Ca të dhëna të fshehura nga ngritja e Flamurit: prania e klerit musliman që nuk u tha kurrë



Rëndom historia e këtij vendi është fshehur pas trukesh e marifetesh për ta devijuar vëmendjen e publikut pikërisht në ato vende ku historiografia zyrtare e regjimit monist i konsideronte si laike nisur nga këndvështrimi ateist, i cili ishte edhe qëndrimi zyrtar i Partisë Komuniste. Ky qëndrim zyrtarizoi godinën e Lidhjes së Prizrenit si vendin ku u realizua një nga Kuvendet më të rëndësishme për nacionalizmin shqiptar, dhe nuk e përmendi kurrë që 300 delegatët e Shqiptarisë u mblodhën dhe diskutuan në Bajrakli Xhaminë e Prizrenit jo më larg se 10 metra nga godina në fjalë.

Vetë ajo ishte godina e drejtorisë së Medresesë me drejtor myderrizin e nderuar Haxhi Ymer Prizreni, që mori përsipër fillimisht drejtimin e Lidhjes, një tjetër fakt i fshehur ky nga sytë e kureshtarëve të historisë. Historiografia zyrtare komuniste nuk arrin të na shpjegojë dot se si mund të futeshin 300 delegatë në 10 metra katrore dhomë të godinës së drejtorisë së Medresesë. Një absurd ky që na servirej si një e vërtetë e pastër. Kjo vijë e pastërtisë politike vazhdon edhe në momentet e ngritjes së flamurit në qytetet e ndryshme shqiptare.

Shpallja e Pavarësisë në vitin 1912 është një nga momentet kyçe të historisë politike bashkëkohore shqiptare. Ky veprim ishte me të vërtetë një akt historik e juridik ndërkombëtar i një rëndësie jetike për shqiptarët në ato momente kur u shpall. Në këto çaste pas një turi evropian rikthehet në Durrës Ismail Qemal bej Vlora së bashku me delegacionin e vet për të ngritur Flamurin e Pavarësisë, për të shpëtuar trojet shqiptare nga copëtimi i mëtejshëm dhe për ta bërë fakt të kryer dëshirën e të gjithë rilindësve dhe patriotëve shqiptarë, duke ngritur më pas edhe qeverinë dhe mekanizmat e duhur të qeverisjes, që i nevojiten një shteti.

Një nga shqetësimet e Ismail Qemal bej Vlorës ka qenë edhe ngritja e flamurit më datë 28 nëntor, për shkak edhe të konotacioneve nacionaliste të lidhura ngushtësisht me figurën e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, si simbol i rezistencës kundër Turkut, që donin t'i jepnin patriotët kësaj ngjarje të shumëpritur. Ngritja e flamurit kombëtar filloi nga qytete të tjera për shkak të përparimit të serbëve në trojet veriore shqiptare dhe nga jugu i grekëve. Akti i ngritjes së flamurit kombëtar ishte në vazhdën e veprimeve politike e diplomatike të Etërve të Pavarësisë, si në qytetet: Elbasani 25 nëntor, Tiranë dhe Durrës 26 nëntor e më pas në Kavajë, Peqin e Lushnje 27 nëntor etj., që duke ngritur flamurin kombëtar shpallnin pavarësinë dhe në këtë mënyrë u tregonin serbëve e grekëve, se po shkelin në një territor të huaj për ta e sovran. Në ngritjen e flamurit kombëtar në shumë qytete të vendit kanë marrë pjesë edhe hoxhallarët patriotë, të cilët e përkrahën fuqimisht ngritjen e flamurit dhe më pas qeverinë e Vlorës.

Durrësi, qyteti ku zbriti nga turi evropian Ismail Qemal beu pa një numër të madh hoxhallarësh në ditën e ngritjes së flamurit. Ngritja e flamurit kombëtar u bë nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Durrësit, Hafiz Ali Podgorica dhe telegrami ku njoftohet për ngritjen e flamurit pasohet nga firmat e Myderriz Isuf Ramzoti, Myderriz Abdyl Qerim Kurti, Myderriz Hysen Mulla Alushi, Myderriz Ali Kuli, Myderriz Hafiz Jusuf Gjoni, Ismail Beja, Mahmut Beja, Hysen Dakoli e vijojnë firmat e tjera. Në Tiranë ishin hafiz Ismail Ndroqi, Zyber efendi Hallulli, hafiz Ibrahim Dalliu etj., që morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit së bashku me patriotin e shquar Refik Toptani, i cili mbajti një fjalim me rastin e ndarjes përfundimtare nga Perandoria Osmane dhe ngritjen e flamurit kombëtar.

Në Elbasan, ndërmjet atyre që ngritën flamurin do të ishte edhe H. H. Sulejman Kungulli një hoxhë, i cili do të mbulonte më pas edhe postin e myftiut të qytetit. Megjithëse Shkodra kishte pasur vështirësitë e veta dhe do t'i përjetonte ato edhe në vitet në vijim, duke u kthyer në një arenë lufte të përgjakshme, do ta ngrinte flamurin kombëtar pak më vonë. Më 28 nëntor 1913 ngrihet flamuri kombëtar në Shkodër nga kryetari i Bashkisë dhe përshëndesin me këtë rast dy klerikë të nderuar, H. Ymer Gurra dhe at Vinçenc Prenushi. Në përvjetorin e parë të pavarësisë pra më 28 nëntor 1913 morën pjesë 20,000 vetë, që do të thotë krejt qyteti "në këtë natë simbolikisht një varg drita kandilash si varg hyjesh lidhshin minaren e xhamisë së Fushë Çelës me kambanoren e Kishës së Gjuhadolit ...". Më 28 nëntor së bashku me Ismail Qemal beun ishin dhe dy ulema të mëdhenj si Haxhi Vehbi Dibra - Agolli dhe Hafiz Sherif Langu, të cilët kishin dhënë një kontribut të ndjeshëm për kauzën kombëtare dhe do të jepnin përsëri në vitet në vazhdim.

Këto janë disa fakte të përmendura shkurtimisht mbi ngritjen e Flamurit Kombëtar, ku kanë marrë pjesë hoxhallarë të shquar, të cilët me ndikimin e tyre në popull rritën dashurinë ndaj Shqipërisë e Shqiptarizmit si një ideologji shtet e kombformuese. Studimet nën këtë këndvështrim deri tashti kanë çaluar të ndikuara nga syzet ideologjike të regjimit të kaluar dhe të individëve të formuar gjatë asaj kohe, të cilët kanë frikë se mos humbasin ndikimin dhe primatin e tyre në lëmin historik. Gjithsesi kontributi i këtyre hoxhallarëve është aty dhe mbetet vetëm të rrëmohet nëpër analet e historisë.



Autor: Roald A. HYSA

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...