Ekstremizmi vehabist dhe dëmi i tij ndaj Islamit dhe shoqërisë



Është fatkeqësi, që akoma çdo ditë jemi dëshmitarë i tmerrit të krimeve të llahtarëshme terroriste. Nuk ndodh asnjëherë që edicionet e lajmeve të mos përmbajnë kronika me pamje tmerruese nga luftërat në lindjen e mesme. Po çfarë është me e keqja, të gjitha këto krime janë duke u kryer në emër të fesë Islame, emri i së cilës ka domëthënien paqë.

Andaj duhet të ngritemi dhe ta themi troç se: ISIS nuk është Islame. Asnjë religjion nuk thërret në vrasjen e të pafajshmëve, dhe shumica e viktimave të ISIS janë mysliman. Njëherit, ISIS nuk është shtet. Ai ka qenë pjesë e Al-Kaides në Irak, dhe ka shfytëzuar konfliktet sektare dhe luften qytetare në Siri, për të marrë territor në Irak dhe Siri. ISIS nuk njihet si shtet nga asnjë shtet në botë, e as nga populli të cilin e ka nënshtruar dhe viktimizuar. ISIS është thjeshtë një organizatë terroriste. Dhe nuk ka vizion tjetër përveç vrasjeve të atyre që i dalinë në rrugë.

ISIS është munduar që në vazhdimësi të fusë frikë në zemrat e njerëzve në përgjithësi, dhe atë jo vetëm në gadishullin arabik, por përmes sulmeve terroriste në evrope, britani dhe amerikë, është orvatur që të destabilizoj shoqëritë në mbarë botën dhe t'i bëjë njerëzit të ndjehen të rrezikuar dhe të mos ndiejnë siguri në asnjë moment, duke u frikësuar se mund papritmas të janë viktimë e ndonjë sulmi terrorist.

Ideologjia e ekstremistëve është ajo vehabiste. Shpikësi i ideologjisë, Muhamed ibn Abdulvehabi dhe ata që e pasojnë atë sot, pretendojnë që me shpatë në dorë të gjykojnë njerëzit për të gjitha çështjet në emër të Zotit. Duke e personifikuar veten si: 'fjala, ligji dhe vullneti i Zotit në tokë'.

Njëherit, kjo është ajo çfarë kanë të përbashkët Arabia Saudite dhe ISIS-i. Që të dyja janë jashtë binarëve të Islamit burimor, por që asnjëra nuk e pranojnë se janë ideologji në vete, por pretendojnë se vetëm versioni i tyre i fesë, është 'Islami i vërtetë'.

Nuk pranojnë emërtimin vehabi, sespse pretendojnë se janë mysliman, se vetëm ata janë besimtarë të vërtetë, kurse gjithë të tjerët janë të pafe dhe pabesimtarë. Dhe si të tillë, thonë se duhen luftuar vazhdimisht.

Duhet sqaruar, se të vetmit që insistojnë se janë praktikues dhe përfaqësues të 'Islamit të vërtetë', janë Arabia Saudite dhe ISIS-i. Ky qendrim i njëjtë i tyre nuk është për tu çuditur, ngaqë që të dyja kanë themel të njëjtën doktrinë, librin mbi Njëshmërinë e Zotit (Kitabu Teuhid) të Abulvehabit.

Njëherit edhe mediat botërore patën raportuar, duke ofruar imazhe, se si libri i Abdulvehabit shpërndahet në vendet që kontrollohen nga ISIS, dhe atë të botuar me logon e kësaj organizate terroriste.

Besimtarët duhet kujtuar se burimi i fesë Islame është Kur'ani dhe syneti i Pejgamberit alejhi selam, dhe vërtet që zanafilla e fesë është nga Meka dhe Medina, qytete këto që gjenden në monarkinë e Arabisë Saudite, por kjo ka qenë para 1400 vitesh. 'Hoxhallarët' e tashëm saudit vehabist tentojnë ta monopolizojnë fenë, duke proklamuar se vetëm ideologjia e tyre vehabiste është islami i vërtetë.

Por duhet të pasur kujdes nga ajo çfarë u tha më lartë, sidomos të jenë vigjilentë shqiptarët, ku ne gjithmonë jemi shquar për praktikim të islamit burimor. Ky Islam që tradicionalisht është praktikuar, gjithmonë ka promovuar paqen dhe harmoninë. Kurse ata të cilët të manipulojnë të rinjtë të besojnë në marrëzira, ata i shtyejnë të bëjnë edhe mizori. E më këtë, shkatërrojmë edhë këtë botë, para se të shohim se e kemi shkatërruar të ardhmen në botën tjetër.


Injoranca, shkaktar i Radikalizmit dhe Ekstremizmit

Injoranca është rreziku më i madh dhe gjëja më e dëmshme për njeriun. Injoranca si e tillë është e rrezikshme në të gjitha fushat jetësore, por në aspektin fetar është edhe më e dëshme se në çdo aspekt tjetër. Feja tejkalon çdo barier dhe prekë shpirtërisht çdo njeri. Andaj injoranca fetare mund të ketë pasoja të mëdha për atë që mëton praktikimin e fesë në jetën e tij apo saj. Për këtë arsye mungesa e njohurive islame e atyre që sapo kanë nisur praktikimin e fesë, janë shtresa më e rrezikuar nga radikalizmi dhe ekstremizmi. Personat e këtillë radikalizohen pa e hetuar këtë, ngaqë mendojnë se janë duke mësuar fenë dhe po veprojnë atë që thotë Zoti, a në fakt veprimet e tyre janë në kundërshtim të plotë me parimet islame.

Kjo ndodhë ngaqë këta persona janë injorant fetar dhe si të tillë njohuritë e tyre fetare islame janë shumë të cekëta. Këta persona nuk kanë as njohuri themelore mbi Kur'anin dhe traditën e të dërguarit Muhamed. Andaj pikërisht kjo shtresë dhe këta individ janë nën thumbin e rekrutuesëve esktremist, në mënyrë që t'i radikalizojnë ata dhe t'i përdorin për sulme dhe terrorizim. Kjo ndodhë ngaqë rekrutuesit ekstremist nuk shkojnë të vetëvriten dhe ta rrezikojnë veten e tyre, por shfrytëzojnë të tjerët për ta bërë një gjë të tillë, përderisa vetë rrijnë nga larg dhe orkestrojnë terrorizimin e njerëzve të pafajshëm. Se injorantët fetar janë pikërisht ata që përfunduan pjesë e organizatës terroriste ISIS, dëshmon edhe fakti që publikuan mediat botërore, se ISIS kishte blerë online doracak për Islamin nga seria e doracakëve të ashtuquajtur për torollakët.

Po ashtu është publikuar fakti se shumë xhihadist, para se të shkonin në ISIS kishin blerë doracak mbi islamin. Ky fakt na dëshmon se të gjithë ata që përfunduan si terrorist fetar kanë qenë dhe janë dhe injorant fetar, të cilët në mungesë të diturisë dhe njohurive të tyre fetare, mundohen që këtë hendikep ta kompenzojnë me egërsi dhe agresivitet, për këtë edhe përfundojnë si terrorist. Andaj duhet patjetër angazhim institucional shtetëror dhe fetar për të delegjitimuar idetë e propaganduara nga ekstremistët. Vetëm me përkushtim ndaj demaskimit të këtyre ideologjive të mbrapshta dhe dëmsjellëse, mund të shpresojmë në çrrënjosjen e radikalizmit fetar i cili tashmë sa vite po e cenon mirëqenien e shoqërisë në përgjithësi, kurse harmoninë ndër fetare në veçanti.


Literatura indoktrinuese fetare akoma prezente në Kosovë

Pothuajse dy dekada kaluan nga lufta e fundit kurse literatura ideologjike vehabiste dhe e rrymave të tjera fetaro-politike që indoktrinuan me mijëra të rinjë, sa vjen dhe shtohet gjithnjë e më shumë. Janë të shumta ato librari nëpër Kosovë që shesin libra të ashtuquajtura islame, por që në fakt janë libra ideologjik me interpretime të ngurta fetare dhe me mendësi mesjetare që promovojnë dhe arsyetojnë dhunën në emër të fesë, duke synuar gjithnjë realizimin e qëllimeve të errëta gjeo-politike.

Këto libra i gjejmë po ashtu në çdo shesh dhe thuajse para çdo xhamie, të ekspozuara me një dozë imponimi nga shitësit ambulant. Madje ç'është edhe më ironike, botues dhe librari të ndryshme që promovojnë literaturën vehabiste dhe të rrymave të tjera fetaro-politike, gjithmonë marrin pjesë në panairin e librit ku vënë në shënjestër të rinjtë naiv që nuk dijnë të dallojnë librat propagandues ideologjik dhe ata të mirëfillt fetar. Njëherit janë pikërisht fillestarët në islam që bien pre e librave indoktrinues dhe përfundojnë më pas si radikal dhe ekstremist. Janë me mijëra libra vehabiste dhe të ideologjive të tjera fetaro-politike që qarkullojnë në Kosovë, të cilat iu paraqiten lexuesëve si libra islame.

Kjo literaturë devijuese është përdorur dhe vazhdon të përdoret akoma edhe nga institutcionet e arsimit jo formal në Kosovë. Kurse "edukative" dhe trajnime të ashtuquajtura fetare mbahen me libra ideologjik që synim kanë indoktrinimin e gjeneratave të reja dhe prodhimin e ekstremistëve dhe fanatikëve të dhunshëm fetar. Literatura ideologjike fetare vazhdon të shkaktoj huti dhe përçarje në mesin e besimtarëve, meqë kemi të bëjmë me shtrembërim të mësimeve fetare dhe devalvim të vlerave islame. Më e keqja është se literatura indoktrinuese po iu ofrohet dhe po iu paraqitet lexuesëve si literaturë islame. Meqë që nga paslufta janë botuar vazhdimisht libra fetar pa kurrfarë kontrolli apo recensimi profesional, përhapja e ideologjive të ndryshme fetaro-politike, sot është në shkallë pandemike në Kosovë. Një studim dhe identifikim i literatures indoktrinuese dhe ekstremste është më se i nevojshëm.

Njëherit nuk duhet të mashtrohet askush nga rënia momentale e organizatave terroriste, meqë përderisa kjo literaturë indoktrinuese vazhdon të jetë e pranishme në duart e lexuesëve, rreziku nga ekstremizmi, terrorizmi dhe politizimi i fesë, do të jetë rrezik permanent për shoqerinë dhe shtetin i cili do të minoj vazhdimisht mirëqenien e qytetarëve dhe prosperitetin kombëtar e shtetëror të vendit tonë.


Prapambeturia e myslimanëve vjen nga vehabizmi, jo nga islami

Për vite me radhë në Kosovë është duke u propaganduar ideologji fetare radikale, e cila po shtrembëron islamin e mirëfillt burimor që e kemi praktikuar tradicionalisht. Është provuar vazhdimisht që të sjellet mendësia mesjetare nga vendet arabe, mendësi kjo e cila e ka çoroditur fenë dhe i ka degraduar vlerat islame në vendet e lindjes. Dijetarët e vetëshpallur vehabist e kanë instrumentalizuar tërësisht fenë islame, duke abuzuar me të për interesa grupore dhe individuale, por gjithnjë në dëm të besimtarëve të sinqertë mysliman. Keqinterpretimet e qëllimta të fesë kanë arritur të shkaktojnë përçarje dhe hasmëri të pa parë në mes besimtarëve, duke shkaktuar polarizime të theksuara në shoqëritë arabe islame.

Indoktrinimi i popujve po shkakton edhe konflike dhe luftëra civile. Imamët vehabist mendojnë natë e ditë, vetëm se si ta acarojnë situatën. Këta imam janë duke i indoktrinuar të rinjtë, për të krijuar një xhematë vampirësh të etur për gjak, që mendojnë se feja përkufizohet në luftë dhe gjakderdhje dhe asgjë tjetër. Po ashtu përzierja e fesë me poltikën ka bërë që pushtetarët kriminel e të korruptuar ta legjitimojnë vetë fetarisht dhe ta nënshtrojnë masën mendërisht. E gjithë katrahura në botën arabe islame, lufta, injoranca dhe dekadenca, janë si pasoj e instrumentalizimit të fesë, keq interpretimeve fetare dhe përzierjes së fesë me poltikën. Fatkeqësisht edhe tek ne në Kosovë janë vërejtur dhe po vërehen tendenca për të aplikuar qasjet destruktive të imamëve gjakpirës ekstremist. Me katandisjen e botës arabe islame në katrahurë, Ideologjia vehabiste po dëshmohet vazhdimisht se është destruktive dhe ogurzez për myslimanët.

Andaj shqiptarët duhet të ndalën e të mendojnë, nëse ideologjia vehabiste dhe imamët ekstremist e kanë shndërruar botën arabe në humnerë, si ka mundësi që të jetë vehabizmi dhe ekstremizmi i dobishëm për ne. Në të gjitha vende arabe islame ku i është dhënë hapësirë oprtunistëve të manipulojnë me fenë dhe me myslimanët, aty ka shpërthyer lufta, prapambeturia, urrejtja dhe injoranca. Andaj ne na duhen mësime fetare që na përafrojnë më shumë me njëri tjetrin dhe që nxisin të rinjtë të edukohen e të mësojnë, sepse kemi nevoj për harmoni dhe prosperitet, kurse shpellarët injorant dhe shokët e tyre le të shkojnë atje ku shiten broçkullat e tyre, se tek ne nuk po iu shiten më.


Si i perçau vehabizmi familjet shqiptare!

Padyshim se vehabizmi është një ndër fatkeqësitë më të mëdha që shënon historia islame. Vehabizmi si ideologji, i perçau besimtarët mysliman në mbarë botën, e një ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri e deri tek diaspora shqiptare. Me përhapjen e vehabizmit tek ne në Kosovë, filloi edhe hutia e besimtarëve ngase vehabistët praktikon një model "islam" qe ishte i panjohur për qytetarët tanë. Njerëz të paguar nga vendet arabe filluan propagandimin e vehabizmit që nga paslufta. Kjo ideologji e cila bënte një interpretim të ngurt të mësimeve islame dhe i keq intepretonte ato, arriti të instaloj një mendësi të dhunës, duke i bërë besimtarët të ngurt, agresiv e të dhunshëm. Ky transformim i besimtarëve të rinj në moshë, shkaktoi probleme për shumë prindër.

Prindërit e të rinjëve të indoktrinuar nga vehabizmi u ballafaquan me sfida të mëdha, por edhe dhimbje e pikëllim, ngaqë fëmijët e tyre më nuk i dëgjonin baballarët dhe nënat e tyre, por dëgjonin me bindje të verbër imamët vehabist që po i shndërronin të rinjtë në marioneta te tyre. Pak kohë pas shpëlarjes të mendjes së të rinjëve nga ideologjia vehabiste, filluan konfliktet familjare. Kjo ngjau ngase sipas mësimeve ekstremiste vehabiste, lejohej që të akuzoheshin njerëzit për mosbesim, vetëm pse nuk ishin vehabist, edhe pse ishin mysliman. Andaj të rinjëve që iu shpëla truri, filluan t'iu vërsuleshin me ashpërsi vetë prindërve të tyre, duke i quajtur ata "qafir" mosbesimtar. Shumë familje u përcanë dhe u shkatërruan shkaku i vehabizmit. Shumë të rinjë u hidhëruan dhe u ndanë nga prindërit e tyre. Pati edhe të atillë që ua kthyen shpinen krejtësisht familjes dhe vendit, duke marrur rrugën për Siri dhe Irak, për t'iu bashkangjitur organizatës terroriste ISIS.

Pra filloi gradualisht me indoktrim nëpër mbledhitë fetare dhe në xhami, kurse epilogu ishte terrorizmi, lufta dhe vrasjet për hirë të një ideolojie destruktive që shkatërroi familje të shumta kosovare. Shumë babllarë dhe nëna mbetën pa bijtë dhe bijat e tyre, ngase fëmijët e tyre i konsideronin prindërit e vetë si pabesimtar dhe mohues të fesë. Kjo është "mirësia" që na i solli vehabizmi që nga paslufta. Urrejte, perçarje, dhunë, e pikëllim. T'i themi ndal mendësisë shpellare vehabiste, t'i themi ndal dhunës e perçarjes, dhe t'i themi jo ideologjive djallëzore që po shkatërrojnë familjet tona dhe rininë tonë. Populli shqiptar është tepër fisnik e i qytetëriar që të bie pre e mentalitetit beduino-shpellar.



Përgatiti: foltash

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...