Mirë se vjen muaji i madhrueshëm i Ramazanit



Këto ditë kemi hyrë në një periudhë të re të ndryshimeve kalendarike në gjithësi. Jemi në ditët e para të muajit të madhrueshëm të Ramazanit. Qoftë lavdëruar All-llahu xh.sh. që na e bëri të mundur ta presim edhe këtë herë Ramazanin e bekuar. Po e presim muajin ku për herë të parë, në shpellën Hira, shndëriti shkëndia e dritës së All-llahut zemrën dhe shpirtin e të dërguarit të tij - Muhamedit (a.s.). Të nderuar besimtarë, po fillon muaji i ditëve të bekuara dhe netëve të mëdha, muaji i zgjimit të muslimanëve dhe ndërgjegjësimit të rinisë muslimane, muaji i përparimit, ngritjes shiprtërore dhe afrimit të muslimanëve nga Burimi i udhëzimit, fuqisë dhe mirësisë.

Që në fillim të kësaj ligjerate të nderuar besimtarë po japim mesazhin e All-llahut xh.sh. për këtë Ramazan: "O ju që keni besuar, agjërimi është bërë obligim për ju sikurse ishte obligim edhe për ata para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm. Jeni të obliguar ditët e caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëron), atëherë ai (le të agjërojë aq ditë më vonë). E ata që i rëndon (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim ditor i një të varfëri e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është më mirë për të. Mirëpo, po që se e dini, agjërimi është më mirë për ju. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit, që në të filloi të shpallet Kur'ani, i cili është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë si dhe dallues (i së vërtetës nga e pavërteta). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë në ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim e jo ngarkim për ju. T'i agjëroni ditët e lëshuara, që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun dhe për atë që ju udhëzoi ta falenderoni", (El-Bekare: 183-185).

Ramazani, të nderuar besimtarë, është miku ynë më i dashur që na viziton çdo vit dhe na sjell dhuratat më të mira, na sjell dhurata shpirtërore, dhuratat e Zotit të Lartësuar. Ramazni është pranverë qiellore që i viziton njerëzit e Tokës në çdo stinë të vitit tokësor. Ndonëse në Tokë ndërrohen stinët e vitit, stina e Ramazanit është gjithmonë pranevra e shpirtërave tanë.

Çdo musliman kudo në botë i gëzohet muajit të Ramazanit dhe e pret me padurim ardhjen e tij. Muslimanët e presin me padurim Ramazanin, sepse në të qëndron fuqia e besimtarit, forca pushtuese e atyre që i janë dorëzuar All-llahut (xh.sh.), qetësia e të devotshmëve, shpresa e gjynahqarëve, çlirimi i të nënshtruarëve.

Muslimanët, anekënd botës, në muajin e Ramazanit, përmes agjërimit shprehin gadishmërinë e tyre për vetëmohim në rrugën e Zotit (xh.sh.), për hir të mëshirës së Tij, faljes dhe udhëzimit për tërë njerëzimin.

Duhet t'i përjetojmë dhe t'i ndjejmë thellë dobitë, të mirat dhe gëzimet e Ramazanit që po na vjen. Në këto ditë, çdo musliman e plotëson veten me përmbajtje më të pasura dhe më domethënëse.

Kur afrohej muaji i Ramazanit Pejgamberi (a.s.) thoshte: "O njerëz, u afrua muaji i Ramazanit, muaji i bekimeve e i bereqetit, muaji i lumturisë e përparimit, muaji në të cilin gjendet nata e Kadrit, që është më e mirë dhe më e vlefshme se një mijë muaj! All-llahu ju ka urdhëruar të agjëroni çdo ditë të Ramazanit, kurse netët e tij t'i kaloni në ibadete vullnetare (nafile). Kush fal nafile në Ramazan, është sikur të falë farz në ndonjë muaj tejtër, ndërsa kush fal një farz në Ramazan është sikur t'i falë 70 farze jashtë Ramazanit. Ramazani është muaji i durimit, e shpërblimi për durim është xhenneti. Ky është muaji i ndihmës së ndërsjellë të muslimanëve, muaji në të cilin besimtarit i shtohet furnizimi (rrizku), kush e ushqen (jep iftar) një njeriu që është agjërueshëm, kjo për të është falje e gjynaheve të tij dhe shpëtim nga dënimi me zjarr të xhehennemit", (Ibni Huzejme).

Ky muaj, që po e presim me emocione të veçanta dhe entuziazëm, për shumë gjëra dallon nga muajt tjerë. Ky është Ramazani që në vete mbartë shumë porosi e mesazhe praktike që kanë lidhje me jetën e çdo besimtari.

Vlera e tij qëndron në begatitë dhe dobitë e tij të mëdha e të panumërta. Nuk di ndonjë obligim tjetër, institucion a sistem jete që të ketë mbledhur e mobilizuar në vete aq shumë forca morale, begati shpirtërore, të mira materiale dhe përfitime shëndetësore sikurse është rasti me muajin e Ramazanit.

Pejgamberi (a.s.) në një hadith thotë: "Po ta dinin njerëzit se çfarë të mira sjell Ramazani, me siguri shumë ithtarë do të dëshironin që tërë viti të jetë Ramazan. Dhjetë ditët e para të Ramazanit, All-llahu (xh.sh.) e derdh mëshirën e Vet mbi njerëzit, në dhjetshin e dytë ua fal gjynahet robëve të tij, ndërsa në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit i fal edhe ata që e kanë merituar dënimin e xhehennemit".

Ramazni, të nderuar besimtarë, është rasti më i mirë për ne që ta pastrojmë zemrën dhe ta përtërijmë shpirtin, të forcojmë trupin dhe t'i bëjmë më të mprehta kualitet tona. Ky muaj është i mirëseardhur për ata që janë të sëmur fizikisht dhe në shpirt. Agjërimi, gjatë një muaji të tërë, i mjekon ata duke u shëruar edhe trupin edhe shpirtin e tyre. Ai bën kurban kënaqësitë e trupit për t'ia bërë dhuratë shpirtit. Për ata që e kanë harruar Zotin, Ramazni do t'ua përkujtojë kontratën që shpirtërat e tyre e kanë lidhur në Ezel me Krijuesin e tyre. Kush e ka humbur durimin, do ta gjejë në këtë muaj, të forcuar e të shumëfishuar. Ata që kanë filluar të tërhiqen nga rruga e drejtësisë, Ramazani do t'ua kthejë qëndrueshmërinë. Në qoftë se në shoqëri është futur virusi i përçarjes, në Ramazan do të fitojë rëndësia e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, solidaritetit dhe ndihmës reciproke të njerëzve, pavarësisht nga dallimet dhe diversiteti i tyre.

Në kopshtin e All-llahut nuk ka asnjë pemë tjetër që i afrohet, që mund të krahasohet me pemën e jetës ramaznore, sepse, ndonëse është një pemë, frytet e saja nuk janë të njëllojta, por pafundësisht të ndryshme dhe të shumëllojshme.

Ramazani është epiqendër për forcimin e fuqisë shpirtërore, psikike e morale në jetën e popullit e të individit... Ky na rikujton të vërtetën e qiejve dhe të tokës, na armatos me fuqi ngadhënjyese, na nxit ta duam lirinë, prej së cilës varet nderi dhe dinjiteti i njerëzimit. Ramazani, pra, na dhuron "të vërtetën", "fuqinë" dhe "lirinë" gjatë ditëve të urisë dhe etjes ... Kushdo që e kupton urtësinë dhe filozofinë e agjërimit, lufton me bindje të plotë për të vërtetën, ngadhënjen dhe arrinë qëllimin më fisnik të lirisë, përkatësisht refuzon nënshtrimin dh robërinë, (M.S., Filozofia e agjërimit, fq. 32).

Vetëm në pranverën e Ramazanit shpirti musliman kalitet dhe mpreh shkëlqimin e fisnikërisë vetjake në dritën e pastër të Fjalës së All-llahut, të asaj të njëjtës Fjalë që kaloi nëpër të gjitha periudhat e historisë së shenjtë dhe erdhi te i Dërguari i fundit tek Muhammedi (a.s.) në Ramazan, në natën e Kadrit.

Vetëm në natën e Ramazanit është nata e 27. Nata e dritës mbi dritat. Nata më e shndëritshme se çdo ditë, më e vlefshme se një mijë muaj, më e gjatë se çdo jetë njerëzore. Nata që bëri pajtimin e qiellit me tokën, Nata e fatit të botës dhe Nata e shkëlqimit të diturisë.

Vetëm në Ramazan nodh Bedri. Bedri i shpirtit tonë dhe trupit tonë, Bedri i së mirës dhe i së keqës, Bedri i së vërtetës dhe gënjeshtrës, Bedri i jetës dhe vdekjes, Bedri i lirisë dhe robërisë, (R. Hafizoviq).

Muaji Ramazanit, krijon një atmosferë shpirtërore kolektive. Të gjithë agjëruesit e ndiejnë se në këtë muaj po lind një jetë e re, një mënyrë tjetërndryshe e jetës. Këtë padyshim e mundëson elementi i parë dhe më i rëndësishëm i Ramazanit, e ai është agjërimi. Agjërimi është faktor i pazëvendësueshëm në edukimin e brezit të ri dhe në formimin e personalitetit të njeriut.

Pejgamberi (a.s.) thotë: "Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e Xhehennemit dhe pengohen shejtanët".

Ramazani është edhe muaji i zekatit e zekatu'l fitrit, muaji i flijimit të pasurisë në rrugën e All-llahut për të mirën e përgjithshme.

"Ata të cilët pasurinë e vet e shpenzojnë në rrugë të All-llahut i ngjajnë shembullit të një kokrre prej së cilës mbijnë shtatë kallinj, e në secilin kalli nga njëqind kokrra. All-llahu ia shumfishon kujt do Ai. All-llahu ka horizont të gjerë të dijes", (El-Bekare, 261).

Ramazani është muaji i teravi namazeve, ligjeratve e vazeve, qëndrueshmërisë, gadishmërisë e forcës. Muaji i dashurisë, vëllazërimit, unitetit e soladiretit: "O agjërues, mos e shuaj vetëm urinë dhe etjen tënde, por shuajë urinë dhe etjen edhe të tjerëve"! Ai është muaji i ibadeteve të shumta, muaji i Kur'anit, Lejletu'l-Bedrit e Lejletu'l-Kadrit. Muaji i ngjarjeve të rëndësishme nga historia islame, datëve të shënuara e përkujtimve të paharruara.

Në Ramazan, gjatë tërë historisë është intensifikuar lufta (beteja) për njeriun - për kurorën e të gjitha krijesave të Zotit (xh.sh.) në Tokë. Dhe kjo ndodhi që nga momenti kur Zoti i Lartësuar dërgoi Pejgamberin e parë në mesin e njerëzve - Ademin (a.s.). Ka të dhëna se Shpallja nga Zoti i Mëshirshëm u ka ardhur njerëzve pikërisht në këtë muaj dhe atëherë beteja për njeriun, për vlerat sublime të jetës njerëzore, është intensifikuar. Përveç suhufeve, të cilat Ibrahimi (a.s.), i pranoi në Ramazan dhe katër Librat e mëdhenj, gjithashtu, thotë hadithi, janë shpallur në Ramazan. Musau (a.s.) e mori Tevratin me 6 Ramazan, Davudi (a.s.), e pranoi Zeburin me 18 Ramazan, Isaut (a.s.) iu shpall Inxhili me 13 Ramazan, dhe në fund Pejgambeit të fundit në vargun e të dërguarëve - Muhammedit (a.s.) i erdhi Shpallja e parë në natën e Kadrit, që sipas shumicës së dijetarëve bie në natën e 27 të Ramazanit. (Glasnik, RIZ -BiH nr.1-3/ Sarajevë, 1995, fq. 4-5).

Të nderuar besimtarë! Vlera e muajit të Ramazanit, sikurse e thamë, qëndron në begatitë e tij dhe dobitë e tij të mëdha, mirëpo besimtari duhet ta dije se edhe shpërblimet për të janë të mëdha, madje më të mëdha se veprimet e njerëzve. Për të kuptuar shkallën e shpërblimit të agjërimit, po citoj disa hadithe të Muhammedit (a.s.): "Kush agjëron një ditë për hir të kënaqësisë së Zotit, All-llahu (xh.sh.) do t'ia mbrojë fytyrën e tij për 70 vjet nga zjarri i xhehennemit".

Ebu Hurejre transmeton hadithin në të cilin Muhammedi (a.s.) ka thënë: "Çdo punë të mirë të bijve të Ademit, Zoti (xh.sh.) e shpërblen dhjetëfish deri në 700 shkallë, përveç agjërimit. Për agjërimin ka shpërblim që s'mund të matet me asgjë, sepse agjërimi nuk mund të bëhet pa sabër, pa durim, All-llahu (xh.sh.) për durimtarët ka thënën: "Vetëm ata që janë të durueshëm (të qëndrueshëm) do të shpërblehen pamasë"", (Ez-Zuber: 10).

All-llahu (xh.sh.) në një hadith kudsijj thotë: "O djal i ri, o ti që frenon epshin tënd në emrin Tim dhe kalon rininë i nënshtruar ndaj Meje, ti në sytë e Mij je si meleku im".

All-llahu (xh.sh.) përsëri thotë: "Shpirti s'mund të dijë se çfarë kënaqësish të fshehta e presin atë. Ky është shpërblimi për atë çfarë keni punuar".

Konsiderohet se ky ajet është shpallur në lidhje me agjërimin, sepse All-llahu (xh.sh.) thotë: "Durimtarët do të shpërblehen pamasë", (Ez-Zumer: 10).

Të gjitha ibadet i takojnë All-llahut (xh.sh.), por agjërimi është krenar sikur Qabja. Çdo gjë në këtë botë ka një karakteristikë, karakteristika e agjërimit është abstenimi dhe sakrifica, ai është vepër e shpirtit, i fshehur nga shikimi publik, kurse veprat tjera të mira shihen. Askush, përveç All-llahut nuk e sheh agjërimin, sepse agjërimi është ibadet i fshehur në durim të sinqert.

Një gjë që duhet ta kemi të qartë si besimtarë, është, që agjërimi mund të jetë edhe dënim. I tillë është për ata që e kundërshtojnë këtë obligim dhe nuk e çojnë në vend urdhërin e All-llahut (xh.sh.). Dënimi është për armiqt e All-llahut, sepse rruga e shejtanit forcohet përmes imoralitetit, shfrenimit seksual dhe me ngrënie e pirje të tepruara, të cilat e ngarkojnë dhe e rëndojnë organizmin dhe e bëjnë të vështirë funksionimin normal të trurit e intelektit të njeriut. Pikërisht në këtë ka menduar Resulullahu kur ka thënë: "Shejtani lëviz në trupin e njeriut si gjaku në vena".

Drita e All-llahut nuk do të futet në trupin e atyre tek te cilët lëviz shejtani.

Koha e Ramazanit, pra, është koha e mendimeve të pastra dhe veprave të mira. Agjërimi në këtë muaj, e ngre jetën tonë individuale dhe kolektive në një shkallë më të lartë devotshmërie, butësie, dinjiteti e përgjegjësie. Agjërimi është gjendje e veçantë e shpirtit, ku forcohet rezistenca jonë përball sprovave të dynjasë dhe bëhet më i fuqishëm vullneti ynë për çdo gjë që është e mirë dhe e drejtë.

Që nga fillimi, muaji i Ramazanit i ka ofruar dhe i ofron njeriut përmirësim të veçantë shpirtëror. Ia mundëson të shikojë më mirë zanafillën e mëshirës së Zotit dhe të ndiejë më fuqishëm aromën e shpresës njerëzore, i ofron Fjalën e përjetshme të Zotit që ta çlirojë nga frika e vetmisë dhe ta shpjerë në botën dhe historinë e besimit e të shpresës së vërtetë.

Muaji i Ramazanit e fton njeriun në agjërim, i cili i ofron, që në shpirt më fuqishëm e në trup më qartë, të njohë dallimin mes kënaqësisë kalimtare dhe ngritjes së përjetshme.

Ramazani është një rast që t'i mbledhim forcat e seriozitetit tonë dhe nënshtrimit ndaj vlerave, të cilat gjithmonë e kanë bërë të shkëlqejë populli ynë: pastërtia e shpirtit dhe e trupit, gëzimi në fytyrë, sinqeriteti në zemër dhe vëndosmëria në rrugën e drejtë. Ky muaj, nuk është vetëm rast, por edhe obligim që tërë jetën tonë, si në aspektin shpirtëror ashtu edhe material, të përpiqemi ta harmonizojmë me parimet dhe frymën e Islamit, (Izbor Hutbi i Vazova, Sarajevë, 1979).



Autor: Mr. Muhidin AHMETI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...