Reflekse Ramazani



Është Ramazan - muaji i bekuar në të cilin myslimanët kanë detyrim të agjërojnë tridhjetë ditë. I shpallur për Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) që prej katërmbëdhjetë shekujsh e kusur, këtë detyrim për të gjithë myslimanët në moshë të rritur dhe të shëndoshë e praktikojnë afërsisht një miliardë njerëz. Çka nënkuptonte agjërimi i Ramazanit për njerëzit para 1400 vjetësh? Ndërkohë, a ka ndryshuar diçka? Çfarë nënkupton ai për njeriun bashkëkohor? Thua të jetë njëfarë remonti i përgjithshëm vjetor fiziologjik? Pastrim i filtrave? Ndërrim i vajit? Pakësim i ndonjë kilogrami nga pesha? Ripërtëritje e proceseve tretëse? Mos ndoshta është një ndëshkim për ata që hanë tepër dhe tërheqje e vërejtjes për ata që duan të ndjekin shembullin e tyre? Apo, poenta nuk është aspak fiziologjike, por mentale? Qetësim i ngarkesës nervore? Çlirim nga pengesat? Ndrydhje e hidhërimit dhe pakënaqësisë, që shkaktohen nga përditshmëria? Apo funksioni themelor i agjërimit ka natyrë morale? Të korrigjojë dhe rivendosë nishanet e zhvendosura etike? Të drejtojë dhe forcojë standardet morale që janë luhatur gjatë vitit? Vallë, të jetë heqje dorë nga gënjeshtrat dhe mashtrimet, nga premtimet e kota dhe manipulimet e vetëdijshme? E, nëse kuptimi themelor dhe funksioni nuk kanë ndryshuar gjer më sot - dhe as që do ndryshojnë nëse ato janë universale, të njëjta për të gjithë besimtarët myslimanë dhe për të gjitha kohërat - atëherë njeriut nuk i mbetet zgjedhje tjetër, përpos se të shtrojë seriozisht pyetjen: Cili është kuptimi i vërtetë i agjërimit të Ramazanit?

Rregullat e agjërimit të Ramazanit kumtohen në Kuran, në suren El-Bekare, përmes pesë vargjeve (katër syresh janë më eksplicite), të regjistruara nën numrat 183-187. Detajet për të cilat diskutojnë qindra libra në lidhje me këtë temë, paraqesin interpretime të haditheve, që në një masë të madhe kanë të bëjnë me aspektet e ndryshme të agjërimit.

Lajmi për Ramazanin është kumtuar në suren e lartpërmendur, në vargun 183: "O besimtarë, ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të ...". Vini re: "... siç u ishte urdhëruar ...", e jo 'çfarë u ishte urdhëruar'. Kjo është e qartë: urdhërohet ajo që u është urdhëruar edhe të tjerëve më përpara, por jo e njëjta gjë që u është urdhëruar atyre, dhe as për të njëjtin qëllim. Agjërimi u është urdhëruar myslimanëve "... që të ..." Po e ndërpresim këtu vargun, sepse në këtë pikë ia behin edhe dilemat. Në fakt, ajo gjë për shkak të së cilës u është urdhëruar agjërimi atyre është përkthyer me ndryshime të mëdha mbresash, jo vetëm në gjuhë të ndryshme, por edhe në një gjuhë të vetme dhe, madje, nga përkthyes që i takojnë të njëjtës kohë.

"... të frikësoheni nga Zoti".
"... t'i shmangeni mëkatit".
"... të (mësoheni) që të vetudhëhiqeni".

Dy formulimet e para janë variacione të dhjetëra përkthimeve në gjuhët ballkanike, si edhe në gjuhën angleze, franceze dhe gjermane, kurse formulimi i tretë është i Abdullah Jusuf Aliut (përkthim në gjuhën angleze, Lahore, Pakistan, 1934). Zgjodhëm këtë formulim për faktin se dallohet dukshëm nga dy traditat e tjera përkthimore, aq më tepër edhe për shkak të vlerësimit të ekspertëve, pasi ai është më afër përthimit të përkryer. Si të tillë, Kryesia e Hulumtimeve Islame (IFTA) me seli në Medinë, e zgjodhi këtë si përkthimin zyrtar të Kuranit në gjuhën angleze, ndër të tjera edhe për shkak të cilësisë së tij, ku bën pjesë stili jashtëzakonisht elegant dhe zgjedhja e fjalëve më bashkëkohore, si edhe për shkak të përshtatshmërisë së kuptimit që jepet në përkthim. Vëmendje! "Fjalët më të përshtatshme", "kuptimi i dhënë në një trajtë të përshtatshme" - që ndryshojnë aq shumë krahasuar me dy variantet mbizotëruese të përkthimit, pikërisht në pikën më të rëndësishme: urtia për të cilën është urdhëruar agjërimi!?

I ndodhur përballë këtyre formulimeve, besimtari do pyesë më të drejtë se cili është kuptimi themelor i agjërimit të Ramazanit që është urdhëruar nga Allahu? Madje, jo vetëm që ka të drejtë të pyesë, por ka edhe detyrimin që ta gjejë përgjigjen! Pikërisht atë përgjigje që do jetë mjaftueshëm e kuptueshme dhe mjaftueshëm bindëse, që më pas ta pranojë me bindje e gëzim, e jo me ndjesinë e një dëgjueshmërie të verbër dhe pa kënaqësi të brendshme, që shfaqet gjithnjë kur bëjmë diçka, të cilës nuk ia vjelim dot kuptimin. Pa këtë aspekt, agjërimi i Ramazanit do pranohej si një urdhër që do na e vështirësonte jetën tridhjetë ditë në çdo vit, dhe nuk do na mbetej tjetër përveçse të nënshtroheshim. Megjithëkëtë, le ta kërkojmë këtë përgjigje, sado që mund të na duket e vështirë. Kurani e ka parashikuar këtë reagim psikologjik edhe kur thekson: "Allahu dëshiron që t'jua lehtësojë dhe jo që t'jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit)", (El-Bekare, 185). Ja lehtësimi, mu në të njëjtin vend ku është përmendur edhe vështirësia!

"Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)", (El-Bekare, 185). Shpjegim dhe udhëzim njëherësh. E para ngase Kurani na është dhënë në muajin e Ramazanit, gjë që e bën këtë muaj të bekuar, pikërisht me qëllimin për të qenë udhërrëfyesi ynë - një udhërrëfyes i sigurt për ne. Madje, përveç kësaj, me anë të Kuranit kemi fituar instrumentin më të rëndësishëm të njerëzisë: etalonin absolut për përkufizimin e të dobishmes dhe të dëmshmes, për të lejuarën dhe të ndaluarën! Te ky nocion (furkan - "dallues") është përmbledhur funksioni më themelor i fuqisë së gjykimit, pra i vetë arsyes praktike dhe teorike - këtu qëndron udhëzimi për çdo situatë!

Ja një udhëzim me rëndësi të madhe praktike, i kondensuar në një formulë të lehtë lirike: "Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato", (El-Bekare, 187). Burrat dhe gratë janë petk, veshje për njëri-tjetrin! Po si, vallë - veshje? Le të shfrytëzojmë furkān-in tonë dhe të këqyrim se pse jemi veshje për njëri-tjetrin! E para gjë, veshja është gjëja jonë më intime, që e zgjedhim për veten duke u nisur nga afinitetet statusore, estetike dhe kulturore. Më shumë se çdo gjë tjetër veshja është zgjedhja jonë personale. Veshja na ruan, na ofron rehati, na ngroh, por ajo na mbron edhe nga vapa. Një veshje e prerë mirë thekson cilësitë tona trupore dhe fsheh mangësitë tona fizike (trashjen, anoreksinë, qëndrimin e keq), kurse ne, me mbajtjen e saj theksojmë kualitetet e veshjes që përdorim. Veshja është edhe stoli, edhe një element dinamik i traditës sociale dhe kulturore, e harmonizuar me rrethanat konkrete. Veshja ngërthen një domethënie të fortë ekonomike. Veshja na legjitimon, ajo është shenja jonë heraldike.

Habia e shprehur te pyetja "po si, vallë - veshje?", tashmë e mori përgjigjen! Kjo marrëdhënie e ndërlikuar, e rëndësishme dhe tejet intime e njeriut dhe veshjes, edhe si e patjetërsueshme edhe si stoli, edhe si zgjedhje individuale, edhe si legjitimim shoqëror, në një mënyrë jashtëzakonisht të mprehtë dhe adekuate shpreh ndërlikimin, karakterin intim dhe rëndësinë vitale të marrëdhënies ndërmjet burrit dhe gruas! Për nga përkufizimi, veshja nuk ka surrogat, nuk ka zëvendësues! Ç'gjë mund të vishnim e në të njëjtën kohë të mos ishte veshje? Ashtu siç është oksimoron të thuhet se veshja mund të zëvendësohet me diçka tjetër, po ashtu oksimoron është edhe të thuhet se burri mund të jetë grua për një burrë tjetër dhe se gruaja mund të jetë burrë për një grua tjetër! E thënë qartë dhe qëllimshëm: ashtu sikundërse veshjen nuk mund ta zëvendësojë asgjë, po ashtu, vetëm gruaja mund të jetë veshje për burrin dhe vetëm burri mund të jetë veshje për gruan!

Çështja e seksit, që si gjithnjë është delikate, në të njëjtin varg është prekur drejtpërdrejt, në dy çaste themelore. Elementi i parë është etik - domethënë moral, dhe reflektohet në udhëzimin se, në raport me seksin, nuk është e udhës ta mashtrojmë vetveten se mund t'i kundërvihemi pasionit erotik, as të biem pre e kurthit se mund t'ia dalim në këtë drejtim, kur thellë së brendshmi e dimë që nuk mund të kemi sukses! Prandaj, duhet të ballafaqohemi me të vërtetën shumë shpesh, pasi nuk kemi fuqi t'i rezistojmë karakterit të tij imperativ! Në fakt, në fillim seksi ishte i ndaluar gjatë gjithë Ramazanit, si natën ashtu dhe ditën! Që të mos shkasin në një situatë që mund t'i shtyjë drejt gënjeshtrës, sipas këtij vargu, besimtarëve u lejohet të kënaqem me gratë e tyre, duke e bërë kështu të qartë se në lidhje me seksin nuk ka asgjë nga e cila njerëzit duhet të turpërohen!

Momenti i dytë është realisht edhe përgjigjja e pyetjes se cili është kuptimi më i thellë i agjërimit të Ramazanit!? Në fakt, seksi, ngrënia dhe pirja janë tre shtytjet (epshet, instinktet) që janë të patjetërsueshme për vijimin e jetës. Fuqia e tyre është e jashtëzakonshme dhe nuk mund të nënvlerësohet në asnjë mënyrë. Pikërisht për këtë, këtyre shtytjeve nuk duhet t'u lejohet të bëhen faktorët qendrorë të jetës sonë në asnjë çast! Fuqia e tyre është aq e madhe, saqë mund t'i ndrydhin shumë lehtë dhe t'i nxjerrin në një plan dytësor nevojat, interesat dhe aftësitë e tjera. Nën pushtetin e këtyre shtytjeve, njerëzit bëhen ose makineri hedoniste në kërkim të përhershëm të kënaqësive seksuale, që deformohen moralisht në perversë patologjikë e të pashëruar; ose shndërrohen në një tub shkarkues, në qenie të babëzitura e të pangopura, që gjithë kuptimin e jetës e gjejnë te kënaqësia e ngrënies dhe e pirjes, dhe fizikisht transformohen në njerëz me trashje patologjike dhe të paaftë për një jetë normale. Kontrolli i emocioneve negative, frenimi i vetes nga zemërimi dhe konflikti, të urdhëruara si pjesë përbërëse e agjërimit të Ramazanit, ka krejt të njëjtin funksion: të pengojë dorëzimin para afekteve, që mund t'i shndërrojnë njerëzit krejt kollaj në vrasës, kriminelë, rrënues e psikopatë.

Le t'i përmbledhim në dy pika themelore si problemin ashtu edhe zgjidhjen. Ja, së pari problemin: ne jemi qenie të gjalla, që, si të gjitha qeniet e tjera të gjalla, kemi nevoja, pra shtytje absolutisht fiziologjike. Këto nevoja janë ngrënia, pirja dhe seksi. Renditja nuk është e rëndësishme, ngaqë ndryshon nga një njeri te tjetri. Përmbushja e këtyre nevojave është siguruar me karakterin e tyre imperativ! Për shkak të fuqisë së tyre dhe karakterit imperativ, këto shtytje janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Dorëzimi më i vogël para cilësdo syresh, shpie detyrimisht drejt humbjes së interesit për gjithçka tjetër në jetë. Nga ana tjetër, për nga formimi shpirtëror, ne jemi qeniet e vetme të gjalla me potenciale të jashtëzakonshme mentale dhe shpirtërore! Përveç kësaj, ne jemi qenie të afta për njohjen e të Vërtetës dhe Bukurisë, të gatshëm për të shprehur të madhërishmen dhe të bekuarën me dhuntinë që ta përjetojmë praninë e vetë Krijuesit! Dorëzimi para pasioneve paguhet me humbjen e interesit për të gjitha aftësitë madhështore intelektuale dhe me shkarje nga aftësitë shpirtërore!

Problemi është se si t'ia bëjmë që pasionet të mos bëhen pengesë për realizimin e aftësive të larta të njeriut, që ato të mos e ngufasin përpjekjen e tij për lartësim drejt sferave më të larta? Ndryshe nga strategjitë ekstreme, që janë karakteristike për disa religjione, që rekomandojnë zbatimin sistematik të një asketizmi radikal në raport me ngrënien, pirjen dhe veprimtarinë erotike, përfshirë edhe celibatin (heqja dorë përgjithnjë nga jeta seksuale), madje edhe tredhjen e vetes, që nisen nga argumenti se mishi është djallëzor ("burimi i mëkatit dhe streha e djallit"), Kurani e shtron problemin në mënyrë integrale! Njeriu është edhe qenie fiziologjike, edhe shpirtërore, e prandaj nuk duhet të thyhet mes tyre, sipas parimit "ose/ose"! Ai nuk është lënë në gjendjen që të zgjedhë mes të mirave që i ka dhënë Zoti, që të heqë dorë me patjetër nga kënaqësitë trupore për të arritur ato shpirtërore.

Problemi është se si të kontrollohen pasionet pa u shkatërruar ato, duke pasur parasysh se ato përbëjnë jo vetëm kushte detyruese, por edhe kënaqësi themelore të kësaj jete!? Rreziku nga rënia në pushtetin e pasioneve dhe krijimi i nënshtrimit nuk nënkupton në asnjë mënyrë që njeriu duhet të turpërohet nga dëshirat e tij. Islami nuk i kërkon njeriut që të bëhet martir, që kështu të bëhet një besimtar i mirë! Pikërisht për shkak të këtij koncepti integral antropologjik, që e pranon njeriun si qenie trupore dhe si qenie shpirtërore, agjërimi i Ramazanit na është dhënë si detyrim i rëndësishëm, në mënyrë që këto dy dimensione të ekzistencës sonë të ruhen e të harmonizohen. Ramazani është një periudhë tridhjetëditore, në të cilën ne e fuqizojmë pushtetin e shpirtërores mbi truporen. Duke ia dalë që në vazhdimësi, gjatë tridhjetë ditëve, një herë në vit, të bëjmë zap zërat e tri instinkteve tona më të thella, duke hequr dorë plotësisht dhe me vetëdije nga vetë ideja për përmbushjen e urisë, etjes dhe seksit në një kohë të përcaktuar saktë, ne vendosim një hierarki të re për nevojat e njeriut! Në këtë kuptim, Ramazani është një periudhë ku thelbi antropologjik i njeriut dëshmon sovranitetin e vet. Shpirti shpall epërsinë e tij ndaj materies. Por, nevojat janë nevoja dhe, prandaj, nuk bëhet fjalë që ato të nënvlerësohen e as të turpërohemi prej tyre! Në teori tingëllon lehtë, por në jetë e jetuar shpërfaqet si një ndërmarrje e vështirë. Duke pasur parasysh faktin se njerëzit ia dalin që ta respektojnë në mënyrë të rreptë agjërimin, pyetja nuk është se "a është e mundur?", por "si mund të arrihet kjo?", gjë që i jep mundësinë agjëruesit të ruajë premtimin e tij dhe të agjërojë kollaj gjithë Ramazanin.

Fuqia jonë thjesht nuk është e mjaftueshme. Njeriu mund t'i premtojë vetes se do heqë dorë nga çdo ves, nga çdo shprehi e ligë; se për një kohë të caktuar nuk do ushqehet ose nuk do bëjë seks. Megjithatë, secili duhet të dijë se sa e vështirë është kjo! Çdokush e di se sa herë i ka premtuar vetes se nuk do nervozohet, se nuk do grindet apo se nuk do shajë qoftë edhe për një javë, e mandej, po atë ditë ka rënë pre e këtyre gjendjeve!

Që kjo është e mundur, për këtë është i vetëdijshëm çdokush që ka agjëruar! Këtë e dinë ata që për tridhjetë ditë rresht u përmbahen rregullave të agjërimit, edhe pse gjatë njëmbëdhjetë muajve të tjerë nuk mund të kalojnë qoftë edhe dy ditë pa grindje, të mos hanë një drekë apo të heqin dorë nga duhani, sado që kanë bërë premtime solemne! Nëse jemi të vetëdijshëm që jashtë Ramazanit respektimi i premtimeve të dhëna fuqishëm është shpesh i pamundur, - sepse ai që premton është gjithnjë i fuqishëm, ndërsa ai që duhet të mbajë premtimin është i dobët - atëherë përgjigjja është e qartë: kjo është e mundur gjatë Ramazanit, sepse besimtari, duke e ditur se sa i dobët është përballë disa sprovave, ai nuk i premton vetes, por Atij, të Cilit ia detyron gjithë falënderimin dhe dëgjueshmërinë e pakushtëzuar! Në fakt, para fillimit të çdo dite të Ramazanit, besimtari bën nijetin - premton se ditën në vazhdim do të agjërojë në emër të Allahut. Një premtim i tillë nuk thyhet, përkundrazi, ai realizohet me kënaqësi!

Nijeti - premtimi në Islam, është një zgjedhje e lirë dhe një vendim vetjak! Prandaj, ai e detyron vetëm atë që personalisht ka premtuar se do agjërojë. Por, shpërblimi është i madh, sepse besimtari e di se agjërimi i tij do jetë më i pranuar nga Zoti, pasi ka bërë nijet të agjërojë në emër të Tij!

Kështu, fare kollaj e me kënaqësi arrihet qëllimi për cilin flet vargu 183 i sures El-Bekare - një synim që duhet të arrihet përmes agjërimit dhe për shkak të të cilit është dhënë edhe detyrimi i agjërimit të Ramazanit. Përfundimisht, ai qëllim tek i cili qëndron kuptimi themelor i muajit të bekuar të Ramazanit! Të ndërmendim se atë qëllim disa e përkthejnë si frikë nga Zoti, pra arritje të vetëdijes që duhet agjëruar, sepse duhet të frikësohemi nga Zoti. Të tjerët ngulmojnë se kuptimi qëndron te shmangia e mëkateve, në mënyrë që të evitohet ndëshkimi. Ndërsa Abdullah Jusuf Ali-u thotë se Allahu Fuqiplotë na ka porositur përmes këtij vargu se Ramazani na është dhënë që të mësohemi të sundojmë veten!

Ndërkaq, sundimi i vetvetes është pikërisht aftësia që në Ramazan të përmbahemi në emër të Zotit dhe të vëmë nën një kontroll të vetëdijshëm jo vetëm përmbushjen e instinktit për të ngrënë, pirë dhe për të bërë seks, por edhe të përjashtojmë nga sjellja jonë të gjitha reagimet impulsive dhe manifestimet egërshane psikologjike, në amplitudën e dhunës, grindjeve, sharjeve e deri te përdorimi i fjalëve të padenja e ofenduese, madje edhe përjashtimin e mendimeve të pandershme, të pakëndshme ose ofenduese! Dhe, ajo që është më e rëndësishme, t'i zëvendësojmë me mendime dhe veprime bujare, duke ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë me buzëqeshje të buta e me shtrirjen e dorës miqësore! Ai që e ka arritur këtë, në fakt, ka përmbushur qëllimin për shkak të të cilit është urdhëruar agjërimi! Ai është qëllimi drejt të cilit duhet të synojë çdo njeri, si shkalla më e lartë e vetërealizimit. Ai që ka arritur përkryerjen në sundimin e vetvetes në emër të Zotit, ka arritur gjendjen e devotshmërisë së vërtetë! Ky është kuptimi i përkthimit të vargut kuranor nga Abdullah Jusuf Ali-u, në të cilin thuhet: "O besimtarë, ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që (të mësoheni) të sundoni veten", nga i cili bëhet i qartë se qëllimi më i lartë i agjërimit të Ramazanit është të përsosemi në devotshmëri! Ndërkaq, devotshmëria është ajo gjendje ku, duke u bazuar në premtimin e dhënë (nijet) drejtuar Zotit, njeriu i përmbush dhe i kontrollon plotësisht nevojat dhe pasionet e tij biologjike, deri në shkallën që bëhet e mundur një jetë normale dhe e lumtur, pa pasur kurrfarë pengese për të besuar!

Duhet pasur parasysh edhe kjo: "Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës) ...", (El-Bekare, 187). Çdokush që ka qëndruar zgjuar dhe ka pritur agimin në natyrë, e di se, së pari, në lindje paraqitet një vijë e praruar, e hollë, si fija e bardhë e nxjerrë nga endja e natës! Menjëherë pas kësaj, mbulesa e zezë e natës endet në pelerinën blu të errët, me kurorë të mprehtë e të hollë e me një dritë të artë në rozë. Ja pra çasti kur fillon agjërimi.



Autor: Ferid MUHIQ

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...