E drejta për shkollim dhe Shamia (Kapitulli i katërt)



Kapitulli i katërt

Udhëzimi Administrativ

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, në vitin 2010 nxori udhëzimin administrativ nr. 6/2010 "Kodi i mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta".

Neni 4. pika 1.13 e këtij udhëzimi, e ka paraparë si veprim të ndaluar "Bartjen e uniformës fetare".

Drejtoritë e shkollave, në bazë të këtij udhëzimi administrativ u detyruan që vajzat me shami t'i largonin nga shkolla, duke ju mohuar të drejtën e arsimimit për shkak të bindjeve fetare, por njëherit duke ju shkelur edhe të drejtën e lirisë së besimit (fesë).

Realisht largimi i vajzave me shami nga shkollat nuk kishte filluar vetëm pas nxjerrjes së keti udhëzimi administrativ, por kishte raste të tilla edhe me herët saktësish në vitin 2003 një gjë e tillë kishte ndodhur në gjimnazin "Sami Frashri" ne Prishtinë. Në atë kohë isha i angazhuar si gazetar i Revistës së Fakulteti të Studimeve Islame që e botoni studentet kisha ber një hulumtim, dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut e cilësonte të pa drejt largimin e vajzës prapë nuk u bë as gjë,vazhduan të shkelen këto të drejta duke heshtur institucionet shtetërore, dhe bashkë me to edhe institucionet tjera siç janë: Avokati i popullit, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe shoqëria civile.

Edhe pse asnjëherë nuk është bërë e qartë pse duhet të ndalohet bartja e shamisë në shkolla, se çfarë kodi të mirësjelljes shkelë bartja e shamisë, apo pengon procesin mësimor etj. Por, ajo që më së shumti është vërejtur në deklaratat e zyrtarëve të ministrisë, duke thënë se shkelë laicitetin e shtetit në të njëjtën gjë kishte aluduar edhe presidentja Jahjaga në një emision televiziv, kur ishte pyetur për bartjen e shamisë në shkolla, e cila kishte thënë: "Kjo (bartja e shamisë) nuk lejohet dhe nuk do të lejohet, sepse Republika e Kosovës është shtet laik. Është çështje e prerë. Feja është plotësisht e ndarë nga shteti". [88]

Ky udhëzim administrativ është i çuditshëm, pasi që nuk jep shpjegim pse e ndalon bartjen e shamisë pa dhënë një sqarim pse ndalohet, dhe tjetra duke e quajtur simbol fetar, ministria bie në një grackë tjetër, pasi asaj nuk i takon që të jep një përkufizim për shaminë, por është çështje të cilën duhet t'a përkufizoj në këtë rast Bashkësia Islame, e cila shumë herë në deklaratat e saj ka thënë se shamia nuk është simbol apo uniform fetar, por obligim fetar.

Ministria e arsimit kishte fyer ndjenjat fetare jo vetëm të vajzave që u larguan nga shkolla,por të gjitha grave dhe vajzave me shami edhe jashtë shkollës. Po ashtu kishte fyer edhe me qindra pris fetar ( hoxhallarë ) të cilët gjithmonë gjatë punës së tyre e kishin interpretuar shaminë si obligim fetar dhe as një herë si simbol apo uniform fetare, dhe për një moment del Ministria e Arsimit dhe ju hedh poshtë atë duke e quajtur uniform fetare.

Po e tërheq një paralele, nëse bartja e shamisë në shkolla të mesme e shkelë laicitetin e shtetit, atëherë pse bartja e shamisë në universitete nuk po e shkelë laicitetin e shtetit, pasi edhe këto universitete janë po të këtij shteti dhe po të kësaj kushtetute. Nëse aludohet se nxënëset e shkollave të mesme janë nën moshën madhore dhe duhet mbrohen nga "abuzimi" me shaminë, atëherë shteti do duhej t'i mbrojë shtetasit e vetë edhe jashtë institucioneve qet ndalohet bartja e shamisë nën moshën madhore, dhe pasi nuk e ka bërë këtë, atëherë ka bërë diskriminim të një grupi të vajzave.

E drejta e shkollimit dhe liria e besimit dhe manifestimi i atij besimi është i garantuar në instrumentet - dokumentet ndërkombëtare, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në ligjet e saj. Në të gjitha këto garantohet kjo e drejtë, dhe kufizimi i saj (manifestimi i besimit) sipas këtyre mund të bëhet vetëm me ligj dhe vetëm nëse është e domosdoshme me qëllim të mbrojtjes së:

1. Sigurisë.

2. Rendit publik.

3. Shëndetit.

4. Të drejtave të të tjerëve.

Këto katër elemente janë të cekura nga të gjitha këto instrumente.

"Në ushtrimin e tё drejtave dhe lirive të veta, secili do t'u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve të cilat janë përcaktuar me ligj, vetëm me qëllim të sigurimit tё njohjes dhe tё respektimit tё domosdoshëm tё tё drejtave dhe lirive të të tjerëve dhe të plotësimit tё kërkesave tё drejta të moralit, tё rendit publik dhe tё mirëqenies së përgjithshme në njё shoqëri demokratike". [89]

"Liria e manifestimit të fesё apo të besimit të vetë mund tё bëhet objekt vetëm i kufizimeve tё parapara me ligj dhe qё janё tё domosdoshme pёr mbrojtjen e sigurisë, tё rendit e tё shёndetit publik, ose tё moralit apo të lirive dhe tё drejtave themelore tё tё tjerёve". [90]

"Liria e shfaqjes së fesë së tij ose besimeve të dikujt nuk mund t'i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve". [91]

"Liria për të manifestuar fenë apo besimin vetanak mund të bëhet objekt i vetëm atyre kufizimeve të parashikuara me ligj, të cilat janë të nevojshme për mbrojtjen e sigurisë publike, të rendit publik, të shëndetit e moralit, ose të lirive dhe të drejtave themelore të tjetrit". [92]

"Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë". [93]

"Liria për të manifestuar fenë ose besimin duhet t'iu nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve që janë të parashikuara me ligj dhe janë të domosdoshme në shoqërinë demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit dhe moralit, dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të tjerëve". [94]

Nga e ter kjo mund te konkludojm se kufizimi i te drejtës për shkollim dhe lirisë së besimit me një udhëzim administrativ është ne kundërshtim dhe jo në përputhshmëri me kushtetutën dhe aktet-dokumentet ndërkombëtar.

Drejtorët e shkollave nga të cilët janë larguar vajzat me shami, kanë bërë edhe shkelje të vetë këtij udhëzimi administrativ.

Udhëzimi administrativ, me nenin 6 parasheh Masat edukative - disiplinore të cilat mund të shqiptohen ndaj nxënësve të cilët kanë bërë veprime të ndaluara. Sipas po këtij u. administrativ, drejtori i shkollës mund t'i shqipton vetëm këto masa disiplinore: Vërejtje, vërejtje me shkrim, masën disiplinore pezullim nga garat dhe masën disiplinore pezullim nga shkolla për 3 ditë, ndërsa masën disiplinore pezullim deri në 1 muaj mund t'a sjellë vetëm drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA - së), kurse masën disiplinore pezullim mbi një muaj, duke siguruar arsimimin alternativ për nxënësin e pezulluar, dhe vetëm për rastet e rënda të parapara me udhëzim administrativ, e shqipton vetëm Kuvendi Komunal.

Sipas udhëzimit administrativ, duhet të zhvillohet procedura disiplinore, të shqiptohet masa disiplinore, të sillet vendimi, t'i dorëzohet nxënëses dhe të njoftohet prindi apo kujdestari i nxënëses. Është e qartë pra, se sipas u. administrativ, asnjë masë disiplinore nuk mund t'i shqiptohet nxënësit pa vendim. Derisa me nenin 8.2 është paraparë që nëse nxënëset ankohen ndaj vendimit, ankesa pezullon zbatimin e të gjitha vendimeve deri ne vendimin e shkallës së dytë, me përjashtim kur rrezikohet siguria e nxënësve. Kjo do të thotë se, edhe sikur të ishin sjellë vendime me shkrim, ato nuk mund të zbatoheshin në rast se nxënësi është ankuar, derisa vendimet të bëhen të plotfuqishëm. Pra, sipas udhëzimit administrativ, askush nuk mund të shqiptojë asnjë masë disiplinore në mënyrë arbitrare, por duhet të sillet vendim i shkruar, vendim i cili duhet t'i dorëzohet në mënyrë të rregullt palës - nxënësit, të njoftohet prindi me këtë vendim, të jepet arsyetimi dhe këshilla juridike për mënyrën e ankesës, të pritet vendimi i shkallës së dytë e pastaj të zbatohet vendimi.

Ajo që është më me rëndësi, edhe një herë e theksojmë se pezullimi nga shkolla për nxënësit më shumë se një muaj (këtë vendim e shqipton vetëm Kuvendi i Komunës) i shqiptohet nxënësit vetëm me rastin e sjelljes së dhunshme apo agresive e cila nuk lejon vazhdimin e procesit edukativo - arsimor dhe aftësues të nxënësve tjerë, kur mungon mbi 32 orë pa arsye nga mësimi, për moszbatimin e vendimeve të organeve të shkollës, si dhe në rastet e tjera që parashihen me rregullore të shkollës (neni 6,3,1,1,4). Pra, vendimet për largimet e nxënëseve nga shkollat janë kundër vetë udhëzimit administrativ, meqë nxënëset janë larguar në mënyrë arbitrare pa kurrfarë vendimi me shkrim!

Ministria e Arsimit, këtë vit (2014) ka nxjerrë udhëzimin administrativ "Kodi i mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta" nr. 6/2014, me datën 28.01.2014, i cili e shfuqizon udhëzimin administrativ nr. 6/2010.

Por, çështja për të cilën diskutuam me lartë mbetet prapë e njëjtë edhe në këtë udhëzim administrativ, pasi që në nenin 3.1.3, uniforma fetare është prej gjërave të ndalura në shkolla.

Ajo e cila është për t'u çuditur, është se ministri Ramë Buja disa herë publikisht kishte deklaruar se do të kërkonte nga Bashkësia Islame një sqarim rreth asaj se shamia a është simbol fetar a po obligim, por këtë nuk e bëri, dhe prapë shaminë e llogaritë si simbol fetar dhe si vepër që duhet të ndalohet në shkolla. Përkundër reagimeve që kishte pasur Bashkësia Islame rreth kësaj çështjeje dhe rekomandimeve që kishte nxjerrë komisioni i formuar nga kryeministri, nuk e kishin luhatur ministrin nga vendimet e tij.

Përfundimi

Nga ajo që kam elaburuar në shtjellimin e kësaj teme, si synim kam studimin e udhëzimit administrativ 062010, i cili kishte ndaluar bartjen e uniformës fetare në shkolla dhe në bazë të kësaj kishte filluar largimi i vajzave me shamia nga shkollat. Pas shumë debateve e diskutimeve në nivele të ndryshme, duke qenë pro dhe kundër, kureshtja më shtyri që të bëj një studim të këtij udhëzimi administrativ.

Lufta për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka qenë e vazhdueshme brenda shteteve, por për një mbrojtje më të mirë të të drejtave të njeriut, e sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, atyre ju dha edhe një karakter ndërkombëtar, ku shtetet më të fuqishme themeluan Kombet e Bashkuara, duke nxjerrë deklaratat e konventat me të cilat i sigurojnë dhe i mbrojnë të drejtat e njeriut.

Duke qenë të bindur se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut n'a japin mundësinë të zhvillojmë dhe të përdorim tërësisht cilësitë tona njerëzore, inteligjencën tonë, talentet dhe vetëdijen tonë, si dhe të kënaqim kërkesat tona shpirtërore dhe nevojat e tjera. Ato janë themelore për kërkesat gjithnjë në rritje të njerëzimit për një jetë që të respektojë dhe të mbrojë dinjitetin dhe veprat e çdo qenie njerëzore.

Shkelja e të drejtave të njeriut nuk nënkupton thjesht dhe vetëm të penguarit për të realizuar një të drejtë, por nënkupton mohimin e një jete dinjitoze, poshtë së cilës njeriu nuk mund dhe nuk duhet të i'a lejojë vetes të bie.

Që këtej del se, të drejtat e njeriut janë edhe një praktikë e veçantë njerëzore, që synon të realizojë kërkesat minimale të njeriut për një jetë dinjitoze dhe t'a mbrojë atë, në marrëdhëniet e tij të ndërsjella me pushtetin shtetëror, nga cenimet, poshtërimet, diskriminimet, paragjykimet, qëndrimet çnjerëzore të më të fortit.

Nga ky këndvështrim, mohimi i të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore nuk përbën vetëm një dramë personale dhe individuale, por krijon kushtet shoqërore dhe politike për hedhjen e farës së dhunës e të konflikteve në nivel kombëtar e më gjerë.

Për këtë arsye, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, që në fjalinë e saj të parë (në preambulë), shpallë që respekti për të drejtat e njeriut dhe për dinjitetin njerëzor "është themeli i lirisë, i drejtësisë dhe i paqes në botë".

Siç vihet re, të drejtat e njeriut kanë në themel dinjitetin njerëzor, i cili buron nga vetë thelbi i të qenit njerëz.

Republika e Kosovës si një shtet i ri, duke u munduar që të jetë një shtet demokratik ku sundon ligji, ku njihen e mbrohen të drejtat e njeriut, që këtë përpjekje e dëshmon me kushtetutën e saj, ku mbron të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, në përditshmëri ato nuk i gjejmë ashtu siç i gjejmë të shkruara, dhe kjo dëshmohet me nxjerrjen dhe jetësimimin e këtij udhëzimi administrativ, me të cilin ndalohet manifestimi i bindjeve fetare, duke qenë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, po ashtu edhe me deklaratat dhe konventat ndërkombëtare.



Autor: Lulzim KASTRATI



Literatura:

- Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 2008.
- Enver Hasani & Ivan Qukaloviq, Komentar - Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2013.
- Gudmundur Alfredsson & Asbjore Eide, Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut (Standardi i Arritjes së Përbashkët).
- Marjana Sinani dhe të tjerët, Komentar i Deklaratës Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, UNESCO, 2008.
- Dr. Ismail Hasani, Vetëdija fetare dhe kombetare tek shqiptaret, Prishtinë, 2001.
- Dr. Kurtesh Salihu, E Drejta Kushtetuese (Libri 1 botimi I katërt), Prishtinë 2004.
- Dr. Zejnullah Gruda, E drejta Ndërkombëtare Publike, Prishtinë 2003.
- Ekrem Sarikçioglu, Historia e Feve, Shkup 2007.
- Kuptimi i të drejtave të njeriut-doracak mbi arsimimin për të drejtat e njeriut. publikuar nga Ministria e Punëve te Jashtme e Austris ne bashkëpunim me ETC-Grac, 2003.
- Arsimimi për të drejtat e Njeriut-Te Arriturat dhe Sfidat. Univerziteti i Abo Akademisë ne bashkëpunim me UNESCO-n, 1998.
- Ahmet H. Sherif, KUR'AN-i Përkthim me komentim në gjuhën shqipe.



Deklaratat, konventat, ligjet:

- Deklarata Univerzale mbi të Drejtat e Njeriut. (E miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar, Rezoluta 217 (III), 10 dhjetor 1948).
- Mbështeten në Fe ose Besim, (E shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me rezolutën 36/55, të datës 25 nëntor 1981).
- Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. (Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 2200 A (XXI) të datës 16 dhjetor 1966. Hyrë në Fuqi: 23 mars 1976).
- Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore. (Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 2200 A (XXI) të datës 16 dhjetor 1966. Hyrë në Fuqi: me 3 janar 1976).
- Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe protokollet e saj.
- Konventa për të drejtat e fëmijëve, (Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 44/25 të datës 20 nëntor 1989. Hyrë në Fuqi: 2 shtator 1990).
- Konventa për luftën kundër diskriminimit në lëmin e arsimi
- Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racial, (Miratuar dhe hapur për nënshkrim e ratifikim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutёn e saj 2106 A (XX) të datës 21 dhjetor 1965. Hyrë në Fuqi: mё 4 janar 1969).
- Marrëveshja Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Fëmijëve.
- Ligji për lirit fetare në Kosovë, (Ligji Nr. 02/L-31).
- Ligji për arsimin paraunverzitar në Republiken e Kosovës, (Ligji Nr. 04/L-032, 29 gusht 2011).
- Udhëzimi Administrativ Nr. 6/2010, Dt. 11.05.2010, (kodi mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit të shkollave të mesme të larta).
- Udhëzimi Administrativ Nr. 6/2014, Dt. 28.01.2014, (kodi mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit të shkollave të mesme të larta).



_________________________

[88] - Emisioni RUBIKON në KTV, 22 tetor 2013.
[89] - Deklarata univerzale mbi të Drejtat e Njeriut, neni 29.
[90] - Pakti ndërkombëtar mbi të drejtat civile dhe politike, neni 18, paragrafi 3.
[91] - Konventa Evropjane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, neni 9, paragrafi 2.
[92] - Deklarata për Eliminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës dhe të Diskriminimit që Mbështeten në Fe ose Besim, neni 1, paragrafi 3.
[93] - Kushtetuta e Republikes së Kosoves 2008, neni 38, paragrafi 4.
[94] - Ligji për lirit fetare në Kosovë, neni 1, paragrafi 3.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...