Marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe politikës



Hyrje

Në klimën moderne evro-perëndimore është konstantë dominante, vetvetiu e kuptueshme, se feja (religjioni) nuk bënë të ngatërrohet me politikën. Kjo bëhet kështu sepse parimi i "shekullarizmit" identifikohet me përparimin dhe progresin, kurse shikimi i politikës praktike nga fokusi fetar hidhet poshtë si reaksionar. Duke e marrë parasysh Perëndimin dhe rrethanat që kanë shpjerë në këtë gjendje edhe nuk është e diskutueshme, por sa i përket Islamit është e qartë se mosbashkëpunimi i fesë dhe politikës është i paqëndrueshëm. [1]


1. Pikëpamje lidhur me raportet e fesë dhe politikës

Marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe politikës janë të ndërlikuara por megjithatë mund të shqyrtohen në suaza të disa mundësive, respektivisht të disa modeleve teorike tashmë të njohura. Disa teoricienë këto raporte i përkufizojnë si:

1). Kuptimet dhe mësimet e fesë janë të lidhura me botën tjetër dhe me jetën e njeriut pas vdekjes. Fusha e politikës është jeta e kësaj bote dhe mënyra e jetës në këtë botë. Sipas këtyre teorive dhe botëkuptimeve, fusha e veprimit të fesë dhe politikës është krejtësisht ndryshe dhe konceptohen si fusha të ndara. Kjo mënyrë e perceptimit të fesë dhe politikës për njeriun perëndimor është e zakonshme, sepse ai është mësuar tashmë disa shekuj të mendojë dhe jetojë në këtë mënyrë.

Kjo tezë në aspekt të fesë islame është e paqëndrueshme, sepse feja islame paraqet përmbledhje mësimesh lidhur për njeriun dhe jetën e tij në këtë botë dhe në botën tjetër (fi'd-dunja we'l-ahireh).

2). Feja dhe të gjitha parimet dhe rregullat e saj janë të shenjta dhe të përhershme dhe si të tilla nuk mund t'i diskutojmë dhe ndërrojmë. Mirëpo, meqë politika është e lidhur drejtpërdrejt me çështje njerëzore dhe herë-herë edhe këto lidhje janë edhe jomorale, nuk janë të qëndrueshme dhe për shkak të natyrës së saj ndërron nga gjendja në gjendje, nga koha në kohë dhe në pajtim me këtë, mund ta diskutojmë, kritikojmë dhe refuzojmë. Për këtë arsye, këto dy fusha nuk mund të jenë bashkë dhe të qëndrojnë në suaza të njëjta.

Edhe kjo teori mbi fenë është jokorrekte dhe e gabueshme kur është fjala për politikën. Është e ditur se të gjitha parimet dhe rregullat në fe janë të pandryshueshme dhe konstante në aspekt të parimeve, por juristët myslimanë janë të thirrur ta zhvillojnë të drejtën islame "profane", e cila do ta aplikonte frymën dhe dispozitat konkrete të Ligjit Hyjnor në raportet shoqërore të kushtëzuara në kohë (me ndërrimin e kohës ndërrohen edhe dispozitat = bi tegajjur'iz-zemani tetegajjer'ul-ahkam). [2] Kjo sikurse që çdo gjë politike nuk është jashtë suazave të shenjtërisë dhe hyjnisë. Jashtë këtyre parimeve hyjnore mund të jetë vetëm atëherë kur politika qëndron larg vlerave hyjnore të fesë dhe në kundërshtim me to.

3). Edhe pse pjesë të caktuara të mësimeve fetare kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve jetësore, megjithatë synimet e saj nuk pajtohen me synimet politike. Synimi i fesë është edukimi i njerëzve mendjelirë, inteligjentë dhe shkencëtarë të cilët veprojnë në drejtim të përkryerjes shpirtërore, duke lëshuar gjendjen ekzistuese materiale dhe duke u nisur drejt gjendjes ideale, shpirtërore dhe morale. Në anën tjetër, synimi i politikës është rregullimi i gjendjes ekzistuese dhe këtë pa marrë parasysh në çështjet shpirtërore dhe morale. Synimi i një besimtari është ngritja morale dhe shpirtërore si të vetes ashtu edhe të tjerëve dhe në këtë aspekt nuk ka prioritet gjendjen ekzistuese materiale, por synimi i një politikani është fitorja e tij por edhe humbja e rivalëve të tij. Sipas këtij trendi, këto vija asnjëherë nuk do të bashkohen për shkak të synimeve të tyre të pabashkueshme.

Mirëpo, nuk mund të pajtohemi se qëndrimet e këtyre rrymave, sepse ata duke ndarë synimet, caqet e fesë si shpirtërore, ata larguan mësimet fetare nga jeta. Ata materializuan synimet e politikës në mënyrë absolute, me ç'rast shoqërive i imponuan kundërvlera, korrupsion në emër të politikës.

Megjithë dallimet dhe akceset e ndryshme, mund të konkludohet se feja dhe politika kanë synime të përbashkëta; ato mund të bashkëpunojnë në parime, kritere dhe vlera të shkëlqyeshme, të përbashkëta për të dyja.

4). Kur'ani dhe politika. - Kemi zëra që pohojnë se Kur'ani nuk e njeh problemin e politikës dhe nuk merret me të. Një nga këta zëra është Abdurrezak Ali, profesor në El-Ez'her dhe gjykatës i gjyqeve të Sheriatit në Kajro, i cili në librin e tij "El-Islamu we usul'ul-hikem", (Islami dhe bazat e urtësisë) mohon lidhshmërinë mes Islamit dhe politikës duke e elaboruar këtë tezë të tij në tri parime. [3] Kjo tezë është fuqizuar sidomos nga regjimet laiciste në shumë vende islame dhe arabe, sidomos në shekullin XX. Këtë gjendje e kemi në Egjipt, Algjeri, Tunizi, Turqinë kemaliste etj.. Këtë e thotë ndryshe njohësi i të drejtës islame, S. Ramadan: "Baza e gjerë e parafytyrimeve mitike, zhvillimi i klerit dhe historia politike kontribuuan në ndarjen e të drejtës dhe religjionit". [4]


2. Pajtueshmëria e domethënies së fesë dhe të politikës

Edhe pse gjatë historisë në Perëndim shohim se si feja ishte e ndarë nga politika duhet shqyrtuar gjithanshëm raportet mes fesë dhe politikës, si dy aspekte të njohjes njerëzore, të cilat megjithatë kanë bazë hyjnore dhe racionale, sidomos në Islam. Për këtë qëndrim kemi mbështetje në Kur'an, në Hadith por edhe në Kartën (Sahifën) e Medinës. [5]

Prandaj, përkufizimi i fesë me pak fjalë është i vështirë. Disa e kanë përkufizuar se "feja është grumbull besimesh dhe mendimesh të lidhura në mënyrë të ndërsjellë, të cilat rrjedhin nga shpallja e Zotit lidhur me botën, njeriun, shoqërinë dhe jetën pas vdekjes, e me qëllim të udhëzimit të njeriut drejt jetës më të mirë dhe më të përkryer". Këtë e kanë mbështetur në tekstet fetare, si: besimi në Ditën e gjykimit, aplikimi i dispozitave fetare dhe shqiptimi me gjuhë i asaj që e beson etj.. [6] Ekzistojnë edhe shumë përkufizime sociologësh, filozofësh, psikologësh, kulturologësh të fesë, të cilat kryesisht kanë konotacione botërore, të kufizuara varësisht nga këndshikimi i secilit drejtim veç e veç.


3. Synimet politike të fesë dhe pejgamberia e pejgamberëve të Zotit

Në historinë e mendimeve politike vërehet një kaptinë e shkëlqyeshme në lidhje me mendimet politike të pejgamberëve të Zotit, të cilat janë një nga faktorët e rëndësishëm dhe vendimtarë të historisë politike të botës. Po ashtu, në historinë e sistemeve politike të botës ekziston edhe një pjesë që ka të bëjë me sistemet politike të bazuara në fe, e të cilat duhet t'i hulumtojmë me kujdes.

Autorë perëndimorë të historisë politike janë përpjekur të ndajnë politikën dhe mendimet politike nga mendimet dhe idetë fetare, dhe me këtë kanë tradhtuar edhe fenë por edhe politikën. Ata vepruan kësisoj si revansh ndaj fesë, e cila gjatë mesjetës e ndrydhi dijen dhe i dënoi dijetarët, dhe nuk zgjodhën problemin. [7]


4. Roli politik i feve të Zotit

Edhe pse feja herë-herë përdoret si ideologji politike me fuqi kulturore dhe politike të barasvlershme me atë të fesë qiellore, megjithatë thuajse të gjithë pajtohen se kjo është më e dobët, që funksionon më shumë si forcë shoqërisht unifikuese dhe thellësisht konservatore. [8] Është e qartë se feja e Zotit ka rol të pazëvendësueshëm te individi dhe shoqëria, për këtë dhe për botën tjetër, për të gjitha racat dhe gjuhët. Në këtë aspekt edhe roli politik i fesë së Zotit në shoqëri, si diç specifike, ka rëndësi të veçantë, jo në kuptimin e teokracisë evropiane-perëndimore, ku Zoti qeverisë me botën nëpërmjet një shtrese klerikësh, [9] por sipas ligjit islam asnjë njeri, asnjë klasë, as xhami nuk janë të privilegjuar me marrëdhënie të veçantë ndaj Zotit, as me të drejtë speciale që të flasim me Të. [10]


5. Politika nga pikëpamja e fesë - synim apo mjet

A është nga aspekti islam i politikës mjet apo synim, qëllim? Manifestimi më i qartë i politikës është fuqia. A është fuqia mjet apo synim?

Shumë mendimtarë mendojnë se sipas besimit islam, fuqia politike është vetëm mjet për konstituimin dhe aplikimin e drejtësisë. Forca është e pranuar atëherë kur është në shërbim të popullit, përndryshe, vetëm gjurmimi për fuqi është i pavlefshëm.

Mirëpo, disa dijetarë muslimanë mendojnë se fuqia është synim, qëllim dhe se konstituimi i sundimit të fesë varet nga arritja e fuqisë. Për këtë arsye, këta dijetarë mendojnë se arritja e fuqisë është e domosdoshme (vaxhib). Fuqia është një nga cilësitë e Allahut dhe konsiderohet e shenjtë, është një prej parimeve të besimit islam dhe një prej vlerave të tij. Për këtë arsye, në disa hadithe në mënyrë rigoroze kritikohet njeriu i dobët. [11] Në rastet kur fuqia kritikohet, ka të bëjë me abuzimin e saj në drejtim të gabuar. Edhe ata të cilët thonë se politika, fuqia është mjet, edhe ata të cilët thonë se politika është synim, kanë vend, nëse këto kuptohen në aspektin afirmativ. [12] Mirëpo, mundësia për abuzim të politikës nuk humb vlerën pozitive të fuqisë, sepse të gjitha vlerat, madje edhe shkenca, jeta, puna, potencialisht janë objekt i abuzimit.

Po ashtu, pohimi që politika është mjet sikur që politika është edhe synim, nga aspekti i logjikës së fesë nuk është i gabuar, sikurse nuk është gabim edhe për ekonominë. Sepse, edhe miratimi i pohimit se politika është mjet, kjo vetvetiu nuk është zhvlerësim dhe degradim i politikës. [13] Politika si elementi kryesor në jetë gjithnjë ka qenë për njeriun dhe se veprimi dhe pastrimi politik janë synime të rëndësishme fetare. Ky parim mund të shihet qartë gjatë hulumtimit të synimeve të veprimit të pejgamberëve të Zotit.

Përmbyllje

Shumë myslimanë në botën aktuale dëshirojnë ta kenë një shtet islam, as më shumë as më pak, një organizatë politike, e cila do t'ju mundësonte të vijë në shprehje besimi i tyre në Zot dhe këtë jo në mënyrë të kufizuar (brenda xhamisë), por edhe në punët e tjera praktike, sociale, ekonomike e shoqërore. Kjo tendencë nuk do të duhej ta frikësojë Perëndimin fetar, sepse po ky Perëndim duhet të jetë i vetëdijshëm, sidomos sot, se vetëm një fe e mbështetur në mësimet e Zotit, mund t'i përgjigjet forcave negative të materializmit agresiv e johuman. Çdo kristian i mirëfilltë, prandaj, do të duhej ta përshëndes çdo tentim për ndërtimin e shoqërisë në themele të besimit në Zot. [14]



Autor: Nexhat IBRAHIMI



_________________________

[1] - Muhammed Asad, Islam i politika, Sarajevë, 1996, fq. 3 e tutje.
[2] - Muhammed Asad, po aty, fq. 12-13.
[3] - Abdurrezaak Ali, El-Islamu we usul'ul-hikem, Bejrut, 1978, fq. 39, sipas: Abbas Ali Amid Zandzani, Odnos vere i politike, Nur - casopis za kulturu i islamske teme, nr. 14/1997, Beograd, fq. 21-22. Përndryshe, ky autor është pushuar nga puna dhe është margjinalizuar për shkak të qëndrimeve ekstreme. Shih: Hakki Mamduh, Mukaddam'ul-islam we nidham'ul-hikem, Bejrut, 1978, fq. 4.
[4] - Seid Ramadan, E drejta islame, Shkup, 2007, fq. 15. Krhs.: Abbas Ali Amid Zandzani, po aty.
[5] - Sulltan Kureshi, Letrat e Muhammedit a.s., Shkup, 2003.
[6] - A. Zandzani, op. cit., fq. 22-23.
[7] - Shih: Krhs.: Abbas Ali Amid Zandzani, po aty.
[8] - Ali Pajaziti, Fjalor i sociologjisë, Shkup, 2009, fq. 182.
[9] - Sipas: The Concise Oxford Dictionaty, fq. 1321.
[10] - Seid Ramadan, po aty, fq. 51-52.
[11] - Muhammedi a.s. ka thënë: "Allahu nuk i do njerëzit e dobët dhe thuhet se besimtar i dobët është ai që nuk thërret njerëzit në të mirë dhe nuk pengon nga e keqja." Krhs.: Abbas Ali Amid Zandzani, po aty.
[12] - Shih: A. Zandzani, op. cit., fq. 32.
[13] - Muhammedi a.s. disa herë ka thënë: "Kush i ndihmon popullit të vet në ndonjë çështje të padrejtë, pushon të jetë një nga ne". Sipas: Muhammed Asad, po aty, fq. 17-18.
[14] - Muhammed Asad, po aty, fq. 20.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...