Irani dhe elementi shiia, tendenca për dominimin e botës arabe



Mosmarrëveshjet brenda praktikuesve të fesë myslimane kanë historinë e tyre të gjata që fillojnë menjëherë pas vdekjes së profetit Muhamet. E gjitha kishte nisur në mungesë të një trashëgimtari të denjë për fronin e mbetur zbrazët, ndërkohë që pretenduesit vinin nga dy taborët, atij të pasuesit, Ebu Bekrit, dhe po ashtu edhe nga tabori i imam Aliut. Gjakderdhja filloi që atëherë.

Librat referentë flasin për vrasje nga të dyja anët. Pësuan pasardhësit e Ebu Bekrit sikurse pastaj edhe vetë Imam Aliu, ngjarje këto që vunë themelet e një sekti tjetër brenda fesë myslimane, sektit Shiia që mblodhi pasardhësit e Imam Aliut. Mospajtimet atëherë veç u blinduan duke bërë që pikëpamjet e tyre, sunitëve dhe shiitëve, si shkolla të mendimit islam, të ndryshojnë në shumë gjëra.

Përveç kësaj, sekti shiitë ndahet edhe përbrenda tij në disa rryma, ndërsa kryesoret janë imamitët ose shiia dymbëdhjetëshe, të cilët janë të përhapur shumë sidomos në Iran, Irak, Azerbaixhan, Bahrain dhe në Liban, pasuar nga ndjekësit e shiias shtatëshe (ismailitët), që jetojnë kryesisht në subkontinentin indian (Mumbai, Karaçi dhe Pakistanin verior) si dhe në Afganistan e Taxhikistan dhe nga Zaiditët ose shiia pesëshe që sot janë të përqendruar kryesisht në Jemen.

Sipas raportit të "Pew Research Center's Forum on Religion & Public Life - Mapping the Global Muslim Population", në botë janë 10% deri në 13% shiia brenda fesë myslimane, ndërsa numri më i madh i tyre jeton në Iran. Pas Revolucionit Islamik në Iran, në vitin 1979 u instalua Republika Islamike-teokratike me bazë Ligjin e sheriatit, agjenda politike shtetërore, më pastaj u ndërthur kryekëput me religjionin duke synuar që përmes një strategjie afatshkurtër Irani të jetë vend lider për të gjithë shiitët, ndërsa përmes një strategjie afatgjate parashihte të mbante flamurin e prijësit të myslimanëve të të gjithë botës. Që atëherë, Irani kishte identifikuar edhe "armiqtë", Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Perëndimin dhe Izraelin, të cilat i akuzonte për të gjitha të këqijat që ndodhin në botën arabe.

Irani, liderizmin e tregon edhe në Luftën e Libanit më 1982 duke dërguar mjete financiare, armatim dhe pjesëtarët e Gardës Revolucionare për të trajnuar krahun e armatosur të partisë politike Hesbollah (parti e zotit) që është version shiia i xhihadistëve, organizatë kjo e cila që nga viti 1997 është në listën e organizatave terroriste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, vetë Irani futet në listën e shteteve sponsoruese të terrorizmit ndërkombëtar nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1984.

Pas intervenimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, në vitin 2003, në Irak, ku popullata shumicë është shiite, Irani ndërhyn duke ndihmuar milicitë shiite me trajnime ushtarake, financa dhe armatim, duke i përkrahur si në luftën kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, ashtu edhe kundër pakicës sunite të Irakut. Milicitë shiite, më me ndikim konsiderohen të jenë: "Kata'ib Hezbollah", "Badr Corps", "Mahdy Army" (pas vitit 2008 është ringjallur me emrin "Sarāyā al-Salām"), "Asa'ib ahl al-Haq", "Abu al-Fadhil al-Abbas", "Kata'ib al-Imam Ali", etj..

Irani edhe pas tërheqjes së ushtrisë amerikane nga Iraku, vazhdon të kërkojë mundësitë për të qëruar hesapet me pakicën sunite të Irakut, dhe rreshtohet kështu në krah të perëndimit për të luftuar organizatën terroriste ISIS në Irak. Nën ombrellën e luftimit të ISIS-it, u sulmuan edhe vendbanimet sunite nga ushtria qeveritare irakiane dhe milicitë shiite që janë nën kontrollin direkt të Iranit, ku për pasojë u vranë edhe shumë civilë të pafajshëm. "Human Rights Watch" disa herë ka raportuar për vrasje të popullatës civile sunite, për shkatërrim të vendbanime të tyre, por edhe të xhamive sunite nga ana e ushtrisë qeveritare irakiane dhe milicive shiite të cilat janë nën kontrollin e Iranit.

Institucionet relevante botërore vazhdojnë ende t'i mbyllin sytë para këtyre krimeve, ndërkaq vrasjet e civilëve sunitë po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Mbetet të shpresohet së paku që qyteti i Mosulit dhe qytetet e tjera të banuara me pakicën suite, e të cilat janë nën kontrollin e organizatës terroriste ISIS, ndaj së cilës po kryhet një ofensivë e madhe e ushtrisë qeveritare irakiane dhe milicive shiite, të mos e pësojnë fatin e Aleppos së Sirisë.


Irani dhe lufta në Siri

Për dallim nga Iraku, ku sunitët janë pakicë, në Siri popullata shumicë është sunite, por sundohet nga diktatori Bashar Al-Assad, i cili është Allawi, pakicë e sektit shiia në Siri.

Në fillim të protestave që njihen si Pranvera arabe, kërkesat e shumicës së popullatës siriane kishin karakter ekskluzivisht politik, ndërsa ngrihej zëri për ndryshime politike dhe formim të një qeverie demokratike të zgjedhur nga populli. Këto kërkesa dhe pakënaqësitë e tjera të popullit sirian u ngulfatën nga tanket e ushtrisë qeveritare siriane dhe grupet paramilitare shiite, veprime të cilat ndezën një luftë të përgjakshme, luftë e cila shumë shpejt mori karakterin e një konflikti sektar mes sunitëve shumicë dhe shiitëve pakicë.

Irani edhe në këtë luftë tregoi ndikimin e tij, duke dërguar trupa të Gardës Revolucionare për trajnim të Ushtrisë Qeveritare Siriane, si dhe transferoi nga Iraku Milicitë Shiite të ndihmuara me luftëtarë shiia nga Avganistani, Jemeni, Pakistani, ndërsa nga Libani u dërguan anëtarët e organizatës terroriste Hezbollah. Sipas gazetës britanike "Guardian" udhëheqës i këtyre grupeve të armatosura është gjeneralmajor Qassem Soleimani i cili njëherësh është edhe komandant i forcave më elitare të ushtrisë iraniane Forcat "Quds", ku rekrutohen vetëm ata që besojnë në supremacinë Shiite.

Gjeneral Soleimani para një dekade është autorizuar nga lideri suprem i Iranit Ayatollah Khamenei, që të eksportojë, sipas tij, vlerat e Revolucionit islamik në botën arabe.

Gjeneral Soleimani udhëheqi milicitë shiite në sulmin mbi qytetin e Alepos nën komandën e të cilit u kryen masakra të tmerrshme ndaj popullatës civile duke mos u kursyer as fëmijët. Fuqia e deleguar e Gjeneral Soleimanit cilësohet si e madhe, ndërsa si njeri besnik i Teheranit ai zbatoi bindshëm urdhërat duke bërë që qysh në ditën e parë të ndalojë me forcë evakuimin e civilëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë së Lirë Siriane nga qyteti i Aleppos dhe duke kërkuar kushte të reja, edhe pse për këtë evakuim kishte marrëveshje mes Turqisë dhe Rusisë. Mirëpo, jemi dëshmitarë që terrori i nxitur nga ideologjia vahabiste ka vjet që ka tejkaluar gjeografikisht vendet e Lindjes.

Kujtojmë aktin terrorist të vitit 2012 në Burgas të Bullgarisë, që për cak kishte turistët izraelitë dhe i cili shkaktoi viktima në njerëz që pas hetimeve të kryera nga autoritetet bullgare doli të jetë kryer nga organizata terroriste shiite Hesbollah. Edhe autoritetet Qipriote e parandaluan një akt terrorist, por nuk duhet harruar njëkohësisht edhe krimet qe kjo organizatë vazhdon t'i kryej në Siri. Këto dhe sulme të tjera bënë që institucionet relevante evropiane ta fusin Hesbollahun në vitin 2013 në listën e EU-së të organizatave terroriste.

As Kosova nuk duket të jetë e mbrojtur nga përhapja e kësaj ideologjie që po proklamohet nga Irani. Këtë e dëshmon edhe aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës në korrik të 2016-tës ndaj Hasan Azari Bejandi, klerikut shiit nga Irani nën dyshimin e financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave përmes një OJQ-je qe e udhëhiqte në Kosovë Po ashtu, u është pezulluar puna pesë OJQ-ve: OJQ "Kur'ani", "NISA", Institutin "Ibn Sina", Shoqatën e Shërbimeve Edukative "Bregu i Diellit" dhe Shoqatën "Ehli Bejt-Prizren", të cilat ishin të lidhura me ideologjinë e Shiizmit nën dyshimin për ushtrim të aktiviteteve që bien ndesh me rendin kushtetues në Kosovë.

Pasi siç po duket strategjia e parë e Iranit, ambicia e këtij shteti për tu bërë lider i gjithë popullatës shiite në vendet arabe nëse nuk trajtohet seriozisht, mund edhe të realizohet, qoftë edhe për një kohë, urojmë reagim të shpejtë dhe serioz të shteteve të tjera, sidomos atyre me popullsi myslimane, ku hyn edhe Kosova, që duke mos rënë pre e ekstremizmit fetar të parandalojnë dhe luftojnë ideologjitë e tilla nga të cilat pikësëpari po pëson popullata civile. Reagimin e shpejtë dhe serioz tekefundit ua kemi borxh fëmijëve!



Autor: Valdet DEVAJA

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...