A lejohet përdorimi i tespihëve



Nga Sa'd ibn Ebi Vekkasi transmetohet: "Se ai dhe Pejgamberi i Zotit kanë hyrë te një grua kurse në duart e saj kishte thelpinj apo guralec me të cilët bënte tespih. Në këtë Pejgamberi ka thënë: "Do të njoftoj për atë që është më e lehtë dhe më e mirë për ty nga kjo": "Subhanallah me numrin e krijesave të tij në tokë, subhanallah me numrin e krijesave të tij në qiej, subhanallah me numrin e asaj që është ndërmjet tyre, subhanallah me numrin e tërë asaj që Ai është krijues, dhe el-hamdu li'l-lah gjithashtu, dhe Allahu ekber gjithashtu dhe La ilahe il-lall-llah gjithashtu dhe la havle ve la kuvvete il-la bil-lah gjithashtu"". [1]

Mulla Ali El-Kariu në komentin e hadithit të Sa'dit thotë: "Kjo është baza themelore për lejimin e tespihëve sepse Pejgamberi a.s. ia ka konfirmuar tespihët asaj femre kurse nuk ka dallim ndërmjet atij të varguar apo të shtrirë dhe nuk merret ligjërimi i atyre të cilët thonë se është bid'at". [2]

Nga Ibn Omeri transmetohet se ka thënë: "E kam parë Pejgamberin e Zotit se si ka bërë tespih (ja'kudu tesbih)". [3] - (Ebu Davudi ka shtuar) "me të djathtën e tij". [4]

Nga Safiju transmetohet: "Ka hyrë te unë Pejgamberi i Zotit kurse në duart e mia ka pasur katër mijë thelpinj të cilët më shërbenin si tespih. Ai më tha: "Me këto ke bërë tespih"? "A dëshiron të të mësoj se si ta zmadhosh numrin e dhikrit tënd"? Më mëso - i thashë. Ai më tha: "Thuaj: Subhanall-llah me numrin e atij që Ai e ka krijuar"". [5]

Nga Ebu Hurejre transmetohet: "Se ai ka pasur pe (litar) në të cilin ka pasur njëmijë nyje dhe se nuk ka fjetur deri sa nuk i ka bërë tespih me numrin e nyjeve". [6]

Nga El-Kasim ibn Abdurrahmani transmetohet se ka thënë: "Ebu Derdaja ka pasur thelpinj nga hurma në qese dhe kur e falte sabahun i nxirrte një nga një nga qesja dhe bënte tespih deri sa nuk i konsumonte". [7]

Ibn Sa'di shënon nga Ebu Hurejre se: "ai ka bërë dhikr me thelpinj të larmë". [8]

Ibn Ebi Shejbe shënon: "Ebu Seid El-Hudrijj ka bërë dhikr me guralec". [9]

Transmetohet se: "Ebu Safijit, as'habit të Pejgamberit, ia sillnin shtrojën prej lëkure në të cilën ishin guralecët dhe bënte dhikr me ta deri në gjysmë të ditës, pastaj e ngrinin deri sa nuk falej, dhe pastaj sërish e kthenin dhe bënte dhikr deri sa nuk binte terri". [10]

Prej Shejhut nga Tufaveti transmetohet: "Isha mysafir te Ebu Hurejre në Medinë, kurse nuk e kam parë askënd nga Shokët e Pejgamberit të Allahut se është më i shpejti për mysafirin se ai. Deri sa isha tek ai, një ditë, ishte i ulur në karrige kurse me të ishte qesja me thelpinj kurse nën të robëresha e zezë, dhe bënte tespih me këta thelbinjë deri sa nuk i konsumonte të gjitha që gjendeshin në qese, pastaj ia hidhte qesen robëreshës kurse ajo i tubonte thelpinj dhe i kthente ato në qese dhe sërish ia jepte". [11]

Es-Sujutiu thotë në Minhat Subha: "Ahmedi shënon në Zuhd nga Ubejdi, nga nëna e tij, se ka thënë: "E kam parë Ebu Safijin, as'habin e Pejgamberit të Zotit, i cili ishte fqinji jonë, duke bërë tespih me guralec"". [12]

Ibn Sa'di shënon nga Hakemi: "Sa'd ibn Ebi Vekasi ka bërë tespih me guralec". [13]

Ibn Ebi Shejbe shënon: "Sa'di ka bërë dhikr me guralec dhe thelpinj". [14]

Ebu Nu'ajmi shënon nga Nu'ajm ibn'ul-Muharreri, nga gjyshi i tij Ebu Hurejre se: "ai ka pasur litar me dy mijë nyje dhe kurrë nuk flinte deri sa nuk bënte dhikr me ta". [15]

Nga Fatime bintu Husejn transmetohet se: "ajo ka bërë tespih me litar me nyje". [16]

Ed-Dejlemii shënon në Musned'ul-Firdevs nga Aliu r.a. se: "Pejgamberi i Allahut a.s. ka thënë: "Përkujtues i mirë është tespihu"". [17]

Tespihu ishte i njohur në kohën e as'habëve. Imam Muhammed Abdulhajj El-Lekneviu transmeton me senedin e tij nga Hasan El-Basriu, i cili ka jetuar në kohën e as'habëve, se ai ka pasur tespih dhe ua ka dhuruar të tjerëve, duke thënë: Më ka autorizuar babai im, përkushtimin e të cilit ndaj tepihëve e kam parë, i cili ka thënë: Të autorizoj me atë me çka më ka autorizuar Shejh Abdulganijj Ed-Dihlevij, autori i veprës Inxhah'ul-Haxhe bi sherhi Suneni Ibn Maxhe, 1280 h., në Medinë, kam parë tespihët në dorën e tij dhe më ka thënë: "Të autorizoj me atë me çka më ka lejuar ta transmetoj e të cilën Abid Es-Sinedi e ka përmendur në Hisr'ush-sharid, duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Jusuf ibn Muhammed ibn Alauddin El-Mizxhaxhiut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Muhammed Hajat Es-Sinediut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Muhammed ibn Alauddin El-Babiliut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebu Nexha Salim ibn Muhammed Es-Senhurit, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh En-Nexhm Muhammed ibn Ahmed Ibn'ul-Gajtit, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh'ul-islam Zekerija El-Ensariut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Hafidh Ibn Haxher El-Askalaniut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Mexhduddin Ja'kub El- Fejruzabadiut, autorit të El-Kamusit dhe më ka autorizuar shejh Ahmed ibn Zejni Dahlan, duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Osman ibnush-Shejh Hasen Ed-Dimjatiut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Muhammed El-Emirit, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Shihabuddin Ahmed El-Xhevheriut dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Abdullah ibn Salim El-Bari El-Mekkiut dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Muhammed Sulejman El Magribija, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebu Osman El-Xhezairiut dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebu Osman El-Mukri'iut: Kam parë tespihët në dorën e shejh Sejjid Ahmed Haxhiut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: "Kam parë tespihët në dorën e shejh Sejjid Ibrahimit, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebul Fet'h El Meragiut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebu'l-Abas Ahmed ibn Ebi Bekr Er- Revvadit, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Mexhduddin El-Fejruzabadiut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Xhemaluddin Jusuf ibn Muhammedit, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Tekijjuddin Ibn Ebis Sena Muhammed ibn Aliut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Muhjuddin Abd'us-Samed ibn Ebil Hasen El Mukri'iut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebul Hasen El-Mukri'iut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebul Fadl Muhammed ibn Nasirit, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Muhammed ibn Abdullah ibn Ahmed Es-Semerkandiut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebu Bekr ibn Ali Es-Selami El Hadadit, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebun-Nasr Abdulvehhab ibn Abdullahut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebul-Hasen Ali ibnul-Hasen ibnul Kasim Es-Sufiut, dhe m'i ka ofruar duke thënë: Kam parë tespihët në dorën e shejh Ebul Hasen El-Malikiut dhe i kam thënë: O shejhu im, ti edhe më tej je me tespih? Ai ka thënë: E kam parë mësuesin tim Xhunejdin me tespih dhe i kam thënë: O shejhu im, ti edhe më tej je me tespih? Ai ka thënë: E kam parë shejhun tim, Serri Es-Sekatin, me tespih dhe i kam thënë: O shejhu im, ti edhe më tej je me tespih? Dhe ka thënë: E kam parë shejhun tim, Ma'ruf El-Kerhin me tespih, dhe i kam thënë: O shejhu im, ti edhe më tej je me tespih? Ai ka thënë: E kam parë shejhun tim Bishr El-Hafiun, me tespih dhe i kam thënë: O shejhu im, ti edhe më tej je me tespih? Ai ka thënë: E kam parë shejhun tim Omer El-Mekkiun, me tespih dhe i kam thënë: O shejhu im, ti edhe më tej je me tespih? Ai ka thënë: E kam parë shejhun tim, Hasan El-Basriun, me tespih, dhe i kam thënë: O shejhu im, ti edhe më tej, edhe përkundër madhështisë tënde dhe ngjeshurisë së ibadetit, bartë tespih? Ai më ka thënë: Kjo është gjëja të cilën e kemi përdorur në fillim dhe nuk do ta braktisim në fund. Unë dua ta përmendi Allahun me zemrën, dorën dhe gjuhën time". [18] Ibn Emir Haxh El-Halebiu thotë: "Hadithet të cilat dëshmojnë për marrjen e tespihëve janë të njohur dhe është e njohur se e ka përdorur grupi i njerëzve të mirë". [19]

Ibn Nuxhejmi thotë, pasi e përmendi hadithin e Sa'dit: "Ky dhe hadithet e ngjashme na udhëzojnë në atë se nuk ka problem në përdorimin e tespihëve për numërimin e dhikrit sepse tespihu nuk është gjë tjetër pos radhitja e thelpinjve në litar kurse ajo që është e ngjashme me këtë nuk është e ndaluar, përveç nëse njeriu nuk krenohet me këtë". [20]

Hasekefiu thotë: "Nuk ka problem në marrjen e tespihëve nëse njeriu nuk krenohet me të". [21]

Siç kemi parë, pjesëtarët më të mirë të selefi salihut kanë përdorur tespihët kështu që ai është i lavdëruar ndër të tjera edhe për shkak të hadithit në të cilin Pejgamberi a.s. thotë: "Kush synon të bëhet i ngjashëm me një popull ai është nga ta". [22]



Autor: Sami XHEKO



_________________________

[1] - Sunen, Ebu Davud, nr. 1500, 2/80, Darul Fikr, Bejrut, Tirmidhi, nr. 3567, 5/562 dhe thotë: Hasen, Dar Ihjai Turathil Arebijji, Bejrut, Mustedrek, Hakim, 1/732, Dar'ul-Kutub'il-Ilmijje, Bejrut, botimi i parë, 1411 h., Musned, Ebu Ja'la, nr. 710, 2/66, Ibn Hiban, Ibn Maxhe.
[2] - El-Mirkat, Mulla Ali El-Kari, Hedijjet'ul-Ebrar, Leknevi, fq. 45.
[3] - Kjo frazë mund të udhëzojë në dy kuptime: E para, se Pejgamberi me dorën e tij të djathtë ka bërë tespih, dhe e dyta se ka bërë tespih sepse përdoret folja e cila do të thotë të lidhet nyje dhe ka mundësi që hadithi edhe ashtu të komentohet, d.m.th. se e ka parë duke lidhur nyje në litar dhe kështu bënë tespih.
[4] - Ebu Davud, nr. 1502, 2/81, Tirmidhi, nr. 3411, 5/478 dhe ka thënë: Hasen, Nesai, nr. 1355, 3/79, Darul Kutubil Ilmijje, Bejrut, botimi i parë, 1411 h., Hakim, nr. 2005, 1/731, dhe thotë: Sahih.
[5] - Tirmidhi, nr. 3554, 5/555, dhe ka thënë se ky hadith është Sahih, Hakimi, nr. 2008, 1/ 732; Mu'xhem'ul- Kebir, Taberani, nr. 195, 24/74, Sujuti.
[6] - Zevaid'uz-zuhd, Abdullah ibn Ahmed ibn Hanbel, Hiljet'ul-Evlija, Ebu Nu'ajm, 1/383.
[7] - Minhat'us-subha, Xhelaluddin Es-Sujuti, 1/2, Dar'ul-kutub'il-ilmijje, Bejrut, 1988.
[8] - El-Minha, Sujuti, 1/3.
[9] - Musannef, Ibn Ebi Shejbe, 2/161.
[10] - Begavi, Ibn Asakir, El Minha, Sujuti, 1/2.
[11] - Ebu Davud, nr. 2174, 2/ 252; Ahmed, nr. 10990, 2/ 540; Sunenul-Kubra, Bejheki, nr. 13876, 7/ 194; Musannef, Ibn Ebi Shejbe, 2/ 162.
[12] - Minhatu Subha, Sujuti, 2/ 1; Tabekat, Ibn Sa'd, 7/ 60, Darus Sadir, Bejrut.
[13] - Tabekat, Ibn Sa'd, 3/ 143.
[14] - Musannef, Ibn Ebi Shejbe, 2/ 161, Mektebetur Rushd, Rijad, botimi i parë, 1409 h.
[15] - Hiljet'ul-Evlija, Ebu Nu'ajm, 1/ 373, Dar'ul-Kutub'il-Ilmijje, Bejrut, botimi i parë, 1403 h.
[16] - El-Minha, 1/3.
[17] - Hedijjet'ul-Ebrar, Leknevi, fq. 36.
[18] - Hedijjet'ul-Ebrar fi Subhat'il-Edhkar, Ebul-Hasenat Muhammed Abdulhajj El-Leknevi, fq. 40-42.
[19] - Halbet'ul-Muxhel-li, Ibn Emir Haxh El-Halebi.
[20] - El-Bahrur-Raik, Ibn Nuxhejm, 2/ 31, Dar'ul-Ma'rifeh, Bejrut.
[21] - Ed-Durr'ul-Muhtar, Haskefi, 1/ 437, Daru Ihjai Turath'il-Arebijji, Bejrut.
[22] - Ebu Davud, br. 4031, 4/ 44; Ahmed, br. 4868.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...