Selefizmi dhe ideologjia selefiste



-I-

Pyetja:

Ekziston një grup njerëzish që veten e quan Selefij të cilët pretendojnë të jenë ndjekës të selefit të ndershëm si në të menduar-ideologji ashtu edhe metodologji, madje edhe në çështjet e zakonshme si ushqim, pije veshje etj.. Ata gjithashtu pretendojnë për veten e tyre se ata janë në të drejtë dhe askush tjetër, andaj çdo kush që nuk pajtohet me ta, ata janë në rrugë të gabuar.

Andaj Prof Dr. Alij Xhumua - myfti suprem i Egjiptit i përgjigjet pyetjeve: çfarë donë të thotë termi "selefizëm"? Si u përhap ky term? Çfarë donë të thotë saktësish ky term? Cila është e vërteta e pretendimit se anëtarët e saj janë në të vërtetë, kurse të gjithë të tjerët janë në humbje, gabim dhe humnerë? Pra të gjitha këtyre pyetjeve dhe shumë dilemave tjera do ti përgjigjet akademiku dhe Myftiu i Egjiptit Prof. Dr. Alij Xhumua.


-II-

Përgjigja: Në emrin e Allahut, Gjithmëshirshit Mëshirëbërësit. Falënderimet i takojnë Allahut, salevatet dhe selamet të Dërguarit tonë, familjes dhe shokëve të tij etj..

Termi apo nocioni "selefij" është fjalë arabe që në aspektin sipërfaqësor gjuhësor nënkupton rrotullimin e kohëve dhe gjeneratave njëra pas tjetrës, sepse çdo kohë prej kohërave, apo më mirë thënë çdo gjeneratë sepse çdo gjenerate i paraprinë një gjeneratë para saj. Nocioni "es-selefijje" në kuptimin e saj terminologjik të qëndrueshëm nënkupton tre shekujt e artë nga jeta e ummetit islam. Ky kuptim ka mbështetje në hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: "Njerëzit më të mirë janë të shekullit tim (sahabët), pastaj ata që pasojnë këtë gjeneratë (tabiinët), pastaj shekulli që pason gjeneratën e tyre (tebei tabniinët), ...".

Mirëpo nocioni "Selefij" për fat të keq, u keqkuptua, u abuzua dhe u keqpërdor nga disa njerëz që e lidhën veten e tyre me këtë term e veçanërisht në kohën bashkëkohore, kur disa njerëz pretendojnë se ata dhe vetëm ata janë trashëgimtarë të vetëm të këtij termi, dhe se askush tjetër përveç tyre nuk mund të jetë selefij. Mirëpo kur bëjmë hulumtime në faktin se çka në të vërtetë, vërtet përfshinë koncepti i tyre rreth këtij nocioni, konstatojmë se ky koncept është i kufizuar, i mbyllur dhe i rezervuar vetëm për çështje diskutabile që pranojnë përpjekje dhe ixhtihad, e kjo vlen vetëm për individë të pakët të këtij ummeti, kurs dijetarët, akademikët e shumtë të këtij ummeti që janë punëtorë të sinqertë të islamit në tërë botën, trajtohen si bidatxhinjë dhe të devijuar, pavarësisht nga niveli i lartë i diturisë së tyre. Arsyeja e vetme që u vishet ky epitet është se ata nuk pajtohen me të parët të vetëquajtur selefeij dhe atë në çështjet e pjesërishme sporadike.

Fillimisht do të bëjmë përpjekje që të sqarojmë gjenezën e përdorimit të këtij termi gjatë historisë, çfarë saktësisht donë të thotë ky term? dhe si e përdorën këtë term ata që u lidhën me këtë fjalë në mënyrë që çështja të na bëhet e qartë dhe të mposhten kufizimet e vendosura nga disa njerëz që gjenden rreth këtij termi. Qëllimi i këtij studimi është filtrimi nga konfuzioni që është shkaktuar nga të kuptuarit të signifikacionit dhe semantikës së argumenteve. Ne vërejmë se në shoqërinë tonë ekziston një kategori e njerëzve që ndërlidhen me selefizmin dhe sa po të anëtarësohen në këtë grupim, vërejmë se me shumë trimëri shpejtojnë të nxjerrin dispozita dhe të gjithë ata që nuk pajtohen me dispozitat e tyre akuzohen se janë të dhënë pas pasionit, ose janë të vendosur të bëjnë risi (bidat), me lajthitje, rebelim, gabimtarë, pabesës, humbës e deri te kufri. Këtë e bëjnë pa kurrfarë identifikimi, sqarimi apo të dhënash.

Ne shpresojmë se do të përfundojë historia e shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të këtij termi i cili përdoret si argument për përbuzjen e dijetarëve të mirëfilltë islamë që angazhohen për zbatimin e islamit, Kur'anit dhe sunetit të Pejgamberit a.s..


Gjeneza e këtij termi dhe evoluimin e saj

Nocioni "selefizëm" si term për herë të parë u përdor në Egjipt gjatë periudhës së pushtimit britanik ditët kur në skenë doli lëvizja për reforma fetare që udhëhiqej nga Xhemaludin Afgani dhe Muhamed Abduhu. Kjo lëvizje kishte dalë në skenë me këtë logo, kurse arsyeja për këtë ishte realiteti konkret i Egjiptit në atë kohë. Egjipti atë kohë ishte përfshirë në lloje të ndryshme të mitologjisë dhe devijimeve të shumta si pasojë e pushtimit anglez, dhe ato devijime dhe risi fetare ishin në rritje e sipër, pavarësisht nga prania e Universitetit të Az'harit dhe dijetarëve të tij i cili ishte llambë ndriçuese dhe e saktë e misticizmit.

Njerëzit atë botë në Egjipt para këtij realiteti qëndronin të ndarë në dy grupe.

Grupi i parë: i cili aderonte në qytetërimin dhe civilizimin perëndimorë dhe kështu të liroheshin nga kufizimet dhe principet lindore, qofshin edhe ato ide islame.

Grupi i dytë: ishin përcaktuar për reforma islamike, për ti kthyer njerëzit në islamin e vërtetë duke i pastruar nga mitologjitë, risitë dhe fantazitë që qarkullonin në opinion. Këto kërkonin alternativa që islamin ta vendonin mbi rrota të shpejta të lëvizjes në kërkim për mënyrat e bashkëjetesës mes tij dhe qytetërimit. Shejh Xhemaludin Afgani dhe Muhamed Abduhu ishin përfaqësues dhe pararojë e këtij grupi, kurse nocionin Selefi e kishin përdorur me qëllim që t'u lehtësohet thirrja e tyre që myslimanët të heqin dorë nga të gjitha njollat që e kishin dëmtuar pastërtinë e islamit, të heqin dorë nga herezitë dhe besëtytnitë dhe në këtë mënyrë myslimanët përsëri të kuptojnë islamin dhe të kthehen te baza e tyre, te paraardhësit e kohës së tyre, pra të ndjekin selefin e ndershëm Allahu i mëshiroftë.

Qëllimi i zgjedhjes së termit selefij ishte nxitja e myslimanëve për të urryer imazhin dhe gjendjen e myslimanëve që ishte formuar nga pushtimi i huaj dhe në anën tjetër duke krahasuar gjendjen e errët që mbretëronte aktualisht te myslimanët me gjendjen e ndritshme të gjeneratës së parë në kohën e lindjes së islamit. Pra, ata bënin përpjekje tu sqaronin njerëzve se progresi lumturia dhe mirësia gjenden vetëm në praktikimin e islamit ashtu si e praktikonin gjeneratat e para të islamit.

Në këtë kohë kur lindi ndjenja e selefizmit. Selefizmi nuk ishte doktrinë (shkollë-medheb) islame që dijetarët e saj të rriteshin në të dhe të ngrehin flamurin e tyre, siç është rasti sot me një numër të konsiderueshëm të njerëzve. Pra selefizmi atëherë ishte titulli i thirrjes islame, një qasje përkufizimi që kishte për qëllim largimin e njerëzve nga devijimi dhe mitet që kishin filluar të depërtojnë te myslimanët, dhe kështu të bëjnë kthesë në islamin e pastër duke e ndjekë selefin e ndershëm.

Në ndërkohë në gadishullin arabik, në Nexhd ishte përhapur doktrina (shkolla-medhhebi) vehabite që i atribuohet Muhamed b. Abdulvehabit. Emëruesi i përbashkët i lëvizjes për reformimin e islamit në Egjipt dhe doktrinës vehabiste në gadishullin arabik- Nexhd ishte lufta kundër risive, herezisë dhe besëtytnive. Nga këtu kjo ide u përhap në mes të poleve të sektit vehabij në mënyrë që më vonë kjo rrymë emrin vehabizëm e shndërroi në selefizëm dhe e përvetësoi për vete. Ata ndryshuan emrin duke e arsyetuar me sugjerimin se idetë e vehabizmit nuk ndalen te Muhamed b. Abdulvehabi, por ato ndërlidhen me selefin (gjeneratën e parë, dytë dhe tretë). Ata këtë e bënë që të bindin njerëzit se bartësit e kësaj ideje janë besnikët e doktrinës që përfaqësojnë akaidologjinë e selefit të ndershëm dhe besnikët në metodologjinë e të kuptuarit të islamit dhe zbatimin e tij.

Pra, tash më fjala selefij që ishte një slogan për një lëvizje reformuese për të promovuar dhe mbrojtur këtë titull, u shndërrua në një doktrinë që bartësit e kësaj doktrine pretendojnë se ata janë kategori e veçantë dhe se nuk janë si myslimanët tjerë. Ata janë garantuesit dhe besnikët e akaidologjisë selefiste dhe vetëm ata përmes metodologjisë së tyre arrijnë të kuptojnë islamin e vërtetë dhe të implementojnë në praktikë.


Çfarë do të thotë të ndjekësh selefët?

Të ndjekësh selefin nuk nënkupton se duhet ndjekur ata thjesht vetëm për shkak të faktit se ata ishin paraardhësit e këtij ummeti në aspektin kronologjik, por të ndjekësh selefin donë të thotë të kuptosh të vërtetën se ata kanë më shumë gjasa për të kuptuar fjalët e Allahut xh.sh. dhe njohës më të mirë të hadithit të pejgamberit s.a.v.s.. Ata ishin edhe njohës dhe folës të mirë të gjuhës arabe që i mundësonte që sa më mirë të kuptojnë edhe tekstet nga Kur'ani dhe sunneti. Ata ishin gjenerata që jetuan më afër pejgamberit a.s..

Të ndjekësh selefin nuk nënkupton thjesht të jesh nën ombrellën e tyre, dhe të mos ketë ndarje në mendime, sepse mospajtime në mendime pati edhe mes selefit të ndershëm, por ndarja e tyre në mendime nuk shihej si përçarje për të dëmtuar ummetin, por të ndjekësh selefin nënkupton të ndjekësh metodologjinë, disiplinat dhe rregullat shkencore për të kuptuar dhe interpretuar sa më lehtë tekstet kur'anore dhe të sunetit. Të ndjekësh selefin pra donë të thotë të ndjekësh parimet e ixhtihadit dhe principet e përgjithshme për përfitimin e dispozitave. Ky është obligimi i gjithë myslimanëve në të gjitha kohët, e jo në emër të selefizmit të ndahet ummeti në dy pjesë.

Pra, selefizmi i vërtetë nënkupton që të ndjekësh ata në meteodologjinë shkencore në interpretimin dhe komentimin e teksteve. Andaj çdokush që i përmbahet kësaj metodologjie, ai është brenda kornizës së unitetit që është emërtuar me emrin Ehi Sunne vel xhemat, edhe nëse jeton në shekullin e fundit të kësaj bote, kurse çdokush që nuk i përmbahet këtyre parimeve ai ka dalë nga rrethi i ehli sunetit edhe nëse ka jetuar në shekullin e parë të islamit.

Në pjesën e fundit, respektivisht në ligjëratën e kaluar kemi sqaruar për shfaqjen dhe evolimin e termit selefizëm dhe se çka donë të thotë të ndjekësh selefin. Andaj kur dikush thotë se ky është medhhebi i selefit, aty ka mashtrime, sepse aty gjenden dy iluzione që janë:

Iluzioni i parë: Se Selefi i ndershëm kishte një doktrinë-medhheb të caktuar të fikhut, kjo është vetëm një iluzion i pastër.

Iluzioni i dytë: Kinse doktrina e selefit nuk është përcjellë sipas rrugës së njohur te muslimanët, e ajo është rruga e tabiinëve (gjeneratës së dytë), pastaj dijetarët e mëdhenj që konsiderohen si themelues të shkollave juridike islame të njohura. Sikur medhhebi i selefit të ishte i mbyllur në panele të rezervuara dhe të mbyllura hermetikisht, e që nuk i ka lexuar askush më parë, derisa dolën në skenë këta që po pretendojnë se janë selefij.

Si rezultat i kësaj shohim se mendimet e tyre, drejtimet e tyre, qëndrimet e tyre, sjelljet e tyre, pozitat e tyre dhe dispozitat e tyre janë mbi çështje të pa vlefshme. Këto janë pesë elemente që çdo studiues detyrimisht duhet pasur parasysh kur bënë analiza për një dukuri që duhet marrë qëndrim.


Selefizmi konfrontues

Mendimi konfrontues që po e ndërtojnë përfaqësuesit e kësaj ideje, ata të cilët abuzuan të kuptuarit, detyrimisht shpien në tri çështje që janë:

Së pari: E tërë bota i urren muslimanët dhe kjo nënkupton se muslimanët në vazhdimësi janë në gjendje lufte për zhdukjen e tyre, e tërë kjo e keqe përfaqësohet dhe bartet mbi krahët sioniste (çifute), krishtere dhe sekularizmi. Sipas tyre ekziston një konspiracion kundër muslimanëve i cili ndonjëherë paraqitet në mënyrë të fshehtë e ndonjëherë edhe publikisht. Pra, ekzistojnë plane për eliminimin tonë si musliman, e ne jemi lodhur duke qëndruar para këtyre planeve pa veprime konkrete të përshtatura.

Së dyti: Detyrimisht duhet të përplasemi me botën në mënyrë që ti përgjigjemi agresionit dhe tiranisë, derisa të arrijmë t'i hakmerremi për atë që po ndodhë në botën islame aty këtu. Detyrimi i përplasjes patjetër të bohet përmes dy formave që janë: 'Vrasja e pabesimtarëve të mallkuar', dhe 'vrasja e murtedëve (renegatëve) të prishur'.

Pa besimtarë të mallkuar janë të gjithë njerëzit me përjashtim të atyre që kanë dëshmuar dy dëshmitë, [1] kurse murtedë-renegatë shkatërrimtar konsiderohet çdo njeri i cili ka deklaruar dy dëshmitë, por gjykon dhe vlerëson jo sipas asaj që është shpallur nga Allahu xh.sh. dhe që është në kundërshtim me mendimet e tyre. Këto formulime siç po duket na e bëjnë të qartë se, në to ka përzierje të çështjeve, mashtrime dhe injorancë, por ja që për fat të keqe do të jenë tërheqëse për një numër të konsideruar të të rinjve.

Së treti: mendimet e tyre janë ngritur mbi një stil të mendimit, në fakt kjo donë të thotë se ata nuk funksionojnë përmes organizatës apo institucioneve që mund ti përcjellësh në veprimtarinë e tyre. Ata veprojnë sipas formës së mendimit të lirë, i pa kufizuar në asgjë, dhe në këtë formë të bindin ata që i takojnë në çdo vend. Sipas kësaj që ndërtojnë nënkuptohet se çdo kush vepron jo sipas ndonjë urdhri apo direktive nga ndonjë qendër apo ndonjë drejtuesi, sepse kështu do dihej përgjegjësia. Në këtë formë kaosi jashtëzakonisht do të jetë i madhe dhe i fortë. Kjo teori zhvillohet me një lidhje organike sipas teorisë së "kaosit kreativ". Kjo terminologji u popullarizua në përdorimet politike dhe letrare kohëve të fundit, edhe pse shumë nuk e kuptojnë se ku gjenden bazat e saj, kuptimin e saj, efektet e saj.


Selefizmi ekstremist

Rryma selefiste është bërë një pengesë e vërtetë për përparimin e muslimanëve dhe për ripërtrirjen e retorikës së tyre fetare, për zhvillimin e përgjithshëm që bota islame sot ka nevojë imanente. Rryma selefiste është shndërruar në tokë pjellore për mendimin radikal ekstremist, është shndërruar në një bazë nga e cila ekstremisti apelon për fragmentimin e shoqërisë dhe për izolimin e njeriut nga lëvizjet e jetës, për të jetuar i vetmuar në imagjinatën e tij, që në të shumtën e rasteve të jetë i sëmurë dhe i pa fuqishëm që të ndërveproj me vetën e tij dhe me njerëzit që e rrethojnë.

Ideologjia selefiste specifikohet me disa tipare që shpijnë drejtë asaj që përmendëm, andaj është detyrim i të gjithëve që ti kundërvihen atyre dhe të punojnë me të gjitha mjetet e mundshme për ti nxjerrë ata nga ky labirint ku janë, sepse ata tani më nuk po dëmtojnë vetëm veten e tyre, porse dëmi i tyre ka tejkaluar kufijtë e tyre dhe po përfshinë gjithçka rreth tyre, po përfshinë rininë dhe umetin në përgjithësi si dhe ardhmërinë e saj pra tërë shoqërinë.

Ideologjia selefiste po tenton të tërheq të kaluarën në të tashmen tonë, që shoqëria islame të merret vetëm me të kaluarën pa rrugëdalje për të tanishmen dhe për të ardhmen, andaj ju e shihni se të gjitha çështje dhe dispozitat që ato i trajtojnë, janë çështje që i takojnë adhurimeve (namazit, agjërimit, etj.) traditës, veshmbathjes, rrobave, mënyra e ngrënies dhe shumë çështje tjera sekondare. Të kaluarën na e na e ekspozojnë tani, shpalosen çështje të thjeshta që në të kaluarën nuk konsideroheshin çështje madhore që ne të shpenzojmë energji dhe të sakrifikojmë për të. Vlerësojnë duke gjykuar se kush e bënë këtë e këtë punë është me ne, e kush nuk e bënë është kundër.


Rezultatet e këqija nga selefizmi bashkëkohor

Themi, tërë kjo shpien drejt transformimit të rolit të tij, nga ky rol në një rol tjetër, në një rol që vetëvrasjen me bomba në mes të njerëzve e sheh si detyrim. Ai mendon se jeta e tij më nuk ka kuptim sepse ajo noton në kundërshtim me rrymat. Ai e sheh si të detyruar të shtojë sa më shumë familjen e tij që të mbushë një çekuilibër ku ai ndihet i vetmuar. Ai mendon se të këqijat e shumta rreth tij, do ta eliminojnë dhe diskreditojnë atë, andaj përpiqet të shpëtoj nga kjo gjendje duke rritur kontrollin e lindjes. Në mesin e tyre po zhvillohet ky koncept me të cilin po ndodh edhe shpërthimi demografik dhe mos zhvillimi.

Një nga karakteristikat e këtij militantizmi izolacionist është pikëpamja e tyre se jeta është e gabuar dhe me mëkate, e ata ndiejnë si obligim të pastrohen prej saj, e pastrimi bëhet përmes largimi izolimit nga anëtarët e saj, pa varësisht se bëhet fjalë për artë apo letërsi. Andaj ti i sheh se ata me vetminë, izolimin nga jeta krenohen dhe kënaqen, mirëpo këtë nuk mund ta bëjnë në mënyrë të përpiktë, andaj edhe janë në kundërshtim të përhershëm dhe të rreptë. Andaj i sheh se bëjnë veprime që janë të një lloji me rezultate të ndryshme sepse pasojnë dëshirat e tyre. Kjo është logjika e impresionizmit që kundërshtohet me logjikën shkencore dhe kundërshton edhe logjikën e njohur mbi të cilën ndërtohet shoqëria njerëzore.

Prej këtu ai shndërrohet në një rebel i izoluar i cili nuk beson as në dijetarët e shkencëtaret por beson vetëm në disa nga dëshirat e tij që rrjedhin nga mendja e tij. Kjo e pengon që të pranojë çfarëdo mesazhi të njohur shoqëror.

Kjo kategori e njerëzve karakterizohet me logjikën e konspiracionit, andaj ata mendojnë se çdo gjë që është rreth tyre, është kundër tyre dhe bënë përpjekje për ta shkatërruar atë. Kjo e bënë atë të motivuar që gjithnjë të jetë kundër të gjithëve që janë rreth tij.

Gjithashtu ky grup veçohet me mendjemadhësinë dhe egoizmin cilësi këto me të cilat urren të gjitha mendimet përveç mendimit të tij. Argumenti jo i prerë (pa argumentuara) tek ata është shndërruar në kategorike, kurse çështja e cila pranon analiza dhe shqyrtime tek ata është shndërruar në të domosdoshme, që nuk pranon biseda. Formojnë lista të prioriteteve dhe në to paraqesin gjëra të pa kuptimta duke i dhënë përparësi ndaj çështjeve madhore, interesit individual ndaj interesit shoqërorë, imagjinatave ndaj realitetit e kështu me radhë. Të gjitha këto veprime ndikojnë negativisht në shoqëri.

Nga këto cilësi të tyre është edhe qëndrimi i tyre kundër çdo reforme në shoqërinë islame nën pretekstin se çdo risi është bidat, e çdo bidat është dalalet (humbje) dhe çdo dalalet përfundon në zjarr të xhehenemit.

Ata gjithnjë largohen dhe ikin nga esenca e tematikës dhe koncentrohen vetëm në aspektet formale duke e përdorën dëshirën e tyre në të kuptuarit e tekstit. Vështirësojnë jetën e muslimanëve duke zgjeruar rrethin e të ndaluarave. Janë të prirë nga që të dalin nga sistemi i institucioneve dhe respektimi dhe bindja e dijetarëve në një sistem të çuditshëm. Bëjnë ixhtihad nga vetja e tyre në çështjet juridike islame kurse janë pasues në çështjet akaidologjike. I nënçmojnë dijetarët dhe i ngritin jodijetarët. Nxjerrin dispozita dhe vërtiten jo në më shumë se njëqind çështje, për ti konsideruar njerëzit si të prishur dhe jomusliman.

Tash mendoj unë, ka ardhur koha që ti kundërvihemi kësaj ideologjie të devijuar në nivel kombëtar, e rruga për te kjo rezistencë është rikthimi te metodologjia shkencore e Az'harit i cili bartë flamurin e Ehli Sunne vel xhemaa nëpër shekuj.



Përgjigjet: Dr. Alij Xhumua - Mufti i Egjiptit.
Përshtat nga arabishtja: Jusuf ZIMERI.



_________________________

[1] - Dëshmia se: Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, dhe dëshmia e dytë se "Muhamedi a.s. është i dërguari i Tij".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...