Hixhreti - ngjarje më thelbësore e Islamit



"Ata të cilët besojnë, emigrojnë dhe luftojnë në rrugën e Allahut, edhe ata që japin strehim dhe ndihmojnë, ata janë me siguri besimtarë të vërtetë. Për ata ka falje dhe shpërblim fisnik", (El-Enfal, 74).

Të dashur besimtarë, motra e vëllezër!

Institucioni ynë organizoi një event për të shënuar dhe për ta madhëruar një nga ngjarjet më thelbësore të Islamit - Hixhretin! Në vitin 622 muslimanët e parë, të udhëhequr nga Pejgamberi s.a.v.s. Muhamedi a.s., do të shpërngulen nga Meka në Medine për të shpëtuar nga perndjekjet dhe keqtrajtimet që po i ushtronin mbi ta banorët e Mekes. Kjo tërheqje taktike do të shënojë Vitin e Ri të myslimanëve. Pra, myslimanët anekënd botës festojnë Vitin e Ri. Nga shpirti ua shpreh urimet e mia më të përzemërta, duke e lutur Allahun Fuqiplotë për paqe, dashuri e mbarësi.

Jemi dëshmitarë të kolonave të gjata me pleq, gra e fëmijë myslimanë që po ikin nga atdheu i tyre i përfshirë nga luftërat e pakuptimta. Sipas statistikave zyrtare, nëpër botë, për pak paqe e qetësi po bredhin mbi 14 milion refugjatë myslimanë, prej të cilëve, vetëm nga Siria janë rreth 4 milion! A është edhe ky migrim hixhret? Ata po i lënë vatrat e tyre dhe, me një çantë shpinës po ia mësyjnë botës këmbë! Nuk duan të përfshihen dhe të jenë viktimë e luftërave që bëhen vetëm për interesa të ngushta. Aty nuk vdiset as për islam e as për vatan. Prandaj, kjo ikje e madhe e tyre duhet të jetë "hixhret". Jo vetëm që mos të biesh viktimë por, edhe t'i shmangesh kontribuimit për ta shtuar zullumin dhe të keqen, gjithësesi që është hixhret!

Natyrisht, Hixhreti i myslimanëve të parë pati tjetër qëllim dhe tjetër synim. Ata nuk ikën vetëm pse po sulmoheshin, ata ikën se kishin misionin e shenjtë: "po hidheshin bazat e një feje të re, një civilizim i ri po lindte mu në çastet kur në shoqërinë e atëhershme kishte degraduar gjithçka deri në nivele kafshërore, po ngritej një sistem i ri shoqëror i cili po i jepte formë dhe kuptim respektit, dashurisë, harmonisë".

Hixhreti mundësoi ruajtjen e atij komuniteti të vogël i cili tashmë i kishte ingjizur në tru parimet fillestare të një feje të re për mbarë njerëzimin. Hixhreti në fakt mbrojti embrionin e fesë së re e cila do të shndërrohej në mburojë të pathyeshme për të gjithë ata që do të mbroheshin nga e keqja në çdo vend e në çdo kohë. Hixhreti shënon fillimin e një epoke të re në të cilën do të aktivizoheshin të gjitha mekanizmat e zhvillimit dhe të progresit, të ndartjes së shëmtisë nga e bukura, të së keqes nga e mira, të së mbarës nga shkatërrimi. Thjesht, përmes hixhretit do të shihet praktikisht se si devotshmëria fare lehtë mund të ngadhnjejë mbi të gjitha strategjitë e mbrapshta të shkatërrimit e të devijimeve të ndryshme shoqërore.

Hixhreti nuk ndodhi sa për të ikur nga një torturë apo keqtrajtim por, ndodhi sepse, mendja e njerëzimit kishte nevojë për dritë, shpirti i njerëzimit kishte nevojë për përgëdhelje, trupi i njeriut kishte nevojë për disiplinë. Sot, hixhretin duhet përkujtuar si çastin kur fanari zhduk errësirën absolute.

Paralelisht me dimensionin hyjnor Pejgamberi s.a.v.s. Muhamedi a.s. nocionin e hixhrfetit e zgjeroi edhe me dimensionin njerëzor. Sipas tij, edhe ikja nga e keqja, nga e pamoralshmja, nga e pandershmja, edhe ikja nga epshet, nga tundimet, nga smira, xhelozia, pra edhe kjo lloj ikje është emigrim. Muhamedi a.s. thoshte: "Muhaxhir (emigrant) është kushdo që braktis çdo gjë që e ka ndaluar Allahu dhe përqafon atë që ka urdhëruar Ai".

Kjo ishte motoja e pasuesve të parë të Pejgamberit s.a.v.s., natyrisht, ishte sfiduese, e kushtueshme, me gjak e me djersë, me shpirt e me të mira material porse, këta ishin të vendosur për t'u bërë shembull i bartjes dhe i realizimit të porosive të shenjta që shpalleshin nga Allahu Fuqiplotë. Ishin të durueshëm e vetëmohues, të pathyeshëm dhe besnikë, prandaj dhe Allahu xh.sh. thotë në Kuranin Madhështor: "Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve, dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim, edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!", (Et-Teube, 100).

Pra, besimtarë të dashur, edhe hixhreti shpirtëror është fitore madheshtore, sepse, të ikësh nga e keqja dhe të pranosh dhe të zbatosh me shpirt atë që e ka porositur Allhu xh.sh. do të thotë të jeshë rrugës së Pejgamberit s.a.v.s. duke ndjekur gjurmët e shenjta të pasuesve të tij, të atyreve që e pranuan hixhretin duke sakrifikuar gjithçka.

Hixhreti ynë, sot, duke kaluar nga ky vit në vitin e ri hixhri, duhet të karakterizohet me ripërtëritjen e forcave tona për ta mundur të keqen, për ta ndryshur tundimin kah e ndaluara dhe për të hapëruar drejt atij qëllimi që na e garanton kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë, që na bën me po atë shpirt dhe shkëlqim që e patën pasuesit e parë të Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s.. Të jeni të sigurtë se, hapërimi ynë drejt këtij qëllimi na e forcon besimin tonë por edhe përkushtimin tonë për të qenë sa më të mirë e sa më të devotshëm, për të dhënë shembullin e njeriut ideal, kurse me këtë nderojmë veten, nderojmë fenë, nderojmë kombin të cilit i përkasim.

Zoti ju bekoftë dhe qoftë i kënaqur me ju.

Nga zemra e me gjithë shpirt ju uroj Gëzuar Vitin e Ri Hixhri. Shëndet, suksese e mbarësi.



Autor: Sulejman ef. REXHEPI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...