Islami fe e mesatares



"Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi mesatare, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju ...", (El Bekare: 143).

Islami na mëson të jemi mesatarë dhe të matur në çdo aspekt të jetës sonë, në shtëpitë tona, në institucionet tona, në pasurimin tonë. Ti shmangemi teprimeve dhe mangësive në ushqim, në adhurim, në jetën e përditshme, pra në çdo gjë që vjen në kundërshtim me rregullin e artë të të qenit mesatarë. Prandaj nuk lejohet që të jemi koprracë dhe as shpërdorues: "Mos e shtrëngo dorën tënde, as mos u bëj dorëshpuar e të mbetesh i qortuar dhe i mjerë", (El Isra: 29).

Gjithashtu edhe në gjërat e lejuara dhe hallall nuk duhet të ketë pakësim apo teprim. Nuk duhet t'i hyjmë në hak jetës së asaj bote për shkak të kësaj jete, por as të injorojmë kërkesat e kësaj bote në emër të jetës së amshueshme. Duhet të ruajmë ekuilibrin mes shpirtit dhe trupit, si dhe mes dynjasë e ahiretit: "Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër ...", (El Bekare: 201).

Jeta jonë duhet të përshkruhet dhe ngjyroset nga mëshira dhe mirësjellja, maturia dhe fisnikëria. Edhe kalimi i gjithë natës në namaz, mosmartesa dhe agjërimi i gjithë vitit konsiderohet teprim. Në vepra rruga më e mirë është drejtimi i mesëm (hajrul umuri evsatuha).

Duhet të kemi kujdes t'i shmangemi dy ekstremeve, dy mundësive të manipulimit me tekstin e shenjtë. Ti ikim literalizmit dhe bukvalitetit si dhe nxjerrjes së ajeteve të caktuara nga tërësia e tekstit dhe kuptimit të tyre, për çka janë të prirë shpeshherë literalistët. Është i ndaluar leximi selektiv i Kur'anit fisnik si armë kundër kundërshtarit për besueshmërinë e interpretimit arrogant.


Shpërfytyrimi i pamjes së ndritshme të Islamit

Qarqe armiqësore dëshirojnë ta shtrembërojnë imazhin e vërtetë të Islamit duke e paraqitur si fe ekstremiste dhe besimtarët muslimanë si njerëz që nuk i durojnë të tjerët dhe që sillen armiqësisht ndaj tyre.

Ca të paditur sot duan ta shpërfytyrojnë fisnikërinë dhe pastërtinë e Islamit si fe e paqes dhe dashurisë. Prandaj, nuk duhet të lejojmë që të mjegullohet pamja e ndritshme dhe shkëlqyese e Islamit qoftë nga armiq shpifës, qoftë nga ithtarë injorantë.

Të rinjtë tanë duhet t'i mësojmë rreth fesë sonë njashtu sikurse na është shpjeguar gjeneratë pas gjenerate. Të mos lejojmë që rinia të bjerë pre e interpretimeve të dyshimta. Ajetet kur'anore dhe veprat e fjalët e Pejgamberit a.s. janë sqaruese të rrugës mesatare që duhet të ndjekim: "Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t'ju shmangin nga rruga e Tij ...", (El En'am: 153).

Islami, që do të thotë paqe, kërkon që përmes besimit në Zotin Një dhe përmes kërkimit të bëhet vazhdimisht mirë dhe asesi të mos bëhet keq, duke urdhëruar që të duhen krijesat e Zotit dhe njeriu vecanërisht. Ai ndalon sulmin e paarsyeshëm ndaj cilitdo sepse parimet e luftës në Islam kanë karakter mbrojtës, kurse xhihadi para së gjithash është luftë kundër vetes, nepsit, cdo gjëje të ligë dhe të keqe. Është imperativ islam që të veprohet dhe punohet drejtë, madje edhe kundrejt armikut. Islami e ruan dhe e mbron muslimanin nga veprime të tilla të ndaluara nëse i përmbahet dispozitave islame dhe rregullave të mirësjelljes.


Forca e argumentit

Për fat të keq veprimet e disa injorantëve, ekstremistëve dhe terroristëve, që thirren në Islam dhe e përvetësojnë Islamin si bazë për legjitimimin e veprimeve të tyre, po bëjnë që feja islame të perceptohet si fe e dhunës dhe shpatës, si fe që poshtëron femrat, që ua refuzon të drejtat ithtarëve të feve të tjera dhe që e imponon besimin islam me dhunë.

Ndërkaq, muslimanët gjithnjë ua kanë prezantuar Islamin të tjerëve me fjalë të mira dhe me këshilla të urta dhe jo me grykën e armës. Nuk është përdorur forca që njerëzit ta pranonin Islamin, njashtu sikurse po veprojnë disa luftëtarë të disa formacioneve të dyshimta. Asnjëherë nuk ka ndodhur islamizimi i të tjerëve me imponim.

Muslimanët kanë përdorur forcën e argumentit. Popuj të shumtë, njëri pas tjetrit, vijuan t'i dorëzoheshin forcës së argumentit dhe domethënies të "Shpatës" së Shehadetit dhe të pranonin këtë Fe madhështore. Kaq i mprehtë ishte tehu i asaj "Shpate" dhe aq depërtues ishte kuptimi i saj sa që ajo duke i përfituar zemrat, bënte që trupat të dorëzoheshin lehtësisht dhe vetvetiu.

Kjo është "Shpata" e së Vërtetës dhe Shehadetit, drita dhe shkëlqimi i së cilës e zhduk të pavërtetën, mu ashtu siç largon drita errësirën. Islami kërkon dorëzimin e zemrës ndaj besimit dhe angazhim në përputhje me Kur'anin fisnik, pra me Shpalljen dhe urdhrat e Allahut.



Autor: Mr. Ajni SINANI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...