Lindja e Muhammedit a.s., ndryshoi kahet e historisë



"Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë", (Es-Sebe', 28). "E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat", (Enbija, 107). "O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues. Dhe me urdhrin e All-llahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues", (El-Ahzab, 45-46).

Çdo njeri që lind në këtë botë shënon një histori në vete. Gjatë historisë bota pati mjaft reformatorë, predikues, mendimtarë, filozofë, poetë, sundues etj.. Të gjithë ata, në ndonjë mënyrë u munduan që të mbeten ndër më të njohurit në analet e historisë së njerëzimit. Pa dyshim, njerëzimi vazhdimisht kishte nevojë për ndonjë këshillues dhe udhëzues me moral të pastër hyjnor. Andaj, Krijuesi i botëve - All-llahu i Lartëmadhëruar njerëzimin nuk e la pa njerëz të zgjedhur, të cilët i quajti të Dërguar të All-llahut.

Të Dërguarit e All-llahut assesi nuk patën për qëllim që të radhiten në fletët e historisë ose në ndonjë enciklopedi të heronjve, sepse vetvetiu dhe vet misioni i tyre i shenjtë bëri që ata të mbeten në mbamendje të njerëzve. Ata ishin të programuar në atë mënyrë që të manifestojnë drejtësinë, besimin e çiltër dhe devotshmërinë e përsosur. Veprat e tyre, të cilat ishin nën vigjilencën e Krijuesit, bënë që për njerëzimin të jenë shenja të vërteta në rrugët e kësaj bote. Ata kishin mision Hyjnor, që ishin të urdhëruar për thirrje në Rrugën e Vërtetë. Ata nuk u orvatën që të ngritën mbi famë dhe lavd, sepse një gjest i atillë nuk i përket të dërguarve të All-llahut. Libri i fundit i Shpallur nga All-llahu - Kur'ani Fisnik, në mjaft vende flet për të Dërguarit nga All-llahu dhe na e bën me dije se të gjithë ata janë të Dërguar me një qëllim dhe me të njëjtën detyrë.

"... Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij ...", (Bekare, 285).

"Ata i përfshimë në mëshirën Tonë, se ishin vërtet prej të mirëve", (Enbija, 86).

Krijesa më e përsosur në këtë botë - Njeriu, pati nevojë për një udhëzim Hyjnor, për një këshillë Hyjnore. Ajo shenjë që do ta udhëzonte njeriun në labirintet e kësaj bote, medoemos të ishte i natyrës njerëzore, por me karakter dhe mision Qiellor. Krijuesi i Gjithësisë me Urtësinë e Tij të Pakufizuar zbuloi Mëshirën e Tij dhe përmes një të Dërguari vendosi që Njeriut t'ia shpallë Ligjin Hyjnor. Bartës i misionit të shenjtë Hyjnor ishte një njeri nga shkretëtirat e Mekkes. Ai quhej Muhammed (alejhisselam). Ai pati përgjegjësinë e trasmentimit të Fjalës së All-llahut deri te njerëzit. Misioni i tij profetik pati jehonë të madhe në këtë planetë të quajtur Tokë ... .

Vullneti i Krijuesit të Universit, si këshillues dhe udhëzues më të përpiktë dhe më korrekt e dërgoi njeriun i cili ndërroi kahen e historisë së njerëzimit. Ai ishte Muhammedi (alejhisselam), i biri i Abdullahut nga Mekkeja e ndershme. Se Muhammedi alejhisselam - i Dërguari i All-llahut, ishte i vetmi njeri i cili në histori u shënua si këshillues, udhëzues, reformator, burrështetas, humanist ... argumentoi koha, historiografia dhe historianët e ndryshëm botëror, muslimanë dhe ata jo muslimanë.

Qyteti ku u lind Muhammedi a.s. - Mekkeja, ishte pothuajse një qytezë mjaft e vogël. Atëbotë Arabia ishte një zonë e kapluar nga injoranca edhe atë më tepër se kudo tjetër. Vendet fqinje siç ishin Persia, Bizanti dhe Egjipti pothuajse zotëronin sadopak një fije të kulturës dhe qytetërimit. Për fat, Arabia mbeti jashtë çdo ndikimi të këtyre kulturave. Fuqitë e mëdha të atëhershme, siç ishin Persia dhe Bizanti nuk tregonin ndonjë interes të posaçëm për këtë pjesë të Arabisë, e kjo shkaktoi që ky Gadishull të mbetet pothuajse një enigmë ku ishte e zhvilluar vetëm tregtia dhe poezia... Nuk kishte shkolla e as biblioteka sikur ishin ato në Persi, Egjipt, Azi të Vogël etj..

Besimi i njerëzve, veçanërisht në Gadishullin Arabik ishte mjaft i çuditshëm. Në atë epokë, pothuajse krejtësisht të errët, njerëzit - veçanërisht në atë vend ku u paraqit Muhammedi alejhisselam - jetonin duke adhuruar idhuj të ndryshëm, e jo një Zot. Ata adhuronin idhujt të cilët i kishin ndërtuar me duart e tyre. Qabeja të cilën e kishte ngritur Ibrahimi a.s. me të birin Ismailin, që ishte në qendër të Mekkes, ishte shndërruar në vend ku adhuroheshin idhujt. Në brendinë e Qabes kishte më tepër se treqind e gjashtëdhjetë idhuj, ku për çdo ditë u ofronin edhe ushqim. Aty afër ishte edhe parlamenti i idhujtarëve i quajtur "Darun-nedve". Në këtë vendtubim paria e Mekkes bisedonte për fitimet e tregtisë, shitblerjen e robërve, recitonin poezi, madje arabët edhe ishin të njohur me poezitë e tyre mahnitëse. Sa i përket gjendjes sociale, numri më i madh i mekkasëve ishin të varfër, ndërsa aristokratët vazhdimisht bënin presion ndaj tyre, madje edhe mjaft e përdornin fajden. Idhujtarët thernin kafshë të ndryshme në emër të idhujve që i adhuronin. Bixhozi dhe falli e kishin kapluar pothuajse tërë atë popull. Ekspeditat plaçkitëse ishin pjesë e jetës së tyre. Arabët e asaj kohe kishin traditë t'i mbysin edhe vajzat e tyre, alkooli pihej më lehtë se uji, manipulimi me robërit ishte përditshmëri, ndërsa prostitucioni vepër shumë e përhapur... Gruaja, të cilën islami më vonë e quajti qenje e cila është shtyllë e familjes dhe e shoqërisë së shëndoshë, nuk gëzonte kurrfarë të drejte, ajo maltretohej pa masë. Burri kishte të drejtë që ta urdhërojë gruan e tij në punët amorale. Ajo nuk kishte të drejtë trashëgimie... Me një fjalë, në këtë Gadishull nuk kishte kurrfarë renditje administrative apo ligj. Aty mbisundonte kaosi dhe "ligji i shkretëtirës" e asgjë tjetër ... .

Arabët posedonin edhe disa karakteristika pozitive, siç ishin; trimëria, bujaria, mikpritja, mbajtja e fjalës së dhënë etj. Ndër karakteristikat më të vlefshme dijetarët e numërojnë respektimin e kontratës. Thuhet se arabët shumë rrallë e kanë thyer kontratën.

Kjo ishte panorama e Gadishullit të atëhershëm Arabik. Në këtë ambient të shëmtuar - ndërmjet këtyre njerëzve u dërgua Muhammedi a.s. si i Dërguar i fundit për njerëzimin.

Familja ku u lind Muhammedi a.s. ishte e varfër. Kryetari i fisit Kurejsh, njëri prej parisë së Mekkes, ishte Abdul Mutalibi i cili ishte i obliguar me detyrën e dhënies ujë vizitorëve të Qabes... Ndër dhjetë djem që kishte Abdul Mutalibi, Abdullahun e donte më shumë. Abdullahu (babai i Muhammedit a.s.) u martua në moshën njëzetvjeçare me vajzën e quajtur Emine, e bija e Vehbit prej fisit Benu Zehra të Mekkes. Pas ditës së martesës, sipas "traditës së shkretëtirës", Abdullahu qëndroi tre netë në shtëpinë e Emines, e më pas së bashku kaluan në shtëpinë e Abdullahut. Kaluan disa muaj së bashku, e më pas Abdullahu u detyrua që për shkaqe tregtare të udhëtojë deri në Siri. Atë kohë Emineja, e bija e Vehbit ishte shtatzëne. Abdullahu shkoi në Siri, e askush nuk dinte nga ata se ai më nuk do të kthehet. Gjatë kthimit nga Siria për në Mekkë, Abdullahu, i biri i Abdul Mutalibit (babai i Muhammedit a.s.), diku në afërsi të Medines u sëmur e më pas edhe ndërroi jetë. Vdekja e Abdullahut ndodhi afër tre muaj para se të lind i biri i tij, Muhammedi a.s..

Lajmi për vdekjen e Abdullahut ishte mjaft i rëndë, sidomos për Eminen e ndershme. Në këto momente të pikëllimit, Abdul Mutalibi e qetësonte Eminen duke i thënë: "Oj Emine, mos u pikëllo, ndoshta Zoti do të gëzojë me ndonjë djalë". Pas një kohe të shkurtër (afër tre muaj), Emineja lindi djalë. Ajo ishte nata e hënë, pikërisht disa orë para se të lindë dielli i ditës së hënë, 20 Prill të vitit 571 ose më 12 Rebiul evvel pesëdhjetë e dy vite para hixhrit. (Hixhrijj është kalendari lunar - hënor islamik sipas së cilës muslimanët filluan ta llogarisnin kohën, ky kalendar filloi të përdoret pak vite pasi që Muhammedi a.s. ndërroi jetë).

Lindja e Muhammedit alejhisselam (shpëtimi dhe paqja qoftë mbi të) ndodhi pikërisht në vitin e parë të ngjarjes me "elefantin". Këtë ngjarje arabët e shënuan si ditë të rëndësishme historike. Këtë vit arabët e quajtën "Viti i elefantit" dhe që nga kjo ngjarje arabët filluan t'i llogarisnin edhe vitet. Historia tregon se mëkëmbësi i sundimtarit të Abesinisë në Jemen quhej Ebreha. Ai ishte zullumqar i madh i krishterë, prandaj dëshiroi që vizitorët të vizitojnë kishën e madhe që ai e kishte ndërtuar në Sana (Jemen), e jo Qaben në Mekkë. Nga ky fanatizëm, Ebreha organizoi ushtrinë e tij prej gjashtëdhjetë mijë ushtarësh dhe me 13 elefantë të mëdhenj me qëllim që ta rrënojë Qaben në Mekkë. Kur arrjinë në vendin e quajtur Muheser, ndërmjet Muzdelifes dhe Minnes, elefantët ndalen dhe nuk kishin mundur të shkojnë më tutje. Në këto momente All-llahu dërgoi një tufë shumë të madhe zogjsh të cilët kishin pamje të çuditshme. Çdonjëri nga ata mbante nga tre gurë, një në sqep e dy në kthetra. Ata gjuajtën gurë ose pjesë nga balta e pjekur mbi ushtarët dhe elefantët e Ebrehas. Numri më i madh i tyre mbeti aty për aty, u shkapërderdhën sikurse gjethet e brejtura nga krimbat, ndërsa të tjerët ikën sikurse edhe Ebreha. Duke ikur rrugës, numri më i madh i ushtarëve u rraskapitën dhe vdiqën në shkretëtirë, ndërsa Ebreha u sëmur rëndë sa që i ranë edhe majet e gishtërinjve, e pasi që mbërriti në Sana vdiq i turpëruar e i poshtëruar.

Kjo ngjarje ndodhi pesëdhjetë e pesë ditë para lindjes së Muhammedit alejhisselam, që i përgjigjet fundit të shkurtit ose filimit të marsit të vitit 571 miladijj.

Pa dyshim, kjo mbrojtje dhe kjo dhuratë ishte nga All-llahu, i cili këtë ngjarje ia kumtoi (në Kur'anin Fisnik) edhe Muhammedit a.s. shumë vite më vonë, pra gjatë profetësisë - misionit pejgamberik të tij.

Nuk është për t'u habitur përse All-llahu i Lartëmadhëruar e shpëtoi këtë vend nga rrënimi, kur është e njohur se nga ky qytet lindi njeriu më i besueshmi El-Emin - i Dërguari i fundit i All-llahut, Muhammedi a.s., i biri i Abdullahut. Pra ky ishte ai vit i rëndësishëm kur edhe lindi i Dërguari alejhisselam.

Dijetarët, si Ibën Sa'adi dhe Ahmedi, transmetojnë se nëna e Muhammedit a.s. ka thënë: "Kur e kam lindur Muhammedin, bashkë me të kam lindur edhe një dritë të madhe nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit". Poashtu tregohet se në momentet kur lindi Muhammedi a.s. kanë ndodhur edhe disa ngjarje shumë të çuditshme në botë, pa dyshim ato kanë qenë parashenja të vërteta të cilat paralajmëronin ardhjen e profetit të fundit.

Ndër ato ngjarje numërohen:

- Janë shembur katërmbëdhjetë pyrgje nga kështjella e Ktesifonit në Persi,
- është shuar zjarri të cilin shekuj me radhë e kanë adhuruar persianët në Persi,
- janë rrënuar kishat rreth liqenit Savit pasi që ishte tharë edhe liqeni etj..

Emineja e gëzuar nuk kishte dhimbje gjatë lindjes (kjo ishte një nga shenjat se është duke u lindur kolosi më i madh në historinë e njerëzimit), ajo bënte lutje dhe ishte e qetë... Natën që do të lindte, Emineja pa një ëndërr: një engjull që e porositi që djalit të lindur t'ia lë emrin Muhammed (i Lavdëruar). Sikur ta dinin njerëzit e asaj kohe se kush erdhi atë natë në këtë botë, me siguri ajo natë do të ishte më e gëzuara dhe më festivja. Me siguri njerëzimi do të përgatiste ushqim për të gjithë të varfëritë, e ndoshta do t'i lironin edhe të gjithë robërit. Ndoshta që atë natë do t'i thyenin idhujt ... Por, këtë bota e kuptoi më vonë, në të vërtetë kuptoi se kush ishte lindur atë natë. Po, ende vazhdon të kuptojë se në të vërtetë kush u lind atë natë. Për këtë e ka të qartë sot edhe Evropa, Lindja dhe Perëndimi ... .

Atë ditë në mëngjesin e freskët të së hënës mekkase, robëresha e Abdul Mutalibit, abesinaseja e cila quhej Berket (me ofiqin e quajtur Ummu Ejmen), me vrap shkoi pranë Qabes dhe Abdul Mutalibit ia tregoi lajmin e gëzuar - që Emineja lindi djalë. Ky me gëzim të madh shkoi në shtëpi, e kur e pa Eminen me foshnjen në duar i tha: "Urime djalin! Zoti na dëshpëroi me vdekjen e Abdullahut, por sot na gëzoi me lindjen e djalit". Vëllau i Abdullahut, Ebu Lehebi për këtë kuptoi nga robëresha e tij Thuvejbe. Ai në shenjë gëzimi robëreshën e tij Thuvejben, e shpërbleu duke e liruar nga robëria.

Kështu pra foshnjën e emërtuan me emrin Muhammed ... Lindja e Muhammedit a.s. shënoi një kthim pozitiv historik në historinë botërore, gjë për të cilën shkruan edhe mjaft historianë, filozofë dhe orientalistë jomuslimanë botërorë.

Pa dyshim, librat e shpallura të të Dërguarëve të mëparshëm, siç ishin Tevrati, Inxhili (Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re etj.) paralajmëruan ardhjen e një të dërguari me emrin "I Lavdëruar" (Ahmed ose Muhammed). Për këtë tregon edhe Kur'ani Fisnik.

Është me rëndësi të përmendet rasti kur Muhammedi a.s. me ungjin e tij Ebu Talibin për punë tregtie shkoi për në Sham, atëherë Muhammedi a.s. i kishte dymbëdhjetë vjet, dy muaj e dhjetë ditë. Gjatë udhëtimit u ndalën në Busra (qytet në Siri) për të pushuar. Busra ishte një vend i rëndësishëm tregtarësh dhe kryeqytet i viseve arabe që ishin nën sundimin romak. Aty diku afër qëlloi një prift i krishterë që e quanin Behira (ndërsa emri i tij i vërtetë ishte Xherxhiz). Kur karvani arriti në qytet, prifti e vërejti atë dhe menjëherë iu parafytyrua një pamje e bukur. Me këtë atij iu përkujtuan shenjat e një të Dërguari të fundit që ishte i paralajmëruar në Librat e shenjta të mëparshme (Tevrat dhe në Inxhil). Posa mbërritën, prifti Behira e mori Muhammedin e ri për dore dhe tha: "Ky do të jetë i Dërguari i fundit për tërë botën". Ebu Talibi - axha (i ungji) i tij tha: "Si e dini këtë"? Prifti u përgjigj: "Kur vështronit nga Aka'beja, nuk mbeti asnjë gurë, as bimë, as lis pa bërë përulje (sexhde), e ato nuk i bëjnë sexhde askujt përveç një Profeti. Unë e njoha këtë sipas vulës, shenjës që gjendet në shpatullën e këtij djaloshi. Unë për këtë kam lexuar në librat tona".

Pas kësaj bisede e urdhëroi Ebu Talibin që sa më parë të largohet nga Shami me qëllim që mos ta gjejë ndonjë e keqe nga hebrenjtë.

Poashtu historia shënoi edhe shkuarjen e dytë të Muhammedit a.s. në Sham, por kësaj radhe ishte burrë njëzet e pesë vjeçar i cili e udhëhoqi karvanin e Hatixhes për tregti në Siri. Kësaj radhe kur mbërriti në Siri - në qytetin Busra, Muhammedi a.s. u ul të pushojë nën hijen e një druri ku në afërsi ishte një manastir. Një prift me emrin Nestura e vërejti djaloshin e ri nga Mekkeja. Me qëllim që të informohet sa më afër, iu afrua shërbëtores së karvanit të Hatixhesë, e cila kishte ardhur së bashku me Muhammedin a.s. e që e kishte emrin Mejsere dhe e pyeti: "Kush është ai burrë nën hijen e atij druri"? Mejserja iu përgjigj se ai është Muhammedi nga Mekkeja i cili e udhëheq karvanin e Hatixhesë. Prifti i krishterë Nestura i tha: "Nuk është ndalur kush nën hijen e këtij druri pas Isaut a.s. sepse aty kanë qëndruar vetëm të dërguarit e All-llahut"! Më pas Nestura vazhdoi me pyetjet: "Ky burrë a mos i ka sytë të kuqërremtë"? Mejserja iu përgjigj: "Po". Atëherë Nestura tha duke thirrur: "Ai është i dërguari i fundit! Ah sikur të jetoj deri sa t'i shpallet profetësia!".

Ekzistojnë shumë raste ku vet të krishterët dhe hebrenjtë kur e kanë vërejtur djaloshin e ri nga Mekkeja - i quajtur Muhammed (a.s.), kanë njohur shenjat e profetësisë që i kanë lexuar më herët në Librat e shenjta ose që i kanë dëgjuar nga priftërinjtë e tyre. Për këto njohuri më vonë tregoi edhe Kur'ani Fisnik që iu shpall të Dërguarit Muhammed a.s..

Kur'ani rrëfen:

"Atyre që u kemi dhënë librin, ata e njohin atë (Muhammedin) siç i njohin bijtë e vet, e një grup pre tyre edhe pse e dinë këtë, janë duke e fshehur të vërtetën", (Bekare, 146).

Ekzistojnë edhe mjaft argumente tjera nga Librat e mëparshëm siç janë Bibla dhe shkrimet e religjionit "pharsi", (farsi) si dhe ato të Lindjes së Largët. Këtu do të theksojmë vetëm disa nga ato paralajmërime.

Për shembull:

"O popull, dëgjoni me vëmendje! Njeriu i Lavdëruar (Muhammed) do të ngritët nga popujt ...", (Atharva Veda, Kanda 20, Sukta 127, Mantra 1-3).

Ithtarët e religjionit parsi posedojnë dy lloje të librave të tyre të shenjtë, ato janë: "Dasatir" dhe "Zend Avestu", të cilat edhe quhen Dhiata e Vjetër dhe ajo e Re e religjionit parsi. Në "Dasatir" nën numrin 14, jo vetëm që paralajmërohet besimi islam, por edhe në mënyrë të qartë paralajmëron edhe ardhjen (lindjen) e një të Dërguari me emër Muhammed a.s.).

Aty shkruan:

"Në kohën kur persianët do ta humbin moralin, në Arabi do të lind një njeri, që ithtarët e të cilit do ta rrënojnë fronin, religjionin dhe çdo gjë të tyre. Të fortit e Persisë do të munden. Shtëpia e cila është ndërtuar (mendohet për Qaben) në të cilën janë vendosur shumë idhuj, do të pastrohet, ndërsa njerëzit do të luten të kthyer me fytyrë kah ajo. Ithtarët e tij do t'i marrin qytetet Parsis, Taus dhe Balkh, si dhe shumë qytete tjera përreth. Njerëzit e mençur të Persisë si dhe shumë të tjerë do t'u bashkëngjiten ithtarëve të tij", (Dasatir, 14)

Poashtu në Bibël ekziston: "Goja e tij është më e ëmbla; po, ai është Muhammedi (në tekstin origjinal Mahamadim), më i dashuri. Ai është i dashuri im, ai është shoku im. O bija të Jerusalemit", (Kënga mbi këngët, V, 16).

Si dhe në: Besëlidhjen e ripërtërirë; 33, Zanafilla; 17, 20 dhe 49, 10, Psalmet, 45, Jeshaja 42, 54, 65, Danieli, 2 etj..

Këto ishin vetëm disa nga paralajmërimet që gjenden në shumë Libra religjioze të vjetra e që ende kanë mbetur gjurmë nga e vërteta, në këtë rast për lindjen e Muhammedit a.s. Ne nuk kemi për qëllim të shkoqisim këtë tematikë, sepse kjo është pothuajse një lëndë e veçantë për të cilën do të duhej të shkruhej shumë më tepër.

Edhe pse lindja e Muhammedit ishte paralajmëruar që në kohët më të vjetra, All-llahu nëpërmjet Kur'anit Fisnik e urdhëronte:

"Thuaj: Unë jam vetëm njeri, sikurse ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askë", (Kehf, 110).

Lindja e njeriut më të shquar në historinë e njerëzimit qenka paralajmëruar që më herët, e disa njerëz nga xhelozia dëshironin që t'ia mbulojnë dëshmitë e qarta. Mirëpo Ai i cili e kishte dërguar si profet (si i Dërguar) i të gjithë gjinisë njerëzore, garantoi se i Dërguari i Tij do të gjendet vazhdimisht nën mbrojtjen e Tij (nën mbrojtjen e All-llahut).

Me ardhjen e Muhammedit a.s. në këtë botë u ndryshuan shumë gjëra, gjë që për të cilat i theksuam edhe më lartë. Muhammedi a.s. ishte drita që erdhi ta ndriçojë këtë Tokë, sepse erdhi me ligje, urdhra, këshilla, porosi etj. Të gjitha këto nuk i bënte nga hamendja, sepse një gjë të këtillë vetë Kur'ani Fisnik ia kishte ndaluar, por All-llahu e urdhëroi që ai të bëhet bartës i misionit profetik - i Dërguar i fundit. Ai paraqet (në të kaluarën edhe sot) dritë, rrezet e të cilit i nevojiten njerëzimit. Për këtë pohuan mjaft dijetarë jomuslimanë, ndër ta edhe filozofi Bernard Sho, Tomas Karlajl, Bertrand Rassell, Tolstoj, Majkëll Hart (në librin "Njëqind më me ndikim në histori"), Gëte dhe shumë të tjerë. Të gjithë këta shprehën fjalë miradie për Muhammedin alejhisselam dhe Fenë Islame. Ekzistojnë shumë nga ata që e studiuan jetën e tij dhe më në fund e pranuan edhe Islamin si fe të tyre.

Oto von Bizmarku kishte thënë: "O Muhammed, më vjen shumë keq që nuk kam qenë bashkëkohanik i yti". Ndërsa në Enciklopedinë Britanike nën titullin "Kur'an", shkruan: "Muhammedi është i Dërguari më i suksesshëm nga të gjithë Të dërguarit dhe nga të gjitha personalitetet". Ishte dëshira e All-llahut Fuqiplotë që Muhammedi alejhisselam të jetë komentues dhe transmetues i drejtpërdrejtë i Kur'anit Famëlartë - i të vërtetave dhe synimeve të tij, ta zbatojë kuptimin e dome-thënieve të tij (Kur'anit) në jetën praktike. Këtë e mësojmë edhe nga përgjigjja e njohur e nënës së besimta-rëve - Aishes r.a. në pyetjen për moralin e Muhammedit a.s., ku ajo tregon dhe thotë se: "Karakteri i tij ishte Kur'ani, ai ishte Kur'ani i cili ecte mbi tokë". Pra, All-llahu më së miri e njeh atë që vet e krijoi, Ai e di se nëpërmjet personalitetit të tij fisnik, njerëzit do të sho-hin përkthimin e gjallë dhe praktik të domethënieve të Kur'anit.

Muhammedi alejhisselam gjatë 23 viteve të misionit të tij, formoi një bashkësi të pastër, pjesëtarët e së cilës u bënë personalitete të dalluara. Pa dyshim, gjatë veprimtarisë së tij, është formuar gjenerata e cila në historinë njerëzore u dallua si gjeneratë më e përmendur dhe më e lavdëruar. Këta njerëz u edukuan nën hijen e porosive madhësh-tore dhe mësimeve të pastra të edukatorit më të përpiktë dhe më të dashur që ishte drita e njerëzimit. Ai nuk e mbante veten lart, sepse ashtu e kishte edukuar All-llahu.

Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se në një rast një njeri erdhi te i Dërguari a.s. dhe dëshiroi që t'ia puthte dorën, kurse ai e tërhoqi dorën menjëherë duke thënë: "Ashtu veprojnë persianët ndaj mbretërve të tyre, e unë nuk jam mbret. Unë jam si ju, vë-lla dhe bashkëqyte-tar i juaj".

Dihet se i mençuri dhe Besniku (El-Emin), siç e quanin Muhammedin a.s. para shpalljes së Kur'anit, jetoi dyzet vjet si njeri i rëndomtë në mesin e arabëve. Ai gjatë tërë asaj periudhe nuk ishte i njohur si ndonjë predikues, lider, poet, e as si orator ose shtetar. Gjatë asaj periudhe askush nuk e kishte dëgjuar duke shprehur margaritarë të urtësisë, të diturisë, të drej-tësisë ose të etikës. Nuk ka diskutuar asnjëherë për nor-mat teologjike ose për ato pedagogjike. Në kohën kur filloi ta predikojë misionin hyjnor, të gjithë ishin habitur me fjalorin dhe shkathtësinë e tij të përsosur oratorike. Tanimë ai ishte i Dërguar i All-llahut... Njerëzimit ai ua mësoi parimet e jetës, ndërroi mënyrën e të menduarit të tyre, i edukoi në frymën burimore islame, beduinët e shkretëtirës i shndë-rroi në njerëz të kulturës dhe qytetërimit. Por, duhet thek-suar se gjithë këtë nuk e arriti nëpërmjet dhunës e forcës. Forca e tij ishte karakteri kur'anor. Ai me të gjitha këto veti që i posedonte, la ndikim të pashlyer në zemrat dhe në shpirtrat e sahabëve të tij. Njerëzimi - si ata bashkëkohanikët e tij si dhe të gjithë njerëzit tjerë - në personali-tetin e tij vërejnë njeriun në të cilin ishin gërshetuar të gjitha mirësitë. Vërejtën dritën shpirtërore dhe udhëheqësin e mbarë njerëzimit për të gjitha epokat. Vërejtën mësuesin e urtësisë dhe të moralit. Njeriun të cilin e tronditin vuajtjet e njerëzve dhe mezi pret që t'i shpëtojë dhe t'i nxjerrë në rrugë të drejtë. Ky ishte ai që All-llahu e kishte edukuar me Kur'an.

Në një rast tha:

"Mua më edukoi All-llahu dhe Ai e përsosi edukatën time".

Njeriun që e edukoi All-llahu Fuqiplotë - Krijuesi i Universit, doemos të jetë edhe edukator i mbarë njerëzimit. Kjo është kështu, sepse vetë lindja e tij që në ditët e para filloi ta edukojë botën. A nuk është kështu? A nuk e liroi Ebu Lehebi robëreshën e tij? A nuk shihnin njerëzit tek ai virtyte të larta dhe të pastra njerëzore, edhe atë që në moshën rinore të tij? A nuk e respektonin të gjithë duke ia dhënë atributin pozitiv që e quajtën El-Emin (Besnik)? Gjithë kjo edukatë e tij a nuk ndikoi te të tjerët që në periudhën kur Mekkeja dhe e tërë Gadishulli Arabik ende gjendej në injorancë?

Po, ai ishte dhe do të mbetet edukatori dhe mësuesi i ynë dhe i të gjitha gjeneratave. Pra, lindja e Muhammedit a.s. paraqiti një revolucion të pastër shpirtërorë. Me ate bota e ndërroi kursin e besimit, u orientua drejt dritës dhe besimit që e predikoi vet Muhammedi a.s. me urdhrin e All-llahut.

"Ai që ia shpalli Furkanin (Kur'anin, dallues të së vërtetës nga e pavërteta) robit të vet (Muhammedit) që të bëhet pejgamber i botës (këshillues), është i madhëru-ar", (El-Furkan, 1).



Autor: Behxhet Jashari

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...