Mirënjohja ndaj miqve tanë perëndimor është edhe obligim fetar



Në Kosovë po shënohet 20 vjetori i çlirimit nga okupatori, fitore kjo e cila është një dhunti e madhe nga Zoti, dhe për të cilën shumë njerëz u flijuan, duke rënë dëshmorë e martirë në altarin e lirisë.

Por padyshim se kjo fitore e madhe nuk do të ishte arritur pa ndihmën e aleatëve dhe miqve tanë perendimor.

Vendet e botës demokraktike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i thanë një herë e përgjithmonë, ndal padrejtësisë dhe tiranisë serbe mbi popullin e përvuajtur e paqësor shqiptarë. Andaj edhe nuk ka se si të shënohet kjo ditë e rëndësishme më mirë, se sa përkrah miqve tanë që na u gjetën në momentet më të vështira për ne.

Vizita e ish presidentit Bill Klinton dhe sekretares së shtetit amerikan Madeleine Albright në Kosovë, ka shënuar kulminacionin e madhështisë së kremtës për ditën e çlirimit. Njëherit kjo përkrahje e pakompromis na jep forcë në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të një shteti të fortë, të drejtë, e demokratik. Çdo tentim minimizimi të vlerës dhe rëndësisë së ndihmës dhe përkrahjes së perëndimit ndaj vendit tonë, është qëllimkeqe dhe tendencë për të minuar bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me aleatet tanë.

Pikëpyetja mbi ndihmën dhe sinqeritetin e miqve tanë, është tendencioze dhe ka për qëllim orientimin e vendit dhe shoqërisë në drejtim të gabuar, që është tërësisht në shpërputhje me vlerat tona si popull, dhe në dëm të interesit tonë mbarë kombëtar. Është e ulët dhe absurditet i llojit të vet, shpërfaqja e teorive konspirative, ku propagandohen ide se perëndimi ka prapavij të dyshimtë ndaj vendit tonë.

Në fakt, pikërisht deklarimet e tilla janë komplot, realizimi i të cilit fatmirësisht po mbetet vetëm në tentativë, për ta destabilizuar shtetin dhe shoqërinë tonë. Është shumë e rëndë dhe njëkohësisht e ulët, që nëpërmjet propagandimit fetar të tentohet të futet urrejtje mes besimtarëve dhe shoqërive perëndimore, duke u munduar të paraqesin islamin dhe perëndimin si armike të njëra tjetrës.

Shqiptarët në Kosovë janë me shumicë të besimit islam, por jemi një popull evropian me vlera, dhe si të tillë nuk na nevojitet mendësia shpellare e veprimit, e diktuar nga ideologjitë djallëzore që fshihen nën petkun fetar. Është e njohur thënia profetike se: 'Kush nuk e falenderon njeriun, nuk ka falenderuar as Zotin'. Ne duhet të jemi përjetësisht falenderues miqve tanë perendimor, e në veçanti presidentit Klinton, ngaqë ata janë meritor për lirinë që e gëzojmë sot, janë meritor edhe për lirinë e praktikimit të fesë, e po ashtu për lirinë e shprehjes që shumë herë po e shpërdorojmë.

E ardhmja jonë do të jetë e ndritur vetëm kur shtegëtimi ynë të jetë përkrah dashamirësve tanë. Retorika dhe demagogjia me ngjyrime fetare, e individëve dhe grupeve që keqpërdorin dhe njollosin religjionin për qëllime gjeo-politike të pushtetarëve dhe vendeve propaganduese të ideologjive të caktuara destruktive, kanë për qëllim cenimin e interesave tona kombëtare, dhe si të tilla duhet bojkotuar e demaskuar.

E ardhmja jonë duhet të jetë e orientuar në drejtim të vlerave civilizuese bashkohore perëndimore, përkrah aleatëve të kombit shqiptarë. Nuk duhet lejuar të biem pre e mendjeve të lajthitura, që medoemos provojnë të polarizojnë shoqërinë dhe ta dëmtojnë mirëqenien e saj. Besimtarët dhe fetarët e mirë janë falenderues dhe mirënjohës, e jo arrogant e përbuzës. Besimtarë të mirë do të jemi kur të bëhemi falenderues, dhe të ruajmë e çmojmë vendin dhe kombin si dhunti që e kemi nga i Madhi Zot.



Autor: Mr. Besart SHALA

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...