Mendimi i prof. shejh Ali Tantavit mbi Vehabizmin [1]



Në emër të All-llahut, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Shejh Ali Tantavi merrë qëndrim të mesëm kundrejt paraqitjes së lëvizjes vehabite. Pjesërisht e mbështetë, kurse pjesërisht e kritikon. Në veprën e tij mbi Abdu'l-vehhabin, në faqen 5, shejh Ali Tantavi thotë: "Lexuesi që lexon biografinë e Ibn Abdu'l-vehhabit, lehtë do të vjen në përfundim se ai nuk ishte dijetar i madh. Në kohën e tij kishte shumë dijetarë që ishin më të ditur se ai dhe që kishin memorizuar më shumë tekste fetare se ai dhe që kishin shkruar më shumë vepra se ai, por në kohën e tij, madje as pesëqind vite më herët deri sot, nuk ka ekzistuar dikush që ka ndikuar më shumë në shoqërinë islame dhe ka bërë ndryshime në të se sa ai. Përkundër faktit se është rritur në midis lokal dhe në qytetin që ishte larg prej qendrave të mendimit të gjallë të mendimit islam, askush nuk e ka lëkundur shoqërinë islame siç e bëri këtë ky njeri. Unë edhe tash i admirohem rreptësisë së propagandës dhe forcës me të cilën luftonte".

Në faqen 9, Ali Tantavi vazhdon e thotë: "Shejh Muhammed Ibn Abdu'l-vehhabi nuk erdhi me novatori as që futi diç të re në islam. Ftonte në tevhid (monoteizëm) të drejtë dhe Islam të mirëfilltë. Vetë misionit, thirrjes në Islam apo da'vetit të tij, këtyre s'ka çka t'u bëhet vërejtje. Ajo që merret si mangësi dhe mungesë është metoda që ka ndjekur gjatë reformës. Për shembull: 'ka parë disa njerëz se si sillen në varreza dhe në këtë veprim ka parë elemente të qarta të shirkut (politeizmit), sipas mendimit të tij. Pastaj po këtë qëndrim (hukm) e përcolli në të gjitha qytetet dhe vendbanimet në të cilat kishte kupola mbi varre. Të gjithë këta muslimanë i shpalli renegjatë (murtedë) nga feja. E lejoi derdhjen e gjakut të tyre (d.m.th. mbytjen e tyre) dhe konfiskimin e pasurisë së tyre. Kjo vërtet edhe është aplikuar'. Edhe pse shejh Ibn Abdu'l-vehhabi gjithnjë fliste se i përket medhhebit hanbelit, në praktikë nuk e aplikonte. Në medhhebin hanbelit qëndron se muslimani që bëhet renegjat, së pari thirret në pendim dhe i ofrohet kthimi në islam tri ditë. Nëse pas kësaj nuk kthehet në islam, kurse është i mençur, madhor dhe i vetëdijshëm, vetëm atëherë mbytet, si renegjat (murted). E nëse do të thoshte: 'Unë jam musliman apo e shqipton kelimei shehadetin, aprovohet deklarata e tij dhe lirohet'. Ky është qëndrimi i medhhebit hanbelit". A e ka ftuar shejh Abdu'l-vehhabi çdo kuburit [2] kundër të cilëve kishte luftuar (nëse është e saktë se ata janë idhujtarë të varreve)? Përse nuk i ka pranuar sipas formës së jashtme (dhahir), sepse të gjithë kanë folur se janë muslimanë dhe se dëshmojnë se: 'Nuk ka zot tjetër pos All-llahut dhe se Muhammedi a.s. është rob dhe i dërguar i Tij?'.

Më tej, në faqen 36 të vëllimit të II-të Ali Tantavi kur fletë për luftërat vehabite pohon: "A kanë pasur të drejtë shejh Muhammed ibn Abdu'l-vehhabi dhe sauditët të luftojnë kundër njerëzve dhe të lejojnë konfiskimin e pasurive të tyre, mbytjen e meshkujve, rrënimin e vendbanimeve kurse shqiptonin kelimei shehadetin dhe flisnin se janë muslimanë? Sikur mos t'i kishin sulmuar a do të ishte e lejuar që t'i lënë në injorancë (xhehl) dhe lajthitje kurse kishin mundësi t'i mënjanojnë ato prirje të këqija që ishin të pranishme?", në këtë çështje me vite jam hamendur se çfarë përgjigje të ofrojë. Tash për tash s'kam mendim të prerë!

Kur kujtohem se Ebu Bekri r.a. dhe as'habët luftuan kundër murtedëve, edhe pse shumica e tyre nuk i kanë mohuar vlerat e islamit, por vetëm kanë ndaluar zekatin, atëherë shoh se Ibn Abdu'l-vehhabi kishte të drejtë të luftojë kundër beduinëve që kishin bërë të këqija dyfish më të mëdha nga ato nga koha e Ebu Bekrit që i kemi quajtur murtedë.

Por sërish kur kujtohem se Ibn Abdu'l-vehhabi thuajse të gjithë muslimanët i ka shpallur kafirë (jobesimtarë) duke i përjashtuar nga këtu vetëm simpatizantët e tij, ndonëse këta muslimanë nuk ishin të gjithë kuburistë as që të gjithë kanë bërë shirk (politeizëm) apo kufër (mohim të All-llahut). Ndoshta vetëm disa shtresa të njerëzve të rëndomtë me jashtësi kanë shfaqur disa veprime që nuk pajtohen me moralin (ahlakun) islam. Por kur kësaj i shtohet se ndër ata kishte dijetarë, reformatorë dhe njerëz të mirë, atëherë nuk shoh arsyetim për veprimet që i ka bërë Abdu'l-vehhabi. Vehabijt, po ashtu, në betejat që i zhvillonin kundrejt kundërshtarëve ideorë nuk i përmbaheshin rregullave që janë vendosur në luftë të muslimanëve kundër jobesimtarëve. Sipas rregullave që janë vendosur në periudhën e hershme të islamit, kur ndodhën shumë pushtime, Islami, ndër të tjera, urdhëron që armikut t'i shpallet luftë. Betejat që i zhvillonin vehabijt në të shumtën janë kryer me sulme të befasishme, pa paralajmërim.

Unë do ta theksoj vetëm një prej shumë shembujve që i shënoi Ibn Bishr në veprën e vet 'El-Mexhdu bi tarihi Nexhd': "Emiri i krahinës Hurtme erdhi te shejh Muhammed Ibn Abdu'l-vehhabi, pasi që krahina e tij e pranoi doktrinën e tij dhe filloi ta ndjekë, ta njoftojë se banorët e kësaj krahine e lëshuan mësimin e tij dhe refuzuan nënshtrueshmërinë dhe pasimin e shejh Ibn Abdu'l-vehhabit. Ibn Abdu'l-vehhabi kundër tyre e dërgoi ushtrinë që e udhëhoqi Abdullah ibn Muhammed ibn Saud. Për shkuarjen në atë vend zgjodhi rrugë jo të zakonshme.Udhëtuan ditë e natë që sa më parë të arrijnë atje. Në afërsi të vendbanimit arritën natën. E rrethuan vendbanimin dhe i pushtuan të gjitha pikat e rëndësishme. Abdullahu urdhëroi që kur të fillojë koha e sabahut të gjithë përnjëherë ta shkrepin nga një plumb. Kur kërsitën të gjitha pushkët me një zë, kjo ishte e tmerrshme për banorët. Është shënuar se disa shtatzëna dështuan frytin nga frika. Kur Ebu Bekri i sulmoi murtedët, i urdhëroi ushtrisë që mos t'i prejnë drunjt dhe pallmat, që mos t'i ngacmojnë gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe e paralajmëronte sulmin. Luftërat që i zhvillonin vehabijt kundër muslimanëve, të cilët i patën shpallur për renegjatë nga Islami, në to kishte çdo gjë që në islam është e ndaluar". Mbi këto beteja gjerësisht shih në veprën e përmendur të Ibn Bishrit në faqet 30, 52, 53, 56 dhe 61.

Masovikisht konfiskuan pasurinë nga kundërshtarët ideorë. U ekzekutuan shumë njerëz me akuzën për dalje nga feja (ridde). Ja si ndodhi rasti me Osman ibn Muamerin, i cili ishte ndër të parët që i dha mbështetje lëvizjes dhe i pari dha zotimin (bej'at) në Der'ijjje. Mirëpo, fundi qe tragjik. U mbytë nga njerëzit e lëvizjes së tij. Udhëheqësi i fisit Darma, Ibrahim ibn Muhammed u mbyt në ndejë për shkak se kishte thyer zotimin e dhënë Muhammed Ibn Abdu'l-vehhabit dhe Muhammed ibn Saudit.

Kishte raste kur është shkatërruar në tërësi popullësia e një vendbanimi. Kështu u ndodhi banorëve të vendbanimit të krahinës Hurme. Muhammed Ibn Saudi i shkroi babait të tij Abdu'l-azizit në vitin 1193 hixhrij, se të gjithë banorët e fshatit Hurme refuzuan dëgjueshmërinë dhe kontratën dhënë vehabijve dhe si të tillë nuk meritojnë besim. Babai i dha urdhëresë që ta shkatërrojnë tërë fshatin. Kështu edhe ndodhi. Fshati u shkatërrua. Popullësia e mbijetuar u shkapërderdhë nëpër tërë vendin.

Pastaj vazhdon shejh Tantavi, duke thënë: "Mirëpo, nëse shikojmë në anën tjetër, shohim se këto luftëra që i zhvilluan vehabijt kundër kundërshtarëve ideorë dhanë edhe fryt. Ata territorin e Nexhdit nga gjendja e shirkut, xhehlit dhe mëkatit, sipas mendimit të tyre e shndërruan në gjendjen e tevhidit, shkencës dhe ibadetit. Kështu që ende jam i hamendur mbi qëndrimin ndaj tyre. Nuk di të marrë qëndrim". [3]

Është e saktë se fiset e Hixhazit dhe të Jemenit kryesisht kanë bartur flamurin e islamit dhe ata e kanë përcjellë islamin në skajet më të largëta të botës. Sa i përket krahinës së Nexhdit, ajo është shpërfillur nga ana e emevitve, abasitve dhe osmanlijve. Për këtë krahinë askush nuk është preokupuar veçant. Askush nuk ka kontrolluar veçant ç'po ndodh atje. Kur kjo dihet nuk duhet çuditur se atje më së lehti u kthyen traditat e xhahilijetit. Krahina e Nexhdit ishte e ndarë ndërmjet disa fiseve të fuqishme. Pushtetin në Ujejn e kishte familja Ali Muammer. Në Der'ijje pushtetin e kishin Ali Saudët. Pushtetin në Rijad e kishte Ibn Badisi.

Në Ahsa pushtetin e kishin Ali Halidët. Ndërmjet këtyre fiseve kryesisht ekzistonin konflikte dhe plaçkitje të gjata të ndërsjella. Popullësia kishte lajthitur nga rruga e vërtetë dhe rruga e islamit. Muhammed Ibn Abdu'l-vehhabi në një mjedis të këtillë gjeti vend të përshtatshëm për veprim dhe punë reformiste. Mund të thuhet se pikërisht ndihej nevoja për paraqitjen e një njeriu siç ishte Ibn Abdu'l-vehhabi. Por a do të thotë kjo se diagnoza e njëjtë dhe medikamentet e njëjta kanë mundur të përdoren për çdo vend tjetër dhe për çdo kohë dhe për çdo rast? A do të thotë kjo se nëse një metodë në një kohë specifike dhe për shkaqe të njohura ishte e suksesshme për zgjidhjen e një problemi se atë duhet përjetësuar dhe shpallur për universale dhe të vlefshme për çdo problem? Dhe në pajtim me këtë, themeluesi i saj duhet të lavdërohet për të gjitha kohët dhe të konsiderohet i zgjidhshëm për çdo problem në botën islame? Përgjigjja e vërtetë në këtë është: 'Jo'. Çdo kohë dhe çdo vend ka problemet e veta dhe specifikat e veta. Një metodë mund të jetë e suksesshme në ndonjë vend, por e njëjta nëse aplikohet në ndonjë vend tjetër mund të jetë kundërproduktive e të tjera.

Misioni i Ibn Abdu'l-vehhabit filloi të ketë sukses kur vajzën e tij e martoi Osmani, princi i krahinës Ujejne. Ai pas asaj martese hyri në anën e tij dhe kjo lëvizje filloi të masovizohet. Filluan të rrënojnë kube mbi varre, tyrbe dhe vetë varret. I prenë edhe shumë drunj, të cilat populli në njëfarë mënyre i respektonte. Para këtyre akteve e lexonin ajetin: "Thuaj, erdhi e vërteta kurse u shkatërrua gënjeshtra", (el-Isra, 81).

Duke e imituar kështu Pejgamberin a.s., i cili e lexonte këtë ajet duke i rrënuar statutë që në xhahilijet ishin të vendosura rreth Qabes. Për një kohë të shkurtër tërë kjo krahinë e Nexhdit u pastrua nga kubet, tyrbet dhe drunjt e shenjt. Me këtë edhe përfundoi faza e parë e misinot të Ibn Abdu'l-vehhabit.

Faza e dytë ishte fillimi i ndërtimit të shtetit apo më saktë "ballafaqimi i besimit dhe dhunës". Kjo u arritë pas marrëveshjes në Der'ijje në vitin 1740, pas takimit të Muhammed Ibn Saudit dhe shejh Ibn Abdu'l-vehhabit. Ndërmjet këtyre dyve u zhvillua kjo bisedë:

Shejh Muhammed Ibn Abdu'l-vehhabi: "E sheh ç'ishte në Nexhd, populli e patë harruar fenë, në çdo hapë kishte shirk dhe lajthitje. Thehen urdhërat e All-llahut, popujt çdo ditë e zhdukin njëri tjetrin. Nga ti kërkoj që ta bëjmë një marrëveshje mbi punën e përbashkët reformiste dhe ta nxjerrim këtë popull nga (politeizmi) shirku dhe lajthitja".

Muhammed Ibn Saudi: "Unë do ta jap mbështetjen por i kam dy kushte":

- Kushti i parë: "Nëse arrijmë ta marrim pushtetin në këto territore që ai të mbetet në duart tona e jo të na ndërrosh me ndonjë dinasti tjetër".

- Kushti i dytë: "Që popullësia e Der'ijjes të na jep neve tatimin nga të ardhurat e tyre dhe ti të mos e kundrshtosh grumbullimin tonë të këtij tatimi".

Shejh Muhammed Ibn Abdu'l-vehhabi: "Sa i përket kushtit të parë, menjëherë ta jap dorën në shenjë pajtimi, e sa i përket kushtit të dytë, shpresoj se do t'i pushtojmë shumë territore dhe se do të kesh pre të mjaftueshme që do ta konfiskojmë, ashtu që nuk do të kesh nevojë për tatim nga Der'ijje". Kjo marrëveshje është bazë mbi të cilën më vonë u ngritë shteti saudit.

Muhammed Ibn Saudi dhe i biri i tij Abdu'l-azizi në çdo gjë e dëgjonin fjalën dhe mendimin e Shejh Muhammed Ibn Abdu'l-vehhabit deri atëherë kur u pushtua Rijadi në vitin 1188 hixhrij. Prej atëherë Shejh Muhammed Ibn Abdu'l-vehhabi të gjitha autorizimet e përcolli mbi Abdu'l-ziz ibn Muhammed ibn Saudin sa u përket të drejtave mbi muslimanët. Sa i përket Ibn Abdu'l-vehhabit ai pas kësaj u tërhoq nga jeta publike dhe iu përkushtua ibadetit dhe shkencës.

Kjo vlen të theksohet se tërë kjo u zhvillua në kohën kur muslimanët kishin halif legal kurse halifa kishte vali në çdo vend të botës muslimane. Valiu turk e nuhati konfliktin nga ndodhitë e fundit në Nexhd dhe vendosi t'i kundërvihet agresionit vehabit. I tuboi shumë fise dhe i ndihmoi me pasuri dhe armë duke dëshiruar me këtë ta pengojë përhapjen e lëvizjes vehabite. Vehabijt e shfrytëzuan preokupimin e shtetit islam osman nga sulmet e jashtme. Pikërisht atëherë ushtria françeze filloi të zbarkohet në Egjipt. Deri sa muslimanët mbroheshin nga ushtria (kristiane) e Napoleonit, vehabijt arritën që për një kohë të shkurtër t'i pushtojnë shumë territore dhe qytete dhe të kryejnë masakra, plaçkitje dhe të shkaktojnë rrëmujë të madhe, kryesisht ndaj banorëve muslimanë:

- Më 1215 hixhrij e pushtojnë Usejrën,
- Më 1218 hixhrij e pushtojnë Mekken,
- Më 1220 hixhrij e pushtojnë Medinën,
- Filluan zgjerimin e tyre deri në kufijt me Irakun dhe deri në Sham.

Napoleoni i dërgoi misionarët e tij të vendosin bashkëpunim dhe lidhje me Ibn Saudin dhe i ofroi atij aleancë kundër shtetit osman.

Anglia, pasi që ushtria e saj në vitin 1798 gregorian arriti në Moskut, poashtu vendosi marrëdhënie të mira të solidaritetit dhe mbështjetjes me princin Saudin, duke theksuar se dëshira e tyre është të kenë raporte të sinqerta dhe të përzemërta me pushtetin e Der'ijes dhe pushtetet tjera në vendet arabe. [4]

Britanikët ua theksuan vehabijve se ata nuk do të përzihen rreth luftës së tyre që e zhvillojnë kundër atyre që nuk pajtohen rreth çështjeve fetare dhe kërkuan vetëm që vehabijt mos t'i sulmojnë barkat dhe anijet e tyre të ankoruara. Ibn Saudi i njoftoi Britanikët me proklamatën e vitit 1810 se u ka dhënë urdhër njerëzve të vet që mos t'i prekin barkat dhe anijet angleze. [5]

Nga këto detaje është evident dallimi në terma. Nuk theksohet më 'tekfiri' (shpallja për kafirë) të atyre që nuk shkojnë pas tyre, Kitab dhe Sunnet, në emër të 'La ilahe il-lall-llahu' e të ngjashme. Britania nuk do të përzihet në konfliktet e tyre fetare, kur derdhet gjaku muslimanë. Ata do t'i sulmojnë vetëm ata që do t'i atakojnë barkat dhe anijet e tyre që kanë ardhur ta robërojnë dhe plaçkisin botën islame. Ibn Saudi u jep premtime se njerëzit e tij nuk do t'i ngacmojnë anijet britanike: "Pushteti britanik ishte në paqë, në marrëveshje dhe në bashkëpunim të përhershëm me vehabijt". [6]

Mirëpo, së shpejti do të tregohet hipokrizia dhe fytyra e vërtetë e britanikëve. Vitin vijues arrinë valiu egjiptian me ushtri Muhammed Ali Pasha (me prejardhje shqiptare, përkthyesi) që t'i qërojë hesapet me lëvizjen vehabite. Pasi që Ibn Saudi pa se ç'po përgatitet, iu drejtua britanikëve për ndihmë.

Por, pasi që edhe françezët ishin të përzier në lojë në këtë ekspeditë, britanikët u bënë të shurdhër përballë apelit për ndihmë të vehabijve. Muhammed Ali Pasha në vitin 1811 me ushtri të madhe muslimane nga Egjipti erdhi në krahinën e Hixhazit dhe aty rreptë u konfrontua me lëvizjen vehabite. Vdiqën shumë muslimanë në të dy anët dhe me këtë përfundoi jeta e shkurtër e shtetit të parë saudit.

Deri sa zhvilloheshin luftërat ndërmjet ushtrisë së Muhammed Ali Pashës dhe vehabijve në Hixhaz, britanikët e shfrytëzuan këtë konflikt dhe e pushtuan Bahrejnin. Me këtë filloi procesi i kolonizimit nga ana e Britanisë.

Po ashtu, është me rëndësi të theksohet se lëvizja vehabite nuk është kënaqur ekskluzivisht me përmirësimin e gjendjes fetare në suaza të shtetit osman, i cili ishte shtet legal dhe legjitim islam në tërë territorin e 'Daru'l-islamit' (Botës islame). Ajo që doli nga kontrolli i pushtetit islam ishte e sinkronizuar dhe e koordinuar me kolonizatorin e forcave perëndimore: "Britaninë apo Francën". Kështu që në të vërtetë, pushtimi i Taifit, Mekkes dhe Medines nga ana e vehabijve - saudianëve, në të vërtetë ishte secesion e copëtim nga shteti islam. Në vitin 1804 Saudi dha urdhëresë me të cilën ndalohet leximi i lutjes për sulltanin osmanli në xhuma të premteve në Mekkë. Kjo shfaqje ishte çështje tejet e rrezikshme.

Princi Saudi pasi hyri në Mekke i dërgoi letër sulltan Selimit III me këtë përmbajtje: "Nga Saudi Selimit! Në Mekke kam hyrë më 4 muharrem 1218 hixhrij. U kam dhënë banorëve siguri në jetë dhe pasuri, pasi që kam rrënuar çka kam gjetur në Mekke nga shenjat pagane mushrike. I kam abroguar të gjitha taksat dhe tatimet që i ke caktuar ti pos atij që është e drejtë sipas sheriatit nëse këtë e përcakton gjykatësi i caktuar dhe i autorizuar për këtë veprimtari. E ke për detyrë t'u urdhërosh mëkëmbësve në Damask dhe Kairo që mos të vijnë në këtë qytet të shenjtë me daulle dhe instrumente tjera, sepse kjo s'ka të bëjë me fenë. Me ty qoftë mëshira dhe bekimi i All-llahut". [7]

Tërë kjo ndodhi krahas pushtetit tashmë ekzistues islam (hilafetit), që nga këndvështrimi islam është jo i drejtë. Muhammedi a.s. ka thënë: "Nëse i jepet betimi (bej'at) dy halifëve, mbytne të fundit nga ata dy", (Hadith).

All-llahu i madhëruar thotë: "Kush i kundërvihet të Dërguarit, pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që e ka zgjedhur (në dynja) dhe e fusim në xhehennem. Përfundim i keq është ai!", (En-Nisa', 115).



_________________________

[1] - Ali Tantavi, Muhammed Ibn Abdu'l-vehhab, vëllimi I, Damask, 1961.
[2] - Vehabitët 'kuburit" e quajnë çdo njeri që e viziton varrin dhe sipas tyre në varr sillen jokorrekt, në kuptim nëse bën lutje në varre apo si thonë ata se kaburitët u luten të vdekurve në varre. Sipas mendimit apo supozimit të ulemasë islame normale, vehabijt pa të drejtë i kanë quajtur kuburitë njerëzit që u bënin vizitë të rëndomtë varrezave (mezareve).
[3] - Ali tantavi, Muhammed Ibn Abdu'l-vehhab, vëll. I, Daru'l-fikr, 1961. Përndryshe, shejh Ali tantavi është nga Siria dhe në kohë të gjatë jetoi në Arabinë saudite.
[4] - Emin Seid, Tarih'ud-dewleti's-saudijjeh.
[5] - Ibid., fq. 105 - 106.
[6] - Ibid., fq. 106 - 107.
[7] - Muhammed Hamid el-Fekkij, Etheru da'vet'il-vehabijjeti, fq. 93.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...