E drejta për shkollim dhe Shamia (Kapitulli i tretë)



Kapitulli i tretë

Liria e besimit

Njëra nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut është edhe e liria e besimit, ndërgjegjes dhe e fesë.

Në të kaluren por,edhe sotë edhe pse mund të hasim në njerëz që nuk kanë pranuar ndonjë fe, nuk mund të haset edhe në shoqëri jofetare. Ky realitet na tregon se feja për njeriun dhe për shoqërinë është një nevojë natyrore. Ajo ka ekzistuar bashkë me njeriun dhe do të vazhdojë të ekzistojë bashkë me të edhe në të ardhmen. [45]

Mendimi, ndërgjegjja, besimi, janë terma që kanë të bëjnë me qëndrimet e individit përballë botës, shoqërisë dhe asaj që përcakton fatin e tij dhe të botës, qoftë si Perëndi, Zot apo qenie absolute. Kjo bindje i ka përcjellë popujt gjithmonë qysh nga kohërat e lashta. Që në vitin 1941, presidenti i SHBA-ve në mesazhin vjetor drejtuar Kongresit, duke ju referuar bazave mbi të cilat duhet të mbështetet bota në të ardhmen, ka kërkuar respektimin e katër lirive esenciale të njeriut, lirisë së fjalës, lirisë së besimit, lirisë nga frika dhe lirisë nga mjerimi. Për këtë arsye, lirinë e besimit e gjejmë të garantuar qysh në dokumentet e para që janë miratuar, duke qenë të bindur se me garantimin e kësaj të drejte plotësohen të drejtat themelore të individit.

Historikisht, njerëzimi ka ushtruar besimet dhe bindjet dhe nuk është penguar nga shteti t'i gëzojë ato. Madje, pretendohet se teoria e të drejtave të njeriut e ka bazën tek historia e gjatë e ekzistencës dhe mbrojtjes së besimeve fetare. [46]

Besimi apo feja është njëri nga elementet i cili e ka përcjell njerëzimin vazhdimisht që nga kohërat e lashta apo prej kur ekziston njerëzimi, dhe historikisht as njëherë nuk është gjetur shoqëri apo popull pa besim apo fe. Kjo dëshmon se besimi në diçka që quhet Perëndi, Zot apo qenje apsulute është i mëjellur në shpirtin e njeriut, dhe shumë herë gjatë jetës njeriu e ndjen nevojën që mbështetët dhe ti drejtohet këti Zoti. Prandaj mohimi apo kufizimi pa të drejt i kësaj të drejte është mohim i një elementi shumë të rëndësishëm të individit, mohim i ndjenjës shpirtërore.

Që nga kohërat e vjetra, njerëzit kultivonin ndjenjat religjioze si shpëreje të dallimit të tyre, mirëpo i përdornin edhe si mjete për zgjedhjen e problemeve të ndryshme jetësore. Ajo vazhdon të jetë e tillë deri me paraqitjen e kombit, ku disa funksione të saj filloi ti realizoj ky kolektivitet bashkëkohorë njerëzor. [47]

E drejta e mendimit, ndërgjegjes dhe religjionit, ka traditë të gjatë si në të drejtën vendore ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Ka bazë të thuhet, madje se origjina e idesë së përgjithshme të të drejtave të njeriut shtrihet në historinë e gjatë të mbrojtjes së minoriteteve religjioze. [48]

Kjo është një ndër liritë mjaft të rëndësishme dhe e kushtëzuar nga roli i fesë në zhvillimin e personalitetit të njeriut. Në anën tjetër, kjo paraqet kusht dhe garancion edhe të lirive dhe të drejtave personale e politike të tjera të njeriut.

Me lirinë e besimit kuptojmë të drejtën e individit për të besuar një fe ose një tjetër, ose për të mos besuar asnjë, si dhe të drejtën që lirisht e botërisht të shprehë bindjet e veta fetare, përkatësisht mos të shprehë kurrfarë bindjesh fetare. Kjo njëkohësisht nënkupton të drejtën e njeriut që lirisht të ndjekë ritet dhe ceremonitë e fesë të cilën e beson. [49]

Shikuar gjatë historisë, obligimi fetar një kohë të gjatë ka qenë i përcjellë me dënime të vrazhda, torturë fizike dhe likuidime të tmerrshme. Periudha e tolerancës fetare në Evropë fillon me reformën, kur gradualisht fitohet e drejta e njeriut që lirisht t'a zgjedhë dhe t'a ndërrojë qëndrimin ndajë religjionit, kështu që sot në shumicën e shteteve, me kushtetutë është përcaktuar liria e shprehjes së besimit. Esencës së lirisë së ndërgjegjes dhe të besimit i përgjigjet edhe e drejta e njeriut që në mënyrë të pavarur t'a zgjedhë "pikëpamjen për botën" në cilëndo sferë të jetës religjioze dhe politike.

Lirinë e besimit sot e proklamojnë gati të gjitha kushtetutat bashkëkohore në botë, me përjashtim të atyre teokratike, të cilat zbatojnë formën e rregullimit politik të brendshëm në sovranitetin e qenies më të lartë - Perëndisë. Kjo liri është e njohur dhe e garantuar si në vendet ku kisha dhe feja është e ndarë nga shteti, ashtu edhe në ato ku ekziston regjimi i kishës shtetërore, ku vetëm kisha shtetërore gëzon benificionet e shtetit e të tjerat jo. [50]

Lirinë e fesë e përmbajnë 88% të kushtetutave. [51]

E drejta në lirinë e mendimit, vetëdijes dhe religjionit, është e drejtë njerëzore e cila nuk mund të realizohet ndaras, por vetëm në kontekstin e përgjithshëm të të drejtave të njeriut, ndërvarësish dhe pandashëm nga njëra tjetra. Kjo është gjithashtu edhe e drejtë që kryqëzon kufijtë tradicional në mes të kategorive të të drejtave të njeriut, e kjo do të thotë se ka aspekte që janë lartë individuale ("civile"), aspekte që tregojnë se e drejta mund të realizohet efektivisht në një komunitet të organizuar të individëve të bindjes së njëjtë ("politike"), si dhe aspekti i cili përket në fushën e të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore, sikur ato në relacion me edukimin religjioz apo moral. [52]

Liria e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit ose neni 18 i DUDNJ - së, sipas z.Cassin, anëtar i Komitetit Hartues të DUDNJ-së, i referohet një të drejte me karakter të shenjtë e të pacenueshëm siç është e drejta e mendimit e besimit, të drejta këto që kanë "rëndësi metafizike" për të gjithë, mandej gjatë gjithë jetës pyesim mbi arsyen e ekzistencës sonë, justifikimin e kësaj ekzistence, fazat e zhvillimit, ekzistencën apo jo të një qenie të mbinatyrshme, vazhdimësinë e kështu me radhë.

Dispozita ka të bëjë me kërkimin individual për të vërtetën dhe kuptimin e jetës. Ky lloj aktiviteti është një aktivitet i lidhur më shumë me ndërgjegjen njerëzore dhe me dëshirën për t'a parë botën me sy individualë, dhe ashtu siç vetë individi e percepton bazuar në inteligjencën e tij apo njohuritë që zotëron. Si e tillë, kjo e drejtë është ngushtë e lidhur me të gjitha aspektet e zhvillimit njerëzor. [53]

Liria e besimit është përmendur edhe në paragrafin e dytë të preambulës të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut: "Ndërsa mosnjohja dhe përbuzja e të drejtave të njeriut, kanë rezultuar në veprat barbare të cilat e kanë cenuar koshjencën e njerëzimit, dhe të arriturat në botë në të cilat qeniet njerëzore do të gëzonin lirinë e të folurit dhe të besimit, lirinë nga frika dhe skamja, ishte proklamuar aspirata më e lartë e njerëzve të zakonshëm".

Ndërvarësia e së drejtës së besimit me të drejtat e tjera njerëzore, përfshinë këtu edhe lirinë e shprehjes, lirinë e asamblesë dhe lirinë e bashkimit, është evidente. Ngjashëm, të drejtat jodiskriminuse dhe ato minoritare nuk mund të jenë të ndara nga liria e religjionit dhe ndërgjegjes. Në këtë kuptim, liria e religjionit dhe e ndërgjegjes është një shembull veçanërisht i qartë i faktit se të drejtat e njeriut nuk mund të jenë të izoluara njëra nga tjetra, por realizohen vetëm si të bashkuara. [54]

Liria që të manifestohet religjioni apo besimi i dikujt nëpërmjet të kryerjes së obligimeve apo riteve, nuk mund të realizohet plotësisht ai besim nëse aty janë obligimet ligjore që e pengojnë një person nga ushtrimi i veprimtarive të parapara nga bindja e tij apo saj.

Rrugëdalja e shoqërisë nuk qëndron në kthimin në vlerat tradicionaliste të religjiozes dhe kombëtares por në respektimin e ligjshmërisë së vetëzhvillimit të këtyre fenomeneve që janë fat i pashmangshëm i shoqërisë bashkëkohore. Ky fakt potencohet aq më parë kur dihet se ambiciet e shoqërisë së hapur nuk mund të mbështetet në ekskluvitetin por mbi baza të respektimit të ekzistimit në dallim. Nuk ka shoqëri a kolektivitet me strukturë homogjene, andaj ekzistimi i dallimeve dhe respektimi i këtyre mendimeve nënkupton një lloj harmonie të mundshme të shoqërisë në të cilin insistojnë parimet universale të të dy sferave me më rendësi të jetës njerëzore - religjiozes dhe kombëtares. [55]



Liria e besimit sipas dokumenteve ndërkombëtare

Liria e ndërgjegjes dhe e religjionit apo besimit, zë një vend të veçantë në të drejtat ndërkombëtare, si dhe është një e drejtë e cila ka zënë vend qysh në marrëveshjet, konventat e para ndërkombëtare. Në Deklaratën Universale mbi të drejtat e njeriut ka qenë një "rast i lehtë" në katalogun e të drejtave të njeriut, e cila përveç që e përmend këtë të drejtë në preambulën e saj, si mosnjohja dhe përbuzja e kësaj të drejte bashkë me të drejtat e tjera kanë cenuar koshiencën e njerëzimit. Deklarata përmban një numër të madh të drejtash të njeriut dhe lirish themelore që i takojnë grupit:

1. Të të drejtave civile dhe politike.

2. Të të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore.

Deklarata shpallë se njohja e dinjitetit dhe e të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme te të gjithë antarëve të familjes së njerëzimit, është themel i lirisë, i drejtësisë dhe i paqes në botë. Liria e fjalës dhe e bindjes dhe lirimi nga frika e skamja janë shpallur si aspirata me të larta të çdo njeriu.

Neni 18 i kësaj deklarate mbron të drejtën, lirinë e ndërgjegjes, të besimit apo religjionit: "Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, tё ndërgjegjes dhe religjionit. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të ndryshuar religjionin apo besimin e tij dhe lirinë të manifestoj religjionin apo bindjen e tij në mësim, praktikë, kulte apo në rituale, si i vetëm apo në bashkim me të tjerët në vende publike apo private". [56]

Ky nen cek disa të drejta që i'a jep individit:

- Lirinë për të menduar, për të krijuar ndërgjegjen dhe besuar.

- Lirinë për të ndryshuar besimin, bindjet e mendimet.

- Lirinë për të manifestuar religjionin apo bindjen në mësim, praktik, kulte dhe rituale.

- Lirinë për të manifestuar këto bindje vetë apo bashkë me të tjerët.

- Lirinë për të manifestuar këto bindje në vendet publike apo private.

Pra, liria e besimit përveç që mbron të drejtën për të pasur një besim, mbron edhe të drejtën për t'a ndërruar dhe zëvendësuar atë besim me një tjetër. Kjo e drejtë e besimit përveç këtyre të drejtave për të besuar në një fe, shkon edhe më larg, pasi që n'a e jep të drejtën që edhe t'i manifestojmë bindjet që i kemi brenda vetes nëpërmjet mësimeve dhe ritualeve, vetë apo me të tjerët, në vende publike dhe private.

Komiteti për të Drejtat e Njeriut thekson rrethin e gjerë të aktiviteteve që bien brenda fushëveprimit të së drejtës për të manifestuar religjionin apo besimin.

"Observimi dhe ushtrimi i religjionit apo besimit mund të përfshijë jo vetëm aktet ceremoniale, por gjithashtu dhe zakonet e tilla siç është observimi i rregullave dijetale, veshja e rrobave dalluese apo mbulesave të kokës, pjesëmarrja në ritualet e bashkuar në fazën e caktuar të jetës, dhe përdorimi i një gjuhe të caktuar, që sipas zakonit flitet në atë grup". [57]

Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut gjithashtu përmban referenca të tjera në të drejtat e përmendura në nenin 18. Neni 1 e përkrahë idenë e karakterit absolut të së drejtës në fjalë, të drejtën e mendimit, ndërgjegjes dhe religjionit.

Të gjitha qenieve njerëzore u janë dhuruar arsyeja dhe vetëdija. Liria e mendimit (neni19) dhe liria e asamblesë dhe e bashkimit (neni20), e forcojnë të drejtën e manifestimit të religjionit apo bindjes (neni 26, paragrafi 3), dhe proklamojnë se prindërit kanë të drejtën parësore për të zgjedhur se çfarë arsimimi do të fitojnë fëmijët e tyre, dhe përfundimisht përfshirja e kufizimeve të mundshme të lirive në fjalë (neni 29).

Lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit, përveç DUDNJ - së e garantojnë edhe shumë konventa ndërkombëtare dhe njëra prej tyre është edhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, e cila përmban shumë dispozita mbi të drejtat demokratike dhe liritë e njeriut dhe mjetet për garantimin e tyre.

Kjo konventë i obligon shprehimisht shtetet që të respektojnë dhe t'i sigurojnë të drejtat për të gjithë individët në territorin e tyre dhe që janë nën pushtetin e tyre, pa kurrfarë dallimi të bazuar në racë, gjini, fe, gjuhë, si dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të aprovuar aso masash ligjore e të tjera që janë të përshtatshme për të realizuar të drejtat që janë të pranuara në këtë konventë, dhe t'i sigurojnë çdo njeriu të drejtat që i janë shkelur, të drejtën për ankesë efektive, madje edhe kur shkeljen e kanë bërë personat në ushtrimin e detyrave të veta zyrtare. [58]

Kjo konventë, në mënyrë decidive mbron të drejtën e lirisë së besimit:

1. Secili ka tё drejtёn e lirisë sё mendimit, ndёrgjegjjes dhe fesё. Kjo e drejtё pёrfshinë lirinё pёr tё pasur ose pёr tё adoptuar njё fe ose njё besim prej tij, si dhe lirinё pёr tё manifestuar fenё apo besimin e vet, qoftë individualisht apo sё bashku me tё tjerёt, si publikisht ashtu edhe privatisht, nёpёrmjet kultit dhe kryerjes sё riteve, praktikave dhe arsimit.

2. Askush nuk duhet t'i nёnshtrohet ndonjё shtrёngimi qё do të mund tё prekte lirinё e tij pёr tё pasur ose pёr tё adoptuar njё fe ose njё besim tё zgjedhur prej tij.

3. Liria e manifestimit të fesё apo të besimit të vet mund tё bёhet objekt vetёm i kufizimeve tё parapara me ligj dhe qё janё tё domosdoshme pёr mbrojtjen e sigurisё, tё rendit e tё shёndetit publik, ose tё moralit apo të lirive dhe tё drejtave themelore tё tё tjerёve.

4. Shtetet palë tё këtij Pakti zotohen tё respektojnë lirinё e prindёrve dhe, kur ёshtё e zbatueshme, tё kujdestarёve tё ligjshёm pёr tё siguruar edukimin fetar dhe moral tё fёmijёve tё tyre nё përputhje me bindjet e tyre. [59]

Paragrafi 1 e përcjellë ngushtë nenin 18 të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, që edhe kjo konventë siguron lirinë e besimit dhe të manifestimit të atij besimi nëpërmjet kryerjes së riteve, praktikave dhe arsimimit, kurse paragrafi 3 buron nga neni 29 i DUDNJ-së.

Një dokument tjetër shumë i rëndësishëm që ka dhënë kontribut shumë të çmueshëm për afirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, është Konventa evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe protokollet e saj. [60]

Përparimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut konsiderohet si një nga qëllimet kryesore të Organizatës. Neni 3 i statusit përcakton që çdo shtet anëtar i këshillit, duhet të pranojë parimin e sundimit të së drejtës dhe të sigurojë që çdo person nën juridiksionin e tij të gëzojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Prandaj, hyrja e shteteve në Këshillin Evropian kushtëzohet me sigurimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë njerëzit.

Liria e ndërgjegjes, dhe e fesë është e garantuar në nenin 9 të kësaj konvente, ku garanton për çdokënd lirinë e mendimit, të religjionit dhe të fesë, të drejtën e ndryshimit të fesë dhe të drejtën e manifestimit të fesë në mënyrë individuale apo bashkërisht me të tjerët, publikisht apo vetëm nëpërmjet kultit, mësimdhënies dhe kryerjes së riteve, si dhe garanton se kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm me anë të ligjit, vetëm kur është e nevojshme.

"Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë, kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve". [61]

Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuar kishte shpallur edhe Deklaratën për eliminimin e të gjitha formave të intolerancës dhe të diskriminimit që mbështeten në fe ose besim, e cila gjithashtu përfshinë parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe religjionit.

Kjo deklaratë, në preambulën e saj thërret në të drejtën e lirisë së besimit, duke cekur se këtë të drejtë e mbrojnë edhe aktet e tjera ndërkombëtare. Duke pasur parasysh se Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe paktet ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut shpallin parimet e mosdiskriminimit, të barazisë para ligjit dhe të drejtën për lirinë e mendimit, ndërgjegjes, fesë ose besimit. Duke pasur parasysh se feja ose besimi përbën për atë që e ushtron një nga elementet e botëkuptimit të tij, dhe se liria e fesë ose besimit duhet respektuar dhe garantuar tërësisht.

Kjo deklaratë, që në nenin e parë e garanton lirinë e besimit, ku i jep çdokujt të drejtën që të ketë një fe sipas zgjedhjes vetanake, lirinë për t'a manifestuar këtë besim dhe se askush nuk ka për të pasur dhunë që qon në shkeljen e lirisë së besimit, dhe manifestimi i besimit mund të kufizohet vetëm me ligj:

Mbrojtja e manifestimeve të ndryshme të religjionit apo besimit, është përshkruar në mënyrë më të detajizuar në nenin e gjashtë:

Në përputhje me nenin e parë të kësaj Deklarate dhe me kusht porsa i përket dispozitave të paragrafit 3 të nenit në fjalë, e drejta e lirisë së mendimit, ndërgjegjes, fesë ose besimit përfshin, ndër të tjera këto liri:

a. Lirinë për të praktikuar një kult dhe për të mbajtur mbledhje që lidh me një fe ose një besim, si dhe për të hapur e mirëmbajtur lokale për këtë qëllim.

b). Lirinë për të krijuar dhe mbajtur institucione bëmirëse ose humanitare të përshtatshme.

c. Lirinë për të konfeksionuar, blerë dhe përdorur, në sasinë e duhur objektet dhe materialin e nevojshëm për ceremonitë ose praktikat e një feje ose një besimi.

d. Lirinë për të shkruar, shtypur dhe shpërndarë botime për këtë qëllim.

e). Lirinë për të kërkuar ose marrë ndihma vullnetare, financiare e të tjera nga individë ose institucione.

f). Lirinë për të përgatitur, emëruar, zgjedhur ose caktuar radhazi drejtuesit e përshtatshëm, në përputhje me nevojat dhe normat e çdo feje ose besimi.

g). Lirinë për të përfituar ditët e pushimit dhe për të shënuar festat dhe ceremonitë në përputhje me idetë e fesë ose besimit të tij.

h). Lirinë për të vendosur dhe ruajtur mundësi komunikimi me individë dhe bashkësi në lëmin e fesë ose të besimit në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare". [62]

Neni 7 kërkon që të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë deklaratë, të akordohen përmes legjislacionit kombëtar në mënyrë të atillë që secili të ketë mundësi t'i gëzojë këto të drejta dhe liri në praktikë.

Ndërsa neni 8 shpallë se asnjë dispozitë e kësaj deklarate nuk interpretohet se përbën një kufizim ose shkelje të një të drejte të përcaktuar në Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe në paktet ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut.

E drejta e lirisë së besimit është e garantuar edhe nga instrumentet regjionale, si ajo e Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut (KADNJ). Neni 12 i saj mbron të drejtën e ndërgjegjes dhe religjionit. Neni 12 është përmendur në listën e të drejtave të cilat nuk janë subjekt i suspendimit gjatë gjendjes emergjente në (nenin 27).

Ngjashëm edhe Karta Afrikane mbi të Drejtat Njerëzore dhe të Popujve (KADNJP) mbron të drejtën e ndërgjegjes dhe ushtrimit të lirë ( si profesion) të religjionit, që të dyja të garantuara në nenin 8.


Liria e besimit sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës

Ashtu sikur shumë kushtetuta të demokracive kushtetuese që garantojnë të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë të besimeve të tyre fetare, apo të shprehin bindjet e tyre ateiste, apo që fare të mos deklarohen për raportin e tyre ndaj fesë, edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtën e lirisë së besimit, ndërgjegjes dhe fesë.

"Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj". [63]

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 38, paragrafi 1, garanton lirinë e shprehjes së besimit, të bindjes dhe të ndërgjegjes, si një nga liritë më të rëndësishme shpirtërore. Kjo do të thotë se askush nuk është i obliguar që të deklarohet për bindjet e veta fetare a po të tjera. Në këtë mënyrë mbrohet e drejta e individit që në mënyrë të lirë t'a zgjedhë bindjen e vetë, përkatësisht pikëpamjen e vetë ndaj botës. [64]

Ngjashëm me kushtetutën, edhe ligji për liritë fetare në Kosovë mbron lirinë e besimit.

Ligji pohon të drejtën për lirinë e shprehjes, ndërgjegjes dhe fesë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga bindjet e tyre fetare. Ai parashikon ndarjen e bashkësive fetare nga institucionet publike dhe të drejta dhe detyrime të barabarta për të gjitha bashkësitë fetare, përcakton që nuk ka fe zyrtare; dhe ndalon diskriminimin e bazuar në fe dhe përkatësi etnike.

"Çdo njeri ka të drejtë të gëzojë lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit fetarë. Kjo e drejtë përfshinë lirinë për të pasur ose për të mos pasur fe, për të mbajtur apo për të ndërruar fenë ose besimin, dhe lirinë për të manifestuar fenë ose besimin, qoftë si individ ose në bashkësi me të tjerët, publikisht ose privatisht, përmes adhurimit, predikimit, praktikumit dhe ceremonive". [65]

Kushtetuta nuk e parashikon veçanërisht përmbajtjen e garancive që përfshijnë liritë e ndërgjegjes dhe të besimit, por nga konteksti i përgjithshëm i paragrafit 2, mund të përmenden disa garanci kushtetuese, të cilat në masë të madhe kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes së besimit, e ndër të cilat janë:

1. E drejta e pranimit të fesë së vetë.

2. E drejta e manifestimit të fesë së vetë.

3. E drejta e manifestimit të bindjeve personale.

4. E drejta e pranimit apo mospranimit të anëtarësimit në ndonjë bashkësi fetare.

Ndërsa, ligji për liritë fetare e cek një gamë të drejtash që përfshinë liria e besimit.

E drejta për lirinë fetare dhe të besimit përfshinë, mes tjerash edhe liritë në vijim:

a. Lirinë e adhurimit ose tubimit në lidhje me një fe ose besim, dhe krijimin dhe mirëmbajtjen e vendeve për këto qëllime.

b. Lirinë për të themeluar dhe qeverisur institucione humanitare dhe bamirëse.

c. Lirinë për të prodhuar, siguruar dhe për të përdorur gjësende dhe materiale të nevojshme për kryerjen e riteve ose zakoneve të fesë ose besimit.

d. Lirinë e shkrimit, nxjerrjes dhe shpërndarjes së publikimeve relevante në këto lëmi.

e. Lirinë për mësim të një feje apo besimi në vendet e destinuara për këto qëllime.

f. Lirinë për të kërkuar dhe pranuar kontribute financiare dhe kontribute të tjera vullnetare nga individët dhe institucionet.

g. Lirinë për t'u aftësuar, emëruar, zgjedhur ose caktuar pasardhës, sipas kushteve dhe standardeve të religjionit ose besimit përkatës.

h. Lirinë e respektimit të ditëve të pushimit dhe festimit të festave dhe ceremonive sipas normave fetare të fesë ose besimit përkatës.

i. Lirinë e krijimit dhe ruajtjes së komunikimit me individë dhe bashkësi për çështjet e fesë dhe besimit në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar. [66]

Paragrafi 3 i nenit 38, me një formulim të përgjithshëm e garanton lirinë e shprehjes së besimit dhe të ndërgjegjes, përcakton se askush nuk mund të detyrohet e as t'i ndalohet që në kundërshtim me bindjet e veta të marrë pjesë në manifestimin e fesë. Kjo do të thotë se askush nuk mund në çfarëdo mënyre të detyrohet që t'a manifestoj fenë dhe bindjen e vet. Po ashtu, as një individi nuk mund t'i ndalohet nëse këtë e dëshiron që t'a manifestoj bindjen dhe besimin e vet fetar. Me kushtetutë është e mbrojtur si shprehja private, ashtu edhe shprehja publike e bindjeve fetare.

Ligji për liritë fetare në Kosovë mbron manifestimin e fesë. Mbrojtja nga diskriminimi ndalon detyrimin ose ndalimin e manifestimit të bindjeve fetare:

"Askush nuk duhet të pengohet ose të detyrohet të marrë pjesë në ceremonitë fetare, ose në forma të tjera të manifestimit të besimit fetar". [67]

Liria fetare e tejkalon lirinë e ndërgjegjes dhe përfshinë përmbajtje të tilla rregullative, që nuk kanë për qëllim që të tjerëve t'u kumtohet bindja personale fetare. Ajo përfshinë edhe veprimet të cilat, sipas pikëpamjes së bashkësisë së caktuar fetare, u takojnë obligimeve të besimtarëve të vetë. Duke u nisur nga kjo, kushtetuta i'a garanton secilit lirinë që fenë apo bindjen e vetë t'a manifestojë nëpërmjet shprehjes fetare, kryerjes së ceremonive fetare, ndjekjes së shërbimit apo mësimit fetar. [68]

E drejta e manifestimit të fesë mund të jetë cak i kufizimeve sipas Kushtetutës së Kosovës dhe ligjit për liritë fetare në Kosovë, nëse është e nevojshme të ndërmerret një hap i tillë, por ky kufizim mund të bëhet vetëm me anë të ligjit dhe në raste të caktuara.

Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore mund të kufizohen me ligj, vetëm nëse kjo lejohet me kushtetutë, por kushtetuta, në numrin më të madh të rasteve këtë kufizim i'a lejon ligjit. Këto të drejta dhe liri mund të kufizohen vetëm me qëllime të cilat i lejon vetë kushtetuta dhe në masën që është e domosdoshme që qëllimi kushtetues i kufizimit të përmbushet në një shoqëri të hapur dhe demokratike. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme të theksohet është fakti se kufizimet e tilla nuk bën të prekin esencën e së drejtës së garantuar, ndërsa në këtë rast, të gjitha organet shtetërore, veçanërisht gjykatat, janë të obliguara që të kenë kujdes për esencën e të drejtave apo lirive që kufizohen. Po ashtu këto organe janë të obliguara që të kanë kujdes edhe për rëndësinë e qëllimit të kufizimit, për natyrën dhe masën e kufizimit, raportin e kufizimit me qëllimin e kufizimit dhe veçanërisht, për atë se a ekziston mënyrë që qëllimi i kufizimit të arrihet me kufizim më të vogël të të drejtave. [69]

Këtë kufizim e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

"Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë". [70]

Gjithashtu, pothuaj se ngjashëm e cek edhe ligji për liritë fetare në Kosovë.

"Liria për të manifestuar fenë ose besimin duhet të i'u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve që janë të parashkruara me ligj dhe janë të domosdoshme në shoqërinë demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit dhe moralit, dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të tjerëve". [71]

Kufizimet e manifestimit të lirisë fetare dhe të bindjes edhe sipas kushtetutës edhe sipas ligjit, janë të lejueshme vetëm nëse kjo është e domosdoshme me qëllim të mbrojtjes së:

1. sigurisë.

2. rendit publik.

3. shëndetit dhe moralit.

4. të drejtave të të tjerëve.

Prandaj, kjo mundësi e kufizimit të lirisë së shprehjes fetare, bindjes dhe ndërgjegjes, është parashikuar me kushtetutë dhe me ligj, por për të bërë kufizimin duhet të rrezikohet njëri nga elementet e cekura në kushtetutë dhe ligj.

- Kufizimin e të drejtave themelore, kushtetuta e parasheh edhe në nenin 55: Kufizimi i të drejtave dhe lirive të përmendura mund të bëhet vetëm me ligj (paragrafi 1).

- Të drejtat dhe liritë mund të kufizohen vetëm deri në masën që është e pashmangshme për arritjen e qëllimit (paragrafi 2).

- Kufizimi është i mundshëm vetëm nëse është parashikuar për qëllimet për të cilat kushtetuta e lejon kufizimin (paragrafi 3).

- Kufizimi duhet të reduktohet në minimumin, i cili e përmbush qëllimin për të cilin kushtetuta e lejon mundësinë e kufizimit të së drejtës (paragrafi 4).

- Me kushtetutë është parashikuar ndalimi i kontestimit të esencës së të drejtave të garantura (paragrafi 5).

Format kushtetuese të kufizimit të së drejtës kushtetuese mund të jene të ndryshme. Në shumë raste, kushtetuta i vë kufijtë e të drejtave themelore, duke parashikuar mundësinë e kufizimit të tyre (me ligj apo në bazë të ligjit), sepse kufizimi i mëvetësishëm i të drejtave themelore nga ana e pushtetit ekzekutiv apo gjyqësor do të ishte i palejueshëm.

Rezervat ligjore mund t'a autorizojnë kufizimin e të drejtave themelore vetëm me ligj të kualifikuar, qoftë kur kufizimi bën të ndërmerret me supozime të caktuara, qoftë vetëm për një qëllim të caktuar (për shembull, në interes të sigurisë nacionale, të zhvillimit të procedurës penale, të mbrojtjes së shëndetit, etj.).

Natyrisht, gjatë vendosjes së kufinëjve për të drejtat themelore, duhet pasur kujdes që të vendoset një raport optimal ndërmjet të drejtave themelore dhe të mirave të tjera juridike. Kjo për arsye se kufizimi i të drejtës themelore duhet të jetë i përshtatshëm që t'i mbrojë të mirat e tjera juridike, por nuk bën të shkojë më tutje se ajo që është e domosdoshme. Ai duhet të jetë proporcional, që t'i përgjigjet rëndësisë së të drejtës themelore, që do të thotë se edhe kufizimet e të drejtës themelore duhet t'i kenë kufijtë e tyre. [72]

Është e arsyeshme që t'i hedhim një vështrim të shkurtër edhe nenit 56 të të drejtave dhe lirive themelore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, ku paragrafi 2 i këtij neni ndalon shmangien nga e drejta e lirisë së besimit (shmangie nga neni 38) edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme:

"Shmangja nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31, 33, 34, 37 dhe 38 të kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash". [73]

Në të vërtetë, liria e shprehjes fetare, e bindjes dhe e ndërgjegjes bën pjesë në kuadër të të drejtave absolute të mbrojtura, dhe kjo është e parashikuar nga regjimi i shmangies në gjendje të jashtëzakonshme (neni 56 paragrafi 2), por tash mbetet i paqartë raporti ndërmjet dispozitës kushtetuese, e cila e ndalon shprehimisht shmangien nga neni 38, përkatësisht nga liria e shprehjes fetare, e besimit dhe e ndërgjegjes, dhe nga ana tjetër, po ashtu dispozita e përmendur kushtetuese (neni 38, paragrafi 4), që lejon kufizimin e kësaj lirie në rrethana të rregullta për shkaqet e përmendura në kushtetutë. Për këtë arsye shtrohet pyetja se a është e mundur që në rrethana të rregullta të kufizohen liritë nga të cilat nuk lejohet shmangja as në gjendje të jashtëzakonshme. [74]

Përfundimisht, edhe pse duket se ekziston një mospajtim ndërmjet neneve të kushtetutës të nenit 38 me nenin 56, ajo që mund të kuptohet është se kufizimi i të drejtave themelore mund të bëhet vetëm me ligj.


Mosdiskriminimi në fe

Pasi që kemi folur në kapitullin e dytë për termin e diskriminimit dhe pasojat që sjellë diskriminimi, nuk do zgjerohemi shumë rreth diskriminimit për shkak të besimit, por do t'a elaburoj ndalimin e diskriminimit në fe në marrëveshjet ndërkombëtare dhe në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Duke e parë njerëzimi se diskriminimi në çfarëdo forme i ka sjellë pabarazi dhe dëme njërzimit, qysh në konventat e para ndërkombëtare mosdiskriminimi zuri një vend të rëndësishëm.

Në Deklaratën Universale për të Drejtat e njerut, neni 2 i saj kërkon barazi para ligjit për të gjithë dhe mosdiskriminim të çfarëdo forme: "Çdokush është i autorizuar në të gjitha të drejtat e shpallura në këtë deklaratë, pa asnjë dallim të çfarëdo lloji, siç është raca, ngjyra, gjinia, gjuha, religjioni, mendimi politik apo mendimi tjetër, prejardhja kombëtare apo shoqërore, pasuria, lindja apo statusi tjetër".

Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, në nenin 9 njehë të drejtat e lirisë së fesë dhe mendimit, ndërsa në nenin 14 kërkon parandalimin e diskriminimit lidhur me të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë konventë: "Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër".

"Tё gjithё njerёzit janё tё barabartё pёrpara ligjit dhe kanё tё drejtё mbrojtjeje tё barabartё tё ligjit pa kurrfarё dallimi. Lidhur me kёtё, ligji duhet tё ndalojё çdo diskriminim dhe tё garantojё pёr tё gjithё, mbrojtje tё barabartё dhe efektive, kundёr çdo diskriminimi e sidomos pёr shkak tё racёs, ngjyrёs, seksit, gjuhёs, fesё, opinionit politik dhe çdo opinioni tjetёr, origjinёs kombёtare apo shoqёrore, pasurisё, lindjes ose çdo situate tjetёr". [75]

"Diskriminimi midis njerëzve për arsye të fesë apo besimit përbën një fyerje të dinjitetit njerëzor dhe një mohim të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ai duhet të dënohet si një shkelje e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të shpallura në Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, dhe si një pengesë në marrëdhëniet miqësore dhe paqësore midis kombeve". [76]

Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ndalon diskriminimin në baza fetare. Neni 24, paragrafi 2, ndalon diskriminim të çfarëdo lloji: "Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal". [77]

"Askush nuk duhet të jetë i diskriminuar ose i privilegjuar në çfarëdo mënyre në bazë të besimit fetar, përkatësisë ose jopërkatësisë së një bashkësie fetare, ose për kryerjen ceremonive dhe ritualeve fetare".

Shamia simbol fetar apo obligim

Si çdo fe që brenda vetes absorbon obligime e rite, që kërkohet të respektohen nga pjesëtarët e atij besimi, edhe feja islame brenda vetes përmban rite që duhet kryer nga pjesëtarët e saj. Dhe njëri nga obligimet e kësaj feje është edhe shamia, që nënkupton se femra muslimane duhet ta mbulojë trupin dhe kokën e saj me përjashtim të fytyrës.

Prandaj, pasi që shumë herë dëgjojmë që bëhet një ngatërrim në mes të shamisë dhe nikabit (petk i cili mbulon edhe fytyrën), edhe një herë dua të theksoj se shamia nënkupton mbulimin e kokës e jo edhe të fytyrës.

Realizimi i lutjeve dhe i sjellëve të porositura nga Kur'ani, qëndrimi larg ndalesave, sjellëve të ndyta dhe jo të drejta, dhe zbatimi i urdhrave shtojnë fitimin shpirtëror. Ibadetet dhe sjelljet e mira, sikurse që ndihmojnë ne përforcimin e besimit, ashtu ndihmojnë edhe në afrim më tepër Perendis dhe mundësojnë fitimin e kënaqësisë së Tij. [78]

Nëse i hedhim një vështrim mbulesës së femrës, do të shohim se kjo dukuri është shumë e hershme dhe rrënjët i ka shumë thellë në historinë e njerëzimit. Është një petk i cili zanafillën e ka në epokën më të hershme, madje atë e gjejmë edhe në besimet tjera monoteiste, si tek jehudët dhe të krishterët, siç janë motrat e nderit tek besimi krishter.

Edhe tek muslimanët mbulesa vie në shprehje që nga vitet e para të shpalljes së kësaj feje, dhe historikisht i ka përcjellë pjesëtarët e besimit islam, herë duke u zbatuar më shumë, e herë më pak, duke u varur nga roli, fuqia e besimi tek pjesëtarët e saj.

Ritualet dhe lutjet si komponentë të religjionit, nënkuptohen nga dy komponentët* e para. Nëse qenja e mbinatyrshme përftyrohet si e gjithëfuqishme dhe absolute, nëse ndjemë një shkallë të varësisë, nëse ushqejmë ndjenjën e veçant ndaj saj ( friken dhe respektin) ashte e natyrshme të mdëmarrim veprime konkrete, përmes të cilëve insistohet të jemi në "kontakt" me ketë qenje dhe përmes këtyre veprimeve ndikojmë sa është e mundur për ta orientuar edhe vullnetin e kësaj qene për destinimin që e kemi të caktuar. [79]

Dy nga burimet kryesore nga të cilat dalin dispozitat, normat dhe rregullat e fesë islame janë Kur'ani dhe thënjet e profetit Muhamed, dhe pikërisht dispozita se shamia është obligim fetar del nga këto dy burime.

Nënshtrimi urdhrave, realizimi i tyre dhe falënderimi për dhuntitë që i janë dhenë atij, për njeriun që është i vetdishëm për obligimet e tij ndaj Perendis, llogaritet ibadet- adhurim .Sidomos këto janë respektimi dhe nënshtrimi ndaj rregullave juridike dhe etike të theksuara në Kur'an, si namazi, agjërimi, zekati, haxhi etj. [80]

Pra, mbulesa e femrës është një imperativ kur'anor, urdhër profetik, dhe mënyrë e veshjes për femrën muslimane kur ajo del jashtë shtëpisë. Këtë urdhër, si dhe çdo tjetër, çdo individ dhe çdo muslimane është e lirë ta jetësojë apo të mos e jetësojë në praktikë. Kjo gjë kthehet tek bindja dhe niveli fetar i çdo muslimaneje. Mirëpo, ata që urdhrat e fesë i njohin si të shenjta, bindja e tyre shndërrohet në ndërgjegje personale dhe identitet të pavarur. Kështu, ato bindje nuk i nënshtrohen kompromiseve dhe ndryshimeve për bindje të tjetrit.

Botën bashkëkohore e karakterizon frymë e tolerancës ndaj fenomenit të religjionit. Është krijuar vetëdije e tillë gati te të gjithë religjionet e mëdha botërore që të pranohet shoqëria si realitet ne të cilin jetojnë njerëzit që manifestojnë religjiozitetin dhe ata që nuk e manifestojnë. [81]

Në raportin e Human Rights Watch të vitit 2004 drejtori ekzekutiv Kenneth Roth kishte thënë: "Hixhabi (shamia) nuk është vetëm pasqyrim i besimit, por edhe një obligim ndaj vet besimit islam".

Komiteti për të Drejtat e Njeriut thekson rrethin e gjerë të aktiviteteve që bien brenda fushëveprimit të së drejtës për të manifestuar religjionin apo besimin.

"Observimi dhe ushtrimi i religjionit apo besimit mund të përfshijë jo vetëm aktet ceremoniale, por gjithashtu dhe zakonet e tilla siç është observimi i rregullave dijetale, veshja e rrobave dalluese apo mbulesave të kokës, pjesëmarrja në ritualet e bashkuar në fazën e caktuar të jetës, dhe përdorimi i një gjuhe të caktuar, që sipas zakonit flitet në atë grup". [82]

Në vitin 1999, ETC (Komisioni për Trajtimin e Barabartë) në Amsterdam vendosi në favor të një mësueseje muslimane. Komisioni argumentoi se liria e besimit ishte e mbrojtur kushtetueshmërisht dhe se ndalimi i shamisë ishte një diskriminim direkt, sepse për gratë muslimane "hixhab" (shamia) është detyrim që rrjedh nga besimi Islam. [83]

Çdo përpjekje dhe pretendim që shaminë ta quajnë si simbol apo uniformë fetare është i padrejtë dhe bën përpjekje që t'i hedhë poshtë dispozitat dhe obligimet e fesë islame.

Edhe pse njeri prej elementeve që e përben religjionin janë edhe simbolet që për besimtaret konsiderohen si te shenjta dhe kanë sjellje te veçantë ndaj tyre.

Në mesin e simboleve ndaj të cilëve sillmi me pietet gjithsesi janë simbolet religjioze dhe simboleve nacionale. edhe për njërën edhe për tjetrin simbol, njeriu është i gatshëm ta paguaj çmimin me të lartë, të sakrifikoj jetën . [84]

Pretendimi se shamia është një simbol fetar islam është i papranueshëm, pasi shamia nuk është simbol, por obligim fetar. Simboli është një element komunikues që shpreh përmbajtje të domethënies ideore. Simboli është diçka konkrete statike, konvencionale, një shprehje e përqendruar e një ideologjie. Simboli i ka të përcaktuar elementet, ngjyrën, formën dhe përmasat e veta.

Simbolet pasqyrojnë diçka që nuk është identike me dukurinë që përfaqëson. Përmes tyre dëshirohet të kuptohet bota, por edhe të formohet një qëndrim i caktuar . Për nga aftësia shprehëse dhe distinimi që kanë simbolet i nënshtrohet një hierarkie të natyrshme. Kemi simbole të rëndësishme që marrin primesa të shenjtëris dhe simbole më pak të rëndësishme. "Ato, mund të përkufizohen si gjësende, të cilëve iu japin kuptimin dhe vlerën ata që shërbehen me to".[85]

Në rastin e shamisë muslimane mund të themi se ajo nuk përbën simbol të Islamit, së pari nga aspekti kulturor është e ndryshme në forma të ndryshme në vende të ndryshme. Simboli është ai që s'ka detyrë tjetër përveç shprehjes së përkatësisë fetare të bartësit të tij. Ndërkaq shamia është diçka krejt tjetër, pasi ajo ka një tjetër detyrë të mirëfilltë e që është adhurim ndaj Zotit dhe respektim i normave islame, dhe asnjëherë nuk gjen një që bart shaminë e që me bartjen e shamisë të ketë për qëllim të tregojë përkatësinë e saj fetare.

Ndërsa sa i përket asaj se shamia nuk është uniformë fetare, kjo dëshmohet edhe me faktin e përditshmërisë tonë, nga ajo që e dimë se uniforma bartet gjatë orarit të shkollës, punës apo në ndonjë ceremoni për të cilën kërkohet te kemi uniformë të caktuar, mirëpo askush nuk e bart atë uniformë pas përfundimit të atij orari. Kurse tek femrat muslimane të cilat e bartin shaminë e vërejmë të kundërtën, ato i gjejmë të mbuluara në çdo kohë, gjatë orarit të punës, shëtitjes së lirë, kryerjes së obligimeve personale apo familjare etj., me një fjalë sa herë që përballen me gjininë mashkullore që nuk janë nga familja e ngushtë e tyre, ato janë të mbuluara me shami, madje edhe në shtëpitë e tyre, prandaj kjo e tejkalon uniformën fetare.

Jo rrallë hasim ne njerëz që duan ti theksojnë ndjenjat e veta religjioze. Në anën tjetër kundërshtimi i të tjerëve që janë indiferent ndaj religjionit për manifestimin e këtyre ndjenjave. Të pytet njeriu pse praktikon disa rituale të religjionit që e ka përkatësi, është identike me kontestimin e identitetit të te tjetër, për të cilin vështirë vendosim. Pra, më lehtë e pyesim njeriun pse agjëron ramazan ose kremton pashkët se sa që vendosim ta pyesim pse për Festën e flamurit kremton ne mënyrë të veçantë. [86]

Praktikat e shteteve evropiane në shkollim dhe shamia

Pas largimit të vajzave me shami nga shkolla për shkak të udhëzimit administrativ, u hapën shumë debate në të gjitha format, ato institucionale dhe jo institucionale.

Zyra e Kryeministrit kishte vendosur t'a formoj Komisionin këshillëdhënës për çështjet e lirive fetare në Republikën e Kosovës.

Ky komision në prezantimin e punës para medieve kishte deklaruar: Pas debateve të shumta në Kosovë, për të drejtat dhe liritë fetare e veçanërisht për vijimin e mësimit të vajzave me shamia në shkolla, si dhe për edukatën fetare në shkollat publike, është vlerësuar i nevojshëm themelimi i një komisioni për liritë fetare, i cili përveç tjerash do të realizonte disa vizita studimore në disa vende evropiane për të marrë praktikat më të mira rreth temave të lartpërmendura, në mënyrë që edhe kjo çështje të përmbyllet në mënyrën më të mirë.

Kjo formë, pra marrja e praktikave evropiane, po shpresojmë se do të n'a ndihmojë t'a mbyllim këtë kapitull në mënyrën më të mirë dhe në dobi të shoqërisë dhe vendit tonë.

Vendet të cilat ishin vizituar kanë qenë këto: BE - Gjermania, Austria, Franca dhe Belgjika, Rajoni - Kroacia dhe Turqia, Dialogu ndërfetar - Katari.

Takimet kanë qenë me zyrtarë të ministrive të arsimit, të departamenteve për çështje fetare pranë zyrave të kryeministrave ose presidentëve, apo të ministrive që mbulonin aktivitetet fetare, me bashkësitë fetare katolike, islame dhe me organizata të tjera që merreshin me çështje fetare dhe edukim fetar.

Në të gjitha vendet që i kemi vizituar, bashkësitë fetare shihen si partnere të institucioneve shtetërore dhe në të gjitha vendet statusi juridik i tyre është i zgjidhur me ligj të veçantë. Si rezultat, shumë prej problemeve që ne mund t'i hasim te ne, ato nuk i gjejmë në këto vende, si rezultat i sanksionimit të këtyre të drejtave me ligjin për liritë fetare e sidomos me ate të statusit juridik të tyre.

Në të gjitha vendet e vizituara nga komisioni ynë, organizohet lënda e edukatës fetare në shkollat publike, si lëndë obligative ose fakultative, përveç në Francë, ku Ministria e Arsimit nuk organizon drejtpërdrejtë implementimin e kësaj lënde, por nxënësit janë të lirë një ditë në javë për të i'u përkushtuar fesë, me këtë rast në ditën e mërkure. [87]



Autor: Lulzim KASTRATI



Literatura:

- Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 2008.
- Enver Hasani & Ivan Qukaloviq, Komentar - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2013.
- Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut (Standardi i Arritjes së Përbashkët).
- Marjana Sinani dhe të tjerët, Komentar i Deklaratës Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, UNESCO, 2008.
- Dr. Ismail Hasani, Vetëdija fetare dhe kombetare tek shqiptaret, Prishtinë, 2001.
- Dr. Kurtesh Salihu, E Drejta Kushtetuese (Libri 1 botimi I katërt), Prishtinë 2004.
- Dr. Zejnullah Gruda, E drejta Ndërkombëtare Publike, Prishtinë 2003.
- Ekrem Sarikçioglu, Historia e Feve, Shkup 2007.
- Kuptimi i të drejtave të njeriut-doracak mbi arsimimin për të drejtat e njeriut. publikuar nga Ministria e Punëve te Jashtme e Austris ne bashkëpunim me ETC-Grac, 2003.
- Arsimimi për të drejtat e Njeriut-Te Arriturat dhe Sfidat. Univerziteti i Abo Akademisë ne bashkëpunim me UNESCO-n, 1998.
- Ahmet H. Sherif, KUR'AN-i Përkthim me komentim në gjuhën shqipe.

Deklaratat, konventat, ligjet:

- Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut. (E miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar, Rezoluta 217 (III),10 dhjetor 1948).
- Mbështeten në Fe ose Besim,(E shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me rezolutën 36/55, të datës 25 nëntor 1981).
- Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. (Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 2200 A (XXI) të datës 16 dhjetor 1966. HYRË NË FUQI: 23 mars 1976).
- Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore. (Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 2200 A (XXI) të datës 16 dhjetor 1966. HYRË NË FUQI: me 3 janar 1976).
- Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe protokollet e saj.
- Konventa për të drejtat e fëmijëve,(Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 44/25 të datës 20 nëntor 1989. HYRË NË FUQI: 2 shtator 1990).
- Konventa për luftën kundër diskriminimit në lëmin e arsimi
- Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racial,(Miratuar dhe hapur për nënshkrim e ratifikim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutёn e saj 2106 A (XX) të datës 21 dhjetor 1965. HYRË NË FUQI: mё 4 janar 1969).
- Marrëveshja Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Fëmijëve.
- Ligji për lirit fetare në Kosovë, (Ligji Nr. 02/L-31).
- Ligji për arsimin paraunverzitar në Republiken e Kosovës, (Ligji Nr. 04/ L-032 29 gusht 2011).
- Udhëzimi Administrativ nr. 6/2010, dt.11.05.2010, (kodi mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit të shkollave të mesme të larta). - Udhëzimi Administrativ nr. 6/2014, dt,28.01.2014, (kodi mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit të shkollave të mesme të larta).

_________________________

[45] - Sarikçioglu Ekram, Historia e Feve, Shkup 2007, fq. 31.
[46] - Sinani Marjana dhe të tjerët, Komentar i Deklarates Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, UNESCO 2008, fq. 94.
[47] - Hasani Dr. Ismail, Vetëdija fetare dhe kombëtare tek shqiptaret, Prishtinë 2001, fq. 87.
[48] - Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Deklarata univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, (Standarti i arritjes së përbashkët), fq. 381.
[49] - Saliu Dr. Kurtesh, E drejta kushtetuse, Prishtinë 2004, fq. 226.
[50] - Po aty, fq. 227.
[51] - Gruda Dr. Zejnulla, E drejta ndërkombëtare publike, Prishtinë 2003, fq. 368.
[52] - Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Deklarata univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, (Standarti I arritjes së përbashkët), fq. 395.
[53] - Sinani Marjana dhe të tjerët, Komentar i Deklaratës Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, UNESCO 2008, fq. 94-95.
[54] - Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Deklarata univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, (Standarti i arritjes së përbashkët), fq. 382.
[55] - Hasani Dr. Ismail, Vetëdija fetare dhe kombëtare tek shqiptaret, Prishtinë 2001, fq. 89.
[56] - Deklarata univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, neni 18.
[57] - Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Deklarata univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, (Standarti i arritjes së përbashkët), fq. 368.
[58] - Pakti ndërkombëtar mbi të drejtat civile dhe politike, neni 2.
[59] - Pakti ndërkombëtar mbi të drejtat civile dhe politike, neni 18.
[60] - Konventa evropiane ka rëndesi shumë të madhe,ngase është dokumenti i parë që rregullat deklarative i ka shëndrruar në rreglla kontraktiuse (u ka dhënë karakter të obligushëm) ka parapar një mekanizëm, i cili ka për të siguruar zbatimin e te drejtave dhe të lirive themelore të njeriutmidis shumë subjektve të një regjionit, dhe se hyrja në këshillin Evropian kushtëzohet me respektimin e të drejtave të njeriut.
[61] - Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, neni 9, paragrafi 1.
[62] - Deklarata për Eliminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës dhe të Diskriminimit që Mbështeten në Fe ose Besim, neni 6.
[63] - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 2008, neni 38, paragrafi 1 dhe 2.
[64] - Hasani Dr. Envei & Qukaloviq Dr. Ivan, Komentar - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë 2013, fq. 134.
[65] - Ligji për lirit fetare në Kosovë, neni 1, paragrafi 1 (1).
[66] - Ligji për lirit fetare në Kosovë, neni 1, paragrafi 1 (2).
[67] - Ligji për lirit fetare në Kosovë, neni 2, paragrafi 2 (2).
[68] - Hasani Dr. Enver & Qukaloviq Dr. Ivan, Komentar - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë 2013, fq. 136.
[69] - Po aty, fq. 211.
[70] - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 2008, neni 38, paragrafi 4.
[71] - Ligji për lirit fetare në Kosovë, neni 1, paragrafi 3.
[72] - Hasani Dr. Enver & Qukaloviq Dr. Ivan, Komentar - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë 2013, fq. 214-215.
[73] - Kushtetuta e Republikes së Kosoves 2008, neni 56, paragrafi 2.
[74] - Hasani Dr. Enver & Qukaloviq Dr. Ivan, Komentar - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë 2013, fq. 136.
[75] - Pakti ndërkombëtar mbi të drejtat civile dhe politike, neni 26.
[76] - Deklaraten për Eliminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës dhe të Diskriminimit që Mbështeten në Fe ose Besim, neni 3.
[77] - Kushtetuta e Republikes së Kosoves, 2008, neni 24, paragrafi 2.
[78] - Sarikçioglu Ekram, Historia e Feve, Shkup 2007, fq. 63.
* Mbinatyrshmja dhe e shenjta.
[79] - Hasani Dr. Ismail, Vetëdija fetare dhe kombëtare tek shqiptaret, Prishtinë 2001, fq. 25.
[80] - Sarikçioglu Ekram, Historia e Feve, Shkup 2007, fq. 638.
[81] - Hasani Dr. Ismail, Vetëdija fetare dhe kombëtare tek shqiptaret, Prishtinë 2001, fq. 88.
[82] - Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Deklarata univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, (Standarti i arritjes së përbashkët), fq. 368.
[83] - (Saharso (2003), pp. 10-13, Economist, 25 October 2003, p. 46, "En Europe peu de tentation de légiférer", Le Progres, 2 February 2004).
[84] - Hasani Dr. Ismail, Vetëdija fetare dhe kombëtare tek shqiptaret, Prishtinë 2001, fq. 58.
[85] - Po aty, fq. 58.
[86] - Hasani Dr. Ismail, Vetëdija fetare dhe kombëtare tek shqiptaret, Prishtinë 2001, fq. 95.
[87] - Deklarata për media nga Komisioni Këshillëdhënës për çështjet e lirive fetare në Republikën e Kosovës, 07 maj 2013, Prishtinë.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...