Shërbyesit bashkëkohorë të 'propagandës fide' që flasin e shkruajnë shqip



"Më mirë të lexosh një libër, sesa t'i fusësh hundët në punët që nuk i dini", Adam Stanley.

Tanimë ka disa vite që nëpër ca mediat tona publikohen shkrime tendencioze që ndër shqiptarët vërtet nxisin urrejtje. Deklaratave të këtilla u janë bashkëngjitur edhe disa të ashtuquajtur intelektualë të llojit të Sh. Halilit, S. Sulejmanit, e më vonë edhe të akademikut kosovar Mehmet Kraja. S'do mend se një njeri sadopak që të ketë lexuar libra, e kupton se çfarë vlere shkencore e të argumentuar përmbajnë në vetvete shkresurinat e tyre.

Disa prej tyre, si p.sh., Shpëtim Halili, me një ton mjaft shqetësues thërret dhe thotë se, "kush është PDSH, kush BDI, kush LR-PDSH, dhe ca parti më pak minore se këto që përmenda, duhet bërë çmos që projekti i Lëvizjes Besa të mos ndiqet, të mos mbështetet dhe të mos legjitimohet së paku tek asnjë shqiptar që në damarët e tij ka gjak shqiptari ... se ky projekt nuk i ka rrënjët këtu, nuk buron nga fryma shqiptare, përkundrazi, kjo frymë është frymë allaturka… lëvizjet, partitë politike me frymë dhe poligon jashtë interesave shqiptare janë e keqja e madhe e shqiptarëve".

Në shikim të parë mendoja se në shkrimin e tij bën fjalë për partitë aktuale, të cilat tanimë gjatë kohës nuk i sollën popullit shqiptar ndonjë gjë vërtet evropiane e civilizuese, por vetëm keq e më keq ... duke u thelluar në renditjet e ca shkronjave që ai i kishte bërë në atë tekst, vërtet ma përkujtoi ideologun e kryqëzatave, Papa Urbanin II, i cili në vitin 1095 e ftoi Asamblenë e Klermontit, të mbajtur në Klermon Feran, që Evropa të vërsulet në luftërat e shenjta kryqtare kundër pushtuesve të Jerusalemit, me qëllim të "çlirimit të varrit të shenjtë nga jobesim­tarët (mys­li­manët)".

Në fakt, Shpëtimi (jo për të shpëtuar) bënte thirrje kryqtare, frymë kjo që është identike me frymën kishtare mesjetare, që të gjitha partitë aktuale shqiptare në RM t'i kundërvihen një partie të re, të quajtur Besa, edhe pse ajo akoma nuk e ka matur forcën e saj politike nëpër zgjedhje! Dëshiroj të theksoj që në fillim se, dorën në zemër, në partitë tona shqiptare aktuale (BDI, PDSH, LR-PDSH, RDK, etj.) ekzistojnë njerëz vërtetë të shkëlqyer dhe punëtorë, mirëpo ç'e do që aty pyeten dhe vendosin grupet e interesave, amoralët dhe të korruptuarit!?

Nëse dikush merr guximin të kritikojë një libër akoma pa e lexuar, atëherë kjo ndodh vetëm me ne shqiptarët, e në veçanti me ata të "kalibrit" të këtyre vocërrakëve ... lloji i tyre dinë ta këshillojnë edhe "mikun e tyre fort të nderuar se nuk e paska vendin në atë 'mexhlis' ... madje femrat e mbuluara i konsideron si 'delet e Erdoganit'"! Absurd, apo jo? Sermet Sulejmani, në stilin e hipokritëve bashkëkohor, i përzien çështjet, dhe ata që nuk mendojnë si ai i quan jeniçerë neootomanë. Me këtë ai qart tregon injorancën e tij për tablonë reale të shoqërisë së cilës i takojmë ...

Të nderuar, Sh. Halili, S. Sulejmani, a mund të na argumentoni se çfarë lidhje ka këtu besimi në Zot me Lëvizjen Besa dhe "satelitët e saj allaturka", e cilat janë ato fakte historike se ky vend (Turqia) na qenka e keqja e shqiptarëve?


Parashtroj pyetjet:

- Pse partia e re, e cila akoma nuk është shfaqur në zgjedhje, nuk i paska rrënjët tek ne dhe se na qenka me frymë allaturka? Prej nga vjen ky konstatim sa naiv, aq edhe copy paste pansllavist?

- Pse nuk dëshironi ta besoni se shqiptarët historikisht kanë lidhje me shtetin turk; lidhje familjare, historike, feje, miqësie, biznesi, politike, ekonomike, madje edhe ushtarake? Besoj se edhe Shpëtimi, apo Serameti e Mehmet Kraja, kanë ndonjë pjesëtar të familjeve që jetojnë në Turqi ... Çfarë të keqe ka këtu? Pse të mos bashkëpunohet me një shtet siç është Turqia, që është forca e dytë në NATO?

- Nëse disa politikanë tanët kanë bashkëpunim politik, të biznesit, me disa shtete të cilat akoma nuk e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur, atëherë pse të mos bashkëpunojë një parti e re, e pastër autoktone shqiptare e RM-së, me ato popuj dhe shtete që kemi miqësi shekullore, shtete këto që e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur, shtete këto që disa herë i kanë ndihmuar dhe akoma e ndihmojnë Shqipërinë dhe Kosovën në shumë sfera (ekonomike e ushtarake)?

- Pse vazhdimisht orvateni që shqiptarëve t'ua lani trurin me ato ide skizmatike sllave që të shkëputemi nga vëllezërit tanë që jetojnë në Turqi, meqë dihet se atje janë disa milionë shqiptarë? A nuk e kuptoni se populli me të cilin jetojmë me shumë falsifikime dhe gënjeshtra mundohet që ta lidhë apo ta shtojë numrin e atyre që jetojnë në diasporën maqedonase, e nga ana tjetër vetëm ne u dashka të shkëputemi nga Turqia mike, e me këtë edhe nga familjarët tanë që jetojnë atje?

- A mund të na tregoni se satelitë të kujt jeni ju? Si u bë që ju "demokratë" t'i përkrahni grushtshtetin dhe puçistët në Turqi. Si u bë që ju të cilët çirreni për demokraci, sot të përkrahni rrymat terroriste dhe dhunën kundër votës së lirë dhe demokracisë në Turqi?

Duhet të jetë e qartë për të gjithë ju se shqiptarët (jo ata të llojit të juaj) janë aq mendjemprehtë sa që me kujdes i peshojnë dhe i vlerësojnë gjërat, ashtu siç në shek. XV-XVI pranuan Islamin si model virtytesh dhe të pastërtisë hyjnore, madje edhe mbrojtje nga terrori, masakrat dhe konvertimet inkuizicioniste sllave, kështu që me ardhjen e osmanëve ata vendosën një gardh mbrojtës nga asimilimi sllav e grek. E jo vetëm kaq, por falë vizionarëve shqiptarë ne kemi aleancë edhe me miqtë tanë të vjetër, me SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë, Kanadanë, Zvicrën, etj., vende këto ku jetojnë dhe veprojnë mijëra shqiptarë dhe vëllezër tanët.

Vargut të këtyre shërbyesve të Propaganda fide-së iu bashkëngjit edhe akademiku kosovar Mehmet Kraja. Sa i përket letrës të Mehmet Krajës drejtuar myslimanëve të facebook-ut, do të kisha thënë shkurtazi se ai me grepin e hedhur në "lum" realizon projektet e huaja antishqiptare, e në veçanti anstikosovare. Çdo njeri i cili sado pak logjikon për të kaluarën do të kuptojë qartë se provokues dhe shpifës, madje edhe me titull akademik, si Mehmeti, kishte edhe më herët, por të gjithë ata dështuan dhe u tretën në skëterrën e historisë, ku mbetën të regjistruar si shpifës dhe bashkëpunëtorë të armiqve tanë.

S'do mend se akademiku Mehmet Kraja haptazi, njëlloj edhe ky sikurse Urbani II, i cili i ftonte kristianët e shek. XI-të në luftë kryqëzatash kundër myslimanëve, bën thirrje që shqiptarët të heqin dorë nga feja, madje edhe provokon, duke thënë: "... mos t'ju vijë keq nëse ju them se ne përbëjmë shumicën", po ashtu ai bën ndarjen ndërmjet shqiptarëve - që deri më sot nuk e bëri askush nga intelektualët tanë, qoftë ata besimtarë myslimanë apo jo myslimanë - kur thotë, "brenda kampit tonë" dhe "brenda kampit tuaj". Çfarë hipokrizie dhe ç'fjalë shkatërruese!

Mehmet! Çfarë dëshironi të thoni kur pohoni se, "nuk mund të mateni me ne: ju nuk mund të bëheni një milion veta për ta shkulur Skënderbeun nga sheshi i Prishtinës"?

Kush ka thënë se Skënderbeun duhet ta heqim nga sheshi i Prishtinës? Pse mundoheni të lëvroni në ujë? A nuk është turp për ju si një intelektual, madje ashtu siç ju e konsideroni veten, që të shpreheni në këtë mënyrë?

Dije mirë Mehmet se shqiptarët u bënë ballë hipokritëve dhe hipokrizive edhe më të vështira dhe më djallëzore se këto, të gjithë ata përfunduan në ferrin e historisë. Shqiptarët myslimanë e ata jomyslimanë vazhduan dhe akoma do të vazhdojnë të jetojnë së bashku si një popull i qytetëruar, edhe pse me besime të ndryshme. Ndërsa akademllëku i juaj satanist vetëm se e njollos historinë tonë shqiptare, kur gjeneratat që do të vijnë pas do të kuptojnë se në shoqërinë tonë shqiptare paska ekzistuar një lloj krijese që edhe pas pavarësisë së Kosovës dëshiroi të shkaktonte urrejtje ndërmjet shqiptarëve!

Mehmet! A mund të na shpjegoni pse e theksuat Tetovën në kontekst negativ? Për çfarë identiteti nallash e dimish e keni fjalën? A për arsye se Tetova ka një traditë të pasur fetare e kulturore, islame e shqiptare! Pse e harruat mikpritjen e nënave me dimia, por edhe pa dimia, me shami, po edhe pa shami në kokë, të cilat shprehën mikpritjen vëllazërore shqiptare për familjet kosovare gjatë eksodit të viteve 1998-1999, kur disa qindra mijëra burra, gra e fëmijë vërshuan në Maqedoni, edhe në Tetovë?

Pse bëheni bukëshkelës e të anashkaloni mikpritjet e nënave tona tetovare, gostivarase, shkupjane, etj., të cilat treguan bujarinë islame e shqiptare kur i hapën portat për familjet shqiptare kosovare? Pse harruat mikpritjen tetovare dhe flisni gjëra të cilat nuk do t'i kishe thënë as një injorant mesjetar? Turp për ju si akademik, turp! Por, "nëse nuk ke turp, vepro ç'të duash".

Pse kënaqeni për faktin se nuk paskan festuar në Prishtinë për bajram me fishekzjarre dhe për atë se kafenetë paskan nisë punën në mëngjesin e ditës së parë të Bajramit? Çfarë na qenka ajo atmosferë e imponuar fetare, ai ambient i degraduar në pikëpamje civilizuese!? Çfarë krahasimesh satanike!

Këtu kuptohet qartë se ju vetëm se imitoni sllavët dhe pansllavizmin, si dhe inkuizitorët mesjetarë evropianë, e asgjë tjetër. Ju as që keni haber për qytetërimin dhe kulturën islame, për vlerat islame, vlera këto për të cilat shkruajnë dhe flasin një numër i madh intelektualësh dhe shkencëtarësh evroperëndimorë, nga të cilët një numër jo i vogël prej tyre edhe e pranuan Islamin si fe të tyre. Tanimë është një e vërtetë shkencore e historike - 'edhe pse e hidhur për ju dhe çiftin tuaj' - se Islami si fe dhe kulturë ndër shqiptarë ka traditë disashekullore, të zhvilluar pa ndërprerje që nga shekulli XV e deri në ditët tona, duke ushtruar një ndikim esencial në mbijetesën dhe në formësimin e identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar.

Pra, po qe se merret si pikënisje e vlerësimit të perspektivës së shqiptarëve në sfondin bizantino-grek e sllav gjendja në të cilën ishin ata kur erdhi në trojet e tyre mesazhi islam, është krejt e qartë se ajo gjendje do ta çonte më tutje zvogëlimin numerik dhe asimilimin e vazhdueshëm gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Pranimi i mesazhit hyjnor të Islamit nga ana e një pjese të madhe të shqiptarëve që kur ranë në kontakt direkt me të, dhe veçmas pas Betejës së Kosovës të vitit 1389, e ndali trendin negativ të tkurrjes e të asimilimit të shqiptarëve dhe i dha një drejtim të ri zhvillimit të tyre.

Por ju, z. Mehmet Kraja, ose nuk dini për këto fakte, ose nuk dëshironi të dini. Ama një gjë ta them: mos i mbyll sytë, se vetvetes i shkakton terr, madje filozofia e gënjeshtrës qëndron në këmbë prej qelqi, e ato thyhen lehtë.



Autor: Behxhet JASHARI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...