Nuk ka fe ai i cili nuk ka amanet (nuk ka besë)!



Pyetja: A ka mundësi që njeriu të jetë musliman por pa e mbajtur besën?


Përgjigjja vjen nga Pejgamberi a.s.: "La dine limen la ahde lehu", "nuk ka fe ai i cili nuk ka amanet (nuk ka besë)"!

Kjo pra është përgjigjja e Pejgamberit për atë musliman që nuk e mbanë besë e dhënë. Por nëse shkojmë edhe më tutje, e pyesim: çfarë muslimani është ai që e shkelë besën dhe amanetin e Allahut dhe të Pejgamberit? Këtu e kemi fjalën për pakicat krishtere dhe fetë të tjera që jetojnë në vendet muslimane e që në terminologjinë Islame quhen "ahlu dhime", ngase ata janë nën mbrojtjen e Allahut dhe nën mbrojtjen e të dërguarit të tij Muhamedit a.s. (tahte dhimetilahi ve resulihi).

A thua ata që i hodhën në era me dhjetëra të krishterë në Pakistan në festën e tyre të shenjët ku ata ishin tubuar me gratë e fëmijët e tyre për t'i kaluar disa çaste në gazmend e hare, a mundë të themi se ata e ruajtën besën e Pejgamberit dhe amanetin e tij!?

Amaneti që Pejgamberi a.s. i dha theks të veçantë dhe kërkoj nga muslimanët që ta ruajnë në çfarëdo rrethanë është ky: që minoritete e feve të tjera jo Islame që jetojnë në vendet Islame, krahas të të gjitha të drejtave që gëzojnë duke u nisur nga parimet e përgjithshme të Islamit, që jeta, prona e pasuria, nderi, siguria dhe liria e besimit janë të garantuara për çdo qytetarë që jeton në vendet Islame, kemi edhe një të drejtë tjetër të rezervuar për minoritete që është një veçori për ta, ajo është fjala e Pejgamberit a.s.: (Allahe Allahe fi dhimeti) frikojuni Allahut! frikojuni Allahut! Nëse u bëni dëm pakicave, të cilët i kam mare në mbrojtje unë.

Ngase në ditën e gjykimit ai që u bën keq pakicave nuk do të përballet me ta por, kundeshtarë i muslimanit që ka shkelë një të drejtë të minoritetit do të jetë vetë Pejgamberi a.s.! Nëse dëshirojmë ta mësojmë se në çfarë kategorie të seriozitetit është ky amanet (kujdesja për pakicat), mjafton që të kthehemi në historinë Islame dhe të shohim se si janë sjellë përgjegjësit e drejtë musliman, me pakicat. Dijetarët e jurispodencës Islame kujdeseshin për të drejtat e pakicave ashtu siq kujdeseshin për fenë e tyre.

Ata i ruanin të drejtat e tyre që mos t'i prekte ndonjë dëm për shkak të ndonjë politike apo ndonjë sjellje nga organi qeverisës, qoftë me arsye apo pa arsye. Ebu Jusufi që ishte gjykatësi suprem në dinastinë e Abasitëve, e përshkruan në mënyrë të prerë këtë qëndrim juridik në librin e tij "el-Haraxh-tatimi", ku i drejtohet udhëheqësit të muslimanëve Harun Rashidit, me këto fjalë: "o udhëheqësi i besimtarëve Allahu të ndihmoftë, e ki për detyrë që të sillesh me butësi e tolerancë me pakicat që janë nën garantimin e Pejgamberit tënd a.s.. Ta kontrollosh gjendjen e tyre që mos të iu bëhet ndonjë e padrejtë apo ndonjë dëm, që mos të ngarkohen më tepër se sa munden, dhe mos të u merret ndonjë gjë nga pasuria e tyre pos asaj që kanë obligim".

Hazreti Ymeri r.a., fjalët e fundit që i tha para se të vdiste, ishin: "e porosis halifen pas meje që të kujdeset për pakicat që na i la amanet Pejgamberi a.s., që të përmbushen zotimet ndaj tyre, të luftohet në mbrojtje të tyre, dhe mos të ngarkohen mbi mundësitë e tyre". Shiko Imam Evzaiun -që jetoi në mes brezit të dytë dhe të tretë pas Muhamedit a.s.- sa fortë i mbron pakicat kur valiu-sunduesi i Damaskut i dëboi ata nga fshatrat e "Bealebeke-s" në kufi me Libanin, që mos të jenë mjet i rebelimit apo mos të përdorën si urë ndihmëse për Romakët.

Sunduesi i Damaskut e ndërmori këtë hap pasi ata kishin bërë komplot kundër shtetit Islam me ndihmën e romakëve dhe kishin arrit të okuponin qytetin "Bealebeke" me rrethinë. Plani i Valisë synonte shpërndarjen e tyre nëpër vendet e Shamit. Mirëpo, Imam Evzaiu kërkon me këmbëngulje, që "Ahlu dhimeh" pakicat të mbrohen dhe të trajtohen me drejtësi e barazi, vetëm e vetëm që të mbrohet liria personale dhe liria e besimit, dhe të përmbushet zotimi i marrë nga Pejgamberi a.s. lidhje me pakicat. Ngase, mbrojtja e tyre është borxh në qafën-ndërgjegjen e sunduesve.

Po ashtu kemi nga ndërmjetësimet më të famshme të Imam Evzaiut letrën e tij, drejtuar Halifes Ebu Xhafer el-Mensurit, për banorët e Kulejkilas - kufi me Armenin. Armiku kishte zënë rob burra, gra dhe fëmijë të minoritetit- jo musliman. Halifeja refuzonte të paguante për lirimin e tyre. Kur mori vesh Imam Evzaiu për qëndrimin e Halifes, ia shkroi një letër atij duke e këshilluar dhe duke kërkuar nga ai që ta paguante lirimin e tyre nga armiku.

Fjalët e Imam Evzait, do të mbesin përgjithmonë krenari nga krenaritë e historisë Islame për atë që bënë juristët musliman në mbrojtje të të drejtave të minoriteteve.



Autor: Prof. Lulzim ESATI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...