjetëse, si: "gjoja është i realtë dhe nuk pranon kundërshtime".


Shkrimet e shenjta

Shkrimet e shenjta të Behaistëve përbëhen nga shkrimet e themeluesve dhe të pasardhësve të tyre. Shumica e veprave të tyre janë shkruar në persisht, por disa janë edhe në arabisht dhe të fundit në anglisht.

Behaullahu ka shkruar disa vepra, por më e njohura është Kitab'ul Akdas. Vepra të shenjta janë edhe Kitab'ul Ikan, Heft Vadi, El-Kelimat, El-Meknuna.


Gjykimi islam ndaj sektit Behai dhe pasuesve të tij

Këshilli i Akademisë së Fikhut ka shqyrtuar rreth sektit të Behaive, i cili është shfaqur në Iran në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Këtij sekti i përkasin një grup njerëzish të cilët janë të përhapur nëpër vendet islame dhe të huaja deri më sot.

Pas bisedave dhe shqyrtimit, nga e ana e Këshillit, të shumë burimeve të sigurta, e të cilat i paraqesin vetë disa nga librat e behaive, Këshilli i Akademisë ka dalë me këtë konkluzion:

Behaizmi është fe e re, e shpikur dhe është ngritur mbi themelet e Babeizmit, e cila gjithashtu është një fe e re e shpikur.

Këshilli ka vendosur njëzëri se: "Behaitë dhe Babitë kanë dalë nga feja islame dhe konsiderohen prej sekteve që e luftojnë atë dhe pasuesit e tyre janë mosbesimtarë dhe mosbesimi i tyre është i qartë dhe nuk mund të interpretohet ndryshe".

Këshilli i paralajmëron myslimanët në të gjitha anët e tokës nga ky sekt kriminal dhe mosbesimtar dhe i thërret që ta luftojnë atë dhe të kenë kujdes prej tyre, sidomos kur kihet parasysh që shtetet kolonialiste e mbështetin atë për ta përçarë Islamin dhe myslimanët.

Falënderimi dhe hamdi i vërtetë i takon vetëm Allahut (xh.sh.), Shpikësit të pashembullt, Përdëllimtarit të pakufi, të Gjithëdijshmit, Mbikqyrësit, Ndihmësit më të mirë, salatet e selamet e përmallshme nga bregoret e fundit të zemrës ia dërgojmë atij që na quajti vëllezër, atij që vdiq me mall për ne, atij që i besuam pa e parë, njeriut që nuk e ndjeu veten e tij asnjëherë të vlefshme kur duhej ta flijohej për Allah, atij që vuajtjet e mundimet ia shtuan butësinë, Pejgamberit të fundit Muhamedit (a.s.).

Ky punim është i ndarë në disa kapituj, për të qenë më i kuptueshëm për lexuesin. Në pjesën e parë u paraqit një biografi e shkurtër e themeluesit të Behaistëve, duke cekur ne pika të shkurtra jetën e tij dhe mënyrën se si ai ndërroi jetë.

Paragrafi i dytë ka të bëjë me doktrinat e Behaistëve. Këtu nuk janë cekur të gjitha mësimet (doktrina), por vetëm disa që janë më kryesore, dhe për secilën janë sjellë argumente se si ata i argumentojnë doktrinat e tyre.

Pjesa tjetër e këtij punimi ka të bëjë me disa ajete kuranore, ku është paraqitur komentimi i disa ajeteve kuranore nga vetë behaistët për t'i mbrojtur qëllimet e tyre, edhe pse këto komente janë shumë larg realitet se çka synon një ajet kuranor. Duke vazhdur me pas me disa rituale të behaistëve, janë cekur vetëm disa se numri i tyre është shumë i madh. Këto rituale, të cilat i kryejnë këta, pothuajse nuk kanë përputhshëmri me Sheriatin islam, bile në asnjë aspekt. E vetmja gjë që përputhet është emri, se forma dhe mënyra e ralizimit është krejtësisht ndryshe.

Paragrafi tjetër ka të bëjë me shenjtërimin e numrit nëntëmbëdhjet nga ana e behaistëve. Janë cekur vetëm disa vende se ku përdoret ky numër, ku këta sjellin edhe argumente nga Kurani dhe teknologjia për numrin 19. Pas asaj që është cekur për numrin nëntëmbëdhjetë, vazhdon me shkrimet e shenjta të Behaistëve, të cilat i favorizojnë aq shumë, saqë e anashkalojnë Kuranin dhe i vënë para Kuranit.

Pjesa e fundit ka të bëjë me gjykimin e Islamit rreth këtij sekti dhe pasuesve të tij, që është marrë nga ana e dijetarëve myslimanë, duke i cilësuar behait si jobesimtarë dhe se qëllimi i tyre është mposhtja e Islamit.



Autor: Muzemmil OSMANI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...